Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Epoka e zezë e tranzicionit, pasqyrë reflektimi për politikën e azdisur

Epoka e zezë e tranzicionit, pasqyrë reflektimi për

Pa u konturuar dhe miratuar reforma zgjedhore, politika dhe mediat pranë tyre që vuajnë varfërinë informative, kanë marrë lapsat dhe bëjnë llogaritë se kush do jetë fituesi i zgjedhjeve të ardhshme. Kjo filozofi që na ka dominuar gjatë kësaj epoke transitive, është bërë pjesë e moralit politik dhe shoqëror në Shqipëri, aq sa askush nuk merret me strategjinë e përballimit të emergjencave kombëtare. Askush nuk merret me ndërtim programesh për të lehtësuar krizën ekonomiko-financiare, që po rëndon aq shumë mbi jetën e qytetarëve, ashtu siç po mendojnë dhe veprojnë edhe vendet e tjera që po vuajnë katastrofën e pandemisë. Asnjë shoqëri demokratike nuk mund të bëjë përpara, pa strategji zhvillimi, pa transparencën e memories kolektive, si mbështetje mbi parimet universale të demokracisë, që mbajnë në ekuilibër moralin brenda saj. Po a mendon kështu klasa politike në Shqipëri? Kurrsesi jo, sepse i vetmi preokupim i saj janë zgjedhjet politike, është pushteti dhe hakmarrja ndaj kundërshtarëve, duke harruar se e gjithë epoka transitive që ka lënë pas, është një dosje e zezë, ku përgjegjësia e politikës është e përbashkët. Po a është kjo epokë që po lëmë pas, një provë morali për politikën e të dy krahëve? Sigurisht që po. Sepse brenda këtij morali të saj, kanë bërë vend një seri elementësh anti-demokraci që na çuan në kriminalizimin e shoqërisë. Kjo epokë ka qënë një provë morali për politikën, që nuk u shqua kurrë për transparencë, për sinqeritet, për qasje të guximshme në zgjidhjen e problemeve jetike për qytetarët. Ajo nuk pati kurajo burrërore, intelektuale e juridike, për të kërkuar dhe ndëshkuar të gjithë të inkriminuarit brenda saj, që vazhdojnë të bëjnë moral e të kërkojnë pa pikë turpi ardhjen në pushtet. Për çfarë duhet të vijnë në pushtet, protagonistët e krimeve shtetërore, politike dhe ekonomike? Si mund të harrojnë shqiptarët tragjeditë e ndodhura në Shqipëri, pa u ndëshkuar askush nga përgjegjësit kryesorë që drejtuan parti e shtet? Si mund të harrojnë shqiptarët e të votojnë ata politikanë, që kanë spekuluar më interesat kombëtare, duke shitur det, troje, duke kthyer në prona greke me ligjin 7501 tokat dhënë minoritarëve në zonat e jugut, Dropull i sipërm e Dhivër, duke mohuar çështjen çame, duke mbajtur lidhje me lobistin anti-shqiptar, simbol të "Vorio Epirit", si Nikolas Geixh. Një tjetër lidhje që e kompromenton emrin e PD, janë lidhjet me trafikantë të mafies ndërkombëtare si Damir Fazlic, miku i familjes Berisha, të cilit i vuri nën kontroll sistemin e ndërtimit të TECE-ve. Për ta nderuar edhe më shumë mikun e tij lideri historik i PD Saliu, e emëroi atë antar të Këshillit kombëtar të Sigurisë, me të drejta të plota për të marrë informacion nga kjo strukturë. Ç' patriotizëm dhe dashuri për vendin e tyre, kanë treguar politikanët tanë gjatë kësaj epoke të zezë. Po si mund të mohojnë ata zhdukjen e 240 milionë eurove të Rrugës së Kombit, lobimet me mafien ndërkombëtare SHBA-Belize-Skoci të Lulzim Bashës, aferat korruptive dhe lëvizjet e shumave të mëdha të parave Lindje-Perëndim të Ilir Metës, pa lënë mënjanë mbylljen e turpshme të çështjes CEZ, nga drejtësia e papërgjegjshme etj. Duke u nisur nga këto e të tjera ngjarje që u pushtuan nga uniteti i masës, të këtyre protagonistëve të mentalitetit demonian, përpara qytetarëve shqiptarë dalin një seri pyetjesh, që kërkuesit e votave