BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Epoka KLSH janar 2012-qershor 2020

Epoka KLSH janar 2012-qershor 2020

Në janar 2012, në korridoret e ngushta dhe të errta të katit të tretë të godinës së ish-Komitetit Qendror nga përballë (në atë kohë mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit) zhvilloheshin analizat vjetore të departamenteve të kontrollit (auditimit). Për herë të parë në këto analiza ishin të ftuar gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Gazetarët shihnin me kërshëri derën e madhe prej hekuri ku hynë në katin e katërt, si dhe korridoret e ngushta, ku ishin vënë rresht karrige për të ulur pjesëmarrësit në këto takime. Në prani të gazetarëve, kontrollorët e shtetit diskutonin disi të ndrojtur për problemet e tyre, duke parë herë gazetarët e herë njëri-tjetrin. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë. Kryetari i ri i KLSH (i sapozgjedhur në detyrë) u jepte zemër të flisnin hapur. Që nga ajo kohë, ky institucion i shtetit shqiptar, historikisht ndër më të mbyllurit dhe enigmatikët, ka folur gjithnjë hapur. KLSH, edhe pse një nga institucionet shtetërore më të rëndësishme në vend, me ardhjen e demokracisë në vitin 1991 e deri në dhjetor 2011, kishte patur pak ose asfare vizionin për të konsideruar median dhe transparencën me publikun si aleatë të tij. Madje aleatë themelorë. Në pjesën më të madhe të këtyre dy dekadave, zyra e kontrollit më të lartë shtetëror u shërbeu mazhorancave që u alternuan, ose, në rastin më të mirë, nuk u ndesh me to. Përmes 86 viteve të ekzistencës së tij (KLSH është themeluar në vitin 1925), deri në dhjetor 2011, institucioni trashëgoi vetëm 4 ose pesë kontrollorë në vitin 2011, që kishin dëgjuar apo dinin diçka për standardet ndërkombëtare të auditimit më të lartë publik, ISSAI-t. Brenda një viti, vitit 2012, kryetari i ri arriti të realizonte 25 ditë trajnimi në vit për çdo kontrollor/auditues të institucionit. Në trajnime brenda dhe jashtë vendit. Për herë të parë në jetën e tyre, auditues me 25 dhe 30 vite eksperiencë, dilnin jashtë shtetit dhe takonin kolegë auditues të institucioneve të zhvilluara të auditimit publik të Europës. Dijet për auditimin, që nga ditët e para të 2012-ës, u shndërruan në lajtmotivin e institucionit, në asetin më të rëndësishëm dhe krenarinë e KLSH-së. Kolana e librave dhe manualeve të KLSH, nga 11 tituj të periudhës 1991-2011, u pasurua në këto tetë vite, 2012-2019 me 109 tituj të rinj. Këta tituj janë libra për auditimin, për standardet ndërkombëtare ISSAI, për institucionet moderne të auditimit në Europë e më gjerë, manuale të llojeve të ndryshme të auditimit publik, raporte performance e përmbledhje analizash auditimi