Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Kapet 'mat' Ilir Meta (VIDEO)

Kapet 'mat' Ilir Meta (VIDEO)
x

Opinion / Editorial

Elitarizmi dhe morali i tij në sensin kombëtar

Elitarizmi dhe morali i tij në sensin kombëtar

Strategjia elaboruese e politikës së vjetër, për të mbijetuar në këtë mjedis tragjiko-komik, që ka marrë trajtat e rrathëve të ferrit të Dantes, janë preludi i fundit pa lavdi të saj. Ajo nuk arriti të modelojë ndërgjegjen politike, për një kohabitacion unik midis formacioneve të partive dhe qytetarëve, si një kërkesë e integralizmit për të ardhmen e përbashkët. Marrëdhëniet midis tyre pësuan deformime parimore, duke ju larguar gjithnjë e më shumë realitetit të sotëm, që bën apel për bashkëpunim e për bashkëveprim në interes të çështjeve madhore kombëtare. Nëse vazhdohet po me të njëjtën strategji dhe praktikë si deri tani, atëherë politika e integrimit që ka kërkuar jo pak angazhime për reforma e standarde, përfundon në asimilim. A duhet ta lejojnë këtë modelim shkatërrimi qytetarët shqiptarë? Sigurisht që jo, sepse interesat e tyre, nuk konvergojnë me ato të partive për vota e pushtet, por për integrim në BE. Bazamenti filozofik i partive shqiptare, nuk akordon me realitetin e sotëm, por me mentalitetin e rrënojave teknokratike të epokave demoniane. Realiteti i sotëm nuk kërkon retorikë rrotacioni, por përmbysje rrënjësore për t'u ndarë njëherë e mirë nga katrahura tranzicion. Ky realitet kërkon elita drejtimi dhe jo sundimi, siç i kemi parë deri tani, pa lidhje vertikale e horizontale me mbetjet e politikës së vjetër, që në vend të demokracisë liberale, mbolli dhe kultivoi teknokracinë, harbutërinë, krimin, hajdutërinë, hakmarrjen politike, mjerimin dhe varfërinë. Ky realitet kërkon elita me profil perëndimor, sepse qeverisja në demokracinë liberale nuk është e determinuar, por ashtu siç e meritojnë qytetarët e zhgënjyer pas përmbysjes së monizmit. Kritika e ekzistencializmit botëror, që kanë analizuar të gjithë sistemet dhe kthesat historike, njeriun e kanë konsideruar si qenie aktuale, në kohë dhe jo si "qenie që i takon të ardhmes". Nuk mund të ecet me mendësi totalitare, që të sakrifikohemi për vendimmarrjet e rëndësishme të proceseve integruese, sepse kjo filozofi e përjashton njeriun si qenie njerëzore e realitetit. E gjithë epoka e tranzicionit përngjan më tepër me "Metamorfozën" e Franc Kafkës, ku fuzionohen elementë të reales dhe ireales. Kjo periudhë mund të konsiderohet alegoria e politikës, që nuk i dha mesazhe të qarta demokracisë, por e kontaminoi dhe e deformoi atë duke qeverisur me modelet e bajraktarizmit. Prandaj elita e re e politikës duhet të jetë ironia dhe revolta, ndaj përçudnimit të demokracisë, për t'i dhënë asaj frymëmarrje perëndimore. Angazhimi i të rinjve në politikë edhe pse pa përvojën e duhur, merr përparësi për vetë faktin, se ata do të jenë fytyra e institucionalizimit të rinovuar, me mendimin filozofik të bazuar në parimet e demokracisë liberale. Pragmatizmi që u përdor aq shumë si slogan utilitar politik pa asnjë lidhje, në strategjitë formale të ndryshimeve demokratike, nga protagonistë që premtuan parajsën, ndërtuan oligarkinë me privilegjet e jetës luksoze, aq sa në Gjirin e Lalzit, Sauk e Golem diskutohet se kush i ka macet dhe qentë më të bukur. Propaganda e ndërtimit të një demokracie për të gjithë, përfundoi në ferr, duke na lënë në dorë varfërinë dhe braktisjen e vendit nga sytë këmbët, për të gjetur një minimum jetik, që në Shqipëri nuk u përcaktua kurrë. Ky moment i një kthese historike për qytetarët, u bën apel që të mos votojnë më politikanët e degjeneruar dhe të degraduar politikisht e moralisht, të lidhur me krimin shtetëror politik dhe ekonomik. Klasa e re politike duhet të fillojë një proces të gjerë dimensional e shumëpalësh europianizmi, që do të plazmojë legjislacionin, qeverisjen, drejtësinë, mediat dhe mbarë shoqërinë e traumatizuar nga humbjet e njerëzve, pronave dhe identitetit kombëtar. Elita e re politike duhet të lërë pas hijet e zeza të tranzicionit, që nuk shënuan kurrë histori suksesi në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Elita e re duhet të ketë parasysh përvojën e hidhur të kombit tonë, i cili ka provuar shumë herë humbjen e drejtimit në kthesat historike. Kombit tonë nuk i janë ndarë tragjeditë e përmasave apokaliptike, ku do të veçonim atë të kryengritjeve të viteve 1910-12, ku shqiptarët u bënë "mish për top" për llogari të shteteve ballkanike. Këto shtete kishin si qëllim destabilizimin e Turqisë me kontingjente të trevave shqiptare, që si shpërblim