BREAKING NEWS

Ish-kryeministri e akuzoi si të shitur te Balla, reagon ashpër Bardhi: Po poshtëron veten, ka përdorur pushtetin për të rritur zerot në llogarinë e tij, shpif për këdo që...

Ish-kryeministri e akuzoi si të shitur te Balla, reagon ashpër Bardhi:
x
BREAKING NEWS

“Ish-kryetarit i vinin mesazhe dhe s’përmendte emrin e kundërshtarit”, Sali Berisha nuk harron të sulmoj Bashën: U angazhua për llogari të...

“Ish-kryetarit i vinin mesazhe dhe s’përmendte emrin e
x
BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë informon qytetarët: Si paraqitet situata epidemiologjike në Shqipëri në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë informon qytetarët: Si paraqitet
x
BREAKING NEWS

Bordi i Transparencës vendos çmimet e reja, sa do të shitet litri i naftës, benzinës dhe gazit

Bordi i Transparencës vendos çmimet e reja, sa do të shitet
x
BREAKING NEWS

Agron Duka dhe Fatmir Mediu propozuan emrin e tij për President të ardhshëm, reagon Dash Shehi: Të gjitha mbeten manovra politike

Agron Duka dhe Fatmir Mediu propozuan emrin e tij për President të
x
BREAKING NEWS

Kryeministri Rama i zhgënjyer nga largimi i Dybala-s: Po të isha kryeministër i Italisë do e bëja Chiellinin ministër

Kryeministri Rama i zhgënjyer nga largimi i Dybala-s: Po të isha
x
BREAKING NEWS

Qeveria merr vendimin e rëndësishëm për federatat sportive dhe sportistët elitarë

Qeveria merr vendimin e rëndësishëm për federatat sportive
x
BREAKING NEWS

Aksident i rëndë/ Makina përmbyset në kanal, plagosen dy persona, dërgohen me urgjencë te Trauma

Aksident i rëndë/ Makina përmbyset në kanal, plagosen dy
x

Opinion / Editorial

ECA e shqetësuar për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri

ECA e shqetësuar për Shtetin e së Drejtës në

Gjykata Evropiane e Audituesve (European Court of Auditors- ECA), institucioni më i lartë auditues i Bashkimit Evropian, publikoi më 10 janar 2022 raportin e saj special me nr. 01, të titulluar “Mbështetja e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor: me gjithë përpjekjet, problemet thelbësore ngelen”, të përfunduar nga Dhoma III e Gjykatës më 9 nëntor 2021, të nënshkruar nga Presidenti i ECA-s, Klaus-Heiner Lehne.

Ky është një raport integral auditimi i ECA-s për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, i cili konfirmon shqetësimin e të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe shteteve partnere për problematikat e mëdha në prokurimet publike, për progresin e kufizuar në sundimin e ligjit dhe mungesën e pronësisë dhe vullnetit politik të vendeve përfituese të projekteve të Bashkimit Evropian në rajonin tonë. ECA trajton problematika të ngritura edhe më parë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, FMN, Banka Botërore dhe institucionet e tjera ndërkombëtare që na monitorojnë, por që për fat të keq, qeveria jonë i ka injoruar.

A. Korrupsion i përhapur në prokurimet publike

Në raportin e saj, ECA cilëson se “Në Shqipëri, Agjencia e Prokurimit Publik raporton se numri i procedurave me negocim pa publikim paraprak ka rënë ndjeshëm vitet e fundit. Megjithatë, përfaqësuesit e biznesit dhe gazetarët e intervistuar (shih Aneksin II për listën e takimeve), thanë se korrupsioni në prokurimet publike është i përhapur, me tregues të qartë të kapjes së shtetit: procedurave shpesh u mungon konkurrenca efektive, çmimet e ofertave për punët publike janë të fryra dhe prokurimit për marrëveshjet koncesionare i mungon transparenca”, (faqe 37 e raportit).

