BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Efekti negativ i koronavirusit, i LDK-së dhe i ish-PAN (sot PLAN) për Kosovën

Efekti negativ i koronavirusit, i LDK-së dhe i ish-PAN (sot PLAN) për

Në Kosovë, në zgjedhjet e 6 Tetorit 2019 u realizua një proces i mirë demokratik, i cili mori nota dhe vlerësime pozitive si nga brenda ashtu edhe nga jashtë Kosovës, për rregullsitë dhe standardin e zhvillimit të tyre, gjë e cila ishte mjaft e rëndësishme edhe në plan ndërkombëtar të imazhit pozitiv në rritje për konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit të Kosovës. Mirëpo shumë shpejt erdhi edhe zhgënjimi prej zhvillimeve politike me mocionin e partnerit qeverisës LDK-së, që bëri të mundur rrëzimin e qeverisë legjitime të kryesuar nga Albin KURTI, sipas një “loje” tipike puçiste parlamentare e maskuar me demokracinë, duke shfrytëzuar momentin e pandemisë së koronavirusit. Ky mocion ishte parapërgatitur dhe i mbështetur edhe nga PDK, AAK, NISMA si dhe nga Grenell pasi nuk mundën që ta mposhtin Albin Kurtin për ta detyruar atë që në bisedimet me Serbinë të hiqte dorë nga politika e reciprocitetit, si dhe për faktin kryesor për atë se Kurti ishte kundër çdo marrëveshje apo plani që cenonte integritetin territorial të Kosovës. Dhe arsyeja tjetër pse u organizua ky puç kundër qeverisë Kurti është fakti se politika e vjetër PAN (PDK, AAK e NISMA) dhe LDK të akuzuara për abuzime, shpërdorime, hajni e korrupsion nuk mund ta duronin dhe as të pajtoheshin me qeverinë antikrim, antikorrupsion dhe antihajni të Kurtit. Prandaj duke e shfrytëzuar dhe pandeminë si dhe mbështetjen e Grenell-it, përfaqësuesit të SHBA për bisedimet Kosovë -Serbi, ata ndërmorën një veprim, atë të puçit parlamentar, efektet e të cilit patën pasoja të rënda dhe negative për politikën, demokracinë dhe që po e çonin Kosovën drejt destabilitetit sepse po i rrëmbehej popullit kosovar verdikti dhe legjitimiteti i 6 Tetorit 2019. Pra, në Kosovë ndodhi një proces regresiv i organizuar nga njëri komponent qeverisës si LDK-ja në aleancë me opozitën e ndëshkuar PAN. Pra, nuk ndodhi ajo që zakonisht edhe po ndodh në disa vende të tjera, ku pandeminë po e përdorin pushteti dhe qeverisja për favore dhe avantazhe politike dhe autoritariste në dëm të demokracisë. Por, në Kosovë ndodhi e kundërta, pasi segmenti qeverisës LDK dhe opozita e shfrytëzuan pandeminë për të shkaktuar një krizë politike me qëllimin kryesor për të marrë, apo më saktë për të rrëmbyer qeverisjen në mënyrë jolegjitime dhe të pamerituar. Ky akt e ka dëmtuar demokracinë në tranzicion në Kosovë duke ia grisur maskën pseudopatriotike e demokratike e të ish-pushtetit PAN dhe të LDK-së. Kjo ka krijuar një gjendje shumë shqetësuese në Kosovë, por që ka shqetësuar edhe shtete e BE-së, pasi kriza e pandemisë se virusit korona, në Kosovë mesa duket ka ndikuar për përkeqësim demokratik, por që me siguri demokracia nuk do ta lejojë një gjë të tillë dhe po demokracia do ta ndreqë dhe përmirësojë gjendjen detyrimisht me zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare. Kosova po qeverisej shumë herë më mirë se sa nga qeverisjet e mëparshme, pra po shënohej ndryshim dhe përmirësim i mënyrës demokratike të qeverisjes së hapur, transparente dhe për efikasitet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qeveria Kurti, një qeverisje e cila për herë të parë veproi si një qeveri në shërbim të popullit dhe në favor të interesave kombëtare kundër çdo arbitrariteti dhe tratative pazaresh e tradhtie në dëm të Kosovës. Por ja që LDK-ja dhe opozita shfrytëzuan pandeminë e koronavirusit për ta rrëzuar qeverinë legjitime Kurti, duke vepruar tejet tradhtisht dhe pabesisht me verdiktin e popullit shqiptar, pasi: në kushtet e një pandemie që kërcënonte botën, puçistët e mirëllogaritën faktin se populli nuk mund të reagonte në kushte të tilla me protesta kundër këtij grushti shteti, sepse njerëzit ishin të detyruar që të mos grumbulloheshin, por të qëndronin në shtëpi ashtu sikurse masa të tilla po zbatoheshin edhe në shtetet e tjera të botës si masa parandaluese për mospërhapjen e virusit. Tani pritet verdikti i Gjykatës Kushtetuese, vendim i saj për t’i dhënë vlerësimin e duhur situatës së krijuar në Kosovë, pritet vendimi i saj për të mbrojtur legjitimitetin dhe kushtetutshmërinë, për atë se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo t’i japë të drejtë Presidentit të Republikës, i cili ka mandatuar për kryeministër Hotin nga forca politike e dyta që doli nga zgjedhjet e 6 Tetorit 2019, gjë që për shumë analistë, opinionistë, intelektualë, ekspertë, juristë, profesorë dhe akademikë ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pasi nuk mund të ketë qeverisje legjitime pa fituesin legjitim të zgjedhjeve, në rastin konkret pa Vetëvendosjen.