do të merrnin trojet tona që sot janë jashtë kufijve tanë. Kryengritjet e viteve 1910-12, nuk u shquan për synime politike, sepse fqinjët djallëzorë ballkanikë, nuk ndihmuan integritetin e Shqipërisë, por copëtimin e trojeve shqiptare. Megjithëse u shpall pavarësia e Shqipërisë nga plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, i mbështetur nga shumë patriotë shqiptarë, qeveria e tij nuk mundi të realizojë ëndrrën e bashkimit të kombit në një flamur të vetëm. Një përpjekje fatale që bëri me Beqir Grebenenë i vënë në shërbim të perandorisë otomane dhe fqinjëve, i shkaktoi rënien e qeverisë. Përpjekje tinzare bëri edhe qeveria kukull e Esat Pashë Toptanit, por ai ishte i shitur tek perandoria otomane dhe mbretëritë fqinje, nga të cilat edhe paguhej. Të njëjtën rrugë ndoqi edhe ish-mbreti i vetëshpallur Ahmet Zogu, i cili pas ardhjes në pushtet nga bajonetat e ushtrisë serbe, iu dha si shpërblim Shën Naumi si dhe lokalitetet e Vermoshit dhe Kelmendit. Humbja e drejtimit të elitës së tij, bëri që të afrohet me Italinë fashiste të Benito Musolinit, duke e lënë Shqipërinë pas arratisë, plotësisht nën pushtetin e tij. Po kështu ndodhi edhe me regjimin totalitar të hoxhistëve, ku PKSH u vu në dispozicion të titistëve ngaqë kishin ndihmuar formimin e saj. Kjo parti u kthye në një kukull në duart e Titos, duke i shkaktuar pasoja të rënda çështjes së bashkimit kombëtar. Por gabimet fatale të PKSH u pasuan nga lidhjet me Rusinë komuniste, më pas me Kinën e maoistëve. Të gjitha lidhjet dhe zgjidhjet e gabuara të elitave shqiptare, ishin episode bizare të këtyre devijimeve, që pasuan si sëmundje kronike hileqare dhe antikombëtare. Këto sëmundje kronike në Shqipëri me humbje të drejtimit nga elitat, u pasuan edhe pas kthesës së shumëpritur historike të përmbysjes së monizmit. Këto elita që morën drejtimin nuk iu referuan përvojës se demokracive perëndimore, por ranë në pozitat e regjimeve teknokratike të natyrës dhe praktikave demoniane. Demokracia u përdor si fjalë kalimi, duke dalë jashtë ndërtimit strukturor të saj për shtetin e të drejtës, të sundimit të ligjit, drejtësisë, si dhe normave që rregullojnë dhe ekuilibrojnë marrëdhëniet brenda shoqërisë. Këto episode të humbjeve të drejtimit të elitave qeverisëse, do t'i shërbejnë klasës së re politike, të ndërtojë strategji të bazuara në politikat e demokracisë liberale, për të hapur një faqe të re historie në marrëdhëniet e kombit tonë. Çfarë duhet të ketë parasysh klasa e re politike e faktorit shqiptar, për të bërë kthesën e duhur historike? Tendencat pansllaviste të dikurshme për sundimin e Ballkanit, ku në krye të kësaj lëvizje janë qarqet politiko-ortodokse ruse, për krijimin e perandorisë së dikurshme të Ekaterinës së II-të. Dalja e Britanisë së Madhe nga Unioni, ka lëkundur jashtë mase pozitat e BE. Rritja e ekstremizmit me ambalazh islamik, nëpërmjet shfrytëzimit të objekteve të kultit dhe shoqatave të ndryshme me orientim fetar, që përbën një nxitje për bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Kosovës. Narracionet e së kaluarës që serviren si romantizëm, është mirë të mbahen si dëshmi e epokave që kanë traumatizuar të kaluarën tonë. Ato nuk duhet t'i shërbejnë mendimit shkencor, politik e shtetëror, por kujtesës për të vërtetat historike. Ajo që duhet veçuar dhe vlerësuar është se, historia e shqiptarëve është zhvilluar brenda perandorive të mëdha romake, bizantine, bullgare e osmane, ku dhe janë evidentuar kontributet e qytetërimeve nga shumë shqiptarë. Këto kontribute duhet të zgjojnë institucionet shkencore, për vlerësimin dhe kontekstualizimin, duke i shndërruar këto vlera në elementë që ndriçojnë identitetin tonë kombëtar. Këto kontribute na motivojnë për bashkëpunim me të gjithë trevat, por në mënyrë të veçantë me faktorin politik, ku shembulli më i mirë janë partitë shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, që kapërcyen barrierat historike për t'u ndjerë si një zë i veçantë në vendet përkatëse. Të gjitha këto lëvizje do t'i shërbejnë integrimit të faktorit shqiptar, në "Perandorinë e re", atë të BE dhe nën ombrellën e NATO-s. Vlerësimi kritik i të kaluarës së largët dhe të afërt me nota realiste, do të shmangë me siguri aventurizmin politik të së tashmes, për t'i dhënë një orientim sa më të sigurtë prognozës së të ardhmes. Nëse aventurizmi i politikës së sotme meriton të vihet në bankën e gjykimit juridik, kjo nuk përbën rrezik për humbjen e ekuilibrave të elitës së re, që do të promovojë idetë e së ardhmes dhe kthesës historike, të faktorit shqiptar në hapësirën ballkanike.