Në këtë vlerësim, duket se vijon gangrena e korrupsionit. Mesazhet dhe gjetjet e raportit të Gjykatës Evropiane të Audituesve duhet të vlerësohen maksimalisht dhe të ketë reflektim të përgjegjshëm mbi to, nga ana e qeverisë, kuvendit, institucioneve të reja të reformës në drejtësi dhe institucioneve tona të pavarura. Vendosja e kritereve diskriminuese dhe subjektiviste në prokurimet publike e dëmton rëndë procesin dhe e çon atë drejt klientelizimit të pastër. Qeveria jo vetëm nuk ndërhyn, por në të kundërt, i stimulon ato direkt ose indirekt, duke u shndërruar në nxitësen kryesore të korrupsionit. Sjell vetëm dy fakte nga rastet emblematike, të raportuara në media në javët e fundit, të cilat vërtetojnë katërçipërisht gjetjet dhe konstatimet e ECA-s.

Skandalin e raportuar nga mediat në dhjetor 2021, në tenderin me objekt “Përfundimi i punimeve në segmentet rrugore Ura e Kranesë-Qafë Botë, Ura e Kranesë-Ura e Gajdarit dhe përmirësimi i segmentit rrugor Shijan-Ura e Gajdarit”, me fond limit mbi 1.4 miliardë lekë ose 11.5 milionë euro. Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli fitues një bashkim kompanish private me ofertë afër fondit limit, ndërkohë që s’kualifikoi me argumente qesharake një tjetër bashkim operatorësh ekonomikë, i cili kishte ofruar 450 milionë lekë ose rreth 3.7 milionë euro më pak!

Argumentet e tipit “kishte vetëdeklaruar 121 punëtorë nga 142 punëtorë që duhej të paraqiste në ofertë”; “nga dy automjete vijëzimi rrugësh me bojë bikomponente, paraqiti një” dhe “punën e ngjashme të mëparshme e solli pa vulë apostile”, janë joprofesionalë dhe mjeranë.

Këta argumente shërbejnë vetëm për të justifikuar pangopësinë dhe “dëshirën” e papërballueshme të këtij institucioni që menaxhon qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë, për të shpallur në garat publike fitues me ofertën më të lartë, pranë fondit limit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit(FSHZH), në prokurimin “Zonë e re për zhvillim në Spitallë dhe Rikonstruksion i Rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari””. FSHZH shpall fitues kompaninë që ofroi rreth 400 mijë dollarë më shumë se oferta më e mirë, edhe pse kriteri kryesor me 60 pikë (nga 100) në përzgjedhjen e fituesit ishte çmimi më i ulët! Duke vërtetuar konstatimin e ECA-s se fryrja abuzive e çmimeve të shërbimeve në tenderat tanë është dukuri e përhapur në përmasa shumë shqetësuese. Raste të tilla në prokurimet tona janë me dhjetëra, në mos edhe me qindra në vit. Përmes tyre, goditet rëndë konkurrenca efektive në tenderimin publik, si dhe efektiviteti, efiçienca dhe ekonomiciteti (3E-të) e parasë publike. Dhe flasim për prokurime, që si vlerë përfshijnë jo pak, po mbi një të katërtën e Prodhimit Kombëtar (institucionet tona shtetërore të pushtetit qendror dhe vendor tenderojnë 2.8 miliardë euro në vit mallra dhe shërbime).

ECA e thekson me forcë se transparenca vijon të ngelet problem themelor, si në prokurimet e zakonshme, ashtu dhe në marrëveshjet koncesionare të PPP-ve. Tek ne, transparencën nuk mund ta realizojë as edhe një deputet i Kuvendit. Në rrugë zyrtare, i kërkova Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në fillim të dhjetorit të këtij viti, në cilësinë e anëtarit të Kuvendit, informacion mbi studimin e fizibilitetit, vlerën e ofertave financiare dhe të planeve të biznesit të kompanive pjesëmarrëse në tenderin publik për Projektin e Portit Turistik “Marina Vlorë”, Aeroportit të Vlorës dhe Tunelit të Llogarasë. Sekretari Ministria më ktheu përgjigje se pjesën thelbësore te këtyre informacioneve nuk mund t’i japë, pasi janë konfidenciale, për shkak të kërkesës për t’i konsideruar konfidenciale nga ana e kompanive pjesëmarrëse(?!).

