BREAKING NEWS

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë shqiptare po kërcënohen rrezikshëm’, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të bujshme në vend

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë
x

Opinion / Editorial

Elmaz Teme krahun e la në Skrapar, trupin në Tepelenë!

Elmaz Teme krahun e la në Skrapar, trupin në Tepelenë!

E kush nuk e njihte në Tepelenë dhe më gjerë këtë invalid të luftës, njeri të thjeshtë, fjalëpakë, atdhetar? E njoha në vitet e parë të pasçlirimit, atëherë kur ai pas gjakut të kuq do të derdhte dhe djersën e bardhë. Sa herë shkoja në Tepelenë me punë për rininë. Si më erdhi kur e pashë pa një krah! Po edhe pse i mungonte krahu, atij i ndriste trupi. Dhe më dukej sikur i kishte të dy krahët. Se njëri krah ishte sa për dy! Ndaj kur bëje toka, me dorën e majtë të shtrëngonte fort.

 1 E di që për këtë shok të luftës e të punës kanë shkruar të tjerë më parë. Po si mund të rri pa shkruar edhe unë, për këtë njeri me emër, që më hyri shpejt në zemër? Fliste zemra e tij e bardhë, ajo zemër, që nuk pushoi kur predha e armikut i mori krahun! Nuk pushoi se ishte e fortë. Si “Shkëmbi i Prerë” i fshat-lindjes së tij, në Dukaj. Elmazi kishte bërë emër! Se nuk është emri që e bën njeriun, por është njeriu që bën emër. Ai vërtet që emrin e kishte “Elmaz”, por kur u quajt kështu në lindjen e tij, ndoshta nuk dihej se ç’domethënie kishte ky emër. Elmaz i thonë atij instrumenti të vogël që pret xhamin dhe nuk thyhet. Po edhe Elmazi, u plagos në luftë dhe nuk u thye! Qëndroi siç ka emrin: Diamant! Djalosh, por burrë. Edhe mbiemrin e ka “Bilbili”, që te ai ka dy kuptime: i këndonte si bilbil pushka në luftë, i këndonte dhe gjuha si bilbili. Zogu “bilbil” hipën në lis e këndon aq bukur, por edhe Elmazi qëndroi si lis në tokë dhe gjakun e derdhi me okë për këtë tokë! Por një ditë armiku e vuri në shenjë dhe e qëlloi Elmazin. Një copë mortaje e goditi në krahun e djathtë. Ku e gjeti ajo predhë e mallkuar këtë luftëtar të lirisë! Ndonjëri nga shokët bashkëluftëtarë, duke shprehur dhimbjen dhe keqardhjen e tij, mendonte: “Po tani si do luftonte ai me një dorë? Po të shpëtonte nga lufta, si do punonte”. Përgjigjen e jepte dora e majtë: “Më ka mua. Jam unë dhe e djathtë, dhe e majtë”! Dhe vërtet, dora e majtë u bë dhe e djathtë. Dhe vazhduan “të jenë” të dyja bashkë, siç kanë qenë që nga vogëlia e tij. Dhe akoma më bukur iu bë bukuria e brendshme e shpirtit, me trimërinë në zjarrin e luftës, me durimin, me optimizmin që tregoi se edhe me një krah do vazhdojë të luftojë.

