BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

E shkuara nuk ndërrohet dhe ne jemi fatlumë si rrallëkush me të!

E shkuara nuk ndërrohet dhe ne jemi fatlumë si rrallëkush me

Liria e shqiptaria janë “feja” jonë dhe datat, ngjarjet, vendet, të rënët e përjetshëm dhe protagonistët e luftës janë “kultet”, “meshat”, “shenjtorët”, “rrëfimi” dhe “shpëtimi” ynë si komb njëkohësisht, shansi për përjetësi në histori. Kalendari ynë është plot me data historike që na bëjnë tok në përuljen e respektimin e sakrificës për liri dhe atdhe që i duam të gjithë njëlloj. 5 e 9 Maji këto ditë, 29 Nëntori e të tjera data e ngjarje madhore që lidhen me LANÇ janë në vazhdën e 28 Nëntorit dhe sakrificave historike për liri. Nuk janë histori bardhë e zi, por kuq e zi si vetë flamuri që na bën tok dhe përulja dhe reflektimi ndaj tyre është shans për urtësi, paqe e harmoni mes nesh dhe shpresa e përjetësisë si komb. Nuk janë thjesht data në kalendar, por frymë që mbush çdo faqe të tij. Është rikujtesa dhe konstantja për të cilën të gjithë kemi nevojë çdo ditë, është nga vijmë dhe ku shkojmë dhe pa to venitet shpirti e humb fytyra e kombit sado pasuri xhepat të kenë. Të rënët e shenjtë nuk mund të jenë dekor politik. Tek shenjtorët nuk ka vend për shejtanë. Përpara të rënëve jemi tok, kurorat duhet të mbahen e vihen bashkë dhe barra e amanetit historik duhet ndarë po bashkë. Një amanet ky “hyjnor” jetik për kombin, memorien dhe identitetin historik, kujtesë e përditshme ku gjejmë veten të gjithë për të mos e marrë lirinë e begatinë të mirëqenë por jetuar, punuar e ecur përpara në jetë si vëllazëri. Kurora ditën e 5 Majit apo 29 Nëntorit na nderon si komb, por përmbushja e amanetit çdo ditë të vitit na shpëton. Lufta me datat e saj është mbi çdo sistem e ideologji ndaj nuk duhet të ketë asnjë kompleks e hezitim në përkujtimin e ngjarjeve, protagonistëve dhe mbajtjen gjallë të frymës së saj. Aq më tepër në demokraci dhe kushtet e pluralizmit e ndasive pafund, gjërat dhe vlerat që na bashkojnë nuk duhen parë bardhë e zi. Vepra e të rënëve e veteranëve na përket të gjithëve, na jep nder e identitet si komb duke qenë fryma pa të cilën humbim “fillin” si shoqëri. Të parët shteti dhe politika kanë detyrimin dhe privilegjin të respektojnë e përkujdesen që vlera e luftës dhe apeli i dëshmorëve të jenë prezent çdo ditë duke iu kundërvënë sajesave që duan të përbaltin ato me iluzionin, koha punon në favor të rehabilitimit të “mykut” historik. Mbi shtatë dekada e kanë çimentuar fitimtarin dhe vendin e tij në histori dhe më shumë se dëshpërimi i koshit të historisë për rehabilitim, zhgënjen mefshtësia, deri oportunizmi shtetëror, ndaj vlerave e frymës së luftës nga dekorimet e nderimet arbitrare, lënia në harresë e heronjve, ngjarjeve, vendprehjeve, familjeve të dëshmorëve, arbitrariteti kush nderohet dhe gjen apo nuk gjen vend në sheshe publike etj. Është fryma e 5 Majit, 29 Nëntorit etj, që na ngriti kokën akoma më lart në rajon e botë duke na rreshtuar, ndryshe nga kolaboracionizmi, me SHBA e kampin e lirisë në anën e duhur të historisë duke rikonfirmuar traditën historike liridashëse e pakompromis të trashëgimtarëve të iliro-epiriotëve dhe arbëreshëve stoikë. Që i dëshmoi botës mbarë vokacionin liridashës shqiptar dhe garantoi sovranitet pa kthim duke ia dalë qasjes kolaboracioniste dhe rrezikut të një 1913 të dytë. Fryma e 5 Majit është “hipoteka” e përjetshme dhe e patjetërsueshme e identitetit dhe vokacionit historik pro-perëndimor shqiptar që na rreshton përbri fuqive botërore të lirisë, filli që na bën njësh me SHBA e Perëndimin demokratik. Fryma e 5 Majit dhe e luftës është në vazhdën e traditës historike shqiptare si kombi më tolerant, më mendjehapur e më fisnik në rajon me vendprehjet e të rënëve për liri gjithnjë brenda trojeve të të parëve. Krejt ndryshe nga grekët apo serbët që Luftën Botërore e panë si mundësi për të çuar 1913 deri në fund, tek ne prioriteti i luftës mbeti okupatori fashist, kontributi në çlirimin e fqinjëve dhe partneriteti real dhe pa mëdyshje e rezerva ndaj SHBA e koalicionit antifashist, mbi vlerat e të cilave