BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Opinion / Editorial

Edi Rama, Narcisi, narcizmi dhe fushata e 25 prillit!

Edi Rama, Narcisi, narcizmi dhe fushata e 25 prillit!

Sa herë vjen në Vlorë, (jo se në qytetet e tjera të Shqipërisë ku shkel nuk e bën) Rama gjithmonë intimidon e flet me mospërfillje për “të tjerët”, ata që nuk janë si ai, që nuk kuptojnë sakrificat që ai bën. Flet me gjuhën e përçarjes, duke na ndarë në “të tijët sy e mendjehapur” dhe ne “të tjerët sy e mendjembyllur”, që jemi shumë të dëshpëruar e të zhytur në batakun e mediokritetit tonë dhe nuk po shohim epokën e tij të ndritur, të cilën disa shqiptarëve u duhen veçse sy për ta parë. Dhe vlonjatët, në fakt, kanë sy për ta parë! Unë dua të jem shumë i sinqertë me të dhe t’i them se me atë çfarë kam parë e dëgjuar e prekur nëpër Vlorë, Selenicë, Himarë, Sarandë, Delvinë e Konispol; në fshatrat e Lumit të Vlorës, Novoselë, Nartë, Trevllazër e Panaja, realiteti nuk është ai i ERTV; i projekteve 3D që ai lançon apo i filmave vizatimorë me rindërtime...

Të dëshpëruarit e vërtetë nuk jemi ne të verbrit; të dëshpëruarit e vërtetë janë mijëra qytetarë të zakonshëm që nuk duan më të dëgjojnë diarrelogjinë e tij të dalë boje; të dëshpëruarit e vërtetë janë qytetarët që u është djegur shpirti nga shkatërrimi që i ka bërë qytetit pushteti i tij dhe ushtarët e tij lokalë. I dëshpëruari i vërtetë është ai vetë që ende nuk e ka kuptuar se pyetjen që ia drejton kaq kohë opozitës “Se çfarë mund t’i ofrojë Shqipërisë?”, në të vërtetë duhet t’ia bëjë vetes dhe sektit rrotull tij. Çfarë mund t’i ofrojë më Shqipërisë kryeministri ynë? Çfarë mund t’i ofrojë Vlorës ai dhe sekti i tij, veç shkatërrimit të qytetit, shkatërrim që çdo vlonjat e ka të qartë si drita e diellit.

Lumi i vrerit ndaj Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ndryshim, vetëm sa i vërteton çdo shqiptari se sa i shqetësuar është kryeministri i tij, por edhe përse është kaq i shqetësuar kryeministri i tij. Gjuha e tij nuk i ngjan asnjë kryeministri në botën e qytetëruar dhe kjo vjen si rrjedhojë e arrogancës së tij, e cila demonstron më së miri se ai ka humbur çdo lidhje emocionale, shpirtërore apo të sinqertë me shqiptarët. Ai tashmë i shikon ata si bezdi që s’po e lënë të ushtrojë rehat atë “që vetëm ai mund ta bëjë”: drejtimin e Shqipërisë! Por e gjithë kjo është një sinjal shumë shqetësues elektoral dhe një mesazh për atë që i pret shqiptarët nëse ai fiton mandatin e tretë: Së pari, arroganca e përdorur thuajse në çdo situatë problematike dhe ideja e të mosrënit asnjëherë dakord me kundërshtarin edhe kur bëhet fjalë për aferat korruptive e kriminale të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, shpallet nga ai si një vlerë shumë e madhe lidershipi dhe “mospërlyerje”. Së dyti, përdoret taktika e urrejtjes, ndarja në “të tijët” dhe “të tjerët e kahut të kundërt” nga ai që duhet të ishte simbol i unitetit të shqiptarëve. Së fundmi, vaksinimi. Vetë Edi Rama ka deklaruar (si edhe papagallët e tij), se “suksesi i vaksinimit” duhet t’i atribuohet atij dhe vetëm atij, se pa atë nuk do të kishim sukses në vaksinim, se ka bërë më të mirën për shqiptarët e të tjera dokrra si këto. Madje bëhet i rrezikshëm kur e anatemon në ekstrem kundërshtarin politik (që për të është armik), duke i bërë edhe akuza të pabaza për të ngjallur ndjenjën e urrejtjes në nivel kombëtar, ose të paktën në radhët e ndjekësve të partisë së tij.

