BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Opinion / Editorial

Eaaa... Luli ka edhe një plan për në... në Europë

Eaaa... Luli ka edhe një plan për në... në Europë

Luli siç e kemi parë e dëgjuar, kudo ku shkon, çdo individi, çdo familjeje, çdo grupi shoqëror, çdo biznesi, çdo pensionisti, çdo njësie, çdo fshati, çdo qyteti, çdo çerdheje, çdo kopshti, çdo shkolle çdo universiteti, çdo të sëmuri, çdo lypës, çdo invalidi, çdo të vdekuri u premton se për secilin ka një plan: "Unë kam një plan dhe betohem me jetën time se do ta zbatoj pikë për pikë këtë plan, por...nëse do të më votoni kryeministër... Nëse do të më votoni për kryeministër, kam edhe një plan për në Europë”. E deklaron këtë në spotin me zë të çjerrë "bashkohuni me mua....se e kam një plan se si do t'ju fut në Europë". Eaaa Lul! Europa ia ka ndezur Shqipërisë dritën jeshile për hapjen e negociatave kohë më parë, madje kur ju ishit rrugëve si mandatlënë. Por ju, iu shmangët përgjegjësisë publike për të bashkëpunuar me mazhorancën (qeveri+opozitë) për ta udhëhequr këtë popull drejt një shoqërie demokratike. Ju si gjithmonë, të inspiruar e xhelozuar nga interesa meskine, partiake, cinike, jo vetëm nuk bashkëpunuat, por bëtë edhe të kundërtën. Protesta, deklarata, denoncime,vjellje vrer kudo që shkonit. A e kupton ti,more Luli i vocërr,që këtë precedent mund të ta bëjë ty edhe kjo mazhorancë, nëse do të dalë në opozitë, që fatmirësisht nuk do të ndodhë? Eaaa... Lul! Duhet t'i kishit lenë mënjanë të gjitha këto interesa të vogla përkundrejt interesit kombëtar, duhet të shtroheshit këmbëkryq si shqiptarë, jo vetëm për këtë problem madhor, por edhe për zgjidhjen e problemeve të tjera, që Europa t'ju shihte si europianë: me dialog, negociata, debate konstruktive (sidomos në Parlament) dhe duke reflektuar kudo e në çdo gjë një sjellje etike (pa sharje, ofendime, akuza etj). Për herë të parë në historinë e këtij tranzicioni të trishtë, ti ore Luli, që vjen nga shkolla europiane duhet të tregoheshe një herë të vetme racional dhe i përgjegjshëm. Por nuk të lë ndërgjegjja e "Atit shpirtëror", që fatkeqësisht je kthyer në një lloj "amfibi" që shfaqesh fizikisht si Lul me buzëqeshje "guinpleniane" e shpirtërisht si Sali nekrofili! Nëse, me të vërtetë ju do të dëshironit integrimin e Shqipërisë, që padyshim ishte edhe në interesin tuaj si opozitë, për të ardhur në pushtet me "zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike", siç edhe dëshironit, atëherë ai i hapjes së negociatave ishte momenti që ta tregonit veten, si një "pioniere" e integrimit. Nëse do të ishit në këtë rol, nuk do të harxhonit sot gjithë ato pare, mundim e aktrim për të bërë atë spot me yje, për të bindur shqiptarët se vetëm ti mund ta futësh Shqipërinë në Europë e të lodheshe duke apeluar me zërin e çjerrë "bashkohuni me mua se unë e kam një plan, por... më parë më bëni kryeministër". Eaaa... një kryeministër si ty do të na çojë në Europë? Kush mund ta besojë këtë? Karriera jote politike ka treguar deri më tani, se kur deklaron se "kam një plan", çdokush është i bindur se nuk ke asnjë në plan, se kur betohesh se do e zbatosh pikë për pikë qoftë edhe me jetën tënde janë të bindur se "ti i lë në mes të rrugës, i tradhton ithtarët e tu, siç i tradhtove tek çadra, tek