BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

“Eksperimenti” i çifutit Ben David, nuk “ndez” me shqiptarët

“Eksperimenti” i çifutit Ben David, nuk “ndez” me

Për të përcjellë orët dhe ditët e vështira të “arrestit shtëpiak”, që na “dhuroi” korona-virusi, vendosa të rikthehem edhe një herë në “mikun” e dikurshëm të librit. Në përshtatje me moshën time të tretë, zgjodha romanin “Skënderbeu” të shkrimtarit Sabri Godo. E kisha lexuar dy herë në vitet e para të botimit, por kjo nuk më pengoj ta rilexoj përsëri me të njëjtën endje si dy herët e para, por me një dozë të dyfishuar nostalgjie e krenarie për atë kohë të lavdishme ku zhvillohen ngjarjet e romanit. Historinë e jetës dhe veprës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, koha e emërtoi “Epoka e Skënderbeut”. Pesëqind vjet më vonë, ajo u përcoll pothuaj pikë për pikë nga “Epoka e Enver Hoxhës”, pasuruar tashmë me elementë të kohëve moderne. Të dyja sëbashku bëjnë jo më tepër se shtatëdhjetë vite. Shumë pak, përballë dymijë e ca të tjerave nga fillimi i Erës së Re e gjer më sot. Por thelbësore, sepse gjithë këtë periudhë njëzet shekullore, shqiptarët e mbijetuan falë këtyre dy epokave legjendare, të cilat u shërbyen si pishtarë drite në rrugën e tyre të gjatë, e të vështirë. Megjithatë, kushdo që e njeh historinë e së parës dhe ka përjetuar atë të së dytës, nuk mund t’i shmanget pyetjes: Si është e mundur që në dymijë e ca vjet histori, shqiptarët kanë mundur të kenë vetëm 70 vite të organizuara në shtet të vërtetë, me parametrat më të lartë të kohëve përkatëse? Mos vallë ne shqiptarët nuk kemi patur aftësi shtetformuese, siç na akuzojnë armiqtë tanë të përhershëm? E kundërta ka ndodhur. Nuk ka qenë paaftësia shtetformuese e të parëve tanë, por ishin pushtuesit e shumtë ata që nuk na lanë të ngremë e konsolidojmë shtetin tonë. Cila ishte arsyeja? Pozicioni gjeografik i vendit tonë, ka dy anë të medaljes: Shumë i favorshëm për të jetuar e begatuar; dhe tepër i vështirë për të “mbijetuar”. Pushtuesit e shumtë, që kanë kaluar mbi trojet tona, nuk erdhën këtu për alpinizëm, por për të zotëruar pozitat strategjike që kishin shqiptarët në kryqëzimin e rrugëve lindje – perëndim dhe anasjelltas. Edhe në kohët e sotme moderne, kjo strategji e fuqive dhe superfuqive, nuk ka ndryshuar. Por nuk është vetëm kjo. Dy epokat e lavdishme, që përmendëm më lart, nuk duhen lejuar të përsëriten, sepse ato nxisin tek popujt besimin se edhe vendet e vegjël mund të mbijetojnë e begatojnë përballë superfuqive, nëse do të kenë një shtet të organizuar, të fuqishëm dhe të mbështetur tek populli. Aq më pak mund të pranohej prej tyre Epoka e Enver Hoxhës, e cila me shembullin e saj rrezatues, nxiste dhe nxit jo vetëm për shtet të pavarur, por edhe për shtet të vërtetë të popullit, çka kërcënon domenin e sistemit kapitalisto-imperialist në kalbëzim. Po, si mundën armiqtë tanë të na detyronin të ndërronim jetën e begatë me mbijetesë? Fillimisht ishte dhuna, hekuri, zjarri, kombinuar me imponimin e varfërisë ekstreme. Më pastaj përdorën përçarjen fetare e krahinore, por populli ynë ia doli të ruante ADN-në e tij dhe të ringrihej nga hiri si Feniksi. Kohët moderne, sollën forma të reja në veprimet e armiqve tanë. Sidomos mbas përmbysjes së sistemit socialist, lufta e tyre u përqendrua në degjenerimin moral e politik të popullit, si një mjet më vrastar se dhuna dhe armët. Copëtimin fizik të trojeve shqiptare në vitin 1915, e zëvendësuan në copëtimin politik, duke na imponuar mbi 120 parti politike dhe qindra shoqata të të gjitha llojeve, me objektivin konkret: kthimin e këtij populli në popull mërgimtar, mundësisht nomad, çka do t’u jepte mundësi padronëve kapitalistë t’i përdorin këto troje sipas interesave të tyre strategjike. Jo për t’u hequr si optimist, por nisur nga përvoja historike, kam qenë dhe mbetem i bindur, se kombi shqiptar nuk mund të asimilohet, sado të rafinuara të jenë taktikat dhe strategjitë e armikut. Pikërisht këtë optimizëm po përjetoja, kur po lexoja për të tretën herë “Skënderbeun” e Sabri Godos dhe njëherësh kujtoja Epokën e Enver Hoxhës, të cilën arrita ta përjetoj drejtpërsëdrejti. Por kur mbarova së rilexuari dy të tretat e librit dhe, mbërrita tek një episod nga momentet e rrethimit të Krujës prej Sulltan Mehmetit, optimizmi m’u stopua. Në dy leximet e para të romanit në fjalë, nuk i kisha kushtuar rëndësi episodit në fjalë. Por në këto momente kur gjendemi të rrethuar nga “koronavirusi”, hija e dyshimit mu faneps në sy e në mendje... Përpara se ta shpjegohem, po riprodhoj episodin:

