BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

E njëjta melodi nga jugu në veri: Zero investime në Shqipëri!

E njëjta melodi nga jugu në veri: Zero investime në

Është kthyer në modë, slogani, veriu është neglizhuar, persekutuar. Jugu është preferuar me investime dhe përsëri jugu është lënë në harresë, akuzojnë opozitarët tanë që më shumë se u dhimbset zhvillimi, u intereson përçarja dhe loja me investimet nga shteti, të cilat shumicën e herës zerohen ose fshihen fare. Po e vërteta? Nuk ka shqiptar të mos ketë kaluar në segmentin rrugor Lushnje–Fier, të ketë përshkuar bypassin e Fierit dhe të mos ketë thënë me plot gojën: Rrugë e parametrave europiane. Më tej të ketë kaluar në segmentin nga Krahsi në Lazarat, mbetur pa u prekur deri në vitin 2013, të mos kujtoj gropat ku mund të të humbiste makina. Dhe të bëjë diferencën. Të ketë kaluar nga Vlora e të mos i kenë mbetur sytë në hapësirat e gjera të Lungomares që i ka dhënë qytetit pamje moderne, përmasa madhështore. Investim që ka rritur ndjeshëm vlerën e ndërtimeve dhe ka shtuar në masë vizitorët vendas e të huaj. Kush ka ecur në këmbë në brendësi të qendrës historike të Vlorës dhe nuk ka mbetur i surprizuar nga kthimi në identitet, pamje që kemi parë vetëm në fotografitë e kohës. Cili ka kaluar nga Babica drejt Peshkëpisë e Kuçit, e nuk është mahnitur me bukuritë e peizazhet e Lumit të Vlorës nëpër të cilën gjarpëron rruga e re. Kush është ngjitur më lart në Gjormë e Drashovicë, ku zgjatet rruga e re që shumë shpejt do ta bëjë Kuçin lagje periferike të Vlorës. Nëse ecën më poshtë nuk ka si të mos ndeshësh në segmentin rrugor që lidh Qeparoin me Tepelenën, një rrugë mes malesh, si në kronikat e kronistëve të lashtë, e cila shkurton një ditë distancën për të shkuar në Tepelenë dhe zonat përreth. Kush ka përshkuar bypassin eTepelenës nuk ka si të mos ndjehet i relaksuar nga cilësia e rrugës që qarkon si kurorë kalanë e Ali Pashës me themelet që zbresin deri poshtë në lumin që rrjedh vrullshëm për t`iu bashkuar Vjosës më tej. Cili ka marrë rrugën nga Gjirokastra drejt Lazaratit, ka ecur në unazën e qytetit, e ka parë përmirësimet cilësore të pakrahasueshme me segmentin që kemi trashëguar nga pushteti i mëparshëm. Ndalesh për një kafe në qytetin e Tepelenës, ecën mes përmes bulevardit të qytetit, buzë mureve të kështjellës legjendare me histori treqind vjeçare e surprizohesh me ndryshimet në qytetin e vogël, ku ndryshimi me të djeshmen është i pakrahasueshëm. Rrugë të shtruara. Ndriçim. Asfalt në çdo cep të qytetit. Fasada të suvatuara me shije, të lyera me ngjyra të ndezura. Pedonalja me kalldrëm, si zgjatim i rrugicave mitike që zbresin nga kështjella monumentale e bëjnë Tepelenën të dashuruar nga kalimtarët, po edhe nga vizitorët që vijnë nga larg dhe kanë dëshirë të ndalen në këtë oaz të erërave dhe gjelbërimit mes maleve të thepisura, ku luginat që shtrihen deri tutje në Këlcyrë e bëjnë qytetin destinacion të këndshëm për t’u vizituar. Më mirë se cilido e di këtë, qytetari i Tepelenës që e ndjen pulsin e ri të qytetit me tjetër ritëm. Vetë qyteti nga gri e errët, është qëndisur me ngjyra, duke e ndryshuar tërësisht pamjen. Ai që kalon nëpër Tepelenë, ndryshe nga vite më parë ka dëshirë të ndalet qoftë edhe pak minuta për të shijuar ndryshimin e thellë që ka bërë ky qytet dhe zonat përreth. Po vallë, vetë ka ndryshuar, me frymën e shenjtë? Pa investime dhe financime? Me prekje magjike është bërë ndryshimi?!Nëse zbresim në Gjirokastër, vetëm të jesh i lig, nihilist, përçarës, qesharak nuk vlerëson ndryshimet rrënjësore të Gjirokastrës, e cila çdo vit e më shumë po bëhet destinacioni më i kërkuar