BREAKING NEWS

COVID-19/ 6 humbje jete dhe 959 raste të reja në 24 orët e fundit në Shqipëri, ja zonat "më të nxehta"

COVID-19/  6 humbje jete dhe 959 raste të reja në 24 orët e
x
BREAKING NEWS

I bëri ftesë për të vizituar Kosovën, Rama i përgjigjet Kurtit: Faleminderit

I bëri ftesë për të vizituar Kosovën, Rama i
x
BREAKING NEWS

“Nuk ka kthim pas”/ Lulzim Basha mban qëndrimin e prerë për përjashtimin nga PD të Berishës dhe lëshon paralajmërimin e fortë: Këta të tre janë fatkeqësia më e madhe për çdo shqiptar!

“Nuk ka kthim pas”/ Lulzim Basha mban qëndrimin e prerë
x
BREAKING NEWS

Albin Kurti i dërgon letër publike Edi Ramës: Le të fillojmë përgatitjet për ...

Albin Kurti i dërgon letër publike Edi Ramës: Le të
x
BREAKING NEWS

Vendim i papritur/ Mbyllet Ambasada Gjermane në Tiranë, anulohen të gjitha takimet. Zbardhet njoftimi zyrtar

Vendim i papritur/ Mbyllet Ambasada Gjermane në Tiranë, anulohen
x
BREAKING NEWS

Trondit Spartak Ngjela, tregon fundin e frikshëm që e pret Sali Berishën: Ndodhet në vështirësi! Aq i fortë është ai, sa kur kishte përballë Ramiz Alinë...

Trondit Spartak Ngjela, tregon fundin e frikshëm që e pret Sali
x
BREAKING NEWS

Yuri Kim reagon pas takimit me Lindita Nikollën, jep mesazhin e fuqishëm për politikën shqiptare

Yuri Kim reagon pas takimit me Lindita Nikollën, jep mesazhin e
x
BREAKING NEWS

Del dokumenti/ Nga Berisha tek Kryemadhi, deputetët që nuk votuan qeverinë “Rama 3”, ja kush abstenoi (EMRAT)

Del dokumenti/ Nga Berisha tek Kryemadhi, deputetët që nuk votuan
x

Opinion / Editorial

Emergjencat Civile në emergjencë!

Emergjencat Civile në emergjencë!

Në ditët e sotme, shkencëtarët kudo në botë bien dakord se shumë fatkeqësi natyrore po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme e më dëmtuese, kryesisht nga ndryshimet e klimës dhe ngrohja globale. Nëse për periudhën nga viti 1851 deri në vitin 2010 (pra 160 vite), në botë janë regjistruar mbi 3600 ngjarje të rënda të emergjencave civile dhe fatkeqësive natyrore, për periudhën 2011-2020, pra për vetëm një dekadë, janë regjistruar mbi 4000 ngjarje të rënda. Të dhënat tregojnë qartë për tendencën në rritje të fatkeqësive në 10-vjeçarin e fundit. Ngjarjet që lidhen me faktorët meteorologjikë, si reshjet apo temperaturat e larta përbëjnë 28% të ngjarjeve totale të rënda, zjarret përbëjnë 14% dhe përmbytjet 14% (https://www.desinventar.net/).

Shqipëria ndodhet në kategorinë e vendeve gjithnjë e më e ekspozuar ndaj fatkeqësive natyrore me origjinë klimatike, si thatësirat, përmbytjet, zjarret, rrëshqitjet e tokës etj. Dy nga fatkeqësitë kryesore natyrore dhe më të përsëritura, përmbytjet në dimër dhe thatësira e zjarret në verë, sa vjen e po bëhen më të pranishme dhe dëmtuese tek ne gjatë viteve të fundit.

Sipas sistemit Europian të Monitorimit të Zjarreve “European Forest Fire Information System” (https://effis-gwis-cms.s3-eu-west-1.amazonaës.com/effis/reports-and-publications/annual-fire-reports/Annual_Report_2017_final_print_images_updated.pdf), gjatë vitit 2017 sipërfaqja e djegur në vendin tonë ishte 42 mijë ha pyje, kullota dhe sipërfaqe bujqësore. Kjo sipërfaqe ishte më e madhe se ajo e katër viteve të mëparshme të marra së bashku! U regjistruan 223 vatra që prekën sipërfaqe mbi 30 ha, 10 herë më shumë se numri i regjistruar në vitin 2016. Vetëm në Gjirokastër u dogjën 5,609 ha.

