BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Emisione pompoze për 2% të popullsisë… po 98%?!

Emisione pompoze për 2% të popullsisë… po 98%?!

Na mbytën televizionet. Ishte një kohë kur jo vetëm qytetet e kategorisë së parë dhe të dytë, por edhe ata të kategorisë së tretë kishin nga një kanal televiziv, madje u hapën të tillë edhe në nja tre a katër lokalitete. Pastaj lakmia dhe xhelozia bëri që në disa qytete të mëdha kishte nga katër apo pesë stacione televizive. Komplet harem. Atë lajm që një televizion e jepte sot televizionet e tjerë e jepnin me radhë në ditët e javës. U bënë kanalet dhe rrugët e prishura nëpër qytete (sepse nëpër fshatra shkohej vetëm kur kishte aheng dhe kur deputetët takoheshin me elektoratin) si aktorë Hollivudi që rrinin gjithë kohës në ekran. Filloi dhe qarkullimi i shpeshtë i kuadrit në këto televizione. Gazetarë (në fakt duheshin quajtur lajmaxhinjë se vetëm këtë bënin) dhe operatorë (merreshin në punë ata që dalloheshin nëpër dasma, pa asnjë kualifikim profesional) që mbeteshin të pakënaqur me rrogën apo me dhënien me vonesë të saj shkonin në një televizion tjetër dhe pasi i provonin të gjitha dhe shikonin se ishin gati të barabartë, ktheheshin në origjinë. Nuk bëhet fjalë për shumëllojshmëri emisionesh. Vetëm lajme 10 herë në ditë, këngë pa mbarim, ndonjë film shqiptar dhe …kaq. Program pa asnjë logjikë mediatike. Mendo, jepen filma vizatimorë në 2 e 3 të natës. A ka prindër normal të mbajë fëmijët e tij (vetëm ata që i ka marrë uria dhe duan të pinë sisoke) të shikojnë këta filma në mes të natës? Po kanë filluar të firojnë (me shumë dhimbje e pohoj këtë gjë). Ca se nuk kanë me çfarë t’i financojnë e ca se e kuptuan se nuk janë për atë punë, po i mbyllin. Nuk është lajm i gëzuar. Por nga njëra anë më mirë mbyllur se sa pa asnjë sens edukimi apo informimi. Por nuk është problem i madh me median vizive me televizionet lokale. Unë mendoj se problematikë po bëhen edhe ata kombëtarë jo vetëm se shpesh japin lajme të pakonfirmuara apo censurojnë lajme të rëndësishme sepse ashtu marrin porosi nga “i madhi”, por janë bërë të papëlqyeshëm sidomos me emisionet që ata i quajnë argëtuese po në të vërtetë janë ç’edukuese. Pronarët e tyre kanë parim të parë audiencën duke harruar se misioni kryesor i medias është informimi dhe edukimi. Po, po edukimi. Jo ai i para 30 vjetëve, por i kësaj kohe që jetojmë. Por ku janë televizionet tona në të përditshmen e tyre? Ku ta kapësh më parë. Shikoni lajmet kryesore në televizionet qëndrore. Lajmi i parë vrasje, I dyti aksident automobilistik, i treti na nxjerr fytyrat e pështira të politikanëve që tallen me popullin dhe ky i fundit që është më i madh në numër… asgjëkund. Shikoni vëmendjen ndaj filmit shqiptar, atij të viteve të kaluara apo edhe këto të fundit. Mirë që ka televizioni shqiptar nja dy stacione që transmeton këta filma, por televizionet e tjera kombëtare as duan t’ia dinë se ka një të kaluar të ndritur kinematografia shqiptare me profesorë të vërtetë të regjisurës, por edhe me korifenj të aktrimit vetëm kanë rënë në dashuri me aktorë turq që na mbytën me mustaqet e tyre. Padashur të përmend një për një emisione që vetëm edukues nuk janë po përmend faktin se po na serviren emisione që bien ndesh jo vetëm me atë që thamë më lart, por edhe me traditën e shqiptarëve. Marrim psh emisionin e Alketës. Ajo mirë bën me emisionin e vet, ka gjetur sponsor, mbush portofolin e saj plot, ia jep lejen edhe pronari televizionit që nga ana e tij edhe ai fiton, por në thelb qëndron pyetja: Çfarë kërkon të sjellë për shoqërinë shqiptare ky emision? E tha me gjysëm zëri opinionisti i tij Robert Aliaj: “harem”. E tha me gjysmë zëri sepse ai paguhet duke qëndruar në atë karrige ndërkohë që unë që nuk kam asnjë lidhje morale apo ekonomike me të e them me plot gojën: harem i vërtetë. (dhe jam plotësisht i bindur se me zërin tim bashkohen edhe qindra – mijëra shqiptarë të tjerë, të moshës e të rinj). Por i ndryshëm nga ai i historisë osmane. Në haremin osman çoheshin vajzat e bukura