BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Elbasani nuk mund të shndërrohet në eksperiment dhune!

Elbasani nuk mund të shndërrohet në eksperiment dhune!

Të gjithë besoj e kanë të memorizuar në kujtesë filmin e njohur shqiptar “Në fillim të verës”, një pjesë e të cilit është xhiruar edhe në Sarandë. Skena më mbresëlënëse,po edhe më kulminante, është ajo e vrasjeve në tunelin e municioneve të rojeve, ku ushtria italiane kishte stivosur arkat me fishekë e armët që do përdoreshin nga ushtria pushtuese në emër të strategjisë së sundimit të Shqipërisë për ta hedhur në erë. Aktori i njohur, Astrit Çerma, elbansanlliu i talentuar, punëtori imcak i ngarkim-shkarkimit, burrëruar nën hijen e trupmadhit, xha Jahos, rolin i luajtur nga i madhi Sandër Prosi, pasi vrau ushtarin roje dhe më pas edhe kapter Peligrinin, iu bashkua punëtorëve në një moment kur do shpërthente tuneli i minuar, mbushur me predha, ku rrezikoheshin tërë shokët e tij. Pikërisht për këtë moment doli nga turma dhe mori përsipër se ishte ai autori që vrau ushtarin dhe më pas edhe kapter Peligrinin. Ndërsa shokët u larguan pasi dëgjuan shprehjen e famshme të Çermës se: “E vrava pasi më fieu rëndë, se ky vend nuk mund të mbante mbi supe çibanë të huaj”. Pra e vrau se e fyeu rëndë! Dhe fyerja nuk mund të përtypej sipas zakonit shqiptar. Pikërisht, ky aktor i madh ndryshe nga filmi, ku ka rolin e atdhetarit dhe veprimtarit të lëvizjes për liri në vitet e pushtimit pasi u njoh me përleshjet e militantëve në 14 mars, “Ditën e Verës” në qytetin e tij të lindjes në Elbasan, e dënoi si një skenë të dhunshme që nuk e meritonte qyteti i urtësisë dhe paqes sociale, dashurisë mes qytetarëve dhe tolerancës së njohur mes feve të ndryshme të elbasanllinjve autoktonë dhe të ardhur nga rrethinat e largëta. Elbasani, është shquar për mikpritjen historikisht pasi përmes tij ndër shekuj udhëtonin karvanët në rrugëtimin drejt shteteve të tjera, si qendra e Shqipërisë gjeografikisht,ku sahati në qendër të qytetit zgjonte dhe vinte në gjumë njerëzit e mrekullueshëm që reflektonin kulturë e mirësi. Qyteti, ku u lind gjuhëtari i madh, Kristoforidhi dhe nga cepi i botës në udhëtimin për shumë muaj, Dhaskal Tod’hri i madh do sillte shkronjat shqipe. Episode këto të memorizuara në celuloid në një film tjetër të famshëm “Udha e shkronjave”. Po kudo dhe në të gjitha kohët gjenden individë që prishin harmoninë dhe vrasin gëzimin dhe qetësinë e qytetarëve për interesa të ngushta politike. Shumë herë janë produkt i politikave të mbrapshta. U mendua se përleshja e militantëve në sheshin kryesor të Elbasanit ishte një episod i shkëputur, i dënuar nga opinioni i gjerë shoqëror aq më tepër nga qytetarët në Elbasan, të cilët shprehën indinjatën dhe dënuan akte të tilla, të cilat i quajtën të eksportuara nga dhunues me funksione, jo në Elbasan, po peshqesh nga Tirana, atje ku projektohen akte të tilla, fatkeqësisht si paralajmërim se fushata zgjedhore do jetë e nxehtë dhe të tilla episode dhune do shikojmë në vijim. Është kjo një nga arsyet përse vëzhguesit e zgjedhjeve të ODHIR-it e kanë përzgjedhur Elbasanin si një nga vatrat e nxehta për ta vëzhguar me rreptësi për mos të pasur sherre e grindje mes palëve politike që nuk janë me origjinë nga qyteti dhe nuk kanë për aktorë elbasanllinjtë, po militantët e deleguar në këtë qytet. Sikur mos të mjaftonte sherri masiv mes militantëve, nxitur nga politika, duke shkelur mbi traditën mijëra vjeçare e festimeve të ardhjes së pranverës në vend të tufave me lule, u shpalosën shkelma e grushta, goditje dhe sharje që ngritën furtunë në ditën që paralajmëron ardhjen e pranverës, si nonsens me traditën dhe pritshmëritë e qytetarëve që shkojnë në festa për të gëzuar dhe prekur lumturinë për të hedhur pas krahëve prapësitë dhe vuajtjet, për të harruar trishtimin e për t`i dhënë krah optimizmit dhe gëzimit për të cilat kanë kaq shumë nevojë shqiptarët në këto ditë të pandemisë dhe dhimbjes nga humbja e njerëzve të tyre, ardhur nga virusi që po merr njerëzit tanë të afërt, duke zgjatur tentakulat e vdekjes kundër jetës. Nuk