BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Opinion / Editorial

E keqja qëndron te koncepti që kemi për funksionimin e demokracisë

E keqja qëndron te koncepti që kemi për funksionimin e

Ka ditë që në vendin tonë mes politikanëve dhe njerëzve të thjeshtë është ndezur debati nëse duhet të futemi në zgjedhjet e ardhshme me lista të hapura apo lista të mbyllura, me apo pa koalicione parazgjedhore, me ndryshime apo pa ndryshime në Kushtetutë. Debatet janë gjithmonë të mira se i japin frymëmarrje demokracisë, por ama duhet të orientohen në ato aspekte që prekin thelbin e problemit që diskutohet. E keqja e zgjedhjeve tek ne nuk qëndron as tek listat, as tek koalicionet e as tek sistemi që kemi. E keqja jonë e madhe është koncepti i gabuar që është krijuar tek shqiptarët në këto 30 vjet për funksionimin e demokracisë. Demokracia ka kohë që nuk funksionon më, as në zgjedhje e as në mënyrën e drejtimit të shtetit, sepse është shtrembëruar shtylla kryesore e saj, që është vota. Nëse nuk kemi koncept të drejtë për peshën që ka vota, këtu e kam fjalën për votën që hidhet në të gjitha llojet e zgjedhjeve, si për pushtetin ashtu dhe për partinë, për zgjedhjet në institucionet arsimore e për drejtuesit e strukturave jashtëqeveritare, madje edhe kur votohet për dhënien e stimujve material dhe moral. Duhet thënë se në shumicën e këtyre rasteve vota nuk ka qenë e lirë, e ndershme, por e ndikuar dhe diktuar nga interesi apo militantizmi partiak. Në media këto ditë u bënë publike shumica e kandidaturave për deputetë të propozuara nga baza e PD. Është një gjë shumë e mirë praktika e shtruar nga kryetari Basha, që kandidaturat për depudetët e ardhshëm të dalin nga baza. Po kush është baza? A kemi arritur ne që të krijojmë atë demokraci të brendshme në strukturat e bazës, që propozimet e bëra të jenë vërtet me bukë e që të dalin në krye ata persona që kanë vlera dhe i shërbejnë me sinqeritet popullit. Midis atyre emrave ishin disa që e irritojnë elektoratin, jo vetëm të majtin, por edhe të djathtin. Kjo do të thotë se propozimet e bazës nuk kanë munduar t’i shpëtojnë ndërhyrjes nga lart, apo presioni familjar e nepotik. Se si është e mundur që një strukturë partiake që funksionon sipas rregullave të demokracisë, që pretendon të paraqesë alternativë bindëse për të marrë pushtetin, të propozojë si kandidaturë për tempullin e demokracisë Gjin Gjonin apo Adriatik Llallën, që kanë vite që lakohen për keq në gjithë opinionin shoqëror, partiak e shtetëror e për aktin e të cilëve janë prononcuar dhe organizmat ndërkombëtare. A e beson kush se mund të ndodhte mos propozimi i Rudina Hajdarit nga strukturat e bazës së PD, nëse nuk do të ishte ndërhyrja nga lart, të atin e së cilës kjo parti e mban si hero i demokracisë dhe me simbolikën e veprës së tij është munduar disa herë të marrë pushtetin. Duke u hedhur një sy përciptazi kandidaturave të propozuara rezulton se pak janë figura të reja, të papërlyera, me reputacion, e shumica prej tyre ia kanë vrarë, jo vetëm sytë, por edhe xhepin popullit. Këta, populli i presionuar ndoshta nuk i kundërshton hapur, ama votën me ndershmëri nuk ua jep. Edhe dikur në diktaturë, populli i urrente tipa të tillë dhe kishte raste që shpërthente, duke pranuar kosto të madhe. E dënuan me punë korrektonjëse një bashkëfshatarin tim në monizëm, sepse kur hodhën për të gjashtën herë kandidaturën e një personi për kryetar të këshillit të bashkuar, mori guximin e u ngrit e tha në mes të mbledhjes: “E çfarë bëni kështu , o të gjorë. Kemi 15 vjet që mbajmë në krye të pushtetit të njëjtin person, sikur me qenë baba teqeje”. I riu në këtë mbledhje bëri dy gabime, së pari iu kundërvu orientimit të partisë dhe së dyti vlerësoi babain e teqes, ndërkohë që institucionet fetare ishin ndaluar me ligj. Edhe kërkesat e strukturave të bazës për vazhdimin e aktivitetit politik apo rikthimin e disa figurave në gjirin e PD, nuk ishin për ripërtëritje vlerash, por të diktuara nga lart, për të krijuar imazhin se kjo parti është e hapur e mbron vlerat e vërteta. Natyrisht baza është ajo që i njeh mirë njerëzit me vlera që ka në krah, që i shërbejnë me ndershmëri asaj, por ama dihet