protestat, tek braktisja e Parlamenti etj. Ti je asoj tipi që siç thotë populli "fjalë mirë e gurë në trastë "... Eaaa... Lul! Je kthyer në një epilog për të ardhur keq, i një udhëtimi gjatë të cilit e ke parë veten të fortë brenda "çadrave politike, protestave rrotull Kryeministrisë apo mitingjeve të paligjshme siç ndodh edhe në këtë fushatë rrethuar nga turma vulgare. Po përjeton autosugjestionin dramatik të një njeriu, Lul, herë si Robin Hood,h erë si Don Kishot,por që në të gjitha herët përfundon si Tatarini i Taraskonit", që kur vë këmbën jashtë këtij perimetri "ekstaze" sheh se realiteti është krejt i ndryshëm. (Tatarini, personazhi i Alfons Dode, shkonte në luftë kundër tigrave me tam tame e brohoritje nga turmat e kthehej i rraskapitur, i lodhur e tërë zhele, i brohoritur për humbjen nga të njëjtat turma). Mjerë ato turma që të ndjekin e të besojnë ende! Zhgënjimi i pret! Dhe ja pse do t'i zhgënjesh përsëri Lul. CV-ja tënde politike e konfirmon këtë. Predikove gjatë tre muajve në Çadër se opozita nuk do të hynte në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Artikulove deri në ekstrem me stoicizëm qeveri teknike duke indoktrinuar turmën deri në absurditet me një premtim të tillë që nuk e mbajte. U betove se nuk do të kishte zgjedhje me shumicën aktuale në pushtet duke krijuar pritshmëri false tek mbështetësit dhe duke i lodhur deri në ekstrem negociatorët e huaj për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme. Artikulove deri në budallallëk se si europianë e amerikanë ia futën që të gjithë kot, se ishin blerë dhe përdorur si gurë shahu nga Rama. Vërtetove se, gjithçka që artikulove, akuzove, premtove deri në abnegacion, ishin "Bullshit"! Po tani përse të të besojmë? Vetëm se ke një plan që vetëm ti e di dhe nuk na i tregon pa të bërë kryeministër? Duam të të besojmë, por na jep një arsye si ish-kryebashkiak, si ish-pushtetar tri herë e si kryetar partie dy herë, që të të besojmë. Përvoja jonë e hidhur tregon se gjatë gjithë historisë sonë dy herë jemi gënjyer, por nga të huajt. Herën e parë nga xhonturqit që luftuam krah tyre dhe pastaj u mashtruam duke mos i mbajtur premtimet. Herën e dytë, në fillimet e demokracisë nga Rajersoni me çekun e bardhë dhe me thirrjet e tij për të votuar PD dhe Sal-Ui si të vetmit përfaqësues të Zotit në Tokë, që do sillnin demokracinë në Shqipëri. Dhe pasojat po i paguajmë ende edhe sot. Ndoshta na falet të gënjeheshim nga ata, por a mund të na falet të gënjehemi nga ty që je i tëri nga koka tek këmbët një "Bullshit"? (Dënglaxhi që thua gjepura e broçkulla). Eaaaa, Lul! Duhet t'i "vini gishtin kokës", pas 25 prillit, si opozitë (se kështu do ngeleni përsëri), për të mos u bërë shkaktarë të humbjes të këtij shansi historik, si herët e tjera nga kokëfortësia, kryeneçësia, xhelozia apo për interesa të ngushta partiake, vese këto të një klase politike "vulgare", mediokre, aspak europiane. Atëherë kjo opozitë jo europiane do të na çojë në Europë? Kjo opozitë me planet haluçinante të Lulit do të ndryshojë Shqipërinë? Luli ka vetëm një plan makiavelist. Të bëhet kryeministër me çdo kusht, me çdo mjet e me çdo çmim! Eaaa... Lul! Nëse nuk bëhesh kryeministër që është e sigurtë, atëherë ku do shkojnë planet e tua? Apo do të përfundojnë si "preshi" i Tritanit?