BREAKING NEWS

Gjykata e Posaçme merr vendimin final, dënon me burg ish-gjyqtarin e njohur Luan Dacin

Gjykata e Posaçme merr vendimin final, dënon me burg ish-gjyqtarin e
x

Opinion / Editorial

Entuziazëm pa kufi në LSI, më shumë votues se popullsi!

Entuziazëm pa kufi në LSI, më shumë votues se popullsi!

Në një video, publikuar, ku kryetarja dhe zëvendësi i LSI, Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili të përfshirë nga entuziazmi dhe hareja e pakufishme përveç tiganisjes së Edi Ramës në 25 prill, ku për ata tha ai ka marrë fund, është punë mbaruar pasi kujtojnë timonin, tepsinë, bakllavanë, revaninë që të jep pushteti, habitën gjithë shqiptarët me deklaratën jo vetëm surprizë po edhe hiperbolike: Jo një milion, po fiks tre milionë vota do ta dërgojnë për skrap Edi Ramën. Tre milionë, mbajeni mend! U themi ne dhe pikë! Nuk është fjala me sa do mundet Edi Rama as pse këtë e thotë udhëheqja e partisë në koalicion me PD-në e Lulzim Bashës. Është në të drejtën e opozitës të bëjë llogari, të shpalli fitoren, të caktojë kryeministrin e ri çdo ditë sipas preferencave edhe pse duhet pritur së paku si kohë fizike, shtatë muaj nga 25 prilli. Do vijë edhe dita e provimit para popullit. Dita ku shqiptarët do iu drejtohen kutive të votimit për të lidhur kontratën për katër vitet e ardhshme. Po ajo që harrohet është fjala e popullit se e vendos sovrani se cilës forcë politike do t`i besohet të drejtojë Shqipërinë. Deri atë ditë do rrjedhin shumë ujëra, do kemi zhvillime, surpriza, ulje ngritje, të cilat do qartësojnë shumë më mirë nga do fryjë era e fitores dhe cila forcë politike do marrë kurorën e vendit të parë. Tani të gjithë vetëshpallen fitues. Secila forcë politike pa asnjë përjashtim, parti të mëdha minore, të paregjistruara ende në librat e gjykatave vetëshpallen në vend të parë. Secila me numrin më të madh të deputetëve. Të gjithë me numra maksimalë. Deklarojnë fitoren partitë që lindën bashkë me pluralizmin politik, tri dekada më parë, partitë fringo të reja sapo krijuara. Në realitet nuk është përcaktues jetëgjatësia. Tradita në Shqipëri së paku deri tani ka treguar se nuk ka ndryshme të befta dhe dalje në skenë të forcave të reja, të cilat të shkaktojnë ndryshme radikale si në vendet me demokraci të zhvilluar që ndryshojnë elitat dhe zgjedhin të drejtohen nga forca progresiste që lindin nga gjiri i tyre siç ndodh në jo pak shtete pranë dhe larg nesh. Tek ne partitë mburren për të qenë forca të para. Pa përjashtim të gjitha partitë. Bile edhe individë të veçantë deklarojnë se do fitojnë, do marrin shumë deputetë, do jenë faktorë përcaktues të qeverisjes së ardhshme. Të gjithë në garë për të qenë të parët. I vetmi që nuk flet është sovrani. Populli hesht dhe shënon. Kujton dhe gjykon. Nuk harron as kalanderët e djeshëm as të sotmit. Nuk i fshin nga kujtesa ata që i kanë vrarë e prerë i kanë vjedhur e shkatërruar. Edhe pse sot mbahen si të super pastruar. Populli me verdikt, me votë. Populli mban shënim. Memorizon bëmat e secilit dhe qesh me tërë këtë furi e entuziazëm që ka shpërthyer tek gjithë precedentët për t’u kurorëzuar në prillin e vitit 2021. Si gjithë këto vite në opozitë pas divorcit me PS dhe drejtimit të gjysmës së qeverisë nga LSI, drejtuesit e saj, janë si më të paduruarit, të nxituarit më të bindurit se do jenë forca e parë ose siç kanë thënë në 2017, forca e paparë. Entuziazmi që ka shpërthyer në udhëheqjen e LSI-së të bën përshtypje një fakt që ndoshta nuk është një lapsus ose nuk arrijmë ne individët e zakonshëm, këtu poshtë në periferi