gjithashtu edhe kush i përbën strukturat e PD në bazë. Deri tani duhet thënë se strukturat e partive në përgjithësi, ose nuk kanë funksionuar fare, ose bëjnë një jetë tepër të vakët, vetëm kur kujtohen të deleguarit nga lart. Asnjë seksion i PD dhe asnjë organizatë e PS, nuk është mbledhur e të diskutojë në mënyrë vetëvepruese për ndonjë shqetësim e hall që kanë banorët e lagjes që ata mbulojnë. Vetëm përpara se të fillojnë fushatat, vihen në lëvizje organizatat, bëjnë gjoja sikur marrin informacion për gjendjen e elektoratit dhe formalisht diskutohen edhe kandidaturat. Dhe të gjitha propozimet që bëhen nga baza për çudi nxjerrin ato emra që pëlqehen nga strukturat lart. Ngrihet një person i strukturës së bazës, dhe pa asnjë lloj analize, pa thënë asnjë lloj merite apo mangësie, propozon tri apo katër kandidatura, ku njëra është ajo që është paracaktuar të fitojë, kurse të tjerat janë “mbuluese”, ”tymuese demokracie”. Dhe të gjitha partitë në këtë drejtim janë njëlloj, sepse strukturat e qendrës duan komandimin mbi partinë, sepse kandidaturat që dalin me “propozim” të bazës do të drejtojnë pushtetin më vonë. Kishte shumë të drejtë humoristi amerikan, Uill Roxhers, kur shprehej  “Sa më shumë lexoni për politikën, aq më shumë arrini të pranoni, se çdo parti është më e keqe se tjetra”. Demokracia që kur lindi tek ne pati problem serioze dhe nuk u kuptua si duhej thelbi i saj. Kontrolli dhe imponimi i strukturave më të larta, ka qenë dhe do të vazhdojë edhe kur demokracia të bëhet perfekte. Rrallë e hiç e njohu ndonjë politikan i veshur me pushtet institucionin e dorëheqjes, edhe kur ka qenë domosdoshmëri. Ndonëse në fillimet e saj demokracia e votës ishte e dukshme, më vonë erdhi duke u shkelur, sepse edhe manipulimi nga ana e strukturave të pushtetit u bë më e sofistikuar dhe vetë mirëqenia deri diku erdhi duke u rritur, për inerci të vetë sistemit dhe një pjesë e njerëzve u bënë më indiferentë ndaj votës. Kur do të bëheshin zgjedhjet për deputetë në 2001, PS që kishte pushtetin, filloi të përdorte metoda manovruese që ta mbante pushtetin edhe një mandat tjetër, duke futur në strukturat e pushtetit ligjvënës dhe administrativ kryesisht njerëzit e saj. Atëherë unë u propozova si kandidat pothuajse në të gjitha organizatat socialiste të zonës që mbulonte deputeti përkatës, por kur erdhi momenti që do të votoheshin kandidaturat në konferencën e organizuar për këtë rast, i deleguari më tha se me urdhër nga lart, do të zëvendësohesha me një kandidaturë tjetër, dhe ma hoqi arbitrarisht emrin nga lista. Kështu kishte dhe raste të tjera, që njerëzit më me pushtet bënin listën, futnin në rreth emrat e kandidatëve që donin të ishin fitues dhe pastaj kjo listë kalonte fshehurazi ndër gjithë delegatët për votim. Megjithatë, duhet thënë se atëherë kishte më shumë demokraci e sinqeritet në çdo zgjedhje, qoftë për strukturat drejtuese të Partisë, qoftë edhe për pushtetin qendror dhe lokal. Në kushtet e sotme, nuk duhet rendur shumë pas listave apo sistemit zgjedhor, por duhet ndryshuar ligji për funksionimin e partive, me qëllimin që të forcohet demokracia e brendshme në parti. Nëse nuk bëhen zgjedhje të ndershme në parti, nuk mund të bëhen kurrë zgjedhje të ndershme për pushtetin. Njerëzit që dalin nga strukturat e partisë, janë ata që do të drejtojnë pushtetin e ardhshëm. Por shumica, ata që dalin nga strukturat e bazës me ligjet ekzistuese janë ata që kanë ego për pushtet dhe përdorin të gjitha mjetet dhe format që të fitojnë patjetër. Ata gjatë fushatës bëjnë premtime lumë, tregohen të ngrohtë me njerëzit, siç thoshte Sharl de Gol “me qëllim që të bëhen zotërinj, politikanët pozojnë si shërbëtorë”, hedhin ndonjë lek apo japin ndonjë dhuratë, e pastaj dalin fitues, duke i bërë njerëzit e thjeshtë që tu besojnë. Njerëzit e zakonshëm , që të mos zhgënjehen më vonë, duhet të kenë parasysh porosinë që jepte Bernard Baruh: “Votoni për njeriun që premton më pak; ai do të jetë më pak zhgënjyes”. Të gjitha strukturat tani kanë përpara zgjedhjet e 2021, ndaj duhet të hapin sytë e të krijojnë një koncept më të drejtë për funksionimin e demokracisë, se mjaft deri tani kemi bërë vetëm xhiro në vend.