E gjitha kjo ka një shpjegim. Rama është lideri narcist! Por çfarë është narcizmi? Narcizsmi është një lloj personaliteti që përfshin një dëshirë ekstreme për admirim, një ekzagjerim të ndjenjës së epërsisë personale; një dëshirë të papërmbajtur për pushtet; bindjen se e drejta është gjithmonë në anën tende, si dhe një mungesë të theksuar empatie. Ndonëse narcizsmi është trajtuar si një tipar me pasoja negative në lidership, narcizmi është forca që i drejton shumë liderë drejt pushtetit ndoshta edhe drejt misionit të lidershipit. Sipas disa studiuesve ka dy tipe narcizmi: narcizmi produktiv dhe ai joproduktiv. Anët produktive të personalitetit narcist e ndihmojnë liderin të arrijë fitoren, ashtu sikurse anët e errëta e pengojnë atë t’i shkojë deri në fund misionit për të cilin ndjekësit kanë synim dhe nevojë duke e kthyer në joproduktiv. Po të flitet për anët e mira, narcizmi krijon një profil që e bën liderin shumë të besueshëm, i jep atij tiparet e heroit, i jep atij imazhin e individit tërësisht të angazhuar ndaj ndjekësve, madje deri në atë shkallë sa vetë ndjekësit fillojnë ta adhurojnë dhe përkushtohen deri në verbëri. Falë këtyre cilësive liderët narcisë fitojnë admirimin e ndjekësve dhe ndihen të plotësuar për aq kohë sa e gëzojnë atë, pasi lideri narcis gjithmonë kërkon të jetë i rrethuar nga admirues që i bëjnë e thërrasin “Hossanna”.

Njëzëri është pranuar që lideri narcist ka aftësi të pakrahasueshme për të frymëzuar vartësit e tij. Kjo ka çuar në arsyetimin që në raste krizash apo ndryshimesh të mëdha vetëm lideri narcis mund të jetë në gjendje të ngjallë optimizmin e ndjekësve dhe t’i çojë ata drejt ndryshimit. Nuk është rastësi që gjithmonë në kthesat e mëdha të historisë kemi parë në krye një lider narcis. Në përgjithësi personaliteti narcis e kthen liderin në një individ shumë kompleks. Kjo çon natyrshëm në pyetjen: A është më shumë pozitiv apo negativ narcizmi për liderin? Kësaj pyetjeje teoricienët e lidershipit do t’i përgjigjeshin: “Sa mirë që e ka, sa mirë sikur të mos e kishte”. Ky kompleksitet përbën edhe pikën më të vështirë për të pasur një konkluzion final rreth liderit narcis. Nëse rreshtojmë disa pika kyç për suksesin në lidership të liderit narcis ato janë padyshim besimi që liderët kanë te vetja dhe aftësia vizionare për ta përcjellë këtë besim te ndjekësit dhe duke i frymëzuar ata deri në pikat më të larta dhe në momentet më të vështira. Pa këto dy tipare vështirë se mund të nisësh rrugën e gjatë e të vështirë të lidershipit dhe vështirë se mund të pranohesh nga ndjekësit. Në fakt janë këto dy tipare që e prodhojnë liderin dhe e lançojnë atë si të tillë. Janë pikërisht këto që plotësojnë fjalinë “sa mirë që është narcis”. Çështja shtrohet nëse ky tipar vazhdon të ketë të njëjtën peshë dhe të luajë të njëjtin rol pozitiv kur lideri është afirmuar dhe tashmë duhet të ushtrojë pushtetin e tij? Çfarë roli luan narcizmi që nga ky moment? Më së shumti anët e errëta të narcizmit ngrenë krye dhe e drejtojnë liderin nëse ai nuk është në gjendje t’i kontrollojë ato dhe mbi të gjitha, të kontrollojë “Uni-n” e sëmurë që shfaqet shumëformësh.