 

Katër vite më vonë, në fillim të këtij muaji dhe për më shumë se dy javë, vendi ynë u bë pre sërish e zjarreve masive në pothuajse të gjithë territorin e tij. Zjarret u përhapën nga veriu në jug, duke përfshirë pyje, kullota dhe prona private në 13 rrethe: Shkodër, Lezhë, Pukë, Elbasan, Fier, Skrapar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë. Në Gjirokaster u shkrumbuan 800 ha pyje, kullota, ara, plantacione frutore dhe vreshtari. Në Vlorë, situata më kritike ka qenë në Gadishullin e Karaburunit, tek Gjiri i Gramës, Gropa e Pirit dhe fshati Gorisht, ndërsa vatrat e zjarrit në fshatin Dukat i Ri vunë në rrezik Parkun e Llogarasë. Në Nartë zjarri rrezikoi ish-depot e naftës, ndërsa shtëllunga tymi mbuluan qytetin e Vlorës. Mijëra ha pyje, tokë bujqësore dhe bimësi u shkrumbuan. U desh një javë, gjatë së cilës zjarrfikësit punuan pa mjetet e duhura, madje edhe ato më elementaret, që Emergjencat Civile të “zbarkojnë” në Vlorë! Në Korçë, situata ishte problematike në Vithkuq, Voskopojë dhe Gjonomadh, duke shkrumbuar me qindra ha pisha dhe bredha. Zjarret masive në Fier dogjën mbi 9 mijë rrënjë ullinj dhe 70 hektarë me pyje. Në Shkodër zjarret shkaktuan dëme të mëdha në pyje, kullota dhe prona private pranë fshatrave Beltojë, Gruemirë, Budac, Qafë Mali, Okol, Pult, Postribë, Fushë-Arrëz, Bogë dhe deri edhe në Bashkinë Shkodër, në lagjen Tepe. Flakëve nuk u shpëtoi as mali i Taraboshit dhe mali i Cukalit në njësinë administrative Temal, ku një pjesë e konsiderueshme e pyjeve dhe pemëve u shkrumbua.

 

Vatra e zjarrit në Majën e Rrunës në Kukës, mbi tunelin e Kalimashit, u cilësua si një nga më kritiket pas Karaburunit. Vatrat e zjarrit nuk kursyen as Lezhën dhe Mirditën, duke shkrumbuar me dhjetëra ha pyje dhe rrezikuar dhe shtëpitë dhe pronat në fshatrat Bulger, Katund i Vjetër, Rubik, Patatej, Thirrë, etj.

Dëmet e deritanishme janë të mëdha, në nivele disa qindra milionë euro në shkallë vendi, por për këtë do të flas më hollësisht në një shkrim tjetër.

Emergjencat tona civile u ndodhen sërish në emergjencë, krejtësisht të papërgatitura për të përballuar vatrat e shumta të zjarrit në të gjithë territorin edhe pse katër vite më parë kishte ndodhur e njëjta situatë. Asnjë mësim i marrë nga dëmet dhe shkatërrimet e mëdha të 2017-ës. Asnjë modernizim dhe shtim të flotës së mjeteve ajrore dhe tokësore për të ndihmuar me efektivitet në shuarjen e zjarreve. Sistemi ynë i Mbrojtjes Civile u tregua i paaftë të kufizonte në kohë përhapjen dhe dëmet nga zjarret.

Një gjendje të tillë e konstaton edhe gjenerali Piro Ahmetaj, në shkrimin e tij të datës 6 gusht në gazetën “Panorama”. Gjeneral Ahmetaj thekson se “...si masa afatmesme duhen mirëpeshuar rreziqet dhe nga zgjidhjet “mikro” të kalohet në plane “makro”, për të evituar në maksimumin e mundshëm përsëritjen e tyre në të ardhmen...Në planin afatgjatë, duhet të fokusuar në përmirësimin rrënjësor të efikasitetit të sistemit, duke konsideruar objektivat, mënyrat dhe mjetet (ends, ways & means) për përballimin e listës se kërcënimeve të EC. Duhet ta pranojmë që megjithë përpjekjet dhe përmirësimet, kemi një sistem ende të brishtë të emergjencave civile, krahasuar edhe me vendet e rajonit”( http://www.panorama.com.al/nder-sfidat-per-rama-3-modernizimi-i-sistemit-te-emergjencave-civile/).

