Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ëndrra në diell me vërshim të socialistëve në protestat e Monikës

Postuar: 14/04/2019 - 07:39

Zonja Monika Kryemadhi, prej kohësh është kthyer në parashikuesen më të “saktë” të fenomeneve shoqërore, njerëzore e politike. I ka kapërcyer iluzionistët dhe fallxhorët më të njohur të globit. Ajo ka arritur të gjejë kur do vdesin kundërshtarët, nga cila sëmundje, kush do jetë radha e ikjes së tyre nga kjo botë. Kur do t’u iki mendja dhe si do duken pas këtij procesi fizikopsikopatik. Po më shumë se gjithçka, ka arritur të përcaktojë deri në egzaktësi ekstreme se kur do ikë Rama me gjithë ministrat nga pushteti. Kur do mbetet bosh karrigia kryeministrore në pritje të Monikës për ta bërë tri polare sundimin mbi Republikën, nga Qeveria tek Presidenca në Kuvendin e Shqipërisë.

Nuk ka takim në çdo qytet, fshat apo lagje nga skaji në skaj të vendit, ku organizon takime me strukturat partiake apo rinore, inspektime apo kontakte me fermerë, barinj, peshkatarë, të rinj, studentë, të mos deklarojë se radhët e LSI-së do mbushen me socialistë, pasi nuk e pranojnë “Rilindjen”, e cila i ka mërzitur dhe u ka humbur perspektivën e të ardhmes. Sipas horoskopit partiak, “Rilindja” nuk përfaqëson asnjë nga idealet e tyre majtiste. Pikërisht si ndëshkim për shkeljen e parimeve dhe normave të kushtetutës së partisë do braktisin mazhorancën e do t’i bashkohen LSI-së për faktin se ajo mendon ditë-natë dhe nuk e zë gjumi për njerëzit në nevojë për ata që kanë themeluar të majtën në Shqipëri, për djemtë e vajzat që nuk mund të bien kurrsesi dakord me politikat banditeske të kësaj qeverie, siç akuzon opozita. Socialistët e ndershëm nuk mund të bëhen ortakë me krimin dhe korrupsionin. Në projektimin e të ardhmes politike, sipas analizës së Kryemadhit, mazhorancës do t’i mbeten vetëm ca militantë dhe bashkëortakë të krimit dhe oligarkëve. Shkurt, mazhoranca do zhvishet tërësisht nga individët e ndershëm dhe të gjithë do i bashkohen, si një trup i vetëm LSI-së, e cila sipas pretendimit të lideres së saj mbetet e vetmja forcë progresiste dhe antikorrupsion në vendin tonë?! Dhe kur e thotë Kryemadhi, kjo do të ndodhë patjetër. Deri tani asgjë nga ato që ka deklaruar nuk i ka shkuar huq apo jo? Kujtoni sa e saktë ishte për fitoren e qershorit 2017, kur para zgjedhjeve na u dha sihariqi i madh se edhe pak, fare pak, punë orësh, Petrit Vasili do ishte kryeministri i së ardhmes.

