BREAKING NEWS

Fundoset Meta, Kuvendi rrëzon dekretin për Kodin Zgjedhor dhe vulos heqjen e koalicioneve, Basha dhe amerikanët lënë në baltë presidentin

Fundoset Meta, Kuvendi rrëzon dekretin për Kodin Zgjedhor dhe vulos
x

Opinion / Editorial

E mallkuar qofsh moj kohë, që tradhtinë e shet për atdhetarizëm!

E mallkuar qofsh moj kohë, që tradhtinë e shet për

Nuk kam për të reshtur kurrë për tradhtarët e kombit shqiptar, nëse ata nuk do të marrin përsipër tradhtinë që i bënë “Shqipërisë së shqiptarëve” këtu e më shumë se tre çerek shekulli më parë. Situata e sotme që përjeton Shqipëria, aleancat në kuadrin e përmbysjes po me tradhëti dhe vendosja e “ një demokracie pro perëndimore” ashtu sikurse e pati projektuar dhe ëndërruar “Balli” nuk mund t’i shfajësojë ata aspak nga bashkëpunimi me nazifashistët e “Boshtit të çeliktë” Romë-Berlin-Tokio. Për deri sa dhe vetë ato vende, qoftë Italia, Gjermania, apo dhe Japonia, nga ku lindi kjo pjellë e zezë, i kanë konsideruar si fatkeqësi historike dhe drama që i kaluan popujt e po këtyre vendeve dhe që dhe vetë i kanë dënuar, atëherë lind e logjikshme që dhe “Balli” apo dhe “Legaliteti” i kohëve “të reja e moderne” minimalisht duhej ta dënonin veprimtarinë tradhëtare të para-ardhësve të tyre “Ballistëve klasikë” të luftës, të cilët historia i vendosi në piedestalin e turpit. Krerët e rinj të tyre, në rrugën e vjetër të tradhtisë ende edhe sot marrin nën mbrojtje “bëmat atdhetare” të këtyre organizatave tradhëtare të lidhura këmbë e kokë me pushtuesit. Sado vite, dekada e shekuj të kalojnë për “ballisto- zogistat”, nuk ka për tu gjetur kurrë, jo vetëm sapun e detersiv që tu lajë kokën me morrat e turpit, por dhe gjithë shkencëtarët e botës në fushën e kimisë po të mblidhen, nuk do ta gjenin kurrë solucionin e konvertimit të tradhtisë në atdhetarizëm, për ta përmirësuar sado pak pastërtinë së figurës së tyre. Mos vallë po nxitohemi, duke i rënë në qafë padrjetësisht këtyre “trimave”, të cilët bënë të pamundurën për Shqipërinë madje sakrifikuan aq shumë sa që historia i paska anatemuar aq keq, në një kohë kur ata kishin shpallur dhe programin e tyre i cili në histori njihet si “Dekalogu i Ballit”?! (quhet kështu sepse programi kishte 10 pika). Në pamjen e parë të krijohet përshtypja se mirë e paska Balli, madje afroka disi dhe me programin e PKSH nga ku në pikën katër shkruhet: “Luftojmë për një Shqipni të rregullueme ekonomikisht dhe shoqënisht në mënyrë që të mos ket shfrytëzues dhe të shfrytëzuem, do me thanë të mos ketë njerëz që jetojnë në shpinë të të tjerëve, mos të ketë bujk pa tokë të veten të mjaftueshme, punëtorë të krahut dhe të mendjes pa banesë dhe jetë të sigurueme; pra për nji Shqipni të rregullueme me një sistem ekonomik rranjësisht të riformuem, simbas shpirtit dhe nevojavet të popullit shqiptar”. Mirë e kishte balli, që angazhohej në të dhjeta pikat se do luftojmë - do luftojmë – do luftojmë, porse, ai kurrë nuk e përcaktoi se kush ishte armiku dhe për rrjedhojë lufta e Ballit jo vetëm se ngeli një parullë për të gënjyer popullin, por ai jo shumë por 15 ditë mbasi doli “dekalogu” me anë të dy anëtarëve të Kom. Qendror të tyre dhe përkatësisht Ali Bej Këlcyrës e Nuredin bej Vlorës, sëbashku me K/Komandantin e armatës së IX të trupave pushtuese italiane nënshkruan një “protokoll nderi” që në fakt është e ngelet, sa tradhëtar aq dhe famëkeq. Po çfarë thotë ky protokoll që dy kryeballistët mbasi një ditë më parë hëngrën e u dendën në tavolinë bashkë me kryeministrin kusiling Maliq Bushati dhe gjeneralin pushtues, hodhën firmat e tyre?!

