BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Edi Rama e Albin Kurti, është kombi pastaj vijnë partitë dhe qeveritë

Edi Rama e Albin Kurti, është kombi pastaj vijnë partitë dhe

Ashtu si dashuria edhe grindja është pjesë e jetës. Por ndërsa e para ngre kështjella e dyta i

shemb ato. Dashuria bashkon dy zemra apo dy popuj dhe rezultantja janë punët e suksesshme ndërsa urrejtja jo vetëm i largon, por edhe dëmton. Historia njerëzore botërore ka shembuj të shumtë për të dy ndjenjat ashtu si edhe historia shqiptare i njeh ato. Sa për konkretizim po themi se Skënderbeu arriti t’i bashkonte shqiptarët në Besëlidhjen e Lezhës dhe mposhti për 25 vjet fuqinë më të madhe të kohës, otomanizmin, por edhe në këto vite bashkimi njohu edhe tradhtitë, ndër më të dhimbshmet ajo e nipit të vet, Hamzait. Me ulje-ngritjet e veta, historia përsëritet jo gjithmonë me të njëjtën amplitudë. Me dhimbje mund të pohojmë se edhe ajo që ndodh sot midis dy drejtuesve kryesorë të dy qeverive të të njëjtit komb, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës nuk është marrëdhënie për t’u patur zili. Për arsye të ndryshme Edi Rama dhe Albin Kurti, kryeministrat andej dhe këndej një kufiri absurd i mbajnë kokën mënjanë njëri-tjetrit. Të ishte zemëratë që ka kosto vetëm për dy familje të veçanta apo edhe për vetëm dy fshatra mbase nuk do të ishte shumë e dhimbshme, por kur mendon se të dy drejtojnë qeveritë e dy shteteve që jashtë çdo logjike janë të mëvetëshme, por pjesë të një kombi, situata bëhet dramatike. Kjo ndodh pse dy inatçorë vënë partitë dhe qeveritë mbi kombin. Nuk dihet zanafilla e kësaj zemërate midis dy shqiptarëve që dikur ishin shokë e miq, por siç ndodh shpesh midis ne shqiptarëve kjo zemëratë vazhdon duke e thelluar hendekun. Konkrete ishte marrëdhënia zyrtare në të dy palë zgjedhjet e zhvilluara në të dy vendet dhe kaq afër. Më i ëmbël kryeministri Rama në urimin ndaj homologut kosovar për fitoren në 14 shkurt ndonëse jo me shumë tone dashurie. Më i ashpër në kundërpërgjigje kryeministri Kurti gjatë fushatës elektorale në Shqipëri, por edhe pas fitores. E patolerueshme hedhja e tre kandidaturave të përfaqësuesve të VV në qarqet Tiranë, Gjirokastër dhe Lezhë. Nuk u mjaftuan me kaq por edhe ardhja e vetë Kurtit për të mbështetur këto kandidatura gjatë fushatës ishte një shije e hidhur që pak u kundërshtua nga politika shqiptare këtu dhe më shumë u artikulua si e gabueshme nga politika kosovare. Ishte kjo që hodhi edhe në sheshluftim pyetjen retorike: si do të ndjehej vetë Albin Kurti sikur Edi Rama të shkonte në Kosovë dhe të hidhte kandidatura nga PS e Shqipërisë? Por Kurti, përsëdyti në qeverisje të Kosovës, nuk u mjaftua me kaq: ishte nga të parët që përfituan nga mbajtja e pasaportës shqiptare erdhi me vrap dhe votoi për kandidatin e tij, që megjithatë mori vetëm një trastë të vogël me vota. Po aq morën edhe dy të tjerët çka përkthehet si përgjigje e votuesve shqiptarë për ta dhe vetë Albinin “më mirë rrini në Kosovë ku jeni fitues”. Edhe urimi i tij për homologun shqiptar, përveç se i fundit ishte dhe shumë i ftohtë. Më i ftohtë urimi i presidentes Vjosa Osmani. Më i moderuar në sjelljen e tij kryeministri shqiptar Edi Rama. Gjatë fushatës në Kosovë, gjatë fushatës këtu, por edhe gjatë votimit ai ka zgjedhur heshtjen, që siç thotë populli ynë është flori. Ndonëse është provokuar gati në çdo emision televiziv ku ka qenë i ftuar nga moderatorët për të dhënë mendimin e tij ai është mjaftuar me tundjen e gishtit në shenjë mohimi. Por ç’po ndodh në marrëdhëniet midis dy kryeministrave dhe kujt i duhet kjo sjellje? Në pamjen e parë dhe në aspektin diplomatik ata