Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

A e prishin imazhin e vendit “kapterët” e mediave?

Postuar: 06/12/2017 - 07:13

Na është bërë shprehi tashmë që sapo futemi në shtëpi apo zgjohemi nga gjumi, të parën gjë që bëjmë rrëmbejmë telekomandën e televizorit. Ky veprim, për të gjithë është një veprim më tepër për të bërë “adetin” dhe jo se do të shohësh ndonjë diçka të re që do të të tërheqi... “Menuja” e kanaleve televizive, është e njëjtë, në çdo orë gjatë njëzet e katër orëve, gjatë ditëve, javëve, muajit. Fillojnë e mbarojnë orët e mbrëmjes duke dëgjuar kronikat e zeza të lajmeve televizive. Të dëgjosh këto kronika të zeza në çdo gjysëm ore duhet të kesh durim prej të marri. Jo vetëm në orët e paradites, po edhe në orët e pasdites kur njerëzit janë në shtëpi, televizorët, qëndrojnë hapur, jo se dikush ato ka interes t’i dëgjojë, por për të vetmen arsye që dikush duhet të zhurmojë në shtëpi, për të treguar që ka njerëz! “U arrestuan për vjedhje, u therën me thika, u aksidentuan, bashkëshorti vret bashkëshorten me sëpatë, u trafikuan x ton drogë, policia drejt vendit të ngjarjes, në pranga shtetasit A. G., Xh. Sh,. Y. F., Q. K., tritol makinës, merr flakë makina, 70 vjeçari përdhunon të miturën, kapet banda e grabitësve...”. E njëjta ngjarje, jepet në shtatë versione, e njëjta ngjarje tjetër për tjetër emra, të njëjtën sasi droge, disa e matin me gramë, disa me kilogramë e të tjerë me tonelata. Duan sikur të jenë “Të parët për lajmin e fundit”, por në realitet, nuk janë as “Të fundit për lajmin e parë”! Midis qindra e mijëra shembujve të tillë, kam parasysh policin e ndjerë i cili u shtyp nga një makinë diku në afërsi të Kamzës, u bë edhe “Dëshmor i Atdheut” para pesë viteve në mos gaboj por emri i saktë, as edhe sot e kësaj dite nuk iu mësua nëse quhej Selman apo Selam. E njëjta gjë edhe për aktorin Demir Hyskja që e “vdiqën” dhe e “ngjallën” disa herë. Po se mos janë vetëm këto. Sa për drejtshkrimin në titrat televizive, mos pyet. Edhe atyre që u kanë rënë flokët, megjithëse nuk kanë bërë asnjë klasë shkollë sepse diplomat i kanë blerë, u ngrihen qimet e kokës përpjetë, sikur të lexojnë se si shkruajnë e si i ndajnë fjalët. Më mirë që nuk i sheh kush. “Roma për toma” televizive, janë të përditshme e të përorëshme dhe Koço Devoles që t’i pasqyrojë të gjitha, i duhet të punojë njëzet e katër orë rresht.