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha strukturat e tjera të emergjencave civile kanë nevojë urgjente për fonde më shumë nga Buxheti i Shtetit, por qeveria këto fonde i përdor për të rregulluar fasadat e qendrave të qyteteve.

Mungesa e mjeteve moderne të fikjes së zjarreve dhe e logjistikës së duhur bëri që dëmet dhe harta e zonave të përfshira nga flakët të jenë disa herë më të mëdha, nga sa mund të ndërhyhej në kohë dhe të parandaloheshin vatrat e zjarrit.

Eksperti për katastrofat natyrore dhe për mbrojtjen ndaj zjarreve, Tanush Çaushi, në shkrimin e tij në gazetën “Rilindja Demokratike” të datës 6 gusht, ngre pyetjet e mëposhtme: “Përse luftojmë me lopata në kohën e helikopterëve?/ Përse qeveria shqiptare duket në këtë rast si një magazinë pa inventar, ku nuk di akoma zonat e rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore dhe të marrë masa paraprakisht me mjete, fonde dhe burime njerëzore?/ Ku janë Planet për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore?/ Mos vallë duhet të presim vetëm nga bujaria e shteteve mike?” (https://rd.al/2021/08/06/206483/)

Edhe pse sistemi që kemi përbëhet nga struktura të përhershme dhe të përkohshme në nivel kombëtar dhe vendor (në nivel qendror përfshijnë Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, Komitetin e Mbrojtjes Civile, ministritë përkatëse, institucionet qendrore, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Qendrat e Mbrojtjes Civile në qarqe; ndërsa në nivel vendor përfshijnë prefektin e qarkut, komisionin e mbrojtjes civile në nivel qarku dhe bashkie, bashkitë si dhe strukturat e decentralizuara të institucioneve dhe të strukturave qendrore të mbrojtjes civile), ku çdo ministri, komision, drejtori, bashki ose institucion tjetër ka përgjegjësi të veçanta për të gjitha fazat e ciklit të menaxhimit të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, ai dështoi me turp në emergjencën e zjarreve të gushtit 2021!

Që sistemi të rezultojë efektiv, është e domosdoshme të ketë një bashkëpunim dhe bashkërendim të të gjitha strukturave përgjegjëse të sipërpërmendura. Sikurse e thekson edhe eksperti Çaushi në shkrimin e tij: “Duhet (i)një Ministri e veçantë për Fatkeqësitë Natyrore (tërmeti, zjarri, përmbytjet, temperaturat e larta, etj.), ku të punësuar të jenë, përveç stafit bazë, edhe inxhinierë dhe specialistë të emergjencave; duhet (ii) të përgatiten Hartat e Rrezikut për zjarret, përmbytjet, tërmetet, etj.; (iii) të kryhet vlerësimi për secilën zonë dhe të parashikohen buxhete me masa të caktuara, sipas rastit, si dhe (iv) të krijohen ekipe të veçanta për fatkeqësitë natyrore dhe të trajnohen”. (Po aty. https://rd.al/2021/08/06/206483/.)

Ajo që rezultoi në realitet, jo vetëm në menaxhimin e zjarreve masive të vitit 2017, por edhe të atyre të këtij muaji, ishte se strukturat e përhershme të Sistemit të Shërbimit të Emergjencave Civile nuk funksionuan si duhet. Madje disa prej tyre nuk janë ngritur fare! Mangësitë kryesore janë:

1. Nuk ka shkëmbim periodik dhe të ndërsjelltë informacioni mes tyre që lidhet me informacione mbi aktivitetin hidrologjik, meteorologjik, etj. Bashkërendimi i dobët sjell përgjigje jo të kënaqshme ndaj situatës së emergjencës, sjell që situatat e emergjencës të trajtohen në momentin kur ndodhemi para faktit, duke kapërcyer fazat e para të veprimtarive që duhet të ndërmerren edhe në kohë normale.

2. Mungon shkëmbimi i të dhënave ndërmjet ministrive të linjës dhe institucioneve të tjera. Sistemi i menaxhimit dhe përgjigjes ndaj fatkeqësive ka mungesë të theksuar strukturash efektive, mungesë personeli e pajisjesh. Të gjitha strukturat nuk kanë koordinimin dhe një kuptim të përbashkët të rolit të tyre. Ato nuk dinë si ndërlidhen detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, çka rezulton në përgjigje të papërshtatshme ndaj emergjencës dhe fatkeqësisë natyrore.

