BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Edukim është kur gjen arsyen e statistikave për të mos përsëritur krimin!

Edukim është kur gjen arsyen e statistikave për të mos

"Konkubinati" i përballjes së Covid-19 në Shqipëri ka dy veprime të cilat përbëjnë statistikën dhe ndrydhjen e shoqërisë. Orët policore të ndalimit në kohë korone, ishin veprimi gjysmë demoniak për demek "shpëtimin e shoqërisë" që në fakt nuk bën asgjë, por nxorën shqiptarët dikur fare lirë të vazhdojnë jetën, duke përballuar vetë sëmundjen. E kjo u vërtetua kur u zbulua se kur u lanë të lirë e nuk ndodhi ndonjë "hata" e madhe megjithë rrezikun real permanent. Në fakt trimëria e "izolimit" e importuar nga ata që shpërndanë sëmundjen në spitale dhe azile pleqsh si Italia dhe Spanja, kanë 1 të vdekur për mesatarisht 1600 persona te vendet e tyre, kurse ne kemi një të vdekur për mbi 7000 persona. E këtë nuk e bëri "konkubinati" shëndetësor me në krye Ramën, por aftësia e një populli që ka imunitet më të mirë dhe që pleqtë nuk i lë azileve. Respekt për ata që janë në përballje me koronën, por asnjë respekt për ata që shfrytëzuan koronën, për të bërë marrëzitë e blindave, izolimeve, tenderave dhe urdhrave të shëmtuar në shpallje emergjence. Sot ka mbetur vetëm statistika e ministrisë me të shëruar, vdekur dhe infektuar. E me statistikën përballet dhe e gjithë historia. U harrua se kjo kohë shkatërroi familjet ekonomikisht dhe shpirtërisht, rrënoi biznesin e vogël dhe atë familjar e akoma më shumë për të pasuruar vetëm "top listën" e oligarkisë politike në biznes. Tani harrohet e keqja e madhe e ekonomisë dhe fillon lajthitja e investimeve tip fushatë elektorale. Në një veprim sigurisht politik që bëri Basha, propozoi dje kthimi i mendjes, kthjellimit te ndihma që qeveria ka për detyrë të bëjë për të vazhduar përballjen me Covidin, sepse tashmë e keqja më e madhe është lënia e një shoqërie pa ndihmën e shtetit që mendjen e ka të përballja politike dhe jo te dalja zot popullit të vet. Por unë e kam fjalën te statistika si përdorim dhe jo te arsyeja dhe kritika që i duhet bërë shoqërisë në përgjithësi, që i bindet dhe mbetet robinë e statistikave. Faji i madh shoqëror i joni dhe po ashtu botëror që merret me statistikën dhe jo arsyen pse ndodhi kjo statistikë. Shembujt janë vrastarë në këtë drejtim. Deri sot akoma ka më shumë rëndësi statistika që Hitleri ka vrarë 6 milion hebrenj dhe jo pse pjesa e madhe e popullit gjerman ishte në mungesë që kjo gjë ndodhi dhe dikush ishte dakord se duhej të ndodhte. Po i lëmë të vrarët vetë në Gjermani dhe Luftën e Dytë Botërore. Statistikë është dhe miliona të vrarë dhe deportuar nga Stalini në BRSS dhe Rusi dhe jo arsyen pse një popull ose pjesa më e madhe, duartrokitnin për një kohë të gjatë një demon kriminel si ai. Statistikë po ashtu me miliona të vrarë në revolucionin kultural proletar në Kinë dhe jo arsyen pse një popull i shkonte pas kësaj marrëzie. Statistikë për miliona të vrarë nga Pol Poti dhe jo arsyeja që gjysma e popullit vriste ose lejonte të vritej gjysma tjetër. Po ashtu statistika për fashizmin në Itali dhe jo pse një popull në fillim dhe deri në mbarim ishte pothuaj me të, po ashtu në Spanjën e Frankos