BREAKING NEWS

795 raste të reja me koronavirus 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë jep detajet

795 raste të reja me koronavirus 24 orët e fundit, Ministria e
x

Opinion / Editorial

Edhe sa kapitalizëm na ka mbetur?

Edhe sa kapitalizëm na ka mbetur?

Përfundimi i Luftës së Ftohtë shënoi rënien përfundimtare të komunizmit, por njëkohësisht zhyti në kolaps edhe kapitalizmin. Pesha e madhe e suksesit prishi balancën, shkaktoi eufori tek fitimtarët, bëri të pavlefshëm gjithë mekanizmat rregullatore duke u ekspozuar përballë çdo eventualiteti. Teksa pritej që elitat e reja të ish - vendeve të Bllokut Lindor të aplikonin sjelljet, normat dhe veprimet e krahut tjetër, ndodhi krejtësisht e kundërta. Arritën ditë pas dite t’u imponoheshin Perëndimorëve, t’u diktonin stilin dhe mënyrën e tyre plolitikëbërëse, qeverisëse, ku etja për pasurim të shpejtë e individëve apo grupeve të caktuara nuk njeh asnjë lloj morali, kufiri apo pengese ligjore. Këtu shpesh ka luajtur rol edhe gjeopolitika, klientelizmat, benefitet në këmbim të deklaratave mbështetëse që kanë siguruar politikanë apo diplomatë të caktuar, raportimet e të cilëve në vendet e origjinës kanë qenë deformim i realitetit. Modeli i aplikuar “gjithçka për gjithçka” prishi raportet e konsoliduara prej dekadash midis individit dhe grupit, midis grupit dhe komunitetit, midis ofertës dhe kërkesës, midis prodhimit dhe shpërndarjes, në krijimin e frikshëm të Off-shore-ve me para të pista apo publike. Kjo frymë shthurjeje, monopolizimi në pak duar të pushtetshme është përgjegjëse për inflacionin, evazionin fiskal, për krizat ekonomike në nivel rajonal apo global që e kanë bërë botën një vend krejt të pasigurt. Kësisoj sot nuk mund të flitet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për solidaritet, për kohezion, për media të lira, për rritje ekonomike bazuar në prodhimin e brendshëm, për sindikata dhe vetë mekanizmi i konkurrencës që është në themel të tregut të lirë ka humbur zhdërvjelltësinë, racionalitetin. Sidomos është bërë i paperceptueshëm nocioni “shtresë e mesme” e konsideruar “thembra e Akilit” për një zhvillim të qëndrueshëm, amortizatori i goditjeve nga pikëpamja sociale, midis kategorive urbane - rurale dhe për mosdegradimin e sistemit në pikën kritike, të vdekjes. Prishja e kësaj hallke është mëkati më i madh, efektet e së cilës në planin afatgjatë janë të pariparueshme. Kemi një grusht oligarkësh, “faraonë” të kohëve moderne dhe një armatë të madhe mëditësish, të etiketuar si “krahu i lirë i punës”, në kufijtë ekstremë të varfërisë. Nëse Kina njëpartiake është model suksesi dhe konsiderohet nga shumë analistë si superfuqia e ardhshme, Gjeramnia është vendi i cili po përpiqet maksimalisht të mos çedoj në ritmet e zhvillimit nëpërmjet të qenit lider në teknologji, investimit në arsim cilësor, shfrytëzimit të aseteve të brendshme, menaxhimit dhe shpërndarjes proporcionale të të ardhurave ku shtresa e mesme përbën zërin kryesor. Një kombinim i të dyja këtyre përvojave në kushtet e zhvillimeve të reja gjeopolitike ku aleancat janë pragmatiste dhe shumçka e së kaluarës shihet e tejkaluar, do krijonte me gjasë një hibridizim dhe vënien në dyshim të vetë sistemit politik global. Në këtë kontekst është e drejtë të shtrohet pyetja: “Edhe sa kapitalizëm na ka mbetur akoma?!”