BREAKING NEWS

Lajm fantastik nga spitalet COVID: Sot më shumë të shëruar se të prekur me koronavirus, ja 3 qytetet me numrin më të madh të infektimeve

Lajm fantastik nga spitalet COVID: Sot më shumë të shëruar
x

Opinion / Editorial

Edi Rama, ky prestigjiator edhe Brukselin e mashtroi?

Edi Rama, ky prestigjiator edhe Brukselin e mashtroi?

Anatemimi i gjatë, pamëshirë, mbushur me ligësi dhe armiqësi se Edi Rama ka mbarue dhe përtok është rrëzue, atë nuk e njeh Europa dhe sipas liderëve të opozitës dhe kreut të shtetit, është thjesht kryeministër në detyrë është refreni i ditës. Mburrjet se, Lulzim Basha pritet si kryeministër në Slloveni dhe Kroaci dhe atë nuk e pret asnjeri. Në këto tetë vite nuk ka bërë asgjë për Shqipërinë, veç varfërimin e tejskajshëm të shqiptarëve. Nuk ia doli të ndalë tërmetin dhe të mundi pandeminë, kanë qenë menyja e politikës tonë. Këto slogane, kanë dominuar çdo fjalim e deklaratë të selive nga PD deri tek koalicioni i kryetarëve. Aq dominante është bërë propaganda me dështimin e qeverisë “Rama” sa edhe djalli më i zi do ta kishte zili pasi edhe tek kjo qenie mitike mund të gjendet ndonjë vatër e bardhë, ndryshe nga mazhoranca e sotme të cilës i kanë veshur kostumin sterrë të zi, gati si të ngjyer me katran. Sot e gjithë ditën, krerët e opozitës, vjellin ligësi, me deklarata dhe fjalime, me përbetime e kërcënime se si do t`ua bëjnë këtyre të pushtetit pas 25 prillit, sikur këtu në vendin tonë demokratik do të ngrihet një gijotinë në çdo metër në njëzetë e tetë mijë kilometër katror për të larë hesapet me politikanët, kundërshtarët, oligarkët, policët, komisionerët e zgjedhjeve që do u priten duart sipas sheriatit, gjithë ata që kanë thënë një fjalë anti opozitë apo kanë evidentuar qoftë edhe një sukses apo arritje të qeverisë “Rama”. Aq baltë është hedhur gjatë tërë këtyre viteve dhe kaq shumë është intensifikuar lufta anti mazhorancë, sa shpifjet dhe mallkimet, janë bërë si malet tona më të larta për të krijuar idenë në opinionin shqiptar, se kjo qeveri, jo vetëm duhet hedhur në det, po qeveritarët duhet të shkojnë pas hekurave për të dhënë llogari për bëmat e tyre. Nuk është një betejë normale dhe as debate demokratike. Fryma e urrejtjes dhe përçmimit, mohimit të gjithçkaje, etiketimit të qeveritarëve si banditë e kriminelë, përbuzja ekstreme e atyre që kanë marrë votat e sovranit, siç u pëlqen ta quajnë vendimmarrësin popull se cili do drejtojë nesër këtë vend, opozitarët e sotëm, pretendentët për pushtetin e nesërm, ka shkuar përtej limiteve të një shoqërie normale që pretendon se do udhëheq vendin në mënyrë demokratike, se do eci në shinat e një shteti normal. Kaq urrejtje as në vitin 1990 nuk kishte mes palëve kundërshtare edhe pse kishin mbi shpinë gjysëm shekulli komunizëm. Edhe atëherë, forcat politike edhe pse në përballje të ashpër nuk përdorën fishekun e fundit dhe komunikuan në mënyrë më demokratike. Etja për pushtet i ka vënë pretendentët përballë betejës, o jetë, o vdekje, o asgjësim deri fizik, o fitore me çdo çmim, gjë që shprehet në shkëmbimet e ashpra, gati sikur janë ballë për ballë për të larë hesapet e historisë, armiqtë shekullorë. Pretendentët që shiten, si fryma e re, janë po ata që mbajnë veshur kostumet e vjetra dhe nuk janë as xhaketa të kthyera mbrapsht, po njëlloj, siç kanë qenë vite më parë rreshtuar në një front, ku në të njëjtën bashkësi, janë ulur të gjithë, pa dallim idesh dhe programesh, ekstrem të djathtë, liberalë, nacionalistë, pacifistë, monarkistë, ballistë, çamë