3. Plani Kombëtar për Emergjencat Civile përfshin disa masa për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë, të tilla si krijimi i sistemeve të informimit dhe paralajmërimit të hershëm; vlerësimet e rrezikut nga fatkeqësitë, duke përfshirë zhvillimin e hartave të rrezikut, për shembull, nga përmbytjet, nga zjarret në pyje etj. Ky plan, i cili përbën bazën për menaxhimin e situatave të fatkeqësive natyrore, daton vitin e largët 2004 dhe nuk është përditësuar në koherencë me ndryshimet e reja organizative dhe institucionale që kanë ndodhur.

4. Kapaciteti administrativ, infrastruktura dhe sistemet për paralajmërimin, parandalimin, gatishmërisë dhe reagimin e hershëm janë krejtësisht të papërshtatshme tek ne.

5. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, edhe pse me një personel të shumëfishuar që nga viti 2019, lë shumë për të dëshiruar. Ajo nuk ka një plan veprimi ndërinstitucional me masa konkrete në rastet e emergjencave civile. Nuk ka procedura standarde operacionale në të gjitha nivelet të koordinuara prej saj. Nuk ka informacione lidhur me monitorimin sistematik të rreziqeve që vijnë, si rezultat i përmbytjeve apo fatkeqësive të tjera natyrore.

6. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile nuk ka ndërmarrë masa, që së bashku me strukturat e tjera përgjegjëse, të përditësojnë Planin Kombëtar për Emergjencat Civile, në funksion të ndryshimeve ligjore dhe strukturore. Si pasojë e këtyre ndryshimeve, shumë nga strukturat e parashikuara në këtë Plan, në ditët e sotme nuk funksionojnë ose kanë pësuar ndryshime në funksione.

7. Ndër vite, nga ana e strukturave përgjegjëse qeveritare, nuk janë bërë analiza dhe vlerësime të nivelit të zbatimit të Planit Kombëtar për Emergjencat Civile. Plani nuk është testuar, duke marrë në konsideratë zbatueshmërinë e tij në situatat reale. Për shembull, nuk është bërë një analizë e faktorëve që shkaktojnë zjarret dhe përmbytjet, si dhe nëse këta faktorë janë të përsëritur vit pas viti, apo janë shkaktuar nga faktorë të rinj.

8. Nuk ka mekanizma për matjen e progresit të Planit Kombëtar të Emergjencave Civile. Në asnjë rast nuk janë marrë në analizë faktorë që ndikojnë negativisht në implementimin e tij. Matja e efektivitetit të zbatueshmërisë së këtij Plani do të sillte si rezultat përditësimin e tij, me efekt pozitiv në parandalimin dhe lehtësimin nga situatat e emergjencave civile që do të ndodhin në të ardhmen.

xx

Sistemi i menaxhimit të emergjencave civile në vendin tonë është më shumë i përqëndruar në menaxhimin e situatës pas ndodhjes së fatkeqësive. Ai nuk është një sistem i ndërtuar në mënyrë që të marrë masat e nevojshme dhe t’i kushtojë rëndësinë e duhur fazës së parandalimit. Nuk ka studime në lidhje me masat që duhet të merren në perspektivë afatgjatë, për të forcuar sistemin dhe për të minimizuar rrezikun e fatkeqësive natyrore. Për forcimin e sistemit nuk mjafton që të forcohet apo të mirëfunksionojë një strukturë e caktuar, por shumë më e rëndësishme është të forcohet bashkëpunimi dhe koordinimi midis strukturave. Mungesa e investimeve në fazën e parandalimit dhe gatishmërisë sjell rritje të kostove në fazën e rehabilitimit dhe kompensimit të dëmeve materiale. Sistemi duhet të jetë i aftë të koordinojë aktivitetet e strukturave përgjegjëse lidhur me parandalimin, mbrojtjen, përgatitjen, përgjigjen dhe lehtësimin nga fatkeqësitë natyrore.

