Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Elektorati gri, si manteli i ri për LSI

Postuar: 06/12/2018 - 07:11

Të gjitha partitë politike, jo vetëm në Shqipëri, po edhe në shtetet më demokratike, synojnë të bëjnë për vete atë shtresë të elektoratit që emërtohet si “elektorati gri” ose në gjuhën e përditshme, si votuesit e pavendosur për cilin do japin votën. Kjo shtresë përfaqësohet nga ata që nuk janë militantë, të pozicionuar dhe nuk pyesin cili është kandidati në fletën e votimit, po cila forcë politike e ka propozuar. Edhe një anonim për ta mbetet i pëlqyer. Ende një shtresë e gjerë tek ne voton symbyllur. Nëse vota shkon për njeriun e partisë së zemrës, atëherë për militantët nuk ka rëndësi nëse është më i miri, mesatari apo i fundit të rreshtit. Mjafton ta ketë katapultuar partia mëmë dhe ai e ka votën e këtij kontigjenti në xhep, në kupë si i thonë rëndom. Edhe nëse nuk i kontaktojnë, nuk u flasin, nuk u bëjnë premtime, nuk i luten apo nuk i vlerësojnë gjatë fushatave elektorale, ata janë atje, ushtarë të gatshëm. Për këtë kontigjent thuhet: “Shpirtin ta falin, votën nuk ta japin”. Bile shumë prej këtyre votuesve e kanë për ofendim t`iu kërkosh votën. Iu duket se u vë në dyshim besnikërinë dhe gadishmërinë për të dhënë, jo thjeshtë votën, po nëse u kërkohet edhe jetën e tyre për partinë e zemrës. Dhe ky rreshtim në përqindje jo të vogël në Shqipëri, zë një fashë të stërmadhe, e cila në këto tri dekada fare pak ka ndryshuar. Dhe gjasat për të ndryshuar në masë apo për t’u bërë përcaktuese me votën e tyre janë të pakta. Janë me mijëra arsyet përse ndodh kështu dhe ende mungon vota e protestës së të pakënaqurve.

Së pari, lidhjet e bindjet e votuesve dhe forca e traditës sipas ndarjes klasike në të majtë e në të djathtë. Është ende shumë e dukshme dhe dominuese tek votuesit tanë imitimi i prindërve dhe paraardhësve. Nuk janë të paktë ata që thonë: -Nuk e tradhtojmë gjakun e të parëve. Jemi besnikë. Është kjo, një nga arsyet që në zgjedhjet e përgjithshme edhe pse kredibiliteti i një force politike në fund të mandatit ka prekur kuotat zero, treguesit e parealizuar, premtimet e pambajtura, mosrealizimet, papunësia, tronditjet e rënda shoqërore, shkalla e lartë e kriminalitetit, korrupsionit, papunësia, emigrimi i intelektualëve, plagë të tjera përmes të cilave kalon shoqëria jonë nuk arrijnë kurrë të prekin fundin në përqindjen e votave pro. Votuesit qëndrestarë, të bindurit, të palëvizshmit, mbeten të tillë dhe numri i tyre i pandryshueshëm. Në këtë aspekt nuk është vetëm tradita, as ndarja në kampe që e mban në fuqi këtë lloj votimi. Më së shumti, ajo që pengon për të bërë një kapërcim në kahjen e votës është vetë shkalla e demokracisë së shoqërisë tonë, e cila ende është në fillimet e demokratizimit dhe ku ndikimi ideologjik dhe votimi jo me mend po me zemër, mbetet i pranishëm dhe ende mbizotërues. Shoqëria jonë nuk e ka fituar atë shkallë emancipimi, kur vjen fjala për votën të kapërcejë vetveten. 

