Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok Çupi lëshon ‘bombën’: Presidentit t’i hiqet …

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok
x

Opinion / Editorial

Edhe historianët europianë e pohojnë origjinën mirditore të Kastriotëve

Edhe historianët europianë e pohojnë origjinën mirditore

Historiografia shqiptare, para, po edhe pas viteve nëntëdhjetë, në agimin e shekullit XXI, ka përmendur vetëm tri krahina si vendorigjina të mundshme të familjes princore të Kastriotëve: Matin, Sinjën në Dibër dhe Kastratin në Has të Kukësit, duke lënë në harresë, çuditërisht, Kastrin në Vig të Mirditës edhe pse për këtë kishin folur, përveç historianit austriak Jakob Falmerajer edhe historianët shqiptarë Fan S. Noli, Athanas Gega dhe historian të tjerë europianë e turq. Pasi edhe sot e kësaj dite është lënë në hije kjo tezë, unë kam mbledhur mbi 180 dëshmi e referenca historike që e vërtetojnë origjinën mirditore të Kastriotëve. Shtegtimin e kam nisur me historianin e shquar Fan S. Noli, i cili pat pohuar qartë se “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s’ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia”, duke shtuar se “Aemathia e Barletit ka qenë, që nga koha e tij e gjer sot, një burim lajthitjesh (për historianët-shënimi im), se me këtë emër quhej në kohët e vjetra Maqedonia Jugore dhe, shpesh, tërë Maqedonia”. (V. 4, f. 67). Për kësi “lajthitjesh” dëshmonte edhe historiani Kristo Frashëri, kur, në librin e tij “Historia e Dibrës”, pohonte se “Historianët mesjetarë quanin Maqedoni (Emathia) edhe Shqipërinë e Mesme, duke përfshirë në të edhe gjithë krahinën ku rridhte lumi Mat me degët e tij (?!), me dy Fanët (Fani i Madh dhe Fani i Vogël”, të cilët, siç dihet, nuk janë degë të lumit Mat-shënimi im), por përshkojnë mespërmes Mirditën etnografike dhe pastaj, derdhen në lumin Mat. Por se kush është Mati i periudhës së mesjetës, për të cilin flasin disa historianë, na e zbulon qartë edhe një fragment i shkëputur nga libri “Antologjia e re e shkencave, e letërsisë dhe e arteve”, volumi 33, botuar në Firence më 1876, në të cilin thuhet se “Mati… shtrihet jo larg nga Drini dhe përbën një vend pjellor dhe të populluar, të banuar nga mirditorët e famshëm, njerëz të bukur, të guximshëm dhe të rreptë, të panënshtrueshëm ndaj çdo autoriteti. Në këtë vend lindi Gjergj Kastrioti i famshëm, i quajtur Skanderbeg”. Kjo ide sikur shpaloset edhe në veprën “Precis de la geographie universelle” (Përmbledhje e gjeografisë universale”) të autorëve Marte-Brun. Se edhe këtu zbulohet e vërteta që “lumi i Matit, ish-Mathis, përshkon një vend malor të banuar nga mirditorët, një fis katolik shqiptar, që ruan njëfarë pavarësie dhe dallohet disi nga shqiptarët e tjerë për ndershmëri më të theksuar dhe për vlera të larta morale”. Dhe këta autorë u shkojnë më tej të vërtetave historike, që dëshmojnë origjinën mirditore të Kastriotëve, kur shkruajnë se “Ata (mirditorët-shënimi im) drejtohen nga dy prijës ose krerë, një shpirtëror, që ishte kryeprifti ose abati i Oroshit (të Mirditës-shënimi im) dhe një tjetër tokësor, i përkohshëm, kreu i familjes Leka” (Lekë Dukagjini-shënimi im). Dhe i shkonin në themel të vërtetës kur pohonin që “Nga gjiri tyre (i mirditorëve-shënimi im) ka lindur fama Kastriotase, tmerri i osmanëve për një kohë të gjatë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Për “lajthitje” të tilla dëshmonte edhe historiani francez Zhan Klod Faverial, i cili, në librin e tij “Historia e Shqipërisë”, shkruan: “Mirditorët… banonin në malet përreth, dikur të quajtura Kunavia. Fshatrat e tyre, të shpërndara në luginën e Matit (e lumit Mat-shënimi im), zinin një hapësirë prej 24 lega, që nga grykëderdhja e këtij lumi e deri në burimet e tij, ndërsa kryeqyteti i tyre, i vendosur 16 lega prej Alisios (Lezhës-shënimi im), quhet Orosh”, duke shtuar se: “Kruja, e shpallur sinjori prej kontëve napoletanë, gjendet në trevat shqiptare që e marrin emrin nga lumi Mat”. Ndoshta ka qenë kjo arsyeja që Fan S. Noli ynë i madh, pasi i ka vënë dukshëm në dyshim Matin, Dibrën dhe Hasin si vendorigjina të mundshme të Kastriotëve, sikur i orientonte historianët shqiptarë drejt së vërtetës, kur shkruante: “Thaloc dhe Jeriçek (në veprën “Zëei Urkunden aus Nordalbanien”- shënimi im) e quajnë përrallë sllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë se llagapi i tyre…tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri”, që, siç dihet, shtrihet në Vig të Mirditës dhe jo në Mat, në Dibër apo në Has. Këtë e kishte pohuar edhe historiani austriak Jakob Falmerajer, kur kishte shkruar se “Kastriotët