BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Edhe malet të tunden e të rrokullisen, ne shqiptarët, nuk marrim mësime!

Edhe malet të tunden e të rrokullisen, ne shqiptarët, nuk marrim

... E më keq akoma, ne as nuk kemi dhe as nuk duam të kemi shtet ligjor. E kërkuam me aq dëshirë, e kërkuam me zell të madh në fillimin me ndërrimin e sistemit, por jemi zhgënjyer kot. Dikush mund të thotë: “Fajin e ka kjo klasë politike që edhe mbas tridhjetë viteve na ka lënë jashtë dyerve të Europës, na ka lënë më të varfrit në Europë, na ka lënë më të diskriminuarit në Europë, na kanë lënë njerëz pa dinjitet. Jo, jo klasa politike nuk është aspak fajtore, por fajtorë janë të gjithë, të gjithë ne shqiptarët kemi mbi kurriz një pjesë të fajit të përgjithshëm, për aq sa na takon që Shqipëria, ndodhet këtu ku është. Të gjithë jemi kthyer në sehirxhinj, spektatorë të lojës së “ping pongut” të politikanëve, që “zihen”, “shahen” e “kërcënohen”, por asnjëherë për interesat e vendit! “Duke parë e dëgjuar, bota mësojnë mënd dhe ndërtohen. Ne shqiptarët s’marrim dot mësime, malet të tunden dhe të rrokullisen”, shkruan Faik Konica. Edhe në shekujt e kaluar, kur Europa na ka përçarë në pesë shtete edhe sot, fajësojmë të tjerët, fajësojmë Europën dhe mirë bëjmë, sepse Europa, fuqitë e mëdha, kanë fajin e tyre, kanë përgjegjësitë e tyre, por edhe ne, që nuk jemi ngritur njëherë për të ngritur zërin e të mos pushonim në mbrojtje të të drejtave tona. Është tmerr të kujtojmë historinë. Nishin e morën serbët. E lamë edhe Shkupin, erdhën ca maqedonas edhe Ulqini dje ishte shqiptar, sot sundon malazezi. Europa, ka faje të shumta dhe as në të kaluarën as sot nuk ka ndërmend të kërkojë falje. As ne nuk kërkojmë padrejtësitë që na kanë bërë dhe jo vetëm kaq, por po e braktisim edhe Shqipërinë. Si në të kaluarën edhe sot, mbas tridhjetë viteve demokraci, ikim e ikim si në të kaluarën, por me një ndryshim... Dje iknim por edhe ktheheshim, sot ikim dhe nuk e kthejmë kokën prapa. Ikim sepse na “vret sytë” bukuria që natyra i dha Shqipërisë. Ikim sepse jemi më të varfrit në Europë, megjithëse “notojmë” mbi pasuri. Natyra, Shqipërinë e bëri të bukur, politika e shëmtoi si mos më keq, natyra i dha të tëra pasuritë, politikanët e katandisën këtë popull më të varfrin në Europë, natyra e bekoi, politika e mallkoi. Jemi ndër të paktat vende në Europë që kemi naftë dhe nënproduktet e saj, e megjithatë, jemi më të varfrit. Nuk vuajmë për bukën e gojës, por më keq akoma, vuajmë për ujë. E keqja më e madhe nuk është që ky vend nuk ka ç’t’u japi të varfërve, që luftojnë për mbijetesë, por nuk po i ngop dot të pasurit. Shqipërinë, natyra e “vendosi” në mes të tërë të mirave, mes deteve e pyjeve, mes liqeneve e lumenjve mes pasurive të pafund mbi e nëntokësore që nga fushat pjellore e deri tek metalet me ngjyra, me klimën e mrekullueshme që prodhon të tëra llojet e prodhimeve e megjithatë varfëria vazhdon të thellohet! Në mes të të tërë të mirave, vetëm pakësohemi me synimin për të ikur sa më parë nga ky vend! Ikin e ikin, ikin të gjithë ata që u takon një pjesë e kësaj pasurie të madhe, por nuk ia jep kush sepse nuk kanë lënë gjë ata që nuk u takon. Ikin sepse kërkojnë drejtësi, por nuk e gjejnë, ikin sepse nuk ka ligj, nuk ka shtet ligjor. Ikin ata, që janë shumica... Të tjerat që thonë politikanët, janë përralla. Fajin, si gjithmonë ja hedhin klasës politike, e cila ka përgjegjësinë e saj të padiskutueshme, por shqiptarët pse e lejojnë? A jemi ngritur ndonjëherë t’i themi “Stop” braktisjes së Shqipërisë? Ku janë intelektualët? Intelektualët, të