Korrik 1466

Sulltan Mehmeti, në pamundësi për ta marrë kështjellën e famshme, shkon në bregun e Erzenit ku mbaheshin rob rreth pesë mijë shqiptarë, burra, gra, pleq e fëmijë. Ushtarët e sulltanit, i lidhën robërit dhe i rreshtuan buzë lumit, ku nisën ekzekutimin e tyre me shpata, thika e hanxharë. Në krye të masakrës, turma e njerëzve që po thereshin, u përfshi nga ulërima e grave dhe fëmijëve, por pas pak, një zë i fuqishëm nga mesi i turmës thirri: “Pushoni”! Nga ky çast në zallishte nuk dëgjohej asgjë, përveç goditjeve dhe rënkimeve të mbytura. Sulltan Mehmetit nuk i pëlqeu, ndaj kërkoi një mënyrë tjetër më makabre. Ju kujtua një episod i lashtë, historinë e të cilit po e tregoj shkurtimisht: “Në një fshat bri lumit Tigër, u shfaq një turmë e pafund me minj, që shtohej çdo ditë, duke rrezikuar jo vetëm ushqimet, por edhe njerëzit. Në pamundësi për të shpëtuar prej tyre, banorët vendosën të braktisin fshatin. Atë ditë që u nisën të largoheshin, në fshat mbërriti çifuti Ben David, i cili u tha të qëndronin se do t’i zhdukte ai minjtë. Çifuti në fjalë, mblodhi disa dhjetëra minj të gjallë, që i sollën fshatarët, i hodhi në disa fuçi druri dhe i mbylli për tri javë. Pas tri javësh hapi fuçitë dhe në secilën prej tyre u gjetën vetëm disa ekzemplarë të fortë e tepër të egërsuar. Të tjerët ishin zhdukur. Këta ekzemplarë, çifuti David i lëshoi nëpër fshat dhe në krye të 10 ditëve minjtë ishin shfarosur. Ekzemplarët gjatë tri javëve nëpër fuçi ishin mësuar të hanin vetëm minj dhe kështu gjuajtën racën e tyre kudo që ishte në fshat”. Këtë “eksperiment” të çifutit David, vendosi ta provojë edhe Sulltan Mehmeti me robërit shqiptarë në breg të Erzenit. Zgjodhi nga turma e robërve 300 burra, të cilët, pasi i egërsuan me të gjitha mënyrat, i armatosën me shpata dhe i nxitën të vrisnin robërit e tjerë. Në këmbim të kësaj, ata do të liheshin të lirë dhe populli me siguri do të përfshihej në një hakmarrje të tmerrshme deri në shfarosjen e plotë mes vetit. Por 300 burrat shqiptarë ia prishën planin Sulltanit. Pas “egërsimit”, ata i kthyen shpatat kundër turqve, çka e bëri Mehmetin të largohej i inatosur nga lëmi i masakrës. (Marrë nga “Skënderbeu”, roman historik, faqe 413 – 414)

###

“Eksperimenti” i çifutit Ben David, që aplikoi Sulltan Mehmeti mbi robërit shqiptarë në vitin 1466, është tepër larg në kohë me situatën kur jemi zënë rob nga korona-virusi. Por një detaj i “vogël”, ai i izolimit nëpër shtëpia, ngjallin dyshime jo pak të frikshme. Mos vallë “sulltanët” tanë po na mbyllin në shtëpi, që të mos shohim veprimet e tyre, tashmë të provuara si antipopullore dhe antikombëtare?! Akoma më tej: Duke na mbajtur në izolim, mos vallë “sulltanët” tanë, në zbatim të misionit të padronëve të tyre kapitalistë, synojnë të na kthejnë si minjtë e egërsuar që çifuti David i ndërseu kundër racës së vet, çka do të shënonte dhe fundin e racës sonë, kaq shumë “bezdisëse” për interesat e hasmëve tanë shekullorë? Eksperimenti i çifutit David dhe kasapit turk nuk “ndezi” tek paraardhësit tanë të shekullit të XV-të. Aq më pak mund të ndodhë sot, kur kombi ynë ka hedhur rrënjë të thella në trojet e tij etnike, që s’ka eksperiment barbar ta shkulë. Por sidoqoftë, nga ne qytetarët kërkohet të jemi vigjilentë. Tashmë pas dy muajsh të “luftës” me “armikun e padukshëm” me emrin COVID-19, ne ja dimë dhëmbët dhe dhëmballët atij. Korona – virusi që ka zaptuar botën, është si gjithë viruset e tjera, por me një ndryshim: Kthetrat e tij i ka në dorë mister Kapitali, i cili e ka lëshuar atë në fushën e betejës për të thelluar më tej hendekun social midis të pasurve dhe të varfërve, duke i stërpasuruar të parët, e duke i stërvarfëruar të dytët. E vetmja mënyrë kjo, për të kapërcyer krizën permanente që e ka mbërthyer sistemin e tij në degradim dhe për ta shpëtuar nga gropa e varrit që i ka gatitur historia. Kujdes nga “koronavirusi, por akoma më kujdes nga post-mortumi i tij, që do të jetë dhjetëra fish më i rrezikshëm.