Njëherësh, një nga shkaqet e fashës të votuesve gri që mund të lëvizin, qëndron edhe në faktin se forcat e reja politike të shkëputura nga partitë tradicionale nuk kanë një fizionomi të qartë dhe janë lëkundur si lavjerrës, herë djathtas e herë majtas, duke ndjekur më shumë interesat e drejtuesve për të pasur pushtet se sa vullnetin e popullit për ndryshim e progres në rrugëtimin e gjatë drejtë përparimit. Siç theksuam, afrimi rreth partive i votuesve gri është një rezervë e jashtëzakonshme, e cila ka një peshë reale dhe në shumë raste është vendimtare për të fituar zgjedhjet e përgjithshme apo ato lokale. Dhe këmbana e alarmit për këtë shtresë bëhet evidente pikërisht në prag zgjedhjesh. Në këto momente shfaqen liderët, përpjekjet sfilitëse për të joshur votuesit gri. Ndaj tyre vërshojnë premtimet. Miklohen e lajkatosen. Pikërisht këtë bëri edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ditët e fundit, e cila duke e ditur se shumë prej simpatizantëve dhe të zgjedhurve të saj i kanë ikur dhe janë rreshtuar në krah të pushtetit dhe pasi e ka ndjerë ftohtësinë e hemorragjinë e këtyre largimeve, si dhe faktin që rreth kësaj partie më së shumti janë pragmatistët se qytetarët që i lidh me partitë bindja dhe ndjesia e brendshme, të larguarit për inate e poste të pamarra bën përpjekje të sforcuara për të tërhequr të pavendosurit, ata që nuk e kanë problem nëse votojnë majtas apo djathtas, por që synojnë më së shumti ndryshimin e statuskosë, largimin e një pale nga pushteti pasi nuk iu janë përmbushur vullneti dhe dëshirat e tyre me aq sa është arritur. Dhe elektorat gri, veç atij rozë e mavi, si dhe blu e pa ngjyrë, ka në qytete e fshatra. Janë intelektualë të paangazhuar, fermerë e njerëz të papunë, të cilët votojnë në emër të shpresës për ndryshim pasi nuk iu plotësua asgjë nga ato që besuan dhe prisnin nga pushteti i radhës. Pra janë të zhgënjyerit. Po sa realiste dhe e besueshme është Kryemadhi me ftesën e saj për të afruar votuesit gri? Sa kontrakson me blunë e thellë, mavinë dhe ekstra të kuqen? A ka ndjeshmëri dhe gadishmëri tek kjo fashë votuesish për t’i thënë një “po” pa kushte vetëm se këtë ftesë e drejton Kryemadhi dhe është garancia që ata gjejnë në këtë thirrje, pasi të gjithë e kanë provuar këtë forcë politike, si në pushtet dhe pak kohë në opozitë? Shumica e votuesve gri e vënë në pikëpyetje sinqeritetin e Kryemadhit, pasi ajo nuk ka munguar t’u bëjë thirrje për tërë ngjyrat, votuesve të çdo krahu dhe ka ndryshuar pozicionet, sa në të majtë e në të djathtë, pa folur këtu për manovrat e shumta për t`iu ngjitur në shpinë PD-së dhe PS-së. Këto qëndrime janë nga arsyet themelore, nga të cilat ka pësuar edhe rrjedhjet më të shumta. Se ata që bëjnë pragmatistin njëherë nuk e kanë për gjë ta dredhin sa herë t’u jepet rasti. Dhe sot janë jo të paktë votuesit, që deri dje tundnin teserën e LSI-së, që e kanë flakur dhe këmbyer me një vend pune se udhëhiqen jo nga bindja, po nga mundësia për një rrogë shteti, për një zyrë, për të jetuar qetë dhe pa sforco në pritje të pagës, pa luftuar për ta siguruar vetë jetesën. Pa provuar biznesin apo çdo punë, ku vë në provë dijet dhe vullnetin, përpjekjet dhe mundimin. Pra për ta ushqyer vetë veten dhe familjen pa pritur fundmuajin për të marrë pagën nga shteti. A nuk iu bashkuan partisë në pushtet qindra këshilltarë, që nga Konispoli deri në Pukë, nga radhët e LSI-së, duke zgjedhur pushtetin në vend të opozitës ku është rreshtuar sot partia që drejton Kryemadhi? A nuk janë qindra administratorë në drejtoritë qendrore e ato lokale, ku LSI-të, janë konvertuar nga gri, siç është realisht ngjyra e partisë së tyre pasi qëndrojnë gjithnjë në mes të ngjyrave mes kontrasteve, të cilët e kanë braktisur partinë që i atashoi dhe emëroi në këto pozicione? Po kështu, a nuk janë qindra ata që i janë larguar kësaj partie nga vetë qëndrimet ekstremiste të mbajtura nga forca politike që i kishin besuar, kur u larguan nga koalicioni i natyrshëm i së majtës tek i djathti? Kur shikojnë se drejtues kryesorë të LSI-së përdorin metoda ekstreme kundër kundërshtarëve politikë, mobilizojnë militantët i armatosin me shashka e kapsolla kundër policisë, a mundet që të afrohen gritë dhe ta votojnë si një forcë politike të besimit dhe bindjes se nuk do t`ua dredhin majtas -djathtas andej nga do rëndojë pushteti i radhës?

Si mund të afrohen gritë, të cilët janë kundër çdo ekstremi në politikë ndaj edhe janë të paangazhuar rreth ngjyrave të ndezura dhe qëndrojnë të baraslarguar edhe nga socialistët edhe nga demokratët, kur dëgjojnë si ish ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha nuk pranon as verdiktin e PE, që votoi me shumicë të cilësuar rekomandimin e pranimit të Shqipërisë për çeljen e negociatave dhe pikërisht ajo, e simpatizuara e tyre që ka qenë në timonin e Ministrisë së Integrimit dhe ka kontribuar për këtë rrugëtim, del kundër një votimi të tillë vetëm se nuk do që të vlerësohet si arritje e mazhorancës?! Dhe kur PE, - thotë po, ajo i kundërvihet me jo.