dhe njomëzake skllave që kapeshin në shtetet që pushtonte kjo perandori jo me dëshirën e tyre, madje duke bërë ato rezistencë të madhe. Në haremin e Alketës vetafrohen vajza që kërkojnë një të dashur. Në traditën më të mirë shqiptare dhe në moralin tonë edhe dy femra nuk pajtoheshin me njëra – tjetrën kur merrnin vesh se i dashuri i tyre kishte një të dashur tjetër, jo më si në haremin e Alketës dhe Verës ku 20 vajza, publikisht dhe nën shikimin e mijëra njerëzve, si të jenë në një ndeshje futbolli, lajkatohen rreth një djali të vetëm (dhe ky sikur ka përpara nja njëzet pjata me zupa i provon se kush është më e ëmbël). Ku është morali njerëzor këtu kur një mashkull, si i zbritur nga një planet tjetër nduk e puth me radhë këto të vetëafruarat dhe në fund do të zgjedhë vetëm një. Ajo fatlumja do t’i gëzohet artificialisht fitores, por kur të kujtojë se ato buzë që po puth ajo kanë puthur publikisht edhe shumë buzë të tjera padyshim që nuk do të ndihet mire, madje edhe më shumë, mund të ndjejë neveri. Paçka se vetë drejtuesja e emisionit mundohet ta bëjë gjithçka si të natyrshme, gjithkush e kupton se aty lulëzon vetëm artificialiteti dhe edhe dy palë buzë kur puqen bëjnë një sakrificë të madhe, për të mos thënë stërsakrificë. Më tregoni ju lutem vetëm një puthje plot pasion që kanë shkëmbyer partnerët në atë emision, një puthje që ka brenda zjarrin e dashurisë dhe ti bën buzët me gjak dhe unë tërhiqem nga gjithçka kam shkruar më lart. Jam i bindur se vetë Vera (dmth edhe Timo) dhe Alketa nuk do të pranonin kurrsesi të bënin vajzat e tyre pjesë të një programi të tillë. Të njëjtat tone kritike kam edhe për emisionin homolog në televizionin Top Channel, por për të mos rënë në përsëritje po mjaftohem me kaq. Unë nuk kërkoj nga këto televizione dhe të tjerët që t’u rikthehen emisioneve kur vajzat bëheshin traktoriste dhe stërviteshin ushtarakisht për të përballuar armikun imagjinar, por dua emisione që ne prindërit t’i shikojmë pa u skuqur me fëmijët tanë dhe në ekran të shikojmë figura simpatike dhe të punës e t’i bëjmë shembull për këta fëmijë. Sepse jo vetëm këto emisione, por edhe plot të tjera janë për 2% të popullsisë aktuale. Po ne 98% tjetër çfarë të shikojmë? Sepse ndodh që edhe në një emision për të mësuar se si të kujdesesh për një fëmijë të porsalindur thërritet në ekran një zonjë që ka kujdestare fëmijësh paradite e mbasdite madje edhe natën se zonja duhet ta bëjë gjumin pa shqetësime dhe harrohet se këto janë të pakta ndërkohë që nënat e shumta shqiptare copëtohen sa në punë e sa pranë këtyre fëmijëve të vegjël. Nuk them se në këtë rast duhet të filmohet në një fshat të largët ku të tregohet si milet lopa apo punohet toka me parmendë dhe aty është mbrehur gomari ngaqë mungojnë demat që e kanë zanat këtë punë, por shembulli të jetë sa më afër familjeve që nuk jetojnë në luks se këta të fundit janë të pakta në raport me qindra – mijëra familjet shqiptare. Ose shikoni emisionet e gatimit që pasi u çel në një televizion, si sëmundje ngjitëse tani e shikon tek të gjithë ekranet. Tregojnë kuzhina ku nuk mungon asgjë nga asortimentet ushqimore që është mirë t’i ketë çdo kuzhinë dhe po ashtu të gjitha mjetet e nevojshme ndërkohë që shumica e familjeve shqiptare kanë nga një apo dy tiganë e po ashtu nga një apo dy tenxhere dhe më së shumti ziejnë makarona dhe fasule. Unë kurrsesi nuk kërkoj që edhe aty të gatuhet makarona e vetëm fasule, por më modestish të afrojë pranë ekranin masën e madhe të shqiptarëve. Së fundi lemeria e emisioneve që etiketohen si të suksesshme: Jonida Maliqi në vilën e saj në Lalëz, merr në intervistë të ëmën e saj dhe e pyet se kë do ajo më shumë, Jonidën apo të motrën. Më thoni ju lutem, kujt shikuesi i duhet një emision i tillë. Sa vajza shqiptare kanë jetën e Jonidës, lë një burrë e merr një tjetër dhe prapë mbetet në ekran. Le t’u jepet fund këtyre fasadave që s’kanë asgjë të përbashkët me jetën e përditëshme të shqiptarëve. Televizioni është më karikues për shikuesin kur është më afër jetës reale të tij.