BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Çeku i bardhë gjashtë mujor, si premtim përrallor

Çeku i bardhë gjashtë mujor, si premtim përrallor

Thesi e zgjeroi shumë grykën dhe po bëhet harar i madh që nuk ka as krye as fund përsa i përket premtimeve, tani në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e 25 prillit, fushatë që në realitet ka nisur edhe pse dita zgjedhore është shtatë muaj larg dhe në mes është vjeshta, dimri dhe fillim pranvera. Padurimi i pretendentëve opozitarë dhe mazhorancës është i ndjeshëm aq sa pulson fuqishëm, jo vetëm brenda selive e tryezave të debateve në televizionet që i kanë hapur portat dykanatëshe për t`i transmetuar publikut mrekullitë që e presin, po sidomos me planet rrufe për ndryshime të thella buxhetore ose përmbysje të treguesve të të ardhurave dhe shpenzimeve. Në një shoqëri demokratike, të pjekur edhe fjala ka një kufi. Premtimet gjithashtu nuk bëhen si në përralla e legjenda dhe populli nuk joshet me parulla për epokën e lumtur, lugën e florinjtë, deti kos, shtëpi luksi, para astronomike, rrugë të nivelit ndërkombëtar dhe krijimi i iluzionit se sapo të bëhet rokada e pushteteve, këtu do vërshojë tërë kapitali botëror pasi në pushet do vijnë progresistët, novatorët, ata që në këto tri dekada që i kanë sjellë këtij vendi, demokracinë, zhvillimin, ekonominë e përparuar, investimet lumë, zero korrupsion, punë për të gjithë dhe secili ka provuar të jetojë, të punojë sa të dojë, të haj, të pijë, të shëtisë, si në kohën e piramidave kur paratë binin si gjethet në vjeshtë nga pemët që në vend të frutave prodhonin euro, dollar, franga, lekë. Tablo gati biblike. Të duket sikur po gjallërohen kopshtet e varura të Babilonisë apo je mes tulipanëve holandezë dhe ngado të gëzon syri për pamjet e mahnitshme që të rrethojnë. Më premtimet që dëgjojmë do zoti dhe na qëndron mendja në kokë, jo vetëm ne që jetojmë këtu në Shqipëri, po edhe të varfërve e të pasurve të globit se megjithë këto të mira materiale që dëgjojnë, ka rrezik të lënë vendet e tyre dhe të zbresin në këto njëzetë e tetë mijë kilometrat tona katrore, ku nuk do mbetet vend për të hedhur as gjilpërën. Vërtet jetë si në përralla. Vetëm diçka duhet të bëjnë shqiptarët. Votën për premtuesit të mos e kursejnë dhe ta derdhin në kutitë e votimit për mos ta lënë këtë shans të madh tu iki nga dora. Për të tjerat, garant janë kryeopozitarët që nga Lulzim Basha deri tek Tit Vasili e Nard Ndoka, pa folur për bosët politikë që dinë mirë se si bëhet ekonomia dhe arrihet lumturia edhe pa djersë, pa punuar fare, vetëm duke sjellë në pushtet opozitën që ka marrë përsipër të zbresë qiejt dhe të lartësojë fushat, të uli malet e të qëndisi livadhet. Kishte tridhjetë vite që para shqiptarëve të sapodalë nga izolimi i gjatë iu tund para syve çeku miliarda dollarësh që bota do t`ia akordonte Shqipërisë për të zhvilluar vendin dhe për të rrafshuar gjithçka që ishte trashëguar nga sistemi komunist. Dhe ata që i përjetuan ato momente nuk harrojnë se në emër të këtij çeku hiperbolik, u shkatërruan tërë fabrikat e uzinat. U prenë tërë pemët që ishin mbjellë në pesëdhjetë vjet. U bënë pluhur e hi të gjitha ndërtimet deri edhe bazat ushtarake, se i përkisnin sistemit monist. Në emër të ndryshimit me besimin të çeku mitik, u përmbys gjithçka nga fija e barit deri tek komplekset moderne dhe uzinat që ashtu siç ishin, kishin një produkt të madh në ekonominë e vendit tonë. U shembën uzinat e prodhimit të nitratit e superfosfatit, ato të përpunimit të mineraleve dhe gjithçka. Po çeku mbeti i