Si mund të afrohet votuesi gri kur kandidati i pompuar për kryeministër, doktor Petrit Vasili në dy fjalë, njërën e ka fyerje flagrante e denigruese?

A mund të pajtohet i paangazhuari me një politikan që nuk i dëgjoi njëherë një vlerësim objektiv po vetëm acarime e mallkime?

A mundet të bëhen bashkë votuesit gri me LSI, e cila si në pushtet edhe në opozitë shfaq agresivitet të paimagjinueshëm dhe të pakrahasueshëm me asnjë forcë tjetër politike kur shkruan, deklaron e flet vetëm për të zezat e këtij vendi, duke na shndërruar të gjithëve në kriminelë e të korruptuar që nuk bën asnjë diferencë mes të mirës dhe të keqes?

A mundet elektorati gri të vërshojë në atë parti që devizë të saj ka përmbysjen me dhunë dhe në vend të dialogut zgjedh të bëjë monolog, llafollogji, bojkot, në vend të bashkëpunimit, zgjedh ndarjen dhe acarimin?

Si mund ti thonë “po” të pangazhuarit e kulturuar, ata gritë që lyp Monika, ata që nuk pranojnë të bëhen pis nga balta politike ndaj qëndrojnë mënjanë, të parreshtuarit në grupimet e mëdha, t’i bashkangjiten LSI-së, e cila gjatë ekzistencës së saj nuk ka qëndruar asnjëherë në një pozicionim të caktuar, po ka qenë një lavjerrës në pushtet me të djathtën dhe i ka shkelur syrin të majtëve, ka qenë në qeveri me të majtën, po negocionte me të djathtën? Që fliste nga njëra anë për koalicion, deklaronte se do vinte momenti i koalicionit dhe nga ana tjetër bënte thirrje për dorëzimin e qeverisë së ligjshme dhe formimin e një qeverie të besimit domethënë jashtë vullnetit të popullit dhe asaj që kishte vendosur votuesi shqiptar, se ndryshe do të largoheshin ministrat e LSI-së dhe do përmbysnin qeverinë? Votuesit shqiptarë në këto tri dekada kanë kaluar nëpër labirinthe dhe në rrugë me shumë zigzake. Janë më të emancipuar. Nuk janë votuesit e 1990-ës. Janë stërvitur, kanë mësuar së paku, ABC-në e demokracisë, ia kanë arritur të bëjnë vlerësime objektive dhe të shikojnë përjetë fasadave dhe miklimeve. Ata nuk mund të grumbullohen rreth mantelit të LSI-së. Në këto kushte, edhe sot pas thirrjes së Monika Kryemadhit për mobilizim të votuesve gri, për t`iu bashkuar idealeve të LSI-së, të cilat deri tani nuk i kemi verifikuar dot se të ç`kahi janë, do mbetet ftesë në eter pa përgjigje dhe zor se mund të gjenden shumë individë që ti thonë po Monikës.

Votuesit gri në Shqipëri, edhe pse janë një numër jo i pakët nuk gënjehen nga sheqerosja, as nga fjalët mikluese, aq më pak të joshen nga thirrjet e LSI-së, pasi në tërë këto vite i kanë parë, dëgjuar e provuar si pushtetarë e opozitarë dhe e kanë të qartë kur flitet seriozisht, kur duhet t’u besojnë verbërisht, kur shfaqet hipokrizia, etja për pushtet. Kur flet e vërteta, interesi i tyre jetik, që vota të mos shkojë në drejtim të panjohur apo për një karrige në pushtet të atyre që tërë jetën kanë qenë në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë vlerësuar asnjërin nga ata që janë bërë robër të sloganeve të LSI-së. Kështu edhe votuesit gri të Shqipërisë do ta gjejnë vetë orientimin dhe zor të shkojnë symbyllur pas ftesës së Kryemadhit! 

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e një lëvizjeje masive studentore, e cila deri tani në thelb ka disa kërkesa dhe që mundet nesër të përparojnë dhe me të t

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b

Postuar: 09/12/2018 - 07:13

 Nuk është vetëm dufi i studentëve.  Protesta e tyre ka trazuar gjithë shoqërinë.

Postuar: 08/12/2018 - 07:22

Ҫdo vit, miliona njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehë si refug

Postuar: 08/12/2018 - 07:21

Njohja me një vendim për ngritjen në Shqipëri, të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luf

Postuar: 08/12/2018 - 07:20

Një opozitë që nuk frymëzon! Është ky konstatimi që e bën kushdo në këtë vend.