vonoi dhe kronika e dhunës u pasurua me një ngjarje tjetër që pasoi atë të 14 marsit. Kronikë tjetër që flet shumë për zgjedhjen e Elbasanit si skenë e eksperimentimit të dhunës zgjedhore. Pa u mbyllur ende java, çuditërisht edhe këtë herë në rrethana krejt të ndryshme, gati një shekull pas viteve të Luftës së Dytë Botërore, pasqyruar në “Fillim të verës” biri i artistit të njohur, Ndrek Luca, këtë herë Gjergj Luca, ra pre e një sherri banal me ish-deputetin, Luçiano Boçi, profesor universiteti, kandidat për deputet, i cilësuar si njeriu i letrave dhe i librave, presupozuar si lëvrues i shkencës dhe diturisë. Kur dëgjuam zotin Boçi dhe ende nuk kishim parë videon që u shfaq në ekranet e televizioneve, gjykuam se ngjarja ishte siç e tregoi ai, duke pasur parasysh se burrat në këto mosha nuk goditen me grushta dhe në vend të përleshjes fizike, ulen, flasin, debatojnë, gjejnë gjuhën për zgjidhje me dialog pa kaluar në përdorimin e forcës. Po video, shpalos incidentin dhe tregon fare qartë si shoqëruesi i Boçit, mbante biznesmenin Luca që Boçi ta godiste me grushta pa mundur që të mbrohej. Profesor Luçiano, këtë e bëri disa herë, rrethuar nga shoqëruesit e tij dhe në përfundim të duelit i morën edhe telefonin si trofe e fitimtarit. Deri kohë më parë, kemi dëgjuar shumë herë mbi shfrimet e politikanëve ndaj atyre që cilësohen oligarkë. Etiketim i bërë viral dhe gati i pakuptimtë edhe në aspektin kuptimor të fjalës. Në tërë botën e përparuar ata që këtu për t`i fyer i etiketojnë “oligarkë” konsiderohen si motori lëvizës i ekonomisë dhe mbështetës të zhvillimit e progresit. Kryebashkiakët e qyteteve i ftojnë në podiume në ceremoni të rëndësishme dhe i vendosin në krah për t`u dhënë vendin, respektin dhe lavdinë që meritojnë pasi janë ata që punësojnë dhe shërojnë plagë sociale përmes punësimeve dhe taksave që paguajnë në arkën e shtetit që mbushin buxhetin me të ardhura që më pas rishpërndahen në interes të qytetarëve. Po kjo nuk ndodh këtu në Shqipëri, ku politika përditë ngre stuhinë kundër tyre, duke i demaskuar si të ishin bejlerët e dikurshëm, siç veproi sistemi komunist, duke i anatemuar e syrgjynosur edhe pse janë shtylla të ekonomisë së treguar pa të cilët nuk mund të arrihet asgjë. Ata janë lokomotiva e zhvillimit, të respektuar për atë që bëjnë dhe përfaqësojnë dhe kurrsesi nuk janë objekt i shfrimit të dufit dhe aq me pak i goditjes përmes dhunës. Kur ende nuk ishte shpalosur ndeshja e boksit e ish-deputetit, etiketuar me bujë nga mbështetësit, intelektualë, zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë dhe një biznesmeni, i cili është në atë qytet jo si pushtues, po në punën e tij në interes të shoqërisë për të bërë punët e tij të biznesit që me sa dimë ka punësuar falë këmbënguljes qindra familje që marrin pagën dhe ushqejnë familjen për punët që kryejnë. Nga fyerjet dhe anatemimet e liderëve të politikës, etiketimet që vërshojnë lumë, kryesisht nga opozita, kalohet në planin “B”, atë të goditjes së të ashtuquajturve “oligarkë” që trajtohen si individë që duhen zhveshur nga pasuria dhe lançuar pa mëshirë pasi janë mbështetës të Edi Ramës që marrin prona e pasuri nga vegjëlia?! Robin Hudët e kohëve moderne, kanë marrë përsipër t`i urtësojnë përmes dajakut, t`i shpartallojnë ekonomikisht, t’u zhvatin xhepat, si të ishin njerëz që i ka zënë nata jashtë, mbetur në mëshirë të atyre që kërkojnë t’i trembin dhe t`i tulatin edhe fizikisht. Sikur mos të mjaftonin grushtimet, Boçi bën deklarata për pafajësi dhe rënie në qafë nga biznesmeni. Edhe këtu, si tek filmi që cituam po në kahje të kundërt e shoqëron me sloganin se nuk mund të duronte fyerjet që i bëri Luca aq më pak kërcënimet. Ashtu si aktori, po në rrethana krejt të tjera nuk mund të duronte ta fyenin, ndaj e goditi biznesmenin Luca?! Sikur mos të mjaftonte goditja nga Luçiano, i menjëhershëm ishte reagimi i Berishës dhe të tjerëve, zotit Ceka edhe ai nga Elbasani, dijetar dhe arkeolog i njohur dhe panelistëve, opinionistëve të përhershëm të ekranit, të gatshëm që mbështesin ish-deputetin Boçi, duke e cilësuar si