Duke ditur faktin që vendi ynë paraqet një nivel të lartë të prekjes nga fatkeqësitë natyrore duhet të ngrihet një sistem efikas për reduktimin e riskut nga fatkeqësitë. Duhet të kalojmë nga një sistem që përgjigjet ndaj emergjencave civile, në një sistem me qasje proaktive ndaj reduktimit të riskut nga fatkeqësitë natyrore. Një buxhet më i madh duhet të vihet në dispozicion të parandalimit dhe gatishmërisë ndaj fatkeqësive natyrore.

Qeveria e Kryeministrit Kiriakos Micotaqis miratoi më 8 gusht, vetëm pak ditë pas zjarreve të para në Greqi, një buxhet gjysmë miliardë euro për përballimin e dëmeve të shkaktuara dhe ripyllëzimin e zonave të dëmtuara (https://www.reuters.com/world/europe/greek-pm-approves-500-mln-euro-budget-wildfire-relief-reforestation-2021-08-09). Një ditë më vonë, pas një mbledhjeje të posaçme të kabinetit qeveritar për situatën me zjarret, Micotaqis bëri publik edhe planin e hollësishëm të dëmshpërblimeve (https://neës.gtp.gr/2021/08/10/relief-measures-for-greeces-fire-victims-announced/). Plani përmbante riparim të shpejtë të dëmeve në shtëpitë, shtyrjen e pagesave, përjashtimet nga taksat dhe subvencione për projektet e rindërtimit dhe restaurimit. Micotaqis deklaroi se qytetarët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan ose u dëmtuan nga zjarret, do të marrin deri në 150,000 euro në ndihmë të strehimit, me një depozitë të menjëhershme prej 20,000 euro, 12,000 euro ose 5,000 euro, në varësi të shkallës së dëmit në shtëpitë e prekura nga zjarret. Ata qytetarë që u dëmtuan, duhet të bëjnë aplikimin përkatës që nga 18 gushti në www.arogi.gov.gr. Për më tepër, shteti grek do të mbulojë 70 për qind të humbjeve për bizneset e prekura nga zjarret, duke vënë në dispozicion menjëherë shumën nga 5,000-22,000 euro, bazuar në humbjet. E njëjta vlen edhe për ndërmarrjet bujqësore, ndërsa fermerët e prekur nga zjarret do të marrin 4,000 euro për të korrat e tyre të dëmtuara.

Ky është reagimi i menjëhershëm i një qeverie të përgjegjshme ndaj qytetarëve të saj. Po qeveria e Sektit Rama, çfarë bëri, përveç njoftimeve-show në internet për masat gjysmake të marra? Nuk po i kërkojmë qeverisë sonë shifrat e dëmshpërblimeve të shtetit grek, por të paktën një plan dëmshpërblimi të menjëhershëm dhe caktimin e disa shumave në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve të prekura, po! Këtë kjo qeveri ua ka për borxh qytetarëve të këtij vendi.

Dhe këtë borxh, deri tani, nuk e ka shlyer. Mos ndoshta Sekti Rama pret një kohë më të përshtatshme, afër ndonjë gare zgjedhore, për të fituar pikë me dhënien e dëmshpërblimeve? Sikurse bëri pak ditë përpara 25 prillit 2021 me dëmshpërblimet për tërmetin?

Përtej papërgjegjshmërisë ekstreme të qeverisë sonë, aplikimi i një qasjeje kombëtare për reduktimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore, do të rriste bashkëpunimin e të gjithë aktorëve, do të lehtësonte koordinimin dhe komunikimin ndërinstitucional në përballimin e fatkeqësive. Vlerësimi i rrezikut, krijimi i hartave të rrezikut nga fatkeqësitë dhe rritja e përdorimit të GIS janë të domosdoshme, për të forcuar menaxhimin e fatkeqësive natyrore në të gjitha fazat e tyre.

Por qeveria e sektit Rama, në mandatin e saj të tretë, mendon për gjithçka në nivel show mediatik dhe arritjesh 3D, por jo për të fuqizuar realisht sistemin tonë të emergjencave civile. Kjo qeveri dhe ky sekt në krye nuk ofron asgjë serioze dhe profesionale për parandalimin dhe menaxhimin e duhur, në rast se ndodhin (ruajna Zot!) fatkeqësi natyrore në të ardhmen. Me të, ne zotërojmë një sistem të emergjencave civile që është vetë në emergjencë, tërësisht i paaftë të parandalojë dhe të reduktojë dëmet, goditjet e verbra të natyrës.