nga turistët për atë që ofron. Mjafton të ndalesh në Qafën e Pazarit, të përshkosh kalldrëmet mitike dhe të prekësh muret që qarkojnë qendrën historike të qytetit për të parë ndryshimin dhe kujdesin e shtetit për t`i kthyer qytetit të mbrojtur nga UNESCO madhështinë e dikurshme. A nuk janë investime milionëshe të gjitha këto?! Që godinat, kështjella nga Angonatët, Skëndulët, Karagjozët e kështjella hijerëndë të marrin atë shkëlqim si në ditën e parë kur u ndërtuan? Nuk po flasim për shtëpinë kështjellë të rindërtuar të korifeut të letrave shqipe, Ismail Kadare, vepër e kësaj qeverie. Nëse ecim më poshtë e ndalemi në Sarandë, sigurisht që nuk mund të mos ndihesh mirë kur kalon në rrugën hyrëse të standardeve më të mira e ndriçuar që i ka zënë vendin shtegut të shtrembër që të trembte, ku një makinë nuk kalonte dot. Pa folur për Sarandën që aktualisht është shndërruar në kantier ndërtimi me shëtitoren buzë detit dhe pontilet në dy anët e plazhit tradicional “Centrali” ku do të ankorohen në sezonet turistike jahtet dhe skafet, si dhe anijet me vela. Mos vallë këto janë frytë i frymës së shenjtë?? Ky është përçmim jugor? Po nëse zbresim në skajin më jugor në Konispol? Befasia është e prekshme. Tani Konispoli është vërtet qytet! Përshkon rrugën e Rivierës. Ndalej në Vuno e pak me tej në Dhërmi. Këtu, ku ka marrë jetë projekti i njëqind fshatrave, ndryshimi është surprizues. Ecën pak kilometër, në Palasë, fshati turistik buzë detit, një mozaik shumëngjyrësh, me vila e resorte, një nga plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar, ku së afërmi për tetë minuta nga Dukati do arrihet në këtë qytezë turistike elitare dhe do vijohet drejt thellësisë deri në kufi me shtetin fqinjë Greqinë. Nuk po flasim për bypassin e Vlorës që është duke u punuar intensivisht për ta çliruar Vlorën nga ngarkesa e stërmundimshme e mjeteve të shumta në periudha piku. Nuk është e mundur të listohen rrugët e ujësjellësat, si ai i Merkos në Livadh-Konispol apo rikonstruksioni i tërë infrastrukturës së përcjelljes së ujit të liqenit gjigant të Janiarit, me të cilën do ujiten mijëra hektarë me të mbjella. Pak më tej se Vlora po vendosen piketat për aeroportin e Akrinisë, portet detare nga Sarandë në Vlorë, spitalet, qendrat shëndetësore, ujësjellësat dhe autostradat energjitike, duke e çliruar bregdetin nga defektet e ndërprerjet bezdisëse të energjisë pothuajse çdo çast. Të gjitha këto investime madhore janë realizuar nga qeveria Rama. Kjo është e pamohueshme. Nuk mund të fshihet një tablo kaq e gjerë me një fjali të Gazment Bardhit të PD-së për fushatë elektorale! Nuk mund të bëhen zero nga propaganda e politika. Nuk është qëllimi për të inventarizuar gjithçka sepse kjo do ishte e pamundur. As për të thënë se është bërë mrekullia. As për t’u mburrur kurrsesi. Nuk është ky qëllimi ynë. Donim thjesht të bënim një panoramë të përgjithshme, duke u ndalur vetëm në disa maja të investimeve të kryera në këto shtatë vjet të qeverisjes. A është gjithçka? Sigurisht që jo! Po qytetarët, ata që etiketohen për vetë pozicionin gjeografik jugorët, i njohin këto investime dhe i vlerësojnë ashtu sikundër kërkojnë shtim të tyre deri në skajet më të largëta të zonave ku jetojnë. E njëjta tablo edhe për veriun e vendit, atje ku jetojnë vëllezërit e jugorëve dhe që nuk i ndan asgjë pasi janë pjesë e një kombi, një gjaku, vëllezër që sa herë është dashur, janë bashkuar në një front për mbrojtjen e atdheut tonë. Nuk ka asnjë ndarje fizike apo përçmim mes jugut e veriut, veç faktit që gjenden në kahje të ndryshme gjeografike të Shqipërisë. Emërtim, thjesht gjeografik. Askush nuk e ndan dot atdheun