pashkruar, letër e bardhë, krejtësisht bosh pa asnjë vlerë. Shqiptarëve u mbeti letra e bardhe në sy nga e cila u dogjën e u bënë shkrumb e hi. Sot jemi tri dekada pas rënies së sistemit komunist. Është për t’u çuditur që për herë të dytë para shqiptarëve tundet një çek i bardhë edhe më i fryrë me shifra të cilat i kalojnë gjysmë miliard dollarë brenda gjashtë muajve edhe më shumë pasi mund të konsiderohet si tërmeti i tretë mbi ekonominë tonë kombëtare pas 26 nëntorit, pandemisë dhe tani tërmetit në fushën e financave për t’i shkatërruar nga themeli dhe për t`i bërë baltë duke i boshatisur arkat e shtetit, i cili nuk është i pasur dhe dihet se pandemia shkatërroi në masë të madhe ekonominë dhe bizneset vendase. Pikërisht në kulmin e pandemisë, jo për të treguar zemërgjerësinë opozitare, po për ta vënë shtetin përballë një krize të pashmangshme nëse bëhen realitet premtimet për të shkruar shifrat në çekun që kërkohet nga Lulzim Basha dhe tërë opozitarët tanë, atëherë kolapsi është i pashmangshëm dhe ky do ishte tërmeti më i rëndë me pasoja të pakorrigjueshme. Pesë pikat e projektit Basha që i vë si detyra qeverisë, janë as më shumë e as më pak, pesë superpesha mbi ekonominë e vendit tonë, i cili nuk është kampion për të ngritur pesha të rënda sepse dihet sa e ka fuqinë. Është mendjemadhësi dhe mosnjohje të bësh sikur ne jemi vendi me potenciale më të larta me fuqi ekonomike për të zgjidhur qesen dhe për t’u hedhur para nga qielli qytetarëve, të cilët natyrisht kanë gjithë të drejtën e zotit të jetojnë më mirë, të kenë më shumë të ardhura, të jenë të lumtur dhe të mos u mungojë asgjë, jo vetëm në tërësinë e kërkesave të tyre jetike. Paga shumë më të larta. Pensione dyfish. Kategori të veçanta, paga dy e tre milionëshe, asnjë të papunë. Të gjithë të gëzojnë frytet e çekut që u tund lideri i opozitës para syve, si një manovër për të zënë shtetin gafil, për t`u thënë shqiptarëve, se unë jam i vetmi që u jap sa të doni, se këta qeveritarët janë të ligj nuk gjykojnë për ju dhe janë gati tu marrin edhe qindarkën e fundit. Pesë pikat e Bashës, duken si pesë ëndrra të bukura, motive për përrallat që tregohen netëve të dimrit. Po ja që jetojmë në shekullin e teknologjive moderne, informacionit global dhe për pak minuta mund të verifikojmë sa larg realitetit është premtimi për ndryshime rrënjësore me realitetin i cili nuk është i mundshëm të ndryshojë me magjinë e filozofisë dhe platformën e opozitës. Dihet se opozitës ia do interesi elektoral tu thotë shqiptarëve, ne jemi gati t’u bëjmë gjithçka ju nevojitet. Vetëm dhjetë për qind të buxhetit duhet që të zgjidhim tërë ngërçet. Dhe nisin të rreshtojnë: Janë dymbëdhjetë mijë mjekë dhe personel ndihmës. Mjekët njëmijë euro, infermierët pesëqind. Këto shkojnë atje tek shtatëdhjetë milionë euro. E ç`janë tek e fundit? Një shifër modeste. Bizneset të gjitha çekë në dorë. E sa shkojnë? Fare pak nja njëqind milionë. Vijnë pensionistët. U japim edhe atyre dhjetë- pesëmbëdhjetë euro shtesë pensioni në muaj. Punë e madhe! Bëhen nja njëqind e njëzetë milionë euro. Po nuk mbaron këtu. Opozita kërkon teste për dymijë e pesëqind persona në ditë. Punë e madhe, shkojnë vetëm pesëdhjetë milionë euro. E me radhë e me radhë për shtresa të tjera dhe në fund nëse bënë një llogari nuk shkojnë më shumë se pesëqind milionë apo ndoshta një miliardë. E ç`janë një shumë e tillë për Shqipërinë? Ajo që shpaloset në propozimet e opozitës dhe kërkesat taksative për t`i realizuar qeveria, janë pesë pikat të cilat i ngjajnë një plani luftarak që i takon qeverisë t’i