BREAKING NEWS

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i fortë i SHBA-së, ja çfarë pritet të ndodhë në vijim

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

Ekskluzivitet shqiptar, opozitarizëm korespondencial

Ekskluzivitet shqiptar, opozitarizëm korespondencial

Deri tani, kishim dëgjuar për shkollim me korespondencë. Shumica e atyre që kishin këtë fat nuk ishin se e zgjidhnin me dëshirë pasi askush nuk do ta donte që të takohej me profesorët e sertë e të rreptë që nuk lëshonin gramin, një herë të vetme në vit para provimit, pas asnjë një njohje, pa e ditur se cili ishte, kapacitetin që zotëroje, background-in personal që përfaqësoje në fushën e dijes. As arritjet në përfundim të shkollës së mesme. Shkurt ishe një student korespondence që shfaqeshe një herë të vetme në qiellin e profesorëve dhe kuptohet, sujektivizmi ishte i pranishëm dhe në shumicën e rasteve mbisundues në vlerësimin e dijeve. Nuk kishte pasur shansin të tregoje veten në seminare, teste, detyra, laboratore, kontakte njerëzore me pedagogët e lëndës. Shkurt, ishe një automat, tip ufo, si ushtar prej plasteline që zbrisje në mënyrë të rastësishme para tavolinës së provimit, ku të priste një heshtje ankthi dhe frike në se do ia dilje. Në se kishte një vlerësim objektiv të paanshëm, ishte pikërisht nota që merrje pasi ishte neto, pa asnjë prapashtesë apo subjektivizëm që lind natyrshëm nga përditshmëria në leksione, seminare, takime, mbledhje, dreka, mbrëmje, sport, shkurt në tërë aktivitetin e ngjeshur që jeton një student permanent në krahasim me atë që udhëton kilometra deri sa të mbërrijë në sallën e provimit kur shumë herë humbet nëpër labirintet e shumta të sallave dhe korridoreve, mes zhurmës së studentëve të ditës që të shikojnë si individ që ke humbur rrugën dhe ke hyrë në mjediset e gabuara. Kjo ishte mënyrë e komunikimit dhe qasjes së gjithë atyre që vijojnë kualifikimet dhe studimet me korespondencë nga çdo cep i largët i Shqipërisë. Po, vijimi i studimeve me korespondencë, ka qenë dhe mbetet në shumicën e rasteve, jo dëshirë e studentëve, po rrethanave dhe vendimmarrjes së atyre që i kanë në dorë fatet e nxënësve që vinin më së shumti nga shtresat me problem biografike në kohën e sistemit diktatorial. Dhe korespondenca ishte një shteg për t`u shkolluar disi, në hije larg syrit dhe veshit të partisë apo komunistëve që mbanin shënim për çdo shmangie nga vija e partisë që mbronin me fanatizëm anëtarët e partisë të cilët ruanin me vigjilencë se mos depërtonte dikush në auditore nga ata që mbartnin në kurriz hije të biografisë nga gjyshërit apo stërgjyshërit. Unë jam një nga ata që studimet i kreva në hije, larg vëmendjes dhe vigjilentëve që nuk të falnin. Një zgjedhje nga halli, jo nga malli apo dëshira. Pa dëshirë, imponim me pahir. Po kjo ishte rrugë e vështirë, po gjithsesi ishte një mundësi për të vijuar  studimet në mungesë të rrugëve për vijim normal, permanente, me shkëputje nga puna. Studime të drejtpërdrejta. Por nëse korespondenca në vitet që lamë, ishte një mënyrë e imponuar edhe pse në kundërshtim me dëshirat personale, sot një presion apo detyrim i tillë, mungon. Së paku për biografinë e cila është individuale, fshirë si kusht dhe që nuk përbënë asnjë shqetësim. Për biografi askush nuk imponohet të vijoi studimet pa shkëputje nga puna, përjashtuar rasteve kur një zgjedhje të tillë e dëshiron vet individi për njëmijë arsye. Në se korespondenca në monizëm, ishte një zgjidhje për rrethanat që përmendëm e cituam më sipër, ishte mundësi e vetme zgjidhjeje, sot pa asnjë shkak mënyra e punës me korespondencë është shtrirë në një drejtim tjetër, në politikë-bërje. Është bërë mekanizëm i opozitarizmit shqiptar. Në asnjë vend të botës, përjashtuar muhaxhedinëve, MEKU Iranian, opozitat në ekzil që zhvillojnë opozitarizmin përmes korespondencës në normalitet atje ku mungon lufta dhe terrori, imponimi dhe pamundësimi një eksperiment i tillë mungon. Ndryshe nga tërë vendet e botës demokratike, Shqipëria eksperimenton një opozitë ndryshe. Nga opozitë e drejtpërdrejtë, opozitë institucionale, në seli, salla, zyra, parlament, presidencë, kryeministri, kontakte teta-tetë, kudo që nevojitet opozita për vendimet që merren. Ligjet që hartohen, reformat që piketohen, marrëdhëniet me jashtë, politikën kombëtare e ndërkombëtare, apo aksionet që kryhen taksat që vendosen, tenderat që bëhen, rrugët që projektohen, në ato në të cilat punohet dhe që shikohen me dyshim nga opozita në vend të diskutimit dhe debateve nga institucionet, opozita jonë, dyshja PD-LSI dhe liderët e tyre, Basha e Monika, Berisha doemos, Nishani nga shtëpia, si dhe tërë karvani që vjen pas, si vagonat pas lokomotivave drejt minierave të kromit dhe nikelit në Pogradecë e gjetkë, kanë më shumë