Ja se çfarë angazhimi marrin ballistët në “interes të Mëmëdheut”:

“1) Ne sigurojmë, duke marrë çdo përgjegjësi, shkëlqesën Dalmaco, komandant epror i fuqive të armatosura të Shqipërisë se asnjë lëvizje kryengritëse me karakter të përgjithshëm nuk do të ngjajë në Shqipërinë jugore; 2) Ne japim fjalën tonë të nderit se do të përdorim gjithë ndikimin tonë për të ndaluar sulmet... aktet e sabotimit që mund të kryheshin eventualisht nga elementë armiq. 3) Ne e ndjejmë veten të detyruar të zhvillojmë propagandën e duhur për të ndaluar dezertimet e reja të ushtarakëve, për të inkurajuar rekrutime të reja në ushtri dhe për të siguruar që dezertorët të kthehen sa më shpejt ndër repartet operative”. Me këtë rast dhe vetë gjenerali fashist Lorenzo Dalamazzo, shprehet i kënaqur me aktin e firmëtarëve të “ballit”, të cilët në fakt merrnin përsipër sigurimin e qetësisë (sikur të ishin xhandarë...) nga elementët turbullues komunistë. Sigurisht, deri në kapitullimin e Italisë fashiste “balli” u mundua të tregohej “luajal” me pushtuesit. Atyre u vinte për shtat parulla e “Shqipërisë së madhe” (etnike), por jo si një çështje që duhej të zgjidhej nga vetë shqiptarët, por bajonetat e huaja të nazi-fashizmit. Në këtë propagandë, ranë dhe shumë njerëz madje dhe të ndershëm (por pa horizont të gjerë politik) sidomos jashtë trungut amë, në trojet tona veçanërisht në Kosovë që zgjidhjen e çështjes kombëtare e shikonin si ndërrim të çizmes së okupatorit dhe jo luftën pa kompromis kundër çdo lloj okupatori, pavarësisht nga parullat mikluese që përdornin ata. Pra të ishte më e rëndë çizmja pushtuese e Serbisë dhe ajo e Italisë më e lehtë, pavarësisht se mund të bashkoheshim sikurse dhe na bashkuan?! Ky ishte një ndër fajet e rënda të ballistëve të cilët me fjalë e “luftonin” armikun teksa me vepra bashkëpunonin me ta. Them e rëndë sepse ata ishin në hapat e parë të tradhtisë dhe nuk ishin zhytur ende aq thellë në rrugën e saj. Por ajo që jua u çjerr përfundimisht maskën trimave të Mithat Frashërit (alias Lumos Skëndos) është shkresa e ditës së enjte 7 Tetorit 1943 e nisur urgjent nga Elbasani, me firmën e kryetarit të tyre, si një qarkore për të gjitha komitetet dhe çetat e “ballit” në të gjithë vendin. Por nëse deri në kapitullimin e Italisë “ballistët” flirtonin qetë-qetë dhe pushkët e falura nga italianët nuk i përdorën as ndaj fashistëve e as ndaj partizanëve (me përjashtim spiunimesh, spiunime këto të cilat gjenden ende në arkivat), sapo u futën gjermanët, duke plotësuar vakumin bosh të aleatëve të tyre italianë, ata dolën plotësisht hapur. Po ç’farë u shkruan Mithati ballistëve në letrën “tepër sekrete” (“ruhej” Mithati se mos letra o u binte në dorë partizanëve ose gjermanëve)? Le ta citojmë:

“Balli Kombëtar ” “Shqipëri e shqiptarëve- vdekje tradhtarve”!

GJITHË KOMITEVE KRAHINORE

Me qenë se vendi ynë sot ka nevojë më të ngutshme për rregull e disiplinë, gjithë komitetet, komandat dhe çetat e “Ballit Kombëtar”, porositen që me të arritur kjo qarkore, të pezullojnë çdo veprim luftarak kundër forcave gjermane tash për tash.

Më vonë do tju dërgojmë dhe direktiva të tjera.

Shqipëri e Lirë dt. 7/10/1943 Për Komitetin Qendror Mithat Frashëri.

