BREAKING NEWS

Obama, Melinda Gates dhe Fauci mbikqyrësit e laboratorit të Wuhanit në 2015 kur Bill Gates paralajmëroi rrezikun nga virusi

Obama, Melinda Gates dhe Fauci mbikqyrësit e laboratorit të Wuhanit
x

Opinion / Editorial

Elitokratët e tre dekadave, fatkeqësia e një populli që s'di të dalë në demokraci!

Elitokratët e tre dekadave, fatkeqësia e një populli që

Tashmë është e qartë për shumicën e shqiptarëve se këto tre dekada të cilat duhet të na kishin nxjerrë nga diktatura dhe praktikisht na kanë mbajtur në një tranzicion fatkeq - kanë prodhuar një klasë politike me "elitokratë" që në qeverisjet e tyre kanë si bazë grabitjen dhe urrejtjen për viktimën e grabitur. E keqja e madhe e një populli të tillë, nga më perëndimorët si dashuri në Ballkan dhe Europë, më pro amerikanët në botë dhe absolutisht më të vuajturit në diktaturën e Enverit është se: nuk dinë t’i japin fund si grabitësve të tyre dhe arrogantëve klika politike që ka mbajtur dhe mban mbi shpinë. Sigurisht që është një faj i një shoqërie të tillë akoma folk-politike. Kjo nuk ka diskutim, sepse ndryshe nuk do të kishin ardhur në ditë trishtimi, pasigurie dhe sidomos larg demokracie sikundër ishim dhe jemi për tridhjetë vite rresht. I fundmit, por pothuaj në jetë më i gjati në historinë politike të medemek demokracisë shqiptare ose Edi Rama thotë se "unë them atë që bëj dhe bëj atë që them"! E padyshim në arrogancën që e karakterizon, llastimin dhe shoë-un mediatik e politik që e ka talent, vetëm kjo shprehje në dukje "e bukur" do të mjaftonte të bënte shumë të dyshueshëm veten e tij dhe politikën e tij bie fjala me popullin gjerman apo dhe atë francez apo dhe atë italian që në jetën e tyre e kanë dëgjuar pothuaj në këtë formë nga individë që i kanë shkaktuar fatkeqësi. Sepse një njeri që është i lumtur që "thotë atë që bën dhe bën atë që thotë" në kushte demokracie dhe shoqërie të hapur apo dhe të lirë e demokratike, nënkupton një tiran i cili nuk ka nevojë për të tjerë. Po ka nevojë vetëm për veten e tij dhe është i vetëmjaftueshëm në të gjithë veprimtarinë e tij politike. Prandaj sot i ka futur në punë 300.000 qytetarë të Shqipërisë dhe e ka "vendin e lumtur" në të gjitha aspektet sidomos me pushtetet në një dorë, me drejtësinë fatkeqe, pa drejtësi dhe gjithmonë nën reformë, me biznese që lëngojnë dhe ai i di të lumtura, me opinionin europian të zymtë për demokracinë që ai e di të "bukur", me dëshirën për t’u larguar nga ky vend, i të gjithë atyre që janë të zot për punë dhe që ky e di për "mirë" dhe për arrogancën e injorancën e administratës që sigurisht ky burrë e di të bukur dhe të shëndetshme. Sepse ai ka shpikur dhe parullën tjetër të formës "barsoletë" që thotë: Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka. Sigurisht kur ka përballë derdimenë demokracie që bëjnë faje më shumë në opozitë se sa pozitë. E me një të tillë parullë, mbyll popullin e tij brenda në mënyrë absurde, e tremb se do vdesë dhe i jep leje "autorizim" nga portale që komandon vetë, i thotë të shpëtova unë nga vdekja dhe arrin ta besojë edhe vetë, i prish monumente dhe kujtesa kulturore për hesap të "Shqipërisë së Edi Ramës" duke mos pasur një herë të vetme respektin për të gjithën, e cila tregon edhe një herë distancën yjore që ka filozofikisht me demokracinë. Për të mos u zgjatur me njeriun e "timonit" vetëm, i cili rreh të vegjlit si të ishte babai që luan "njerkun" dhe merr me të mirë batakçinj të pasur - dua të them se ka mbytur përfundimisht demokracinë në PS duke e larguar atë nga qënia e një socialdemokracie reale. Një individ i tillë përfiton nga "lumpenizmi" i atyre përballë, që