janë dy fitues të zgjedhjeve në vendet e tyre dhe rrjedhimisht edhe kryeministra legjitimë. Ata duhet të ndjeheshin komodë sepse ndërsa Kurti i fitoi bindshëm zgjedhjet për të dytën herë brenda pothuajse një viti kalendarik, Rama i fitojë ato për të tretën herë rresht, duke vendosur rekord në politikën shqiptare të pas ‘90. Aktualisht janë njerëzit më të fuqishëm në vendin e tyre. Por ata duket harrojnë se janë kryeministra të dy qeverive, por që të dyja ato janë të një kombi dhe këto marrëdhënie të tensionuara janë një pengesë e madhe për planifikim të përbashkët strategjik në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Rama dhe Kurti nuk duhet të lënë pas krahëve vetëm këtë tension të këtyre kohëve, por edhe shumë të tjera me të cilat nuk janë në një mendje. Ata nuk ishin krah për krah kur diskutohej Mini Shengeni Ballkanik dhe kryeministri Kurti hodhi poshtë ultimatumin e Ramës për t’iu bashkuar atij. Ata patën gjithashtu përplasje gjatë protestave të studentëve në Tiranë dhe ku Vetëvendosja kishte një rol kryesor. Ishte Kurti së pari kur erdhi në Tiranë dhe publikisht e kritikoi Ramën për afrim me Serbinë kur sipas tij së pari duhej biseduar me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Rama gjatë kësaj kohe, duke u nisur nga përvoja jo e mirë edhe me ish-kryeministrin Haradinaj, më së shumti ka qëndruar indiferent. Edhe kur erdhi qeveria Hoti dhe iu bashkua Mini Shengenit Ballkanik, Rama nuk shfaqi aspak shenjë triumfatori, paçka se u duk se midis dy qeverive po frynin erëra të ngrohta në marrëdhëniet ndërinstitucionale. Rama pranoi të heshtte edhe kur ra qeveria e parë Kurti, por nuk u tregua edhe shumë entuziast kur ai u rikthye në pushtet. Heshtja midis dy liderëve nuk ishte as urrejtje as dashuri, por tensioni rrinte varur. Ai u bë evident kur Kurti refuzoi të merrte vaksinat që falte qeveria Rama me pretekstin se ishin ruse dhe kineze, ndonëse në parim ishte rënë dakord me qeverinë Hoti. Dhe kulmi i ndasive arriti në fushatën elektorale kur Kurti dhe qeveritarë të tjerë të Vetëvendosjes bënë hapur fushatë në favor të kandidatëve të tyre. Gjatë gjithë kësaj kohe Rama ka heshtur. Edhe në emisionet televizive pas fitores ai ka qenë shabllon: Mos më pyesni për Kurtin se nuk iu përgjigjem. Do të ishin disi të kuptueshme ndasitë midis dy qeverive nëse do të kishin ndasi edhe në programet politike, por kur kujton se të dy partitë politike, ajo e Ramës dhe e Kurtit kanë në qendër të ekzistencës së tyre politike social-demokracinë dhe janë të dyja pro taksës progresive duket e pakuptimtë kjo ndasi. Rivaliteti midis dy qeverive duket se nuk ka baza për të qëndruar dhe hedh dyshimin se ky rivalitet është vetëm midis dy krerëve të partive fituese të zgjedhjeve të fundit dhe qeverive të dy vendeve. Por edhe ky rivalitet është i pakuptimtë në çdo aspekt, përveçse atij ideologjik dhe partiak. Por edhe Edi Rama edhe Albin Kurti në këtë marrëdhënie është mirë të ngulisin në mendjen e tyre se mbi ideologji e parti është kombi. Mjaft kemi mbajtur mbi kurriz në shekuj padrejtësi ndarjeje, aq sa sot jemi i vetmi vend në botë me një komb të shpërndarë në 5 shtete. Por teksa për këto gjithmonë kemi akuzuar të huajt që gjithsesi nuk na kanë dashur, kësaj radhe nuk kemi pse bëjmë akuza ndaj tyre. Jemi vetë ne, më saktë dy liderët aktualë që ndërsa duhet të ushqejnë ndjenjën e dashurisë po provokojnë atë të inatit primitiv. Le të vënë në jetë aftësitë e tyre për aspiratën e popullit për bashkim dhe pastaj ta gjejnë kush do të jetë në krye. Populli ynë nuk ka vuajtur asnjëherë për udhëheqës, ai ka vuajtur për udhëheqës të vërtetë që e duan me shpirt shqiptarizmin.