Unë dhe lumi

Miti i vjetër i Narcisit që u mbyt në lumë duke u mahnitur nga bukuria e vetes mund të ketë shumë interpretime. Vërtet Narcisi u mrekullua me veten dhe donte ta përqafonte atë në imazhin e ujit dhe humbi pa kuptuar, apo atij iu duk se në lumë ishte dikush tjetër e ai rendi ta shpëtojë, apo edhe ndoshta ta përqafojë? Apo mos kemi një lumë aq mahnitës, të kthjellët si një pasqyrë saqë Narcisi që nuk dinte çfarë ishte efekti pasqyrë; u mahnit e tentoi ta prekë, por u shkri në të? Pra thjesht mund të pyesim: Ishte vetë Narcisi aq i vetëndjerë saqë ra e u mbyt i dashuruar pas vetes apo efekti pasqyrë e turbulloi atë dhe e zhyti në thellësi për të mos dalë më? Pra sa me peshë është roli i lumit në mbytjen e Narcisit?

Kudo që ta çojmë analizën ka vetëm dy anë dhe një ndjenjë, nga njëra anë është Narcisi, nga ana tjetër lumi e në mes dashuria. Kurrë nuk e kemi gjetur nëse ka qenë dashuria për të përqafuar veten apo imazhin e tij ajo që e turbulloi Narcisin apo ishin efektet shumëngjyrëshe e shumëformëshe të lumit që e trullosën atë? Por më mirë të dalim nga metafora letrare e le të bëjmë një analizë më jetësore duke përmendur Narcisin si protagonist. A do e njihnim Narcisin po të mos qe mbytur në lumë? Ndër shekuj njerëzit janë marrë me Narcisin por kanë harruar lumin duke harruar faktin që ishte lumi që krijoi efektin, e solli dramën narcise. Po ta shtrojmë analizën te lidershipi mund të pyesim - janë shoqëritë narcise që krijojnë liderë narcisë apo e kundërta? Po t’u hedhim një sy liderëve më dominantë të Shqipërisë që në kohën kur ky vend filloi vërtet të kishte shtet, shikojmë se në shumë pika ata shfaqin karaktere të ndryshme, por në një pikë ata janë të gjithë bashkë dhe ky është narcizmi! Kjo do të thotë se ata trashëgojnë të gjithë një tipar dominues të shoqërisë që përfaqësojnë. Një ndër leksionet bazë në teoritë e praktikat e lidershipit është: lideri është produkt i shoqërisë që përfaqëson. Fakti që një shoqëri prodhon gjithmonë e gjithmonë një tipar lideri, rrëfen se shoqëria e ka këtë tipar të sajin. Lideri është rrjedhshmëri. Kjo do të thotë se një shoqëri narcise do prodhojë liderë narcisë.

Unë jam “sui generis”!

Lideri narcis e konsideron veten të famshëm dhe shumë të rëndësishëm. Beson se është qenie me vlera të jashtëzakonshme, i zgjedhur special, i cili duhet ndjekur me çdo kusht, pasi mbetet alternativa e vetme shpëtuese. Ka aq besim në atë që thotë dhe atë që bën sa natyrshëm e përcjell këtë besim te ndjekësit. Në paradat e 1 Majit që zhvilloheshin çdo vit në Tiranën komuniste, njerëzit thoshin: “Kur del Enveri pushon shiu e del dielli”. Kjo lloj shpëlarje masive e trurit, ku udhëheqësi shihej si një perëndi me forcë të pashtershme dhe ku adhurimi arrinte përmasa të tilla, ktheheshin në ushqimin kryesor të Hoxhës narcis.

Unë duhem dashur me çdo kusht

Lideri narcis kërkon admirim të pamasë nga ndjekësit. Ai nuk jeton dot pa këtë lloj admirimi. Jo më kot të gjithë liderët narcisë janë të fiksuar që të kenë nën kontroll artin, i cili duhet të prodhojë lavde dhe himne vetëm për të.

Për mua të tjerët janë vetëm sende

Lideri narcist ka një mungesë të theksuar empatie dhe mungesë ndjenjash ndaj nevojave të të tjerëve. Përgjithësisht ai i shikon ndjekësit krejt si objekte dhe kjo vjen nga fakti se narcistët vuajnë nga mungesa e empatisë. Lideri narcis e shikon veten si Zoti dhe beson se është në të drejtën e tij t’i trajtojë ndjekësit sikur të jenë thjesht sende. Ndonëse ai hiqet sikur ka ndjeshmëri ndaj ndjekësve, në fakt ai pothuaj nuk ka asnjë lidhje emocionale me ta. Ky është edhe rreziku më i madh i shoqërive që drejtohen nga liderë me personalitet narcis; ata shumë shpejt kthehen në autoritarë e po të mos ndalohen në kohë në diktatorë të pamëshirshëm.