Gjykoj se transparenca do të rritej dukshëm, nëse do të kishim një ligj “Për transparencën e plotë të Përfituesve nga Prokurimet Publike në nivel qendror dhe vendor”. Do të përpiqem në formulimin e një ligji të tillë për Kuvendin, pasi brenda muajit do të paraqes draftin e projektligjit “Për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësve Publikë të Nivelit të Mesëm dhe të Lartë”, materialin kryesor të të cilit paraprakisht e ka përgatitur specialisti i mirënjohur i auditimit publik Dr. Gjon Ndreja.

B. Mungesa e pronësisë dhe vullnetit politik të vendit përfitues

Në faqen 32 të Raportit, ECA konkludon se ”Pas më shumë se 20 vitesh përpjekjesh politike dhe financiare në Ballkanin Perëndimor, si Komisioni Evropian ashtu edhe organizatat e tjera ndërkombëtare raportojnë... se reformat nuk kanë qenë qartësisht të mjaftueshme për të bërë ndryshime të përgjithshme në sundimin e ligjit, kryesisht për shkak të mungesës së pronësisë nga ana e institucioneve shtetërore të vendit përfitues dhe vullnetit politik”.

Ky konstatim është tërësisht i vërtetë për vendin tonë. Pavarësisht ndihmës së paçmueshme të Bashkimit Evropian dhe përpjekjeve të Delegacionit të BE-së në Tiranë, pavarësisht aspiratës së madhe që kemi për integrimin evropian, ne, në nivel qeveritar dhe shtetëror në tërësi, nuk dimë të përgatisim projekte të denja për thirrjet për propozime të strukturave donatore të Komisionit Evropian. Edhe pse, në gjithë këto vite të fundit, Bashkimi Evropian, nëpërmjet fondeve IPA, ka disbursuar me dhjetëra milionë euro në formën e dhjetëra projekteve për zhvillimin e ekonomisë, kulturës dhe shoqërisë sonë në tërësi, pasiviteti i theksuar në aplikimin për projekte të tilla, duke treguar se qasja jonë europiane vijon të mbështetet më shumë në slogane sesa në punë, menaxhimi i dobët në nivel strategjik, taktik e operacional i projekteve të akorduara, ku strukturat e dedikuara të IPA-s janë apatike, jo në përputhje me prioritetin politik e social, monitorimi jo efiçient dhe në kohë, duke treguar rrjedhimisht për një proces më së shumti fiktiv të rritjes së kapaciteteve administrative, kanë treguar mungesë përgjegjësie të institucioneve shtetërore përfituese, çfarë ka sjellë edhe mungesën e pronësisë mbi projektet, për të cilën flet ECA. Edhe monitorimi ynë lë shume për të dëshiruar. Një shembull tipik është Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës (AAPAA), e cila u krijua në vitin 2009 dhe u konsolidua në vitin 2016 me Ligjin Nr. 90/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit për Programet e Asistencës së Akredituar të BE-së në Republikën e Shqipërisë”, me qëllim verifikimin e efektivitetit dhe funksionimit të mirë të sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit të Fondeve të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Kjo agjenci nuk ka audituar dhe verifikuar asgjë!, po t’i referohesh faqes së saj të internetit (http://www.aapaa.gov.al/index.php/category/activities/?lang=al).

Në këtë portal të fjetur, nuk gjendet raporti apo vendimi mbi raportin e qoftë një auditimi të vetëm të veçantë, të ndërmarrë nga AAPAA, por disa raportime vjetore me fraza të përgjithshme. Asnjë gjetje, asnjë studim apo projekt i veçantë, nga kjo Agjenci, që varet nga qeveria.