tonë në pjesë. Është një trup. Ka të njëjtën zemër, një mendim, një qëllim, një dëshirë, një synim, një aspiratë. Prosperitetin e atdheut tonë në njëzetë e tetë mijë kilometër katror. Si i tillë nuk mund të privohen investimet apo të ndahen në jug dhe në veri. Fryma që kërkon ndarje dhe veçim është fryt i mendjeve të sëmura. Për shqiptarët ka vetëm shqiptarë dhe kurrë nuk gjykohet për jugor, lindor, perëndimor, apo verior, siç rreket politika të bëjë për nevoja të ditës dhe për influencë të votës. Në zonat e veriut të vendit, kujdesi për investime i qeverisë shqiptare ka qenë permanent. Rruga e Arbërit është një nga arteriet më të veçanta nga terreni që përshkon. Zbresim më poshtë përfundimin e rrugës së Elbasanit. Rrugët drejt bjeshkëve, Valbonës e Thethit. Investimet në qytetin e Tropojës, Pukës, Shkodrës, Kukësit, Dibrës, përfundimi i Rrugës së Kombit. Nuk ka shtet normal të ndajë trupin e atdheut në pjesë dhe të vlerësojë një pjesë, duke lënë në harresë një tjetër. E bëmë këtë panoramë investimesh, cituam emra objektesh konkrete për një arsye fare të thjeshtë. Propaganda e opozitës, e Partisë Demokratike, prej kohësh akuzon mungesën e investimeve, privimi, persekutimin e zonave të veçanta. Kjo është një panoramë e pjesshme. Nuk është gjithçka. Akuzat për mungesë investimesh, harresë, përçmim dhe persekutim zonash të veçanta, shpalosur nga drejtuesit më të lartë të PD-së, është keqdashës, u fryn erërave të përçarjes dhe ndasive mes popullit. Propaganda për mungesën e investimeve, po përdoret gjatë këtyre ditëve si një nga akuzat më të rënda për fushatë elektorale. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në kuadër të përzgjedhjes së kandidatëve me votim nga anëtarësia, trumbeton me të madhe se qeveria “Rama” e ka lënë jugun në harresë nuk ka bërë asnjë investim. E kanë mashtruar, i kanë marrë votën dhe nuk kanë sjellë investime pasi kanë vjedhur të ardhurat. Bardhi në takimet me qytetarët në kuadër të betejës për të denigruar kundërshtarët politikë, sulmon se është lënë në harresë jugu i vendit. Nuk janë kryer investime. Rama u ka mashtruar. Përpjekja për të mashtruar me mungesë investimesh, është qesharake. Bardhi përpiqet të zerojë përpjekjet dhe interesimin e shtetit për përparimin e ekonomisë dhe zhvillimin. Liderët e PD-së kur janë në veri sulmojnë qeverinë se ka lënë veriun në harresë. Të njëjtën gjë bëjnë edhe në lindje-perëndim, të cilat i konsiderojnë të braktisura nga qeveria. Mohimi i investimeve të kryera gjatë këtyre shtatë vjetëve në veri të vendit ka dëshmitarë vetë qytetarët e atyre trevave, ndryshimet dhe projektet që janë përfunduar, si dhe projekti në diskutim Milot-Vorë. Mohimi nuk është gjithnjë përfitim politik. Zoti Gazment Bardhi në emër të PD-së, ka të drejtën e plotë të shpalli fitoren në gjithë Shqipërinë që tani. Të bëjë propagandë dhe të lartësojë entuziazmin e fitores tek çdo militant dhe mbështetës i partisë. Po ai dhe lidreshipi i PD-së, liderë të partive në koalicion me të, janë jashtë realitetit, të pabesueshme kur duan të zerojnë investimet dhe financimet, ndryshimet dhe zhvillimin e zonave në veri apo jug, perëndim a lindje, kudo që jetojnë shqiptarët. Qeveria Rama nuk ka persekutuar asnjë zonë as ka bërë ndarje dhe preferenca. Projekti njëqind fshatrat nis nga Vermoshi dhe përfundon në skajin më jugor, në Mursi. Mohimi i gjithçkaje që bën kundërshtari politik nuk është asnjëherë notë pozitive për pretendentët për pushtet. Në këto tri dekada demokraci, këtu në Shqipëri, dëgjojmë të njëjtën melodi. Sot, teksti dhe refreni: Mungesë investimesh nga Edi Rama, në jug-veri, lindje-perëndim, kudo në Shqipëri!