Po le ta lëmë qershorin e 2017 se për të gjithë është e njohur ajo që ndodhi dhe dihet rezultati i LSI-së. Jo vetëm nuk u ngjit, po zbriti në opozitë. Në vijim, në javët e muajt që kalonin njëri pas tjetrit, Monika shumë herë shpalli fundin e mazhorancës, si dhe ngecjen e reformave të rëndësishme, veçanërisht asaj në drejtësi. Me entuziazëm shpalli dështimin e negociatave për rrugëtimin e Shqipërisë në BE për faj të qeverisë. Jo të PD-LSI-së. Ishte pikërisht kjo reformë, njera nga arsyet madhore që së bashku me frontin opozitar u largua nga Kuvendi. Në emër të bllokimit të kësaj reforme u dogjën mandatet. Për këtë dolën në rrugë në protesta të dhunshme. Po dhuna nuk nisi në rrugë. Salla e kuvendit, ishte inkubatori i parë, ku u demonstruan të gjitha strategjitë opozitare, ku në vend të parë qëndron ish deputetja Kryemadhi. Lufta më e ashpër u bë dhe bëhet me reformën në drejtësi. E tërë përpjekja u përqendrua në betejën për ta delegjitimuar këtë reformë, për të penguar miratimin e ligjeve të domosdoshme për t’u bërë funksionale. E përfshirë personalisht në këtë luftë arriti jo në pak raste të bllokojë ligjet që kërkonin konsensusin e opozitës. Shumë mund investoi për të bërë të besueshme idenë se kjo reformë ishte alla shqiptare dhe jo një investim serioz i SHBA dhe BE, po nismë nga qeveria që po kapte drejtësinë, duke deleguar në organet e prokurorisë dhe gjyqësorit njerëzit e vet. Se sa e ka kapur qeveria reformën në drejtësi, këtë e tregon më së miri largimi pa mëshirë, pa pyetur për biografi as për prejardhje dhe lidhje familjare apo politike të shumë prej atyre që ishin zotër të plotfuqishëm, të cilët me një vendim të vinin ose ta hiqnin litarin, të dërgonin pas hekurave dhe t’i hidhnin çelësat në pus, ose të fusnin nga dera e të nxirrnin nga penxherja. Të gjithë kemi parë si gjyqtarë e prokurorë nuk justifikojnë as pasuritë e deklaruara, le më ato të kamufluara. Dhe ky lexim nuk ka nevojë për asnjë interpretim dhe është përgjigja më e mirë se sa pak ndikim kanë komisionet e vettingut nga partitë politike, aq më tepër nga ajo në mazhorancë. Kështu bie një alibi e madhe që llogaritet si katalizator për shtimin e urrejtjes brenda familjes së mazhorancës. Në këtë mënyrë, alibia e zonjës Monika thërrmohet si qelqi mbi gurë. Përpjekja për ta paraqitur protestën pas fshikullimeve të njëpasnjëshme të faktorit ndërkombëtar dhe rënies së pjesëmarrjes dhe ndërgjegjësimit të pjesëmarrësve se kjo nuk është rruga për të ardhur në pushtet si dhe braktisja e urdhërit të LSI-së dhe PD për dorëzimin e mandateve nga listat e deputetëve, ku dalëngadalë kolltuqet e parlamentit plotësohen nga deputetët e rinj e kanë detyruar kryelësësiten të flasi “kodra pas bregut”, duke e paraqitur situatën si në pikën e vlimit dhe sikur është hera e parë e protestës kombëtare në një kohë kur gjatë tre muajve ato janë bërë permanente dhe kanë pasur të njejtin përfundim. Eja grumbullohu, hidh gurë e bojë mbi institucione dhe ik. Dhe sigurisht këtë fat do të ketë edhe 13 prilli.

Fitorja e pushtetit me dhunë mbetet një iluzion që kërkon t`ua injektojë lidershipi opozitar militantëve, të cilët duhen mbajtur të karikuar dhe me shpresën se fitorja është afër. Edhe një militant periferik të pyesësh dhe një të ri që sapo ka hyrë në politikë e kupton se deklaratat e Monikës për vërshim të socialistëve drejt LSI-së dhe pushtet në tavolinë aq më tepër sot pas deklaratave të SHBA nëpërmjet Zv/Ndihmës Sekretarit Palmer, ku u bë fare e qartë se qeveria është legjitime po kështu edhe Parlamenti, e bëjnë thirrjen e Kryemadhit pa vlerë dhe thjeshtë manovër politike. Po Monika, sihariqin me protestues socialistë e llogarit edhe si një miklim për militantët, dhënie zemër të lëkundurve, nxitje, vënie në sedër të të vetëve. Kjo thirrje është kurajo për ata që janë mërzitur me ecejaket në Tiranë. Socialistët nuk i lidh asgjë me Monikën. Dikur po. Sot jo! Ata e njohin shumë mirë dhe e dinë sa kontribuese ka qenë edhe gjatë koalicionit të majtë 2013-1017. E dinë sa pragmatiste është udhëheqësja e kësaj force politike dhe përse bëhen thirrje pa fund për të tërhequr socialistët në aksionin opozitar. Mundet që socialistë të veçantë të kenë shumë pakënaqësi me partinë e tyre dhe qeverinë. Me kryeministrin dhe ministrat. Me shërbimet dhe mirëqenien. Dhe kjo është e natyrshme. E kundërta do ishte e pavërtetë. Po dihet se këta socialistë, veçanërisht ata që janë kritikë me partinë e tyre që flasin hapur për dobësitë dhe tregojnë ku çalojnë punët, janë socialistët realë. Me të ndikuarit ndaj thirrjeve të Monikës mund të jetë ndonjë ofiqar

