BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

E keqja fshihet kudo...

E keqja fshihet kudo...

Një ndër elementët e rëndësishëm të funksionimit të administratës lokale është decentralizimi apo reformimi i qeverisjes, i cili paraqet edhe problemet e vërteta të cilat duhen shqyrtuar me kujdes. Për të pasur një pasqyrë më të qartë të reformës se pushtetit, apo krijimit të sistemit të qeverisjes, pasi që Shqipëria në fakt nuk ka një sistem të qartë të ndarjes dhe strukturës së qeverisjes, duhen sqaruar termat si decentralizimi dhe format e mundshme. Decentralizimi përfshin koncepte me të cilat duhet të jemi të kujdesshëm dhe duke marrë parasysh vende të veçanta edhe konceptet janë të ndryshme. Lloje të ndryshme të decentralizimit dallohen për shkak të karakteristikave të ndryshme, implikimit të politikave dhe kushteve për sukses. Llojet e decentralizimit përfshinë decentralizim politik, administrativ dhe fiskal. Bërja e dallimeve në mes të llojeve të decentralizimit është e rëndësishme për të bërë të mundur një decentralizim të suksesshëm. Disa nga elementët e veçantë që duhet trajtuar janë në aspektin socio-politik, ekonomik dhe ligjor.

Duke marrë parasysh situatën socio-politike në Shqipëri duhet të merret në konsideratë në mënyrë të veçantë situata aktuale e vetëqeverisjes lokale dhe divergjencat socio-politike, në ndarjen e thellë në mes të grupeve të interesit dhe bashkësive të ndryshme etnike, kjo bën që kapitali social në nivele të ndryshme në raste të caktuara të marrë tendenca të keqpërdorimit me arsyetimin e mbrojtjes së interesit madhor që çon në margjinalizimin dhe keqpërdorimin e grupeve të ndryshme etnike të cilat janë shumicë në territore të vogla në vendin tonë. Duke u margjinalizuar kapitali social në kuadër të keqpërdorimit politik prodhon edhe pasoja negative për organizimin e mirëfilltë politiko-social për futjen në eficencë të kapitalit ekonomik dhe për kthimin në prodhimtari efektivë të kapitalit social, ekonomike dhe natyror. Këta elementë shoqërohen edhe me dilemën e ekzistencës se ligjeve duke vënë në dyshim funksionalitetin e ligjeve dhe zbatueshmërinë në nivel lokal në pjesë të caktuara të territorit.

Kombinimi i aspekteve socio-politike, ekonomike dhe baza ligjore janë të rëndësishme për krijimin e frymës pozitive në aspektin e krijimit të politikave zhvillimore lokale dhe për evokimin e interesave lokale në kuadër të rritjes së kompetencave dhe krijimin e njësive të reja komunale, të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në rritjen e kualitetit të jetës së qytetarit.

Nga këndvështrimi i qytetarit të zakonshëm të Shqipërisë decentralizimi është një term shumë kompleks dhe shpesh i pakuptueshëm po aq sa edhe qeveria qendrore është shumë larg nga nevojat e jetës së tyre dhe zgjidhjet për t’u përballur me nevojat dhe me problemet që ata përballojnë në jetën e përditshme, për të ofruar shërbime në nivelin lokal. Shumë shpesh aktivitetet e qeverisë qendrore në nivelin lokal nuk janë të udhëhequra nga kërkesa e qytetarëve lokalë, por janë të imponuara nga ndonjë prej agjencive të cilat zhvillojnë ideologji në kontekstin e interesave të qeverisë qendrore.

Sidoqoftë përvoja ka treguar së qeveritë qendrore shpesh janë të paafta që në mënyrë efektive të implementojnë politika dhe programe zhvillimore ndërsa qeveritë lokale kanë potencial për të qenë më efektive duke njohur rrethanat dhe nevojat lokale në mënyrë më të saktë dhe duke pasur interesa politike për të zhvilluar politika më të rëndësishme në nivel lokal dhe që ato të jenë më efektive. Në shumë vende një nga motivimet kryesore për decentralizim është perspektiva e rritjes së zhvillimit lokal. Zhvillimi është i mundur edhe pa decentralizimin, por avantazhet e qeverive lokale të forta dhe administrata më efikase ndihmojnë shumë për të përmirësuar projektet dhe për të rritur efektivitetin për zhvillimin lokal. Demokracia dhe mbrojta e lirive, gjithashtu përfshin mundësinë për të influencuar në vendimmarrje të cilat direkt ndikojnë në jetën e njerëzve dhe mundësinë për të jetuar në liri dhe në paqe, qeveritë lokale janë në gjendje të ofrojnë këto aspekte të demokracisë në mënyrën që qeveritë qendrore shpesh nuk arrijnë.

Një ndër argumentet tradicionalë për decentralizimin është se krijon potenciale të mbrojtjes për pakicat etnike, nëse pakicat banojnë në zona me një mase të caktuare të vetëqeverisjes, decentralizimi esencial i garanton të drejtat e tyre të jenë të lira si të drejta kolektive. Decentralizimi ofron mundësinë e kombinimit të idealeve demokratike dhe të garancive për pakicat, mund të ofrojë zgjidhje për problemet me karakter të diversitetit etnik duke garantuar autonominë lokale, në mënyrë të veçantë për çështjet që konsiderohen të rëndësishme për identitetin etnik dhe potenciali për konflikt më karakter kombëtar zvogëlohet.

Tendencat e publikuara në lidhje më decentralizimin tregojnë për një paqartësi të skemës se qeverisjes dhe të formës së përshtatshme të decentralizimit, e cila do të duhej të zgjidhet. Zgjedhja e formës më të përshtatshme të decentralizimit, është një ndër çështjet e rëndësishme që duhet konsideruar seriozisht për të pasur një decentralizim efikas dhe të qëndrueshëm. Në kushte të përshtatshme të gjitha format e decentralizimit mund të luajnë rol të rëndësishëm për pjesëmarrjen në zhvillimin politiko-ekonomik dhe social, por në rastin konkret të formës së organizimit te pushteti lokal nuk është e sigurt se do të ketë sukses prandaj edhe forma e propozuar është shumë eksperimentale dhe pa vizion perspektiv.

Cilat janë burimet ekonomike që do të bëjnë të mundur ekzistencën e komunës së ardhshme? Kur dihet se ndonjë nga zonat e përzgjedhura ka si subjekt të tatimit apo taksave komunale një kafene në mes të fshatit apo disa shtëpi të vjetra të kualifikuara si të kategorisë më të ulët në kuadër të skemës kualifikuese si subjekt i tatimit në pronë, po ashtu duhet kushtuar një vëmendje e veçantë edhe çështjes se burimeve natyrore, nëse ekzistojnë.

Kjo lloj përzgjedhje e zonave relativisht të vogla të banuara kryesisht më popullsi etnikisht të pastër të çon në përfundimin se decentralizimi i filluar është më shumë decentralizim për efekte politike dhe i kalkuluar matematikisht për të plotësuar egon nacionale dhe politike të grupeve etnike sesa një projekt i studiuar mirë i paraparë për të pasur një perspektive zhvillimore. Në kuadër të konceptit teorik mund të thuhet se kemi një formë të delegimit të pushtetit që është forma ma ekstensive e decentralizimit. Nëpërmjet delegimit qeveria qendrore transferon përgjegjësinë për vendimmarrje dhe administrimin e funksioneve publike në organizata gjysmë të varura, organizata jo plotësisht të kontrolluara nga qeveria qendrore, por përfundimisht përgjegjëse para saj.