Të gjithë duhet të mendojnë e të veprojnë si unë

Liderët narcisë kanë aftësi të prodhojnë ndjekës narcisë dhe shoqëri narcise. Mes këtij procesi ata fare natyrshëm fuqizojnë pushtetin e tyre, mbrojnë pushtetin e tyre dhe në këtë mënyrë e kanë më të lehtë ecjen përpara. Këtu duhet të theksojmë se problem më serioz në lidership nuk është ajo ç’ka vetë lideri përfaqëson, por ç’ka ai frymëzon e formëson. Liderët formësojnë më shumë se kushdo në shoqëri, ndaj edhe misioni apo roli i tyre është më i rëndësishëm se ai i çdo profesioni në botë. Një lider sado gjenial të jetë, i vetëm nuk mund të arrijë asgjë, por pasi ka formësuar ndjekësit dhe i ka dhënë “imazhin e tij”, ai tashmë është bërë faktor social që ka në dorë çdo gjë, vetë fatin e njerëzimit.

Fitore dhe vetëm fitore për mua

Liderët narcisë duan të shohin vetëm fitore. Ata e kanë gati të pamundur të pranojnë humbjen apo disfatën. Edhe kur humbja është tërësisht e dukshme ata fillojnë të gjejnë shkaktarin përtej vetvetes dhe t’i heqin vetes çdo përgjegjësi për humbjen. Ndërsa paradoksalisht te sukseset lideri narcist gjithmonë kërkon t’i theksojë si të vetat. Edhe nëse suksesi nuk arrihet ai duhet të imagjinohet i arrirë, dhe duhet spekuluar deri në atë pikë sa të shpiket edhe nëse nuk ekziston. Po t’i referohemi të gjithë propagandës komuniste në kohën e diktatorit Hoxha do të shohim se kudo flitej për fitore dhe suksese. E tërë makina propagandistike ishte ndërtuar për të glorifikuar suksesin, që në fakt nuk ekzistonte, por që duhej përfytyruar apo pranuar si i tillë. Shikoni sot makinën propagandistike të Ramës.

Edi Rama: “Unë”, pushteti dhe shqiptarët

Edi Rama hyri më shumë në lidershipin shqiptar si një lider që sillte tisin e Perëndimit, duke u parë si vetë “Perëndimi”. Formimi artistik dhe loja që bëri dhe bën me fasadat e çdo drejtimi, e shfaqi lidershipin e tij me nuanca surprizash, që u kthyen me shumë në një argëtim për ndjekësit, sesa në një lidhje të tyre organike me pushtetin e Ramës apo drejtimin e tij. Ai është më shumë narcis se karizmatik. Nga narcizmi ka dëshirën ekstreme për pushtet absolut dhe idenë se vetëm ai mund ta shpëtojë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ka arrogancë ekstreme që shfaqet edhe më fort sa herë i lëkundet pushteti. Si lider karizmatik, sikurse të gjithë paraardhësit e tij, ai e pranon konfliktin dhe ndihet komod në të, pasi kjo i jep edhe me shumë ushqim vetëndjerjes narcise. Dhe çdo gjë, çdo konflikt e kthen në përdorim politik, jo çështje politike! Ndërkohë, falë shkollimit artistik, ai është në gjendje të shmangë hera-herës ngurtësinë, si dhe demonstron fleksibilitet, sidomos me partnerët ndërkombëtarë. Ndonjëherë shkon aq larg, sa humbet tërësisht autenticitetin. E keni parë kur shkon nëpër qytetet e Shqipërisë? Është arkitekt, urbanist, dekorator, piktor, ekonomist, inxhinier, mjek, arsimtar? Ai me një të rënë të dorës, në varësi të humorit që ka, u thotë specialistëve: “Prishni këtë e prishni atë”!, “Ngjyroseni kështu e jo ashtu!”, “Vini këto pllaka dhe jo ato të tjerat!”, “Ndaloni madje edhe detin e disiplinoni dallgët”!” dhe pasuesit e tij duartrokasin e thërrasin: “Hossanna!”