janë fajtorë njësoj në qeverisje si "elitokratë" të mbushur me faje. E prandaj them se këto tridhjetë vjet të dramave të mëdha, të ‘96-ës dhe ‘97-ës, por dhe të ‘98-ës dhe Gërdecit apo dhe 21 janarit, e grabitjeve të rrugëve e investimeve kombëtare janë një humbje e madhe jo thjesht ekonomike dhe financiare e një populli që shkel mbi pasuri që nuk i ka askush, por një degradim dhe mos dalje kurrë në demokraci. Prishje e demokracisë së përgjithshme, shkatërrim vlerash kombëtare dhe deri armiqësim me Kosovën si pasojë e "elitokratëve" të pangopur që për arsye personale, politike dhe përfitimi, jo vetëm ndajnë shoqërinë shqiptare ashpërsisht në dysh, por dhe me vëllezërit andej kufirit, të cilët dhe ata kanë po të njëjtën sëmundje si dhe ne këtej kufirit. Nuk rregulluan një herë të vetme administratën, duke e mbajtur të politizuar dhe korruptuar, nuk rregulluan njëherë arsimin duke e degraduar dhe bërë të dobët për edukimin e fëmijëve, nuk rregulluan një herë shëndetësinë dhe drejtësinë me korrupsionin e madh jashtë çdo krahasimi në Europë. Nuk kthyen drejt demokracisë një herë të vetme policinë dhe prishën kulturën dhe institucionet e saj. Nuk kanë lënë gjë pa bërë dhe ky popull dhe kjo shoqëri, vazhdon të besojë se ata mund të bëjnë reformë zgjedhore. Ata kanë rënë dakord që të mbajnë "elitokracinë" e tyre të shëmtuar. Të mos jenë asnjëherë të hapur që populli i tyre të zgjedhë. Janë dakord që gjithmonë ta fusin në hall, uri dhe padrejtësi pikërisht popullin e tyre që ai të lutet dhe t’i ndjekë si një "qen i rrahur", por besnik instinktivisht. Ja kanë prishur fare mundësinë për të kërkuar drejtësi dhe shtet ligjor, që nuk e ndërtuan kurrë. Kokat e mëdha të famshme të "demokracisë" duke filluar nga njeriu që ka bërë dëme të mëdha ekonomike, politike, dhe psikologjike apo Sali Berisha dhe duke vazhduar me të tjerët për të mbërritur te Rama janë fajtorë të një pabesie të tillë politike dhe ekonomike! Ata nuk e kanë as seriozisht dhe as sinqerisht me demokracinë. Akoma më shumë urrejnë në fund të ditës viktimën e tyre të madhe ose popullin e tyre. Janë të pangopur dhe tradhtarë të plotë të demokracisë brenda partive të tyre dhe pastaj dhe në qeverisje! Por faji është i joni. Është i të gjithë neve. Ato janë prodhimi më i keq i Enver Hoxhës dhe klikës së tij, kurse ne jemi viktimat e atij regjimi, pasuesve të tij dhe vetes tonë që nuk duam as të dalim në demokraci dhe aq më pak në qytetërim! Jemi të varfër ose më të varfrit në Europë, sepse jemi më të paqartët për demokracinë dhe shtetin ligjor. Një pjesë të madhe të fajit e kanë dhe ndërkombëtarët, të pikturës të shëmtuar që kanë ndërtuar me marrëdhëniet e tyre me ne. Pa na njohur mirë dhe pse kanë pasur dëshira të shumta dhe bujare. Edhe pse ndihma e tyre është e jashtëzakonshme. Duke iu besuar të super korruptuarve, të cilët sigurisht kishin "konsensusin" e një populli retro-kulturor, por që në çdo rast diheshin nga ata jashtë nga kancelaritë e tyre, se çfarë tipash folklorikë dhe shallvarexhinj apo dhe mostrash ishin dhe janë. Asnjë iluzion se ne me të tillë tipa do të kemi zgjedhje të ndershme, sepse nuk ka asnjë lloj shansi që këta monstra anti demokraci të kenë dëshirë që demokracia të jetë sistemi i cili mund të funksionojë në Shqipëri. Sepse nuk janë ngopur së vjedhuri, nuk ngopen së sunduari dhe nuk ngopen së rrahuri dhe talluri me popullin e tyre. Në fund, sigurisht fajtori kryesor është pikërisht ai - ne populli shqiptar që nuk di, nuk mundohet dhe me sa duket nuk do "hë për hë" të dalë në demokraci. Sepse po të dinte, të tillë individë do ta kishin vendin e tyre mbas hekurave!