diturit, preferojnë të lajnë pjata në Europë, por jo të japin kontributin në vendin e tyre. Ku janë “patriotët”, ata që u qan zemra për Shqipërinë? Nuk ndihen. Të gjithë po e shohin që jetesa, në çdo vend të botës, nuk është “fushë me lule”, por në Shqipëri, shqiptarëve, nuk u pëlqen të punojnë, punën e presin nga shteti! Kjo është e keqja më e madhe mbasi askush nuk e vret mendjen se si të punojë, se si të kërkojë punë, por duket sikur detyra e secilit është të qëndrojë gjithë ditën në kafene, duke dëgjuar politikanët e opozitës që “kjo mazhorancë nuk mbajti premtimin për të hapur 300 mijë vende pune. I dëgjojnë, qeshin e shpresojnë për broçkulla të tilla” duke mos menduar që edhe “kuajt e karrocës” të ndërrohen, gjendja do të mbetet po kjo që është sot... E keqja më e madhe është që politikanët bëjnë “gallatë” me mjerimin, me papunësinë, me mungesën e perspektivës, me “grabitjen” e të ardhmes, me përrallat e opozitës “prisni kur të vijmë ne në pushtet, pa të shihni”! E keqja ka rrënjët e veta, që askush nuk po e vë gishtin atje ku “dhemb”! E keqja është tek keqqeverisja, tek keqadministrimi e mbi të gjitha tek mungesa e asaj që e kërkuam me aq forcë përpara tridhjetë viteve, shteti ligjor. Shqipërinë sot, as më shumë e as më pak, kjo klasë politike po e kthen në një shtet “antiligjor”! Antiligji vepron kudo, vepron në fusha, vepron në pyje, vepron në lumenj e në liqene, vepron në ndërtime, vepron në biznese, vepron kudo. Po pse ndodh kjo? Kjo ndodh pikërisht nga ajo që shtetin ligjor e kemi ndërtuar jo mbi bazën e ligjeve, por mbi bazën e tarafeve të politikanëve. Ata që sot çirren gjoja për të “hapur vende pune”, për “ti thënë stop braktisjes së Shqipërisë”, “për të vendosur ligjin” e përralla të tjera si këto, janë pikërisht këta që i hapën rrugë antiligjit qysh atëherë kur me dy gishta përpjetë bërtisnin “Liri demokraci” apo “ne qeverisim, bota na ndihmon”! Qysh atëherë, ende pa u vendosur “guri” i parë në themelet e shtetit ligjor, projekti “i mureve” të këtij gjoja shteti, u projektua shtrembër. U projektua shtrembër sepse të katër kolonat e tij, janë “havadan” dhe nuk kanë “themele”! Të katër pushtetet e këtij sistemi janë “antiligjore”. Kështu edhe Kolona e Pushtetit Legjislativ që në themel të tij u vendos vjedhja e votës, pra “vjedhja” e pushtetit kryesor qysh në lindje. Kështu edhe pushteti ekzekutiv që buron nga pushteti legjislativ, kështu edhe pushteti i drejtësisë, kështu edhe ai i medias. Ku është pavarësia e pushteteve këtu? Të gjithë e luftuam sistemin njëpartiak, tani jemi ndarë në dhjetëra parti, secili për hesap të vet, askush për Shqipërinë. Aq e vërtetë është kjo sa që në qoftë se pushteti i diktaturës rezistoi afro gjysmë shekulli, ky sistem “katrahurë” nuk rezistoi as katër pesë vjet dhe u shndërrua i tërë në gërmadhë! Kishin të përbashkëta shteti gjoja i ri që populli e kërkoi me aq ngulm në protestat sipas “berihajit”, por kishin edhe veçori me shtetin e kaluar. E veçanta është vetëm ngjyra e pardesyve të bardha dhe kjo e qëllimshme, për të fshehur prapa saj, komunizmin e “zi”, që e bënë “copa” me dy gishta përpjetë, por që diktatura, në themelin kryesor të saj, siç ishte prona, nuk vendosi babëzinë, por të gjithë i zuri me “xhan”. Ikën udhëheqësit komunistë dhe erdhën komunistët më agresivë që akoma “luftojnë” me fantazmat e komunistëve. Qysh kur shteti gjoja ligjor u bë “gërmadhë” e deri sot, janë vendosur “arna” mbi “arna”, të kuqe e blu, të zeza e mavi dhe është bërë një sistem “as mish as peshk”! Shikoni edhe në këto ditë të këtij fillim viti se ku ka