e minoritarë grekë. Secili me lugë në brez me të vetmen strategji atë si të nxijnë realitetin dhe të krijojnë idenë se në vendin tonë, klika në pushtet nuk është gjë tjetër, veç një bandë që rrjep qytetarët dhe është bërë njësh me oligarkët. Në deklaratat e partive të rreshtuara në A. N. nuk bëhet fjalë për programe e marrëveshje institucionale, po si të përçmohet mazhoranca, të mallkohen ata që sipas tyre qëndrojnë në pushtet padrejtësisht. Për të gjitha këto, Aleanca për Ndryshim, ka ndërmarrë aksionin e zhbërjes së mazhorancës, përmes të gjitha formave. Më e dukshmja, është mohimi i gjithçkaje që është bërë në këto tetë vite. Beteja më e preferuar e koalicionit “Aleanca për Shtëpinë e Shqipërinë” numër dy, është krijimi i idesë fikse se Shqipëria e sotme për faj të këtij kryeministri, është vite dritë larg BE-së. Shkak kryesor sipas tyre është qeveria, vetë Edi Rama. Dhe fill pas këtij konstatimi rreshtojnë radhazi dështime të supozuara dhe detyra të paplotësuara. Sjellin si ilustrim gjykime të shkëputura të ndonjë deputeti nga vende skajore apo që bëjnë pjesë në vathën e të djathtës ekstreme që nuk ia duan të mirën Shqipërisë. Pikërisht në këtë linjë, deri dje opozita deklaronte se Ramën nuk e qas Brukseli. Është person non grata, se nuk ka vend në sallën madhështore të Këshillit të Europës për të se ata atje mezi presin të vijnë në pushtet koalicionistët opozitarë për të hapur dyert dhe për të pritur krahëhapur progresistët dhe demokratët që do e bëjnë Shqipërinë si gjithë Europa. Se janë ata fryma e re e ndryshimit. Ata që sa herë kanë qenë në pushtet, u kanë dhuruar shqipatrëve pa kursim, piramidat e Gërdecin edhe plumbat në gardhin e Kryeministrisë sepse shkelën kufirin, duke u dhënë plumbin ballit, si në kohët e shkuara kur pushkatoheshin djemtë që përpiqeshin të kalonin klonin e Shqipërisë socialiste. Në tymnajën e errët dhe mbytjen e opinionit shqiptar me slogane e propagandë, shpifje e anatemime, intriga, akuza gjithfarë kërcënimesh, nxirje pa kursim për ta na mbushur mendjen se Shqipëria nuk meriton BE-në, se nuk është realizuar asnjë detyrë. Dhe fill pas këtij konstatimi dëgjojmë se do jemi ne të ndryshimit, të ndershmit, të respektuarit, engjëjt që do kemi mbështetjen masive të popullit që do e integrojmë vendin në BE. Për t`i vënë themel kësaj ideje, për ta paraqitur qeverinë e Edi Ramës si anti integrim, bile me prirje drejt lindjes, Turqisë, Kinës, Rusisë e broçkulla të tilla, çfarë nuk u tha për mungesën e kontakteve, Rama- BE apo refuzimit të pritjes së tij në Europë. Gati u etiketua si heretik, individ i padëshirueshëm, kryeministër pa kredenciale, koti fare, për të kaluar portat e BE-së. Po vizita e Edi Ramës në Bruksel, ishte krejtësisht normale, e natyrshme. Ai shkoi në Bruksel si kryeministër, jo në detyrë, po kushtetues, i ligjshëm, i plotfuqishëm dhe me kredenciale të plota për të folur në emër të shqiptarëve. Pasi kontaktoi përfaqësuesin e BE-së, Borreli dhe Varhelyi, Presidenten e BE-së, ku nga podiumi i selisë së Brukselit, u deklarua me zë e figurë se Shqipëria ia ka arritur të plotësojë të gjitha detyrat e kërkesat që i janë vënë nga institucionet europiane, është gati për Konferencën Ndërqeveritare. Është vetëm çështje ditësh që të hapet drita jeshile edhe për këtë hap përfundimtar që zyrtarizon nisjen e rrugëtimit drejt BE-së. Kryenegociatori i Shqipërisë në Bruksel për integrimin, Zef Mazi, duke iu referuar opinionit dhe deklaratave