Por, le të biem të flemë e të ngrihemi në mëngjes që megjithëse e dimë se ç’do dëgjojmë, dora, edhe pa e komanduar, shkon tek telekomanda e televizorit, në atë stacion ku u mbyll në darkë. Dëgjon folësen që thotë: “Mirëmbrëma të dashur dëgjues, po japim lajmet”! Ashtu si je i përgjumur, e çon tek kanali tjetër... “Dhamë lajmet, natën e mirë”! Fërkon sytë se mos je në ëndërr dhe rri e mendon: “Nuk po marr vesh po ngrihem nga gjumi apo po bie në gjumë? “Është mëngjes apo darkë”? Kur truri qetësohet dhe ingranohet, sheh që ora ka shkuar tek “Koha për t’u zgjuar”! Lajmet e gazetave me gërma kapitale i bëjnë jehonë, “kronikës së zezë”, të thëna e stërthëna ditë më parë, por që botuesit, i kanë me merak që për të bërë të mundur që gazeta të shitet, nuk e kanë për gjë sikur edhe të sajojnë gjëra të paqena. Kështu qenka demokracia, që edhe këta të “pushtetit të katërt” të mos mbajnë përgjegjësi për ç’ka shkruajnë e thonë, njësoj si ata të “pushtetit të parë”! Po t’i shtosh këtyre edhe mënyrën se si i lexojnë gazetën gazetarët e gazetaret, të bëjnë të mendosh “Merre me lëng”! Si ja “këput” njëri, nuk ja “pret” tjetri. Disa i lexojnë nga dy e nga tre herë. E ç’do të bëjnë? Si do të shtyjnë orët? Në një kanal lexohen titujt e gazetave pa pikë e pa presje, disa të tjerë i lexojnë sipas versionit “dy ujë e një oriz”, të tjerë mbas çdo titulli i bëjnë edhe komente dhe duket sikur ikën nëpër “ugarre” e nuk e di se ku do të ndali! Të tjerë i zhgarravitin me laps e të tjera gazetare na i tregojnë artikujt me thonj, si për t’i bërë atyre reklamë! Të gjithë, të përbashkët kanë vetëm atë që na tregojnë faqet e gazetës që ku të shfletojmë që të mos ngatërrohemi. “Koha për t’u zgjuar” të detyron, që të ndryshosh drejtimin dhe të kryesh ndonjë aktivitet tjetër të mëngjesit. Ndryshimi i vetëm, midis gazetave opozitare dhe atyre që janë më afër me mazhorancën qeverisëse, është se ndërsa ato të opozitës, “kronikën e zezë” e “nxijnë” edhe më shumë me gërma kapitale si kryetituj në faqen e parë, të tjerat mbasi kanë “zbuluar” se sa do të rriten pensionet dhe cilët do të marrin këstin e katërt, “kronikat e zeza” rreshtohen më poshtë. A ka vallë edhe gjëra të mira që bëhen në këtë vend? Ka, por ato as që merret mundimi të shkruhet. Më shumë se vështirësia për të zbuluar edhe ato punë të mira që bëhen, është ajo që mediat, vizive dhe ajo e shkruar, nuk para e kanë qejf të shkruhen punët e mira që bëhen. Ja p.sh; me qindra e mijëra janë ata banorë që humbën djersën dhe mundin e tyre disavjeçar nga fatkeqësia natyrore e kohëve të fundit, ku shumë prej tyre janë akoma nën pushtetin e ujit. Fatkeqësive të natyrës mund t’u paraprihet, por jo të ndalohen dhe kjo ka shumë arsye. Por më e keqja e këtyre është kur media të veçanta, e krerë të veçantë të opozitës si edhe shumë fatkeqësi të tjera, edhe këtë fatkeqësi e shfrytëzojnë politikisht, si për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarit! Kjo është e patolerueshme. Në këtë rast, përveç defekteve të shumta të ekzekutivit mund të thuhet që i gjithë kabineti qeverisës ka qenë në krye të detyrës dhe kanë bërë gjithçka për t’u ardhur atyre në ndihmë. Askush nuk e thotë këtë nga mediat, por u bëjnë jehonë disa zërave të shkëputur që shprehin vetëm: “Nuk kemi parë të na vijë askush nga qeveria”, “Shteti nuk duket gjëkundi”, “Shteti po na mbyt”! Po si mund të shprehin solidaritet dhe të japin kontribut për aq sa munden opozitarët, të cilët “shqetësimin” më të madh e kanë jo të japin kontribut kundër “Ujkut” që kanë në vathë, por merren me “gjurmët” e fantazmës komuniste, të cilën kanë njëzet e shtatë vjet që nuk po e “shpartallojnë” dot megjithëse merren çdo ditë nga mëngjesi në darkë. “Kontributi” më i madh i opozitës dhe fletushkave” të tyre është ajo që bëjnë thirrje: “Të ngrihet menjëherë shtabi i emergjencës”! “Nuk ka më kohë për të humbur”, bën thirrje “fletushka “Integrimi”! “Ky mot i keq e bëri zhyl fasadën rilindase”, e thotë një “Zhylas” integrimas, megjithëse është “shkollëshumë” dhe shok i Vasilit. Nga halli e ka “i varfri” kërkon të duket që edhe ky, është gjallë! Mjerë ata që i ka zënë halli dhe ai që i kanë varur “këmborën” në qafë! “Parathënia e një stuhie që do të përmbytë Shqipërinë e shembi që dje shtetin prej kartoni të Rilindjes”, shkruan fletushka “Kokëdhima”! Kokëdhima u fut me vështirësi në shtetin prej “betoni” të Rilindjes dhe doli shumë lehtë kur ai u shndërrua në “shtet kartoni”. “Shqipërinë e mori lumi” shkruajnë “fallxhorët e zinj” të fletushkës “Basha” i cili e “shpëtoi” Shqipërinë, duke shkuar deri tek Mziu i Partisë dhe u largua pa i rënë një pikë shi në kurriz!