i nxjerrin zbuluar. Përse këto parti politike gjatë epokës transitive, nuk mundën të ndërtojnë marrdhënie demokratike bashkëpunimi e bashkëveprimi për interesat e vendit? A janë ato dhunuese të votës që ndërtuan një sistem proporcional kompromentuese, për interesat e tyre në garën e zaptimit të pushtetit? Përse nuk u dhanë përparësi zhvillimeve ekonomike dhe rritjen e standardeve? Përse nuk i kushtuan vëmendjen e duhur infrastrukturës, nga më të prapambeturat në rajon? Përse mbahen peng dy gjykatat kryesore të drejtësisë, si Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese? Përse nuk u ndëshkuan protagonistët e krimit shtetëror, politik dhe ekonomik në Shqipëri sipas përvojës së Gjermanisë Lindore, Kroacisë e Rumanisë? Por tani nuk ka mbetur gjë tjetër, përveçse presidenti duhet t'i dekorojë kriminelët dhe hajdutët, si njerëzit më të "nderuar" në Shqipëri. Për këto e të tjera ndodhi gjatë kësaj epoke, ku ka munguar plotësisht kualiteti demokratik i shndërruar në farsë, përgjegjëse kryesore janë partitë politike. Këto parti të paktën duhet të kishin ndjekur shembullin e simotrave të tyre të vendeve ish-socialiste, si në Gjermaninë Lindore, Çeki, Poloni etj, që u ndanë nga e kaluara dhe i futën vendet e tyre në rrugën e progresit demokratik. Dikush mund të thotë se ato kanë qënë në kushte më të favorshme se sa Shqipëria. Po është më se e vërtetë, sepse ato nuk e përjetuan në mënyrë drastike izolimin. Nuk pranuan kolektivizimin famëkeq, që solli mjerim dhe varfëri ekstreme në Shqipëri, që për pasojnë po e vuajmë edhe në kushtet e sotme. Ato ishin vende të industrializuara, që kishin kulturë dhe përvojën e demokracive para vendosjes së regjimeve të imponuara komuniste. Në vitet ‘50-‘60 të shek. të kaluar, në këto vende filluan proceset e destabilizimit dhe rehabilitimit të disidentëve që mendonin ndryshe, gjë që në Shqipëri nuk mund të bëhej fjalë. Këto vende kishin bërë përparime, në fushën e të drejtave të njeriut, sepse u përfshinë në proceset e KSBE, ku Shqipëria ishte i vetmi vend që nuk merrte pjesë. Të gjitha vendet që ishin pushtuar nga Rusia, u ndikuan nga "Perestrojka"që i çoi në liberalizimin e ekonomisë. Në Shqipërinë e izoluar nuk pati emigrim, mungonte disidenca politike e mendimit ndryshe, si dhe nuk pati lëvizje sindikaliste si në Poloni e gjetkë, që u bënë busulla të lëvizjeve demokratike. Në Shqipëri u privua me ligj e drejta e besimit, sepse institucionet e religjioneve fetare u mbyllën në vitin 1967. Ajo që kishte rënduar më shumë shoqërinë shqiptare ishte lufta e klasave, ku kundërshtarët politikë u trajtuan në mënyrë çnjerëzore, ku për pasojë solli trauma shoqërore të pariparueshme. E megjithatë partitë që erdhën në pushtet pas dramës së komunizmit, nuk nxorën asnjë mësim nga e kaluara, por nxitën dhe ushqyen hakmarrjen politike dhe urrejtjen patologjike, që për pasojë po e demonstrojnë edhe sot. Përfaqësues të këtij negativizmi u bënë drejtuesit e partive dhe shtetit duke filluar nga Berisha, Meta, Basha e Rama. Arbitrariteti i tyre u kamuflua me propagandën anti-komuniste, me ngjyra nacionaliste, për t'u bërë të besueshëm nga ndjekësit fanatikë. Ky arbitraritet për të cilin ata mendojnë se janë të pakapshëm dhe të pandëshkueshëm, i ka kthyer në rrënoja teknokratike, larg mendimit qytetar dhe ndryshimeve demokratike. Kjo provë morali e tyre që karakterizoi këtë epokë, do të marrë fund me zgjedhjet e ardhshme, për të sjellë në drejtim njerëz vizionarë, me privacione dhe angazhime serioze në rritjen e standardeve ekonomike e social-shoqërore.