realizojë. Opozita fjalën thotë. Punën le ta bëjë qeveria. Opozita nuk ka mision të premtojë qiejt. Edhe premtimet kanë një kufi. Nëse hapen portat e vërshojnë deklaratat bombastike se do bëhet përmbysja e madhe, do arrihen standardet që i kanë ëndërr edhe shtete me nivel shumë të lartë zhvillimi, që kanë pasuri të pamata, prodhojnë nga gjilpëra deri tek transoqeanikët, aeroplanë të padukshëm, makina luksi, jahte e gjithfarë pajisje të teknologjisë së fundit. Shqipëria ka një hap të caktuar. Nuk ka hap kilometrik. Ndaj opozita nuk ka pse ta vërë veten në pozicione të pabesueshme si të rrëfejë përralla netëve të vjeshtës. Të kritikueshme e të pabesueshme. Të mbjelli në vend të besimit pesimizmin. Shqiptarët kanë dëgjuar premtime nga gjithë politikanët. Kanë verifikuar kotësinë e tyre. Sa më shumë të premtohet aq më pak realizohen. Vjen një ditë që gjendej në pamundësi absolute për t’i realizuar. Ekonomia ka rregulla të hekurta. Zhvillimi nuk është shumësi dëshirash. Nuk mjafton euforia as entuziazmi. Gjithçka është e matshme. Ka kosto. Kërkohen para. Prodhim. Të ardhura dhe shpenzime të balancuara. Fjala nuk është baras me progres. Përkundrazi, premtimet e pabaza bëhen boomerang për vetë ata që i lëshojnë si tullumbacet në erë për të lumturuar fëmijët. Është foshnjarake kur propozohen qiejt se kështu vihet qeveria përballë platformave të llahtarshme sikur këtu të ketë plasur peshku dhe të gjithë do mbushin kanistrat, frigoriferët dhe do thyhen tavolinat. Ka një llogari që mat çdo premtim. Kur kërkon nga qeveria broçkulla nuk duhet harruar se nesër do ta kesh t`i timonin dhe shqiptarët nuk do të falin për atë që u ke tundur para syve për çekun e bardhë madhështor se do i mbushësh xhepin me miliona. Këto janë ëndrra në diell. Çdo i mençur, po edhe më i padituri, thotë: Fjalë imzot, fjalë. Nëse qeverinë e sotme e lë mendja dhe nesër bën realitet planin luftarak të veprimit gjashtë mujor të PD-së dhe deri në prill hedh në treg edhe mijëra çeqe të tjera të bardha, si këto që na servir Basha dhe t’u thotë opozitarëve: Merreni tani pushtetin. Ja ku e keni. Plotësoni të gjitha. I keni gati mota mo, siç i deshët. Të miratuara, të shkruara. Me vendime e firma si do veprojë opozita, si do ia dalin euforikët e shifrave, kalemxhinjtë, përralltarët, shakaxhinjtë e përparimit nga do t`ia mbajë? Sigurisht do ngrejë duart përpjetë dhe do bërtasin: Fajin e ka Rama! Ndaj çdo shkarje me eufori aq më tepër me vendime që shkatërrojnë ekonominë tonë kombëtare, është me pasoja të pariparueshme. Mos u gëzo,o populli im! Mos i beso, o qytetar! Mos u mashtro me fjalë boshe që kërkojnë të të heqin kujtesën nga e djeshmja, ata që të kanë gënjyer tërë jetën për t’i menduar të realizueshme çeqet që na tundin para gojës. Ji vigjilent dhe flaki tutje me neveri premtimet që të kanë ushqyer në këto tri dekada demokraci. Beteja e shifrave do jetë në këtë shtatë mujor, buka dhe gjella e politikës. Buka e helmatisur. Përgatituni për të dëgjuar çudira. Vlimi është në prag. Vetëm maja e ajsbergut të mrekullive që na presin duket. Të tjerat janë në radhë për të na i lëshuar si breshër nga qielli i lumturisë që na pret! Në vitet elektorale zakonisht qeveritë premtojnë dhe lëshojnë dorën me shpenzime, investime, zgjidhje, rritje pagash apo gjithë format e tjera për të shtuar elektoratin për të marrë vota. Këto janë manovra të njohura, jo vetëm në Shqipëri. Frenimin e qeverisë për të mos bërë shpenzime e ka detyrë opozita. Duket se çeku i bardhë gjashtë mujor është aq madhështor, sa do ishte i denjë për supermotiv përrallor.