u ngjiz vetë BE më pas. Ishte fryma e luftës, e lirisë dhe e sovranitetit që, pavarësisht Luftës së Ftohtë dhe dallimeve ideologjike, mbajti gjallë aleancën historike me SHBA e Perëndimin demokratik duke bërë që edhe pas gjysmë shekulli ngrirjeje ideologjike, partneriteti të shpalosej i plotë me çlirimin e Kosovës, mbrojtjen e integritetin e shtetit shqiptar nga anarkia e ‘97, rreshtimin në NATO, sponsorizimin drejt BE, konsolidimin e shtetit ligjor etj. SHBA nuk harron ata që bashkohen me të në anën e duhur të historisë. Ishte lufta dhe sakrifica e atyre që nderojmë më 5 Maj e 29 Nëntor ajo që arriti të okupojë forca nazi-fashiste që ndryshe do të operonin gjetiu në frontin e Perëndimit duke kontribuar sadopak në fushatën njerëzore e luftarake të koalicionit antifashist. Ishte kjo frymë liridashëse që ndonëse gjysmë shekulli kundërshtarë ideologjikë, bëri që Shqipëria nga njëra anë t’i kundërvihej Traktatit të Varshavës dhe hegjemonisë ruse në rajon duke lehtësuar sadopak gjeopolitikën perëndimore në rajon dhe nga ana tjetër SHBA-të ishin gjithë kohën garantët e sovranitetit të shqiptarëve në rajon. Fryma atdhetare e 5 Majit, 29 nëntorit etj, kapërcen çdo kornizë ideologjike dhe karshillëku dhe lakimi i saj prej të humburve në anti-komunizmin e futur në një “thes” dhe politika e qorrollepsur, vetëm lartëson më tej fitimtarin në podiumin e tij. Historia e ardhjes e largimit të monarkisë, kolaboracionizmi, të sponsorizuarit nga agjenturat antishqiptare në Ballkan që nuk iu kundërvunë komunizmit shqiptar, por vetë shtetit shqiptar etj., tregon se anti-komunizmi nuk të shndërron automatikisht në patriot, demokrat apo dhe pro-amerikan. Fryma e luftës dhe 5 Majit nuk shkon me nderimin e antikomunizmit kolaboracionist apo atij të shitur tek fqinjët shovinistë. Është karshillëk ndaj lirisë dhe të rënëve dhe vetë Perëndimit ku heroi luftës ndahet nga kolaboracionizmi e tradhtia. Futja e antikomunizmit në një thes bie ndesh jo vetëm me frymën e luftës dhe 5 Majit, por dhe vetë frymën e disidencës së vërtetë antikomuniste dhe kauzën e pishtarëve të lirisë dhe demokracisë që e donin po aq këtë vend. Disidenca e vërtetë kompromentohet si nga ordinerë që bërtasin për shpërblime ndërkohë që familjet e dëshmorëve lihen në harresë, kuislingu e pinjollët që duan të rishkruajnë historinë, ata që gjetën jatak tek greku e serbi, ish-monisti i privilegjuar që ra nga “fiku” se shtynin njëri-tjetrin apo dhe vetë viktimat e pafajshme të monizmit që me të drejtë meritojnë ndjesë, kompensim e favore për të drejta të mohuara për breza me radhë. Disidenti i vërtetë nuk pretendon pafajësi sepse iu kundërvu me vetëdije sistemit dhe mori parasysh gjithçka dhe sikurse fryma e 5 Majit, për të vlen mbi gjithshka mirënjohja e mbarë shoqërisë dhe kujtimi veprës që la pas. Historia është histori dhe sikurse bota e qytetëruar e përjetëson atë nga mbretër, perandorë e autokratë të kohërave pa dallim, nëse në bulevard e sheshe nderohet monarkia e nacionalizmi apriori, duhet të nderohet si duhet edhe lufta, ndërtimi i vendit dhe protagonistët pa ngurrim. Fryma e luftës dhe 5 Majit nuk mund të retushohet sipas oreksit politik dhe lufta patriotike nuk ka pse merr dorën e politikës së ditës për t’u shfaqur në gjithë madhështinë e saj. Lufta ka ngjarje, emra, ka edhe drejtues dhe nëse Enver Hoxha ishte në krye, kjo nuk ka pse sëkëlldis njeri, ndryshe kot i biem në qafë monizmit për vështrimin bardhë e zi. Luftë pa komandant nuk ka dhe reminishenca e luftës së klasave, kompleksimi e retushimi i së shkuarës nuk i shkon për shtat demokracisë aq më tepër kur bëhet fjalë për luftën antifashiste që i ka bërë vend vetes në histori me dekada dhe është e shenjtë për vetë perëndimin demokratik. 5 maji shkon e vjen dhe deri atëherë është 9 Maji, 28 Maji, 10 Korriku, 16 Shtatori, 28 e 29 Nëntori etj. data pafund që na ri-kujtojnë përditë kush jemi kur hedhim sytë në “pasqyrën” e historisë. Të shkuarën nuk e ndërrojmë dot, por për fatin tonë të mirë, mund të mburremi si rrallëkush me të. Bëjmë mirë ta meritojmë që një ditë të krenohen edhe me ne për atë që do u lëmë pas.