veprim burrëror dhe të dinjitetshëm, si qytetar i kulturuar. Se ku është dinjiteti në këtë rast ec e gjëje dhe justifikoje si veprim për të vënë nderin në vend. Një forcë politike që mbështet dhunën që i bëjnë jehonë rrahjeve, thyerjes së xhamave dhe djegies së qendrave të votimit siç ka ngjarë, dashurojnë grushtimin aq më keq të një politikani që mbahet për intelektual dhe profesor, është vërtetë kulmi i cinizmit dhe duket sikur vjen nga thellësia e shekujve, atëherë kur e vetmja mënyrë për të ndarë të drejtën, ishte ftesa për duel, ku njëri nga protagonistët duhet të vritej. Kjo mbrojtje, flet më shumë se rrahja nga ana e Luçianos. Parë në vështrim më të gjerë, ngjarjet në Elbasan janë preludi që është planifikuar të ndodhë edhe në cepa të tjerë të vendit. Jo më kot, është zgjedhur Elbasani, ku tradicionalisht, mazhoranca e sotme, ka përparësi. Iniciatorët e eksperimentit me këtë qytet, synojnë të çorientojnë busullën dhe të ngatërrojnë vektorët e orientimit të votës popullore. Qëllimi shkon më tej. Të tulaten ata që cilësohen shtresa gri, të pavendosurit, të tremben votuesit që kanë ndarë mendjen për të qëndruar në shtëpi në 25 prill. Kjo është strategjia e cila ka aktorët e vet, skenarin të shkruar, regjisorët dhe grimierët. Provat janë duke u bërë. Deri ku do mbërrijnë mbetet për t`u parë në ditët që vijnë. Deri tani në skenë është shfaqur maja e ajsbergut, aktorët që kanë detyrë të bëjnë sherre dhe avokatët që t`i nxjerrin si heronj, të pacenueshëm, sikur janë, jo në fushatë elektorale, po në ring, para mijëra spektatorëve, duke dëgjuar thirrjet: Vdekje, vdekje, vdekje! Ik! Ik! Ik! Po cilët nuk i duan njerëzit e zhvillimit dhe i godasin në mënyrën më banale si të jenë hajna dhe zhvatës? Dihen, arsyet dhe njihen emër për emër. Iniciatorëve të sherreve, u intereson goditja e angazhimit të tyre për punësimin dhe zbutjen e varfërisë pasi do donin që këtu të ishte tokë e djegur, truall i xanun. Gjuha e forcës nuk mbeti në dhunën e ish-deputetit. Të tjera episode u shfaqën po në Elbasan. Një personazh tjetër po nga Elbasani, ish-deputet zoti Aurel Bylykbashi, i drejtohet publikisht drejtuesit politik të qarkut të Elbasanit, Taulant Balla me kërcënime edhe më të ashpra. Deklaron se do zbresë në fushë betejë, do hakmerret se nuk mund t`ia fali të kaluarën që ka vuajtur. Po pse pikërisht është zgjedhur Elbasani si skenë për eksperimentin e përplasjeve mes palëve dhe nxitjen e konflikteve nga të cilat asnjëri nuk nxjerr përfitime pasi qytetarët nuk tremben dhe nuk ndryshojnë votën nga përplasjet dhe kërcënimet, po udhëhiqen nga logjika dhe bindjet individuale, duke vlerësuar, jo fjalët dhe trimëritë, angazhimet e premtimet, po vetëm arritjet dhe ndryshimet? Është fare e qartë se nga sherret nuk arrihet asgjë e mirë. Elbasani, si e gjithë Shqipëria, është tanimë një shoqëri e pjekur dhe nuk ndryshon humor e bindje sipas erërave që fryjnë. Ata janë sovran në vendimin e tyre. E kanë në mendje dhe janë koshientë cilët do votojnë. Gara është e hapur, politika ka vetëm një armë në dorë, të bëjë fushatë për të fituar. Dhe kjo fitohet duke i bindur votuesit me urtësi dhe parimësi. Jo me sjellje gangsterësh prej klouni apo aventurave dhe shpifjeve. Përkundrazi këto forma të eksperimentuara në këto tri dekada shërbejnë për të diferencuar se cilët janë ata që dashurojnë dhunën dhe cilët arsyen. Prej këtej, ndajnë mendjen dhe zemrën, bindjen për të vlerësuar njerëzit e punës dhe ata që do t’i drejtojnë nga zhvillimi e përparimi drejt të ardhmes. Kush e njeh qytetarinë e Elbasanit, cili ka pasur rastin të qëndrojë në këtë qytet edhe për pak kohë e di mirë se përpjekjet për ta kthyer Elbasanin në skenë, ku të luhet teatri absurd i dhunës, është totalisht i dështuar. Lërini elbasanasit të flasin me votë, të shprehin vullnetin e tyre! Ky vullnet nuk mund të tjetërsohet aq më pak të nënshtrohet dhe të bëhet fli i eksperimenteve të forcës dhe demonstrimit të antiqytetërimit dhe antidemokracisë. Elbasani, Tirana, Durrësi, Shkodra, Shqipëria, shqiptarët e njohin më mirë se cilido rrugën për Shqipërinë që duam!