ishin nga fshati Kastër i Mirditës”. Këtë sikur e kishte pohuar edhe historiani Aleks Buda, i cili pat shkruar se: “Sipas të dhënave të një marrëveshjeje tregtare me qytetin e Dubrovnikut (1420), tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit nisnin në perëndim, në bregdet, në rrethinat e qytetit të Lezhës dhe arrinin deri në rrethinat e Prizrenit, d.m.th, përfshinin trevën në jug të lumit Drin, Mirditën e Lumën”. Për Mirditën si vendorigjina e Kastriotëve sikur pohon qartë edhe akademiku Kasem Biçoku, kur thekson se “Ky lumë (Mati-shënimi im) shërbente si kufi ndarjeje me një tjetër njësi administrative, të ndarë në vilajete, të përfshirë në një regjistër të veçantë të emërtuar “Defteri i emrit të Gjonit”. (Gjon Kastrotit), ku gjendeshin të shënuara edhe fshatrat e vilajetit të Dhimitër Jonimës, që shtriheshin nga Lezha në Rubik”. Dhe e bën më bindëse idenë e tij kur shtonte: “Nevojat e drejtimit të principatës (të Kastriotëve) kërkonin që Gjon Kastrioti dhe familja e tij të mos banonin në viset ekstreme lindore, siç ishin ato të Dibrës, por në një nga qendrat kryesore të saj, prej nga Gjoni mund të drejtonte e administronte principatën e tij, siç u bë Kruja në kohën e Skënderbeut”. Ashtu si historiani Fan S. Noli edhe akademiku Dh. Shuteriqi tregon se “Gjon Kastrioti, sipas disa dokumenteve, më 1407 pretendon të ketë kisha të cilat ishin pjesë e Peshkopatës së Arbërit. Midis tyre është edhe Shën-Mëria e Ndërfanës. Ai (Gjon Kastrioti) thotë se “që prej 800 vjetësh, Peshkopata e Arbërit vendosej në tokat e sunduara prej tij”. Drejt Kastrit, si vendorigjina e Kastriotëve, na çon edhe historiani Athanas Gega, të cilin Fan S. Noli e quante “njohësin më të mirë të historisë së Skënderbeut”. Në veprën e tij “Arbëria, Gjergj Kastrioti”, ky historian, si edhe të tjerë, dëshmon se “Kastriotët zotëronin territorin e përfshirë në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës e deri në Prizren”, duke shtuar konkluzionin lapidar, sipas të cilit “Mbiemri Kastrioti që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin (fshatin-shënimi im) e Kastrit në Mirditë, se sa me lokalitete (vende-shënimi im) të tjerë”. Këto të dhëna të studiuesve dhe historianëve shqiptarë për origjinën mirditore të Kastriotëve i gjejmë edhe tek disa historianë europianoperëndimorë e turq. Kështu, historiani francez Zhan Dysylje, pohon se “Midis rrjedhës së poshtme të Matit dhe të Drinit shtriheshin zotërimet e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, ku Lezha ishte kryeqendër”. Dhe çështjen e bën të qartë edhe rilindasi i shquar Preng Doçi, i cili u tregon pasardhësve se “Lezha ka bërë pjesë, sikurse edhe sot (1885-shënimi im), në trevën e Mirditës, që lufton nën shenjën e Gjergj Kastriotit dhe qe cep i Dukagjinëve”. Edhe historianë të tjerë evropianoperëndimorë i pohojnë këto të vërteta. Kështu, në librin “Statistika të Liceut ose Gjimnazit “Umberto I” të Palermos”, theksohet se “Gjon Kastrioti, princ i Mirditës dhe babai i Skënderbeut, nuk i rezistoi Muratit II dhe u nënshtrua”. Edhe albanologu i madh gjerman George Hahn theksonte se “Kjo fushë (Kastri dhe Vigu-shënimi im) përbën vijën perëndimore të kufirit të bajrakëve të Dibrit, që bëjnë pjesë në krahinën e Mirditës dhe që nuk duhen ngatërruar me dibranët e Drinit të Zi”. Të njëjtën ide shprehte edhe gjeografi francez Ami Bue, i cili, siç tregon historiani K. Frashëri, “kishte dëgjuar që Skënderbeu kishte lindur në fshatin Kastër të Mirditës, gjysmë ore larg fshatit të sotëm Vig”. Dhe këtë ide e çon më tej kur shkruan: “Popullsinë shqipfolëse, në të dy anët e Drinit, e quajnë, në përgjithësi, “mirditase”, duke shtuar se “mirditasit e mirëfilltë, të cilëve u përkasin Kastriotët, gjenden në anën jugperëndimore, ndërsa Dukagjinasit në anën verilindore të shtrirjes së territorit të lartpërmendur”. Dhe, për të mos u zgjatur me historianë të tjerë anglezë e tur për origjinën mirditore të Kastriotëve, po i mbyll këto shënime me pohimin e historianit italian Antonio Zoncada, i cili, në librin “Scanderbeg: Storia albanese del secolo XV”, tregon se “Gjergj Kastrioti u shfaq për herë të parë në mesin e mirditorëve, (banorë të asaj krahine që njihet si selia e Skënderbeut), për të rikthyer dominimin e babait të tij, Gjonit, në atë krahinë”. Dhe nuk është normale të anashkalohen këto pohime lapidare e plot të tjera si këto për origjinën mirditore të Kastriotëve nga Instituti i Historisë, nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe nga Akademia e Shkencave tani në agimin e shekullit XXI!

*Autor i 20 librave poetikë, publicistikë, historikë e gjuhësorë