Ky dokument është jo vetëm nënshkrimi kapitullues i ballistëve ndaj nazistëve gjermanë, por shënon njëkohësisht dhe bashkëpunimin e tyre të më vonshëm me armikun e tërësisht të hapur të kësaj organizate tradhëtare, e cila më vonë do të vendoste dhe 3-4 ministra ballistë në qeverinë kuislinge, apo si i thonë në “Këshillin e Regjencës”. Dihet botërisht se një pjesë e mirë e aktivistëve ilegalë komunistë, të cilët operonin në zonat e pushtuara janë spiunuar nga ballistët, sikurse dhe vrasja e Këshilltarëve të Hekalit është punë e spiunëve ballistë, sikurse dhe në shkresën e tij Vizhdan Risilia (ish-prefekt i Vlorës me 1944), i cili informon Ministrinë e Brendshme se në bashkëpunim me ballistët bënë të mundur kapjen e komunistes Qeriba Derri. Thuajse të njëjtin fat pësuan dhe heroinat Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima, sikurse dihet se maskara e 4 shkurtit 1944 është vepër e ballistëve me kryeballistin kosovar Xhaferr Deva dhe nazistët gjermanë, gjithashtu dihet se Hitleri e ka përgëzuar “Ballin Kombëtar” dhe personalisht Azis Biçakun, për kapjen e gjeneralit Devis në dimrin e vitit 1944, i cili kryesonte misionin britanik anti- fashist në Shqipëri, teksa misioneri tjetër anglez Join Block Ëilliam do të shprehej se “Ballistët ishin një thes miks i kriminelëve shqiptarë që u ngjanin ushtarëve të Serbisë. Ata krijonin terror dhe shkaktonin dëme kudo që shkonin”. Po ashtu dhe “Masakra e Vranishtit” në Vlorë, prej nazistëve gjermanë mban vulën e tradhtisë balliste, sikurse dhe masakra e Uznovës së Beratit, në të cilën u ekzekutuan nga gjermano-ballistët 72 të pafajshëm. Në librin e tij "Fitorja e Hidhur", Rexh Hiberti midis te tjerash shkruan si për Ballin Kombëtar, por dhe për Lëvizjen Nc-Çl. Ja se si shprehet ai për ballisto- zogistët: "Nacionalistët, humbën shanset e tyre, plotësisht sepse nuk e ngritën as gishtin kundër gjermaneve, madje, as në çastin e fundit, duke i ruajtur forcat, vetëm e vetëm për veprime kundër partizanëve. Ky ishte një gjykim i gabueshëm, i trishtueshëm dhe vdekjeprurës nga ana e tyre” dhe më tej vazhdon: “Enver Hoxha dhe kolegët e tij, kishin gjithashtu një damar të fortë nacionalist, por ata, ose të paktën Hoxha, asnjëherë nuk e kishin vënë në dyshim, se u duhej të luftonin me armë në dorë, për çdo gjë që kërkohej në interes të çlirimit të Shqipërisë. Të njëjtën gjë theksojnë dhe misionarët anglezë të cilët informonin Londrën se: “Të gjitha aksionet e fundit të Nacionalçlirimtares, kanë hasur në forca të përziera gjermano-balliste të armatosura mirë e të stërvitura nga gjermanët...” 17/12/1943.Prot- Fo/371 File nr. 37145. Po të vërejmë me një vëmendje të madhe dhe në përshëndetjet e luftës midis partizanëve dhe ballistëve kishte ndryshime shumë të theksuara. Përshëndetja e ballistëve ishte: “Shqipëri e shqiptarëve-Vdekje tradhtarëve”, pa e përcaktuar aspak se Shqipëria kishte armiq dhe ishte e pushtuar, teksa partizanët e cilësonin armikun me parullën: Vdekje fashizmit-Liri popullit! Po kush ishin tradhtarët për Ballin Kombëtar? Italianët jo! Gjermanët jo e jo. Ballistët vetë nuk pushkatuan asnjë ballist tradhëtar, pra rezultonin se tradhtarë ishin komunistët dhe partizanët. Mirë, po si i bëhet hallit, se për inat të ballistëve, madje dhe legalistëve, qeveritë e koalicionit të Madh URSS, SHBA dhe Britania e Madhe, njohën Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe Enver Hoxhën? Kështu që ta rishikojnë këtë gjë (sikurse po i rishikojnë të gjitha bashkë me kryeballistin Edvin Rama e zogistin Sali Berisha që veset i kanë kthyer në virtyte) ballistët e legalistët tashmë që janë në pushtet, duhet t’u kërkojnë qeverive të këtyre “aleatëve të mëdhenj” që t’i anulojnë vendimet e tyre të kohës së luftës dhe të nxjerrin fitues në tavolinë Ballin. (Pse jo... si fitoret e Salës, i cili i rrëmbente pa e çarë menderen fare dhe Lulit i cili i vidhte si diletant e jo mjeshtër si Rama). Kanë këllqe ballistët ta bëjnë këtë gjë?! Dhe atëherë e vetëm atëherë mbasi Aleatët e mëdhenj të kenë anuluar vendimet dhe mohuar Luftën tonë Antifashiste Nacionalçlirimtare, mbasi fitimtarë të jenë shpallur ballisto-zogisët e teksa partizanët, sëbashku me komandantët dhe komisarët tanë legjendarë, të jenë shpallur tradhtarë dhe bashkëpunëtorë me armikun, (aikurse i nxjerr një “instit-muten”), atëherë nuk do na ngelet gjë tjetër veçse të këndojmë “Këngët himnet marshet” e Ballit, të cilat këndoheshin me të vërtetë, por kur parakalonin para pushtuesve. Isoooo e përpara o trimat e Lumo Skëndos, që ju mori lumi ju mori! Po këndo ore Bamkë o tu mbylltë jo! Këndoni more zuzarë e ç’më rrini e shikoni ashtu, apo kini frikë nga Ibrahim Kovaçi?!