i mësuar me karrige tërë jetën, individ që ushqehet me pagën e shtetit dhe do të mbrojë postin se socialistët e ndershëm kurrë nuk i kanë kthyer shpinën partisë së tyre. Socialistët janë në gjendje të bëjnë diferencën mes asaj që u premtohet dhe punës që bëhet në interes të tyre dhe vendit. Ata nuk mund të bien pre e këngëve të sirenave që duan t’i tërheqin drejt aventurave në një beteje, që nuk është e tyre. Janë plotësisht të aftë të kuptojnë ku ishim. Ç`është bërë dhe ku janë dobësitë. Dhe për këtë nuk u nevojitet as protesta as pjesëmarrja në të.

Zhurma që bëhet për mbështetje të socialistëve, është e vazhdueshme dhe nuk ndalet asnjëherë. Mjafton që dikush nga radhët e deputetëve socialistë apo ndonjë ish ministër që kritikon qeverinë apo ka një mendim ndryshe të shpallet menjëherë si mbështetës i kauzës opozitare. Se si socialistët do dëgjojnë zërat që kërkojnë t’i joshin me premtime dhe broçkulla të braktisin ata që kanë zgjedhur, kjo është një çudi që vetëm një partiake e çartur mund ta imagjinojë, aq më pak ta deklarojë si një të vërtetë absolute. Si LSI, edhe PD nuk kanë arritur të nxjerrin nga indiferenca qytetarët që janë rreth Kryeministrisë dhe Kuvendit, njerëzit e tyre së pari. Dhe kërkojnë me qiri se mos gjejnë ndonjë socialist, që ta ngjitin në podium për të kumtuar idenë se ja edhe socialistët u braktisin. Në politikën e opozitës, dhe ndryshimin e versioneve për rrëzimin e qeverisë, marrjen e pushtetit jo me zgjedhje, liderët që e trumbetojnë me të madhe, janë bërë të pabesueshëm. Sa më shumë, aq më pak ushtarë u mbeten për t’i mbështetur. Kryemadhi, edhe ndryshimin e orës së protestës kërkon ta paraqesi për shkaqe objektive. Në realitet, kjo protesta natën ka brenda saj shumë enigma. Në të, kapuçët e zinj edhe mund të mos vihen, se maskimin e bën nata. Po kështu natën, militantët nuk mund të ikin. Zgjatet rrethimi i Kryeministrisë. Hedhësit e dinamitit dhe molotovëve, shigjetarët e harkëtarët nuk evidentohen dhe nuk mund të fiksohen nga kamerat. Po ora është edhe një kopje nga revoltat e fqinjëve. Edhe ata dalin natën. Sa për vapën që deklaron Monika, ende bën freskët dhe zgjedhja në orët e vona është një harmonizim i brendshëm, po edhe i jashtëm. Është rakordim kombëtar e ndërkombëtar. Besimi i Kryemadhit për socialistët në protestë për të përmbysur vetveten, bëhet edhe më qesharak, kur vetë të zgjedhurit e Kryemadhit dhe deputetë të LSI-së mbushin sallën e Kuvendit. LSI-së po i ikin të vetët dhe mburret se do u bashkohen socialistët. Kësaj i thonë t’i bësh llogaritë pa hanxhinj, ose të shohësh ëndrra në diell.

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/06/2019 - 23:55

Dekretimi, çdekretimi dhe sërish dekretimi i datës së zgjedhjeve, çdo ditë e më shumë po kthehen në një melodi tallavaje të cilat të japin ndjesinë e një  miksazhi erë qoftesh, bërxol

Postuar: 15/06/2019 - 07:15

Ka një dallim esencial midis protestave qytetare, lëvizjeve popullore nga protestat e turmave, të

Postuar: 15/06/2019 - 07:14

Për një kohë jo të shkurtër, Shqipëria kishte dy parlamente.

Postuar: 15/06/2019 - 07:12

Frika dhe interesi janë dy forca që i bashkojnë njerëzit.

Postuar: 14/06/2019 - 07:22

Është një plan i hollë, i detajuar me imtësinë më të madhe, i cili parashikon destabilizimin e Sh

Postuar: 14/06/2019 - 07:21

Një nga marrëzitë më emblematike dhe më të dëmshme që i është imponuar shoqërisë shqiptare nga fi

Postuar: 14/06/2019 - 07:19

(Shqiptari dhe pushka)