BREAKING NEWS

Ngjarje e rëndë/ Një tjetër pacient hidhet nga lartësia e spitalit 'Shefqet Ndroqi' në Tiranë, policia jep detajet e para

Ngjarje e rëndë/ Një tjetër pacient hidhet nga lartësia
x

Opinion / Editorial

Eksperiencat e HIV/AIDS dhe masat ndaj koronavirusit

Eksperiencat e HIV/AIDS dhe masat ndaj koronavirusit

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Një shembull tjetër mjekoligjor (2007-2008), ka të bëjë me atë të dy pacientëve, të cilët në vitin 2005 kanë qenë shtruar në spitalin e Elbasanit që vuanin nga sëmundje qe kishin nevojë për gjak dhe për këtë arsye, ju është dhënë gabimisht gjak i marrë nga një shtetase me HIV +. Në këtë rast shkaku i infektimit të tyre, rezultoi të ishte defekti i kitit të shpejtë të testimit, i përdorur në bankën e gjakut të Elbasanit, me një saktësi jo 100%, që nuk arriti të zbulojë që gjaku i dhuruar i shtetases HIV +, ka qenë i infektuar me HIV. Edhe për këtë rast u morën masa, në radhë të parë u hoqën nga përdorimi kitet e shpejta Double Check Gold të firmës Organics dhe tani e tutje për bankat e gjakut të rretheve, ku përfshihet edhe ai i Elbasanit, aplikohet metoda Elisa me një saktësi më të madhe, e cila përdoret edhe në bankën qendrore të gjakut në Tiranë.

Një çështje tjetër e rëndësishme, është ajo që ka të bëjë me problemet etiko-juridik të respektimit të të drejtave të njeriut ndaj shfaqjes së kësaj sëmundjeje. Ky problem për herë të parë u shqyrtua me hollësi me rastin e reagimit që i bëri njerëzimi pandemisë së HIV/AIDS që prej 30 vitesh më parë, për t’u aplikuar sot në pandeminë e re të Covid -19. Pra në këto lloje sëmundjesh, të drejtat e njeriut të shprehura në normat e ndryshme të tyre, kanë si qëllim detyrimin për të respektuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve, ndaj këtyre sëmundjeve ngjitëse ku bën pjesë edhe Covid-19.

Kjo do të realizohet me anën e masave mbrojtëse, me qëllim që të pengohet përhapja e këtyre sëmundjeve. Mosmarrja e këtyre masave, do të konsiderohej një shkelje e të drejtave të njeriut.

Por nuk duhet harruar që këto masa të mos jenë shumë të rrepta sa të prekin liritë individuale, dinjitetin e njeriut etj.

Pra për këto sëmundje synohet që të vendoset një balancë sa më e drejtë ndërmjet këtyre masave mbrojtëse, mjekimit dhe parandalimit në rastin tonë të Covid-19, ndaj respektimit dhe mbrojtjes së lirive individuale, ekonomike e sociale të njerëzve. Këto çështje si dhe tjera siç është edhe parimi etik i konfidencialitetit, janë shqyrtuar, studiuar dhe zbatuar në vendin tonë duke filluar që nga sëmundja e HIV/AIDS për të cilën janë zgjidhur pak a shumë në mënyrë korrekte.

Kështu, për sa i përket qëndrimit kundrejt virusit HIV, te ne, sikurse në të gjitha vendet, kur dihet qartë që përveç me anën e gjakut, raporteve seksuale, gravidancës, ushqimit me gji të foshnjave, nuk ka mënyra të tjera të transmetimit të virusit HIV, nuk mbahet më qëndrimi izolues ndaj këtij infeksioni, por me kusht që të sigurohet një informacion i plotë dhe i rregullt për popullsinë.

Një rregull etik që duhet të zbatohet në këto raste është që për personat e infektuar me HIV, të zbuluar nga shëndetësia, duhet ruajtur gjithnjë anonimati i tyre, por me përjashtim që kjo diagnozë i duhet treguar partnerit apo partneres së personit të prekur me HIV.

Nga pikëpamja juridike, duhet kujtuar se në muajin korrik 2008, nën ndikimin edhe të faktorëve ndërkombëtarë, hyri në fuqi ligji “Për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS” (ligji nr. 9952, datë 14.7.2008).