se një vit që opozitën e kanë shëndrruar si opozitarizëm të rrugës. Seli kanë bërë sheshet dhe bulevardet, rrugët e rrugicat. Komunikimin e drejtpërdrejtë e kanë zëvendësuar të folurat me shenja, me duar e këmbë, vetulla e buzë, me kokë e trup, si të ishin opozitë memece, pa seli, pa shtëpi. Është tipik opozitarizëm me korespondencë, larg selive, ku merren vendimet e mëdha. Në vend të debateve të drejtpërdrejta, sy më sy, ballë për ballë, në moment, me efekte emocionale dhe të dëgjueshme nga të gjithë, së pari nga mbështetësit e tyre. Opozita i dëgjon të gjitha përmes TV. I merr, i përpunon në laboratorin e vet, i përgatit deklaratat me zëdhënësit dhe shtabet e propagandës dhe vijojnë të deklarojë me të madhe, sikur të kenë zbuluar planete të reja në kozmos, si gjetje të rralla. Kujtojmë këtu, betejën për listat e mbyllura dhe debatet që u deshën në Këshillin Politik që mund të konsiderohet, auditori special i opozitarizmit me korespondencë, ekskluzivitet i opozitës tonë. Pas dorëzimit të mandateve që u krijonte akses të plotë për opozitarizëm permanent të drejtpërdrejtë, bota gjeti një mekanizëm artificë, siç ishte Këshilli Politik, ku opozita bën sikur jep provimet e shtetit dhe përpiqet t`i imponohet mazhorancës nga distanca. I kishte të gjitha, i la me dëshirë, jo për shkaqe presioni apo qëndrimi të mazhorancës, e cila nuk e ka tagrin të diktoj mënyrën e të bërit opozitë dhe zgjodhi opozitën rrugore që seli ka rrugën dhe sheshet ose siç emërtohet nga krerët e opozitës, opozita popull. Por që në realitet e ka humbur popullin qëkur dorëzuan mandatet e deputetëve dhe iu larguan sallës së demokracisë. I kthyen shpinën simboleve të kombit, stemës së Republikës, selisë së demokracisë dhe ua lanë vendin numrave të post listës, atyre që i kishin radhitur si rezervë dhe që tani i anatemojnë si kancerin e demokracisë, deputet të vjedhur, të shitur, tradhtar e bukëshkalë. Opozitarët e korespondencës, e zhvillojnë betejën, jashtë fushës së luftës së vërtetë. Larg institucioneve dhe duken se janë repartet e prapavijës që qëndrojnë shumë larg vijës së frontit. Kanë braktisur istikamet, kanë lënë pas bunkerët dhe llogoret, kanë flakur armët e demokracisë, tarashet dhe gjithë armët e arsyes së të bërit opozitë ballë për ballë, duke zgjedhur opozitarizmin e e-maileve, letër porosive, kontakteve në salla të mbyllura dhe të të shkruarit letra. Opozita jonë, po luan telefonin e prishur. Merr të dhëna, siguron informacione gojore, shumica me të dëgjuar nga larg, i përpunon, i hedh në opinionin kombëtar, si gjetje të vetat, si të vërteta objektive absolute. Dhe për të bërë opozitarin, opozitarët e korespondencës shqiptare dalin në podiumet e partisë liderët kryesor. Deklarojnë. Anatemojnë. Denigrojnë gjithçka dhe të gjithë nga i pari tek e fundit pa harruar asnjërin. Po të gjitha nga disatanca ama. Të gjitha nga distanca, ashtu siç e do opozitarizmi me korespondencë e cila nuk ka tharmin dhe gjallërinë e debateve ballë për ballë në të njëjtën sallë. Kjo korespondenca, veç të tjerave, ka sjellë edhe shumë ndryshime të politikës opozitare. Kështu u ka hequr mundësinë e përdorimit të çizmeve, bojës së shkrimit, shisheve të ujit. Ka lënë në harresë atentatorët kundër podiumit, shënjestrat që kanë gjuajtur për tërë kohën me vezë këdo dhe më së shumti të gjatin, drejtë e në gjoks. Pastaj, ka hequr nga mesi ilaritetin dhe humorin. Ashtu siç ka lënë shikuesit pa estradën parlamentare dhe tifozët pa ndeshjet e gladiatorëve, të fortëve, atyre që rrethonin, një e dy, podiumin dhe kapnin rob ministrat e Kryeministrin deri edhe Kryetarin e Kuvendit, duke përdorur, jo fjalën por forcën dhe metodat klasike të opozitarizmit shqiptar që shumë herë nuk është fjala, po armë të tjera, këpucët e tymueset, kapsollat dhe lloj- lloj lojërash me të cilat janë të dashuruar opozitarët tanë në parlament. Debatohet reforma në drejtësi. Opozitarët e korespondencës flasin për pavërtetësi dhe mungesë realizmi. Të gjitha këto nga ekranet e televizioneve ose e-meileve deri edhe letrave në selitë e Europës dhe Parlametit të Europës. Korespondentët tanë opozitarë, sot në reformën zgjedhore, më të rëndësishmen reformë, bëjnë përsëri opozitën me korespondencë. Jo në parlament se atë nuk e njohin, po në Këshillin Politik, ku kërkojnë që katër persona të zëvendësojnë parlamentin e Shqipërisë në emër të partisë, opozitës me korespondencë, e cila bën sikur ka tërë fuqinë dhe madhështinë, duke folur nga larg dhe debatet gojore drejtpërdrejt, i ka zëvendësuar me opozitarizmin ekskluziv të paparë më parë mbi dhe, me korespondencë dhe e-maile, letra e telegrame, shtypin e shkruar apo analistët e opinionistët e paguar. Kjo është opozita më origjinale në botë, ekskluzivitet shqiptar, opozitarizmi korespondencial.