Në rubrikën e saj të ngjarjeve dhe aktiviteteve, ngjarja apo aktiviteti më i fundit është një seminar për auditimin, i zhvilluar në Kroaci në maj 2018. Uroj që ta kem gabim dhe portali i AAPAA të ketë pasur një bllokim, por fakti është kokëfortë që duhej të ishte kjo agjenci që me auditimet dhe raportet e veta të furnizonte ECA-n në gjetjet dhe rekomandimet e kësaj të fundit. Mirëpo në listën e gjatë të institucioneve të këshilluara nga ECA për Raportin Special 01 të saj për vitin 2022, mungon emri i AAPAA. Ky institucion nuk ka kontribuar në misionin e tij për të mbuluar fushat e përputhshmërisë, ligjshmërisë, rregullsisë dhe menaxhimit financiar të fondeve të BE-së, si dhe 3 E-të, efektivitetin, efiçiencën dhe ekonomicitetin në përdorimin e këtyre fondeve, në përputhje me konceptin e menaxhimit të shëndoshë financiar dhe praktikat e mira të ECA-s. Me mungesën e kontrollit të shëndetshëm të strukturave qeveritare të paguara nga taksapaguesit shqiptarë vjen edhe mungesa e pronësisë dhe e vullnetit politik të institucioneve përfituese, për të cilën flet ECA. Rasti i fundit në kohë i keqmenaxhimit të projekteve të asistencës së huaj, është ai i sjellë nga denoncimi në media në 13 janar 2022 i arkeologut të njohur, politikanit Prof. Neritan Ceka, në lidhje me Projektin e Planit të Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit. Investimi i afro 6 milionë eurove nga fondet e BE-së, për shkak të papërgjegjshmërisë dhe indiferencës totale të Ministrisë sonë të Kulturës, solli shmangien e kontributit të vyer të arkeologëve shqiptarë dhe injorimin e propozimit të Institutit të Arkeologjisë së Shqipërisë për krijimin e një Muzeu Arkeologjik në Bylis, i cili do të ekspozonte objektet e zbuluara gjatë gërmimeve dhe do të dëshmonte historinë, kulturën, jetën shoqërore dhe politike të qytetërimit antik ilir.

C. Progres i kufizuar në sundimin e ligjit

Në faqet 39-40 të raportit, ECA thekson që “Në Shqipëri, përçarja e shkaktuar në sistem nga shkalla dhe ritmi i ngadaltë i reformave, ka ndikuar në mbështetjen e publikut për reformat në drejtësi, për shkak të rritjes së numrit të çështjeve të grumbulluara. Ajo rrezikon të minojë legjitimitetin e tyre të perceptuar nga publiku. Pjesa e shqiptarëve që besojnë se reformat do të kenë një ndikim pozitiv u tkurr nga 71% në vitin 2016 në 53% në vitin 2019 dhe ata prej tyre që mendojnë se reformat po zbatohen siç duhet ra nga 46% në 32 % gjatë së njëjtës periudhë. Publiku shqiptar e merr informacionin e tij kryesisht nga burime mediatike tradicionale, të cilat perceptohen si me interesa personale dhe në këtë mënyrë, ose mund të minimizojnë ose theksojnë skandalet e korrupsionit në varësi të besnikërisë së tyre politike ose të biznesit. Kjo, gjithashtu, rrezikon të minojë legjitimitetin e perceptuar të reformave”

Dhe vërtet, legjimiteti i Reformës në Drejtësi, zhvillimit më të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare në këto gjashtë vitet e fundit, rrezikon të dëmtohet seriozisht edhe nga harta e re gjyqësore. Projekti i riorganizimit të gjyqësorit, ku nga 36 Gjykata të Shkallës së Parë ngelen 16, nga 6 Gjykata Administrative të Shkallës së Parë ngelen 2 dhe nga 6 Gjykata Apeli në gjithë Shqipërinë ngelet vetëm një (?!), përbëjnë një goditje-atentat konkret që i bëhet reformës në drejtësi, i realizuar pikërisht nga ata që hiqen si mbrojtësit e saj!