Sipas këtij ligji, testimi për HIV që kryhet falas për shtetasit, do të jetë konfidencial (personeli që e kryen atë duhet të ruajë privatësinë e personave me HIV +). Përgjigjet e testimit u jepen vetëm personave që e kanë kryer atë, bashkëshortit / bashkëshortes, prindërve apo kujdestarit ligjor.

Personat e prekur me HIV kanë detyrimin edhe për zbatimin e masave të parandalimit dhe transmetimit të virusit (infektimi i qëllimshëm i një personi tjetër, dënohet me gjobë); gjithashtu ata kanë të drejtën e mjekimit falas, arsimimit në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, punësimit në përshtatje me kërkesat e vendit të punës, duke ju ruajtur konfidencialiteti në lidhje me infektimin me HIV/AIDS, integrimit në komunitet dhe shoqëri me veprime mbështetëse psiko-sociale dhe evitimin për ta të çdo veprimi diskriminues etj.

Këto rregulla etike dhe juridike janë pasur parasysh duke u respektuar dhe zbatuar në të gjitha rastet problematike me HIV, të shoqëruara ndonjëherë edhe me shqyrtimin mjekoligjor të tyre.

Një prej këtyre rasteve i përket qëndrimit diskriminues që u mbajt ndaj dy fëmijëve binjakë të infektuar me HIV, nga ana e nxënësve dhe prindërve të tyre në shkollën ku ata mësonin. Ata kërkonin me insistim që këta dy fëmijë HIV+ të mos lejoheshin të mësonin në këtë shkollë në një klasë me fëmijët e tyre, sepse ata kishin frikë nga infektimi me HIV+ prej tyre. Ky rast i bërë publik, u diskutua gjerësisht në shtypin dhe mediat e vendit tonë. Pikërisht, ligji për “Për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS” (2008), u nxor si reagim i shtetit tonë ndaj kësaj situate të krijuar për mosruajtjen e konfidencialitetit të këtyre fëmijëve të prekur me HIV, duke shmangur në këtë mënyrë përsëritjen e rasteve të tilla. Ndërsa tani, për pandeminë e re të Covid-19, janë vënë re shumë të meta në lidhje me masat mbrojtëse ndaj këtij infeksioni viral.

Kështu, këto masa janë vlerësuar shumë të rrepta, jo proporcionale, kanë qenë jo të drejta në raport me rrezikshmërinë e kësaj sëmundjeje, sidomos në lidhje me zbatimin e rregullave të izolimit të njerëzve për t’u mbrojtur nga prekja prej këtij virusi.

Masa të tilla kanë qenë ato të lejes vetëm të një anëtari të familje për të dalë vetëm një orë në ditë përjashta, mbyllja e shkollave, ndalimi i aktiviteteve, kufizimi i lëvizjes së individëve: vetëm në orare dhe ditë të caktuara dhe me leje të posaçme, kufizimi i transportit ajror dhe detar, mbyllja e transportit ndërqytetas dhe kufizimi i atij brenda qytetit e shumë e shumë të tjera. Ato kanë ndikuar në rritjen e papunësisë për disa kategori në vendin tonë, në dëmtimin e ekonomisë, apo në shkeljen e të drejtave të njeriut. Një tjetër shkelje ka qenë ajo e mosrespektimit të parimit etik të konfidencialitetit të të prekurve ose të vdekurve nga kjo sëmundje, si psh. shpallja publikisht e infektimit nga ky virus, pa miratimin e personit të prekur, siç ishte edhe rasti i aktorit E.Budina, menjëherë pas disa ditësh nga protesta e fuqishme popullore për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë. Të gjitha këto masa u shpallën në një sërë urdhrash, aktesh, vendime kuvendi etj.