 2 Tani që po shkruaj, portretin e tij e përfytyroj siç e mbaj mend. Bisedonim bashkë për punën me rininë. Ai më flisje për rininë e Tepelenës e unë për të Gjirokastrës. Sa kujtime po më zgjohen/ Për shokët e mi të vjetër/Çaste, që kurrë s’harrohen/ Si koha e rinisë s’ka tjetër! Janë ato vite të bukura të rinisë së bukur. Ndër të tjera Elmazin e kujtoj në Dukaj te “Shkëmbi i Prerë”, në atë panoramë të bukur, te ai shkëmb-kala i gjakosur atë ditë korriku 1944 kur u çlirua nga partizanët e Brigadës VI Sulmuese. Dhe më mbulojnë emocionet, por dhe krenohem për qëndrimin trimëror që mbajti ai kur u plagos rëndë. Ai kalonte nga beteja në betejë. Luftoi dhe në “Qafën e Gjarprit”, në Skrapar. Kështu e ka emrin kjo qafë, ndoshta se atje ka pasur shumë gjarpërinj, por në atë betejë gjarpërinj-nepërka ishin nazistët gjermanë e bashkëpunëtorët e tyre, tradhtarë vendës, kurse partizanët ishin shqiponja në fluturim. Ishte beteja e ashpër e 6 qershorit 1944. Luftë e pabarabartë me hitlerianët më të shumtë në numër, në armatime, në teknikë, por jo më trima e me moral të lartë se partizanët shqiptarë. Elmazi model për trima të tjerë partizanë. Vapa e asaj fundpranvere, uria, vështirësitë ishin edhe këta “armiq”, por kryearmiq ishin nazistët hitlerianë kryqthyer. Ra Elmazi. Humbi ndjenjat. Gjaku s’mbahej. Mbeti në atë pyll të dendur. E kërkonin shokët dhe s’e gjenin. E kërkonin fshatarët e s’dukej kurrkund. Nuk dihej ku ishte. Mendohej se është vrarë. Situatë e vështirë. Mërzitje. Ankth. Siç u mësua më vonë, vetë Elmazit i duhej të zvarritej për disa ditë e netë i plagosur, i uritur dhe i etur, me krahun e copëtuar. I është dashur të hajë edhe gjethe e bar që të mbijetonte. Por erdhi ora që rrezet e diellit Elmazin ta ndriçojnë: rastësisht e gjeti fshatari Iliaz Musabelliu nga Ujaniku i Skraparit. Ky njeri shpirtmirë, që kishte përpara një njeri të panjohur, mjafton që ishte partizan, e pa në gjendjen e terrorizuar që ishte dhe i doli për zot. Se edhe Elmazi, kur mori armën dhe u ngjit malit partizan kishte thënë: “Jam partizan me yll në ballë, për ty, o popull, zot të kam dalë”! Si puqen karakteret! E mori skraparlliu patriot dhe e hipi mbi kalë. E çoi në shtëpinë e vet dhe bashkë me nënë Fatimen i qëndruan te koka sikur të ishte djali i tyre. E shikonin me sy dhe u pikonte në zemër. Dhe ja, Elmazi dha shenja jete. Fytyrat e tij dhe e familjarëve filluan të ndryshojnë. Buzëqeshja që u kishte ngrirë, shkriu. Dhe ata po i shërbenin me barna popullore. E ushqenin me kafshatën e tyre. Njerëz të mrekullueshëm. Komanda partizane, që i kishte hequr shpresat për jetën e Elmazit, sa e mori vesh, e tërhoqën dhe e shpunë në shtëpinë e Niazi e Bukuri Çepanit, që shërbente si spital partizan. Edhe këta njerëz të mrekullueshëm!

3 Elmazi ra në duar të mjekëve. Doktori italian D’Alesio, antifashist në shërbim të LANÇ, që ra dëshmor për çlirimin e Shqipërisë, bashkë me mjekë shqiptarë e morën në dorëzim të plagosurin rëndë. Mjekët u çuditën kur i panë krahun, me plagë e dhimbje të thellë, që kishte filluar të zinte krimba dhe rrezikohej të gangrenizohej. Elmazi ishte kacafytur me gjermanët, tani kacafytej me vdekjen. Këtu u duk edhe një cilësi tjetër e tij: optimizmi! “Optimistët jetojnë shtatë vjet më shumë”, thotë mençuria popullore. Nuk e humbi toruan. Nuk u bë pesimist. Nuk iu tremb vdekjes. Shtrëngonte dhëmbët. Sytë e tij filluan të vezullojnë dritë. “Doktorët do gdhendin jetë. Vdekje Elmaz Temja nuk do të ketë! Këngë do të ketë”! Dhe kënga gjëmoi. Ia mori vetë Elmazi! Kënga e gjallëronte. Të tjerët i kurajonte. Dhe u sajua “grupi lab”! Doktori italian thoshte: “Jam mjek kirurg i vjetër në profesion dhe me duart e mia kam operuar shumë njerëz, por pacient si ky, që të këndojë para vdekjes nuk kam parë e nuk kam dëgjuar ndonjëherë”! Çfarë trimi! Çfarë zemre! Zemër e fortë. Që këndon. Që beson. Zemër që ka bërë të mira dhe më e mira do bëhet. Dhe mirësia është fisnikëri. Fisnik Elmazi. Fisnikë skraparlinjtë që e bënë mik shtëpie dhe i shërbyen. Fisnikë dhe mjekët që tani e kishin në duar! Si shpjegohet që jeta po triumfonte edhe mbi vdekjen? Forcën ai e gjente tek idealet e shenjta të tij që luftonte me parullën “Vdekje fashizmit-liri popullit”; te vendosmëria për të luftuar e për të çliruar vendin; te fuqia shpirtërore e morale e lartë; te traditat dhe virtytet luftarake të familjes; te karakteri i fortë lab, pse jo dhe te vetë emri i tij Elmaz! Me këto cilësi ai do të përballonte edhe operimin e krahut, duke e hequr fare nga trupi. Dhe ky çast erdhi. Krahu do operohej. Po me se dhe si? Ia prenë krahun me sharrë druri, pa mjetet e nevojshme që i duhen kirurgut. Pa narkozë. Pa bisturi. I mblodhi copërat e krahut të operuar infermierja Bukuri Çepani dhe i mbështolli në shaminë e bukur të kokës të nusërisë së saj. Bashkë me Këze Zeqon dhe personelin e spitalit, me pëlqimin dhe praninë e vet Elmazit, i “varrosën” në një gropë pranë një lisi të madh që është edhe sot. Ky lis mori emrin “Lisi i Elmazit”. Dhe vetë Elmazi ishte si një lis, që u këput, por nuk ra. Çaste prekëse. Gjendje kritike. Qerpikë të lagur. Emocione. Elmazi shihte në heshtje krahun e tij që po pritej, me të cilin u nda përfundimisht. Nuk do ta ketë më në trupin e tij. Nuk është pak të lësh një krah larg vendlindjes. Si Ali Pasha, me trup në Tepelenë e koka në Stamboll. Si Vangjel Zhapa trupin në Labovën e Zhapës e kokën në Athinë. Sado i fortë që ishte Elmazi, dy pika loti iu varën në faqet e tij të zverdhura. Por ai veten nuk e jepte. Selfo Allka do të shkruante: “Sot në Tepelenë dy burra gjen me dy varre: Ali Pashë Tepelenën, me kokën në Stamboll e trupin në Janinë dhe Elmaz Temen, dukjotin, me krahun të varrosur në Skrapar dhe trupin pas vdekjes në Tepelenë”.