Me Edi Ramën ndodh fenomeni i ndryshimit të shpeshtë. Çështja është se lideri edhe mund të ndryshojë paksa stilin për të mbajtur gjallë kureshtjen e ndjekësve, por kur ai shkon nga një ekstrem në tjetrin, humbet besueshmëria dhe serioziteti. Nga ana tjetër, një tjetër gjë jo e mirë që ka ndodhur me Ramën, është se vitet e tejzgjatura në pushtet i kanë hequr artikulimin e arrirë. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e arrogancës së tij, e cila demonstron më së miri se ai ka humbur çdo lidhje emocionale, shpirtërore apo të sinqertë me ndjekësit. Ai tashmë i shikon ata si bezdi që s’po e lënë të ushtrojë rehat atë “që vetëm ai mund ta bëjë” drejtimin e Shqipërisë! Ai, sikurse çdo narcis, nuk pranon asnjë mendim ndryshe, dhe nga “argëtues” është bërë “irritues”e “acarues”: nuk pranon që i ka rënë admirimi ndër ndjekës, debaton pa kufi me ta në median sociale e jo vetëm aty, etj. Rama kënaq narcizmin e tij, sipas parimit: “Unë flas, ju dëgjoni. Nuk kam nevojë të më duartrokisni, se duartrokas veten!”. Kjo fazë e narcizmit është edhe më e rrezikshmja. Shpesh herë është i papërmbajtur, gjë që i kushton shtrenjtë në marrëdhëniet me ndjekësit edhe ai shfaq pjesën e errët të narcizmit, sipas të cilës “E drejta është gjithmonë në anën time” dhe “Unë vetëm fitoj dhe kurrë nuk humbas”. Janë pikërisht këto dy anë negative të narcizmit, që nuk i lejojnë liderët tanë të dëgjojnë më shumë dhe të flasin më pak. Mungesa e dëgjimit dhe e konsultimit, mbetet një ndër problemet e dukshme të lidershipit shqiptar. Por arroganca nuk është më një simptomë vetëm e liderit, ajo është kthyer në sëmundje e të gjithë piramidës qeverisëse. Kush ngre zërin, ndëshkohet. Kush ka ankesa, përjashtohet. Kush nuk ul kokën, dënohet. Edi Rama ka dështuar në luftën kundër korrupsionit, sikundër në luftën ekonomike, sociale, shtetare, etj. Liderët e tranzicionit, që krijuan korrupsionin, kanë kaq vite që tregojnë se nuk mund ta luftojnë atë. Këta liderë e mbajnë vetë gjallë tranzicionin, pasi jetojnë dhe mbijetojnë vetëm nëpërmjet tij. Ndërkohë, Edi Rama dhe ata që e këshillojnë duket se e kanë ndjerë fundin. Ndaj flasin, sillen, mendojnë e veprojnë kështu, në mënyrë populiste dhe armiqësore me të gjithë ata që u dalin kundër me logjikë e fakte. Sepse po të shohësh trajektoren e pushtetit të tij të tejzgjatur, nuk përbën asnjë çudi që ai do të mbërrinte edhe në këtë pikë. Sa më i madh pushteti, aq më i madh ankthi për humbjen e tij. Vetëm një gjendje haluçinante, paranoje dhe deliri, të njohura për liderë të këtij kallëpi, mund të çojë në çmenduri të tilla sjelljeje, veprimi dhe insistimi në mbajtjen me çdo kusht të pushtetit. Dhe është pikërisht kjo pikë që dëshmon se përfundimisht Edi Rama do të ikë me turp nga skena politike e Shqipërisë.

***

Jo pa qëllim çdo paragraf i mësipërm ka një titull ku përemri vetor “unë” është aplikuar pothuaj në të gjitha rasat. Kjo gjetje e fjalës mbart domethënien që ekziston për çdo personalitet narcis, pak rëndësi ka nëse ai është lider apo ndjekës; për të çdo gjë fillon e mbaron te vetja, te madhështia e Un-it që nuk njeh kufij vetadmirimi dhe që kërkon të realizohen nëpërmjet një pushteti absolut. Fatkeqësisht, në pasqyrën e jetës një narcis nuk sheh kurrë veten, por atë që ai do të shohë në të. Këtu fillon drama e tij personale dhe këtu fillon padyshim drama shoqërore, nëse ky narcisit i bie të jetë një lider.