Njëkohësisht, ato u pasqyruan në disa ndryshime apo amendime të Kodit Penal, ku parashikohej midis të tjerave, që për shkeljen e masave ndaj Covid-19, jepet dënimi me gjobë ose me burgim, që në raste të rënda të veçanta shkon deri në 8 vjet burg. Në të vërtetë këto ndryshime të Kodit Penal kaluan në Kuvend, duke përfituar nga mungesa e opozitës reale, me procedurë të përshpejtuar dhe jo me shumicë të cilësuar siç e kërkon Kushtetuta. Ato janë konsideruar të ashpra, që shkelin parimin e proporcionalitetit dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, p.sh. të konventës ndërkombëtare të të drejtave civile dhe politike, sipas së cilës masat duhet të plotësojnë kërkesat e ligjshmërisë, nevojës dhe proporcionalitetit dhe të jenë jo diskriminuese. Po kështu vendimi për shtyrjen e pandemisë në dy muaj, sikurse janë prononcuar juristë të vendit tonë, u bë në shkelje të Kushtetutës, sipas së cilës kjo leje për vendosjen e saj jepet vetëm për një muaj.

Siç duket, të gjitha këto masa administrative dhe ligjore, që janë kritikuar nga opinioni i vendit tonë, kanë pasur qëllimin e frikësimit të popullsisë, p.sh. me anën e shfaqjes në bulevard të blindave të ushtrisë, apo me ushtrimin e dhunës krejt të pajustifikuar të policisë ndaj individëve të veçantë në mjaft raste, apo atyre të një proteste paqësore.

Nga ana tjetër, ato të shoqëruara me deklarime të ashpra të përditshme, të thëna verbalisht në mënyrë virtuale, krijuan ndjesinë që në vendin tonë ka vepruar shteti i urdhërit gjatë kësaj pandemie. Nga pikëpamja juridike, akuzat për ashpërsinë që kanë pasur ndryshimet në kodin penale për pandeminë Covid-19 në vendin tonë, sipas mendimit të juristëve të vendit tonë, mbështeten në këto argumente:

-Dënimet e dhëna në to, njëkohësisht me gjobë dhe burgim, sipas gjykatës kushtetuese, nuk janë në përputhje me Kushtetutën, ndërkohë që në ligjin për HIV/AIDS parashikohet vetëm dënimi me gjobë.

-Në këto dënime mungon një raport i drejtë ndërmjet rrezikshmërisë së veprës penale dhe shkallës së fajit të autorit, në rastin kur ai është mbartës i Covid-19, ndaj rasteve kur ai nuk është i tillë. Kjo do të ndikojë negativisht në përcaktimin e masës së dënimit në proporcion me shkallën e fajësisë së të akuzuarit.

-Më në fund, masa maksimale e dënimit prej 8 vitesh burgim (neni 89/b/3), nuk duket të jetë e justifikuar dhe as e argumentuar. Këto masa dënimesh janë shumë më të ashpra, p.sh në krahasim me Italinë dhe Francën, ku dënimet janë shumë më të lehta: me gjobë ose burgim deri në 6 muaj, me përjashtim të rasteve të rënda ku dënimi me burg është deri në 5 vjet. Përveç kësaj, po të krahasohet me HIV/AIDS në lidhje me mjekimin e pakujdesshëm (neni 96 § 2 i Kodit Penal), ku dënimi maksimal është 7 vjet, ky dënim 8-vjeçar për Covid-19, i kryer nga një qytetar i thjeshtë, do të jetë disproporcional me dënimin më të lehtë nga HIV/AIDS, i kryer nga personeli mjekësor që është i përgatitur dhe i specializuar për të shmangur infeksione të tilla.

 * * *

Nga kjo paraqitje krahasuese e aspekteve juridike, etike dhe mjekoligjore të dallimeve dhe anëve të përbashkëta ndërmjet këtyre 2 pandemive virusale, bie në sy që megjithë vullnetin e mirë për ta përballuar Covid-19 në vendin tonë, ka shumë të meta dhe gabime etike, juridike, mjekoligjore, apo sociale në masat e marra për t’u mbrojtur nga ky infeksion i rëndë me vdekshmëri të lartë, kundrejt masave ndaj HIV/AIDS që janë aplikuar që prej shumë vitesh në vendin tonë. Për këtë arsye, përvoja e fituar nga ndjekja e HIV/AIDS te ne, duhet të shfrytëzohen sot edhe për trajtimin e këtyre problemeve që kanë dalë në situatën e pandemisë së Covid-19.