mbetur ora e politikanëve. Po citoj njërin nga politikanët e opozitës, i cili deri sot, një llaf të qënë nuk ka thënë. Ai thotë: “Në qoftë se Edi Rama do të fusë duart në kutitë e votimit, atëherë duhet të mendohet mirë se protestat për Klodian Rashën, do t’i duken balet klasik”! Hajde politikan hajde, çfarë të “reja” sjell në politikë! E ç’mund të presësh nga ky politikan kur drejtohet nga një kryetar që fle edhe kur ecën, i cili, kur i del gjumi, kërkon të “bindi” votuesit duke u thënë që “Edi Rama, shkoi në Amerikë për të blerë këpucë të reja” etj. etj. që nuk është nevoja t’i përmendim këtu sepse ai, nga koka e deri tek këmbët është një “manekin plastik” i mbushur me rrecka e kashtë! Ta themi ashtu si është. Tërë sulmet e opozitarëve të sotëm, këto tetë vitet e fundit, drejtohen jo kundër Ramës, por kundër shtetit ligjor, sepse vetëm Rama u përpoq diçka të bëjë shtet, të vendosi ligj, por këta, nuk duan ligj, por duan “babë” Saliun. Këta duan rrëmujë ashtu si e filluan në fillimet e demokracisë. Askush prej këtyre farë politikanëve, nuk bën as përpjekjen më të vogël për atë ç’ka është kryesorja, të ringjalli besimin i cili ky besim tek të gjithë politikanët, por më shumë tek opozitarët, është përtokë! Le të bëjnë sa të duan llogje se “do të marrim aq apo kaq mandate”! Një tjetër që pretendon të vendosi kandidaturën për deputet, ka bërë një listë të gjatë me emrat e simpatizantëve të tij që shkon e u merr firmat që ta votojnë, mbase kush e di… Me çfarë mburremi në këtë demokraci? Shqipëria po shkon e do të shkojë keq e më keq derisa të vazhdojë kjo politikë, derisa të vazhdojë ky sistem i “arnuar” keq. Kështu u “pre” dhe kështu po “qepet” ky “kostum” demokratik, që sot nuk ka as formën e “kostumit”, por të një “paçavure”. Ja të marrim pushtetin e tretë, atë të drejtësisë. Nën maskën e luftës kundër komunizmit dhe vendosjen e drejtësisë, u zëvendësuan tërë gjyqtarët e prokurorët e diktaturës me të rinj të dalë nga kursi gjashtëmujor i plepave! Hallin ata nuk e kishin tek zbatimi i ligjeve, (sepse hartimin e tyre e morën shabllon nga të tjerët) e ndërtimin e një shteti ligjor, por tek ajo për t’i patur ata nën urdhrat e tyre. Aq e vërtetë ishte kjo sa që qysh atëherë e deri sot vazhdojnë të bëhen pazare midis politikanëve se kush të emërojë gjyqtarë e prokurorë që t’u shërbejnë atyre që i kanë emëruar. Vallë çfarë ndryshimi ka kjo politikë kur hoqëm një sistem që drejtësinë e kishte nën urdhrat e partisë dhe sollëm një sistem që përsëri e kemi nën urdhrat e partisë? Ndryshimi i vetëm është lufta që bëhet midis partisë “blu” dhe asaj të “kuqe” për të marrë nën kontroll drejtësinë që edhe bota dhe ekspertët e shumtë të saj nuk po ia gjejnë “fundin” me të famshmin veting. Nuk po ia gjejnë fundin, sepse në themel të kësaj drejtësie, është “gjaku i shprishur” që si kudo, “rrjedh” edhe në drejtësi… Më falni i ndjeri Faik Konica, por ua përsërisni edhe njëherë atë ç’ka keni thënë para më shumë se një shekulli: “Kemi armiq. Për atë të gjithë bashkohen në një zë. Vetëm për këtë ndahen që të gjithë, nuk tregojnë një armik. Ca zgjatin gjishtin drejt dhelpëris e grekut, ca dëftojnë gjarpërimin e shqevet, ca të tjerë emërojnë me zë të unjtë trashërin’ e Halldupëve. Kur dëgjojmë të tilla neve na vjen një i pambajtur gaz. Armiqt’ e Shqipërisë janë shqiptarë, jo të tjerë”. Edhe për atë që ju thoni që “ne shqiptarët, nuk marrim mësime” siç e thamë në titullin e shkrimit, për këtë juve nuk e dinit atëherë sepse qysh atëherë kemi “mësuar” shumë dhe tani u japim të tjerëve mësim, sepse për vete kemi me bollëk!