të udhëheqësve të BE-së, evidentoi vlerësimin e drejtuesve të institucionit ku duam të integrohemi për realizimin e reformave politike e ekonomike për luftën kundër korrupsionit, reformën në drejtësi. Mbledhja e 11 e Këshillit të Asociimit, mbledhja më e lartë mes Shqipërisë dhe BE-së, evidentoi sipas zotit Mazi, progresin që ka bërë Shqipëria, reformat e realizuara dhe rrugëtimin drejt Europës. Vlerësimi i BE-së me gojën e atyre që bëjnë politikat e këtij institucioni, ku duam të mbërrijmë, ishte kolegjial. Vlerësim që flet për atë që është bërë. Për ndryshimet e thella që janë arritur në Shqipëri dhe seriozitetin e reformave ekonomike, politike dhe në të gjitha fushat e jetës. Natyrisht, BE vuri theksin edhe në detyrimin që ka shteti shqiptar për zgjedhjet e 25 prillit për të qenë në lartësinë e një vendi që aspiron Europën dhe detyrimin për të qenë të drejta, të ndershme, të pakontestueshme. E gjithë kjo panoramë që erdhi nga Brukseli, ishte një pamje e cila nuk përkon me fotografinë që shfaqet përditë në Shqipëri nga kundërshtarët e mazhorancës, opozita jonë dhe krerët tanë të politikës së mohimit të cilët nuk lënë një minutë pa fyer dhe mallkuar gjithçka që bëhet në këtë vend. Kjo panoramë nga BE nuk ka asnjë të përbashkët me atë që vizatojnë piktorët dhe fotografojnë fotografët tanë opozitarë. Është shumë më ndryshe. Është gati njëqind për qind e kundërt me atë që shfaqet nga mëngjesi në mbrëmje në ekranet tona televizive dhe në tavolinat e opinionistëve të cilët flasin një gjuhë me krerët e opozitës. Nuk e dimë se si e ndjejnë veten opozitarët tanë, krerët e saj pas këtyre takimeve dhe diskutimeve në shtëpinë e Europës, atje ku bëhen përpjekje të shkojmë? Nuk dihet si janë ndjerë ata që nxijnë e katranosin gjithçka, që kërcënojnë me larje hesapesh dhe revolucion Bolshevik, që deklarohen në emër të Petro Nini Luarasit që hedhin blozë mbi fytyrën e Shqipërisë, jo thjesht të qeverisë që e kanë detyrë ta kritikojnë dhe ta pengojnë për t`i marrë pushtetin? Nuk dihet si është pritur akulli i hedhur mbi kokat e krerëve të opozitës, kjo panoramë në selitë e partive tona opozitare?! Si i ka pritur Basha me Berishën? Sa është dëshpëruar Monika me Nard Ndokën e Agron Dukën? Asgjë nga këto që erdhën nga BE nuk është në një vijë dhe ngjyrimin këtu ndër ne. Edi Rama është akuzuar se ka mashtruar gjatë këtyre tetë viteve shqiptarët dhe ka rrënuar Shqipërinë. Ka ngritur në qiell oligarkët dhe ka varfëruar vegjëlinë. I ka lënë qytetarët në dorë të zotit dhe nuk ka përballuar tërmetin dhe pandeminë apo nuk ka ndalur borën e shiun. Po këtë herë i ka kapërcyer të gjitha limitet pasi ka blerë tërë ambasadorët me paratë e drogës dhe më në fund si të ishte prestidigjitator, ia arriti të blejë edhe udhëheqësit më me peshë të BE-së, të mashtrojë edhe Brukselin. E bëri Brukselin të flasë me gjuhën e tij që është shumë larg nga ajo e opozitës. Janë dy pamje jashtëzakonisht të ndryshme. Njëra e opozitës shqiptare. Gjithçka zi. Fatkeqësi. Poshtërsi. Babëzi. Varfëri. Hajdutësi. Mungesë demokraci. Tjetra, ajo europiane me shkëlqim. Në përfundim, Edi Rama, ky prestidigjitator klasik, mashtroi edhe BE-në dhe udhëheqësit e saj. I bleu. I gënjeu dhe ngazëlleu. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo blerje e shtrenjtë, gjeti kohën, të ulej në bordurën e një rruge dhe të telefonojë këtej nga ne në atdhe: “Alo! Ç`a ka noi gjo anej?” Bruksel. Ata të BE-së i mashtroi dhe me këta tanët duket sikur do t`i vërë në lojë!