që dimë të bëjmë llogari dhe jemi vetëm numra që presim të marrim urdhëra si dhe për cilin të votojmë. Në një zë, dy krerët më të lartë të LSI-së edhe pse ishin të zënë me gatimin dhe tiganin, deklaruan në videon që shfaqën, me humor të zi kur na thonë se: Kryeministri do marrë tre milionë shuplaka. Pra tre milionë vota kundër në prill 2021. Dhe e këtë deklaratë entuziaste e shoqëruan në sfond me gastronomi, po ne që jetojmë në jug të vendit nuk kemi shumë haber nga gastronomia nuk e njohim këtë lloj bifteku apo byreku që LSI do pjekë kryeministrin. Të presim apo të shfletojmë fjalorin për të gjetur llojin e këtij gatimi për ta futur në menu në vitet që vijnë?! Ajo që të mbetet në kujtesë nga euforia e kryesuesve të LSI-së, është jo gatimi as tigani, as tepsia, as kuzhina, po numri i votave kundër Ramës. Fiks tre milionë. Tak-fap, siç thanë dy liderët e LSI-së. Me sa dimë nga listat zgjedhore të viteve të shkuara gjithë-gjithë, votuesit janë atje tek dy milionë. Vetë popullsia jonë në këta 28 kilometër katrorë është tkurrur në tre milionë. Pavarësisht nga numrat në listat e votimit as gjysma nuk gjenden në Shqipëri pasi janë larguar me kohë në shtetet e tjera, ku jo pak prej tyre janë bërë edhe shtetas dhe votojnë atje ku jetojnë. Kështu si do ta bësh llogarinë, votuesit janë aty tek një milionë e gjysmë, ja një e tetëqind mijë. Po deri në tre milionë duhen edhe një milionë e dyqind mijë. Ku do gjenden tërë këta votues të plotësohet numri tre milionë vota kundër Ramës? Llogaria nuk del nga çdo anë ta kapësh. Sepse shifrat janë kokëforta dhe nuk janë baras me entuziazmin dhe dëshirat për të shtuar fiktivisht vota në kutitë e votimit. Nuk besojmë se bëhet ndonjë llogari për votim të atyre që nuk gjenden në Shqipëri apo emigrantët apo të vërshojnë këtu shtetasit e rinj kosovarë apo shqiptarë të M.V?! Me sa duket edhe në këto zgjedhjet e pritshme nuk do të votojnë mijëra emigrantët tanë. Mund të bëjnë mbledhje numrash Monika dhe Vasili. Të shtosh. Të zbresin. Të shumëzojnë apo pjesëtojnë po kurrë nuk të bëhet shifra tre milionë vota, ashtu fët e fët siç do Monika. Në një kohë kur në vendin tonë jetojmë as më shumë e as më pak nga të sapolindurit deri në njëqind vjeçarët afro tre milionë, sikur të gjithë të votonin nuk do arrinim shifrën tre milionë vota kundër Edi Ramës. Entuziazmi dhe dëshira është shumë larg të vërtetës. Tre milionë vota i bie që zonja Monika edhe zoti Vasili të flasin për shifra astronomike, të cilat asnjëherë nuk shkojnë në këto shifra edhe kur bëjnë shaka, humor apo fantazi. Do dëshiroja të kishim tre pse jo katër milionë votues. Të votonin tërë ata që sot janë shpërndarë në të pestë kontinentet e globit. Po kjo është e pamundur dhe nuk realizohet as me ligj as me marrëveshje apo nga dëshira e mirë aq më pak nga entuziazmi i shtirë. Pretendimi për tre milionë vota është goxha i fryrë, hiperbolik, i paarritshëm. Të bësh llogari në politikë duhet pak realizëm. Duke përjashtuar nga videoja atë të fërgesës në tigan, duke analizuar shifrat e votave që deklaron Monika me Vasilin del të kemi më shumë votues se popullsi dhe kjo nuk mund të bëjë vaki as në Shqipëri as në realitet as me magji as me lexim filxhani. Shqipëria ka numër të përcaktuar votuesish. Ky numër nuk është se shtohet as pakësohet me vendim partie. Tre milionë votues, tre milionë vota kundër Ramës edhe kur e deklaron LSI iu lutem mos e besoni! Edhe humori i zi dhe entuziazëm pa kufi. Do ishte mrekulli po nuk bind asnjë njeri se në Shqipëri do kemi më shumë votues se popullsi siç na thotë LSI!