Kemi kështu, dy gjëra. Ndërsa të parat, janë çështje të profesionalizmit, të atyre që janë marrë “nga dhitë e janë bërë zabitë”, të dytat, janë çështje të bindjeve partiake, të shprehura nëpërmjet drejtuesve dhe botuesve të medias. Tek bisedoj me një mik të vjetër por opozitar ai shprehet: “Ç’të bëj unë? Jam i detyruar, ta bëj sepse në fund të fundit, ai më le pa bukë”! Nuk e thashë më kot qysh në titullin e shkrimit që “kapterët” e mediave, jo vetëm po shpërfillin “pushtetin e katërt”, por po krijojnë edhe një imazh të keq për vendin. “Mizat” dihen ku shkojnë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe “mizat” e blera me paratë e qytetarëve më të varfër të Europës, dihet përse blihen, për të bërë të mundur sadopak të “infektojnë” vendin! Nuk është shumë i goditur krahasimi që bëj në këtë rast, kur dikur, në sistemin e Diktaturës, një udhëheqës i lartë thoshte: “Karkalecat në bujqësi dhe kapterët në ushtri, po na prishin ekonominë e vendit”! Kapterët, ishin njerëz të nderuar, të cilët bënin një punë të caktuar, por ata nuk mund të drejtonin repartin, pa bërë një klasë shkollë. Ata vërtet nuk ishin në drejtim të repartit, por kishin në dorë të mirat materiale, kishin edhe mishin, edhe gjalpin edhe djathin dhe si të tillë, shumë prej dembelëve dhe servilëve që nuk u pëlqente të stërviteshin, ua kishin nevojën dhe u shërbenin këtyre kapterëve, që edhe këtyre, ua kishte qejfi të kishin njerëz të tillë. Sot, ndodh e kundërta. Sot, në drejtim, si kudo edhe në media nuk ka as televizion e as gazetë të pavarur. Media vizive apo e shkruar pasqyron bindjet e botuesit, atij që ka paratë, atij që të merr në punë edhe nëqoftëse je “elifimatrak” apo të hedh në rrugë, edhe nëqoftëse je profesionist. Këta drejtues të “pushtetit të katërt” kujtojnë se janë mbi të gjitha pushtetet e tjera dhe sipas tyre, paskan të gjitha të drejtat që të akuzojnë pushtetet e tjera për kriminalizim, për korrupsion etj etj., por që për veten e vet janë “të larë”! Por a ka gazetarë të aftë dhe profesionistë? Ka dhe këta janë të shumtë, por këta nuk i dëgjon kush, këta duhet të shprehin bindjet e tyre sipas atyre të shefit dhe nëpërmjet shefit të partisë që ai përfaqëson. A do të ketë veting për të deklaruar burimin e të ardhurave drejtuesit e “pushtetit të katërt”? Të shohim. A do të dalin ndonjëherë “të paekspozuarit” e vërtetë dhe të “ekspozohen”, jo si emisionet e tyre të “paekspozuarit” që na “ekspozohen” çdo ditë, apo ata që e kanë kthyer pllakën shumë herë nga 180 gradë dhe kërkojnë të na mbushin mendjen me emisione 360 gradë! Në mos shumë, por pak të vërtetë ka brenda ajo që Rama i quan mediat ‘kazan”! Në këtë “kazan” është e vështirë të gjesh ndonjë “copkë” mish që të gjithë, diçka të “shijojnë” nga ky “pushtet” me shumë rëndësi pavarësisht që quhet “pushtet i katërt”! 

Nga Pandeli BARDHI       

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2017 - 07:03

Shumë vite më parë një korrespondente e gazetës Nju York Times, shqiptarja e shquar, Nexhmije Zajmi nga Libohova që jetoi dhe ndërroi jetë në SHBA, ka shërbyer për shumë kohë si korrespondente e Lindjes në këtë gazetë. E kisha dëgjuar emrin e kësaj zonje të nderuar, por nuk dija shumë rreth saj.

Postuar: 12/12/2017 - 07:01

E kam thënë edhe më herët, po e përsëris prapë, ndërrimi i mendjes për sjelljen në Kuvend të Demarkacionit me Malin e Zi sipas versionit të qeverisë së kaluar do të jetë "v

Postuar: 12/12/2017 - 07:00

Në Parlamentin e Shqipërisë, sigurisht kanë ndodhur shumë e shumë marrëzi politike, marrëzi dhe ultësi njerëzore e mediatike, por padyshim që me këtë nivel kulturor do të vazhdo

Postuar: 10/12/2017 - 09:41

Shoqëria shqiptare po emancipohet, po civilizohet, po del nga kornizat e një bote të mbyllur, ku nuk hynte as drita, as mjeku.

Postuar: 10/12/2017 - 09:37

Nuk ma merr mendja se e kanë ditur në vitin 1990 studentët, por dhe profesorët, që ishin mbledhur për të kujtuar John Lenon-in për kunj të diktaturës, se ai ka një batutë të til

Postuar: 10/12/2017 - 09:18

Duket se në arenë kanë zbritur “Titanët”.

Postuar: 09/12/2017 - 07:13

Thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ishte në themel të lëvizjes së dhjetorit 1990.