4 Elmaz Teme Bilbili është rritur në varfëri e në vështirësi. Babai i tij e la 4 vjeç. Mbeti jetim. Por farën e patriotizmit ai e hodhi dhe në atë moshë të njomë, fara u zhvillua e ai u bë patriot dhe kur u rrit e mësoi se babai kishte marrë pjesë në 1914 dhe 1920, kundër pushtuesve grekë e italianë, duke luftuar për çlirimin e Vlorës e të Sazanit. E rritën Elmazin xha Bajrami dhe nënë Zenepja në Dukaj, që ai përjetë u ishte mirënjohës. Në luftën italo-greke Elmazin e mobilizuan forcërisht ushtar për në frontin italo-grek. Por ai dhe shokë të tjerë shqiptarë, që e kuptonin se kjo luftë zhvillohej për llogari të fashizmit italian, dezertuan. Elmazi shkoi në fshatlindje. Për të mos e gjetur, se “u arratis” nga ushtria, humbi gjurmët, shkoi në Vlorë. Këtu u përfshi në veprimtari të rinisë komuniste e antifashiste dhe doli partizan në çetën “Halim Xhelo”. Me krijimin e Brigadës V Sulmuese, u bë luftëtar i saj. Ka qenë në ballë të luftimeve të kësaj brigade. Pas çlirimit ka kryer detyra të rëndësishme. U dërgua në ish-Bashkimin Sovjetik dhe kreu studimet e larta për ekonomi politike. Ka patur funksione të ndryshme në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Ballsh, Berat, Kuçovë, Skrapar dhe në Tepelenë, deri sekretar parë i partisë të rrethit Tepelenë. Edhe pse ishte me një dorë, ka qenë i gatshëm të shkonte atje ku i thoshte partia, deri dhe kryetar i kooperativës bujqësore në Dukaj. Ishte një kuadër i njohur dhe i nderuar në Tepelenë dhe kudo që ka punuar e jetuar. Një rrugë e qytetit të Tepelenës mban emrin e tij “Elmaz Teme Bilbili”. I është dhënë titulli “Nder i Qarkut të Gjirokastrës”. Në rrugën e Elmazit ecin edhe pasardhësit e tij. I rriti nënë Margarita. Janë dy djem dhe një vajzë: Vladimiri mjek okulist, që ka dy djem, njëri nga të cilët mbaroi gjithashtu për okulist jashtë shtetit, është bërë gjysh. Aljosha, djali tjetër i Elmazit, me tri vajza; Donika, me 4 vajza.

*** Sa do të gëzonte sot Elmazi po të jetonte, do përkëdhelte nipër e mbesa, do të ishte dhe stërgjysh! Është lumturi për njerëz të brezit të vjetër, kur fëmijët e tij dhe fëmijët e fëmijëve, që quhen mjaltë i mjaltit, rriten të ndershëm, të drejtë, atdhetarë, duke mbajtur lart emrin e gjyshërve dhe të gjysheve, të babait e të nënës. Kjo ndodh edhe me familjen “Bilbili”, nga Dukajt e Tepelenës. Kishte të drejtë Ferit Lila gjithashtu nga Dukajt, kur shkruante për fëmijët e vet në një nga librat e tij: “Jeni trëndafila/ spërkatur nga vesa/ me fëmijë të mirë/ me nipër e mbesa”. Invalidi Elmaz Teme e shkroi me gjak biografinë e tij. Kur u plagos mbeti “dëshmor i gjallë”. “E njoha menjëherë që prej së largu Elmaz Temen/ me një krah të prerë/ nëpër udhë pikonin pika gjaku/ plaga hapej si flamur në erë”. (Hysni Milloshi)