Nuk mjafton që pas 5 vite e gjysmë nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese “Për reformën në drejtësi”, shërbimi i drejtësisë është akoma edhe më i vonuar për qytetarët tanë, për shkak të pastrimit të saj nga elementët abuzivë dhe të paaftë, por duhet që me riorganizimin e gjyqësorit, t’i shtojmë qytetarit anomali dhe të cenojmë komunitete të caktuara (këtë temë do ta trajtoj më në detaje në një diskutim në Kuvend).

Konstatimi i mësipërm i ECA-s kërkon që institucionet e reja të Reformës në Drejtësi të ndezin dritën e alarmit në punën e tyre. Rasti qesharak i përfshirjes në veting të një subjekti katër vjet pas vdekjes është emblematik në kujdesin maksimal që institucionet e reja duhet të dëshmojnë në punën e tyre. Ato duhet të bëjnë shumë kujdes nga situata që komprometojnë profesionalizmin e tyre ose i përfshijnë në konflikte interesi, pasi në lojë është besimi i qytetarëve tanë tek ta, i cili është gjithçka! Dhe ECA njofton me shqetësim se ky besim i qytetarëve po bie.

Në një rast të përcjellë nga mediat ditët e fundit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit(KPK) zgjodhi një resort luksoz si destinacion për zhvillimin e analizës së punës së vet 4-vjeçare me procesin e vetingut në shtator 2021, të sponsorizuar nga një kompani private, emrin e së cilës, me gjithë përpjekjet e mediave, KPK insiston për ta mbajtur anonim.

Ne sot jemi të paqartë se sa më efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet janë përdorur të gjitha resurset dhe burimet njerëzore të KPK-së. Dosjet e përfunduara prej kësaj strukture flasin për një ecuri shumë të ngadaltë dhe këndvështrim me dy standarde. Edhe për këtë do të flas në Kuvend, kur të trajtohet në rend të ditës. Komisionerët e KPK duhet të kuptojnë se nuk janë të pazëvendësueshëm. Përshëndes rezultatet e kontrollit të tyre tek dëshmitë dhe e kaluara pasurore e subjekteve të vetingut që kalojnë në sitë, por një punë të tillë mund ta kishte kryer edhe institucioni i Inspektorit të Lartë të Kontrollit të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, po të kishte pasur aksesin e plotë në informacion dhe ndihmën e ekspertëve të huaj.

Gjykoj se ekspertët e huaj, anëtarë të ONM-së, ndihma e paçmuar e të cilëve e ka mbajtur KPK-në në lartësinë e rezultateve që ka arritur, duhet t’i bashkëngjiten me ligj KLGJ dhe KLP, edhe në rast se nuk miratohet zgjatja e afateve të institucioneve të Vetingut, në respekt të Kushtetutës, për të suportuar dhe monitoruar vetingun e magjistratëve që janë në proces e deri në fund.

xx

Mendoj se Raporti 01 i janarit 2022 i Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA), edhe pse kryesisht është për institucionet e Bashkimit Evropian, duhet të lexohet seriozisht edhe nga Qeveria jonë. Pasi të merret informacioni i plotë nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, ky raport auditimi i ECA-s duhet të shqyrtohet dhe diskutohet edhe nga Komisionet e Kuvendit. Po e mbyll këtë shkrim, duke cituar Rekomandimin e VIII-të të Përmbledhjes Ekzekutive të Raportit: “Në bazë të këtyre konkluzioneve, ne (ECA) i rekomandojmë Komisionit Evropian:

të forcojë mekanizmin për promovimin e reformave të shtetit të së drejtës në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian; të intensifikojë mbështetjen për shoqërinë civile të angazhuar në reformat e sundimit të ligjit dhe për mediat e pavarura; të përforcojë përdorimin e kushtëzuar nga suksesi i reformave në sundimin e ligjit, për fondet në IPA III; si dhe të forcojë raportimin dhe monitorimin e projekteve”. Këto rekomandime janë më se aktuale dhe ato të duhurat edhe për ne, shtetin dhe shoqërinë shqiptare.