dhe në Rumani dhe Gjermaninë Lindore. Por po ashtu statistika dhe me vrasjet e Enverit dhe klikës së tij bashkë me internimet dhe burgosjet apo vrasjet në kufi dhe jo me arsyen pse Enver Hoxhën një pjesë e madhe e shqiptarëve e ndoqën pas. Ky është dhe thelbi i "luftës" që kam unë dhe duhet të kemi ne me statistikën kur nuk i kemi hyrë thellë arsyes, pse shoqëritë bëjnë të tilla faje, të cilat i paguajnë me viktima, persekutim dhe rrënim ekonomik. Asgjë nuk kemi bërë deri më sot për mirë. Ne akoma kemi statistika vrasjet dhe vdekjet e ndodhura në Shqipëri mbas viteve ‘90-të. Statistikë është realisht dhe jo definitivisht krimi dhe vrasjet e fundit të diktaturës në kufi. Statistikë mbytjet dhe vrasjet në fillim demokracie, statistikë masakra e Peshkëpisë, statistikë 2 prilli, statistikë vrasjet e vitit 1997-të pa u përgjigjur askush dhe pa kuptuar kjo shoqëri se ishte dhe vetë gabim kur duartrokiste si njërën palë dhe tjetrën. Janë statistika vrasjet për pronën dhe gjakun, por ky popull nuk kupton arsyen pse ishte përgjegjës vetë dhe me anën e pranimit të saj për të bërë gjëma të tilla. Statistikë miliona e miliona dollarë të humbur në Piramidat dhe jo arsyen pse kjo shoqëri i zhyt në të tilla skema kriminale. Statistikë vrasjet në bulevarde dhe rrugë në protesta dhe grusht shteti dhe jo arsyen pse kjo shoqëri ishte prezente dhe bashkohej me atë që bënte krimin politik si pushtet dhe opozitë. Statistika vrasjet enigmatike dhe politike të personave dhe jo arsyeja pse kjo shoqëri gjysma thoshte "mirë ua bënë". Statistikë dhe 21 Janari dhe Gërdeci dhe jo arsyeja pse kjo shoqëri i ka toleruar dhe sjellë në pushtet ata që i shkaktuan ose i provokuan si në pozita dhe opozita. Statistika vjedhjet e Berishës dhe Ramës, humbjet e mëdha dhe papërgjegjshmëritë e jashtëzakonshme dhe jo arsyeja pse shoqëria ju shkon pas. Miliardat e grabitura të djersës sonë janë statistikë dhe shoqëria po ata hajdutë i riciklon në pushtetet e tyre okulte. Grabitja e tokës dhe krimet e drejtësisë janë statistikë, por jo gjetje arsyeje pse kjo shoqëri i pranon dhe i toleron apo i mbështet. Prandaj të gjithë regjimet e mbas 90-tës kanë shkatërruar shkollën, sepse nuk duan edukim apo arsimim që të kuptojë dallimin mes statistikës dhe arsyes pse ndodhi kjo statistikë. Përkundrazi regjimet e Berishës, Nanos, Ramës dhe të tjerëve duan keq edukimin që shoqëria shqiptare të pësojë statistika dhe mos gjejë asnjëherë arsyen pse ka ndodhur. Pse pikërisht shoqëria ka duartrokitur të tillë statistikë bërës politikë në Shqipëri. Prandaj prodhojnë dhe katapultojnë injorantë funksionalë që shoqëria të mbetet robinë e statistikës dhe largojë arsyen pse mbështet krimin dhe kriminelët në pushtet, hajnat dhe imoralët në politikë. E kjo ju duhet për arsyen se po nuk u edukuan, nuk njohin shenjat kur historia përsëritet. Po pra nuk dallojnë kur Berisha, Rama dhe të tjerët, po fillojnë ritualin e statistikave për të përsëritur në forma të ndryshme dhe kohë tjetër po të njëjtën përmbajtje kriminale dhe korruptive. Edukim dhe arsimim është kur gjen arsyen e statistikave për të mos përsëritur pikërisht krimin. E ne sot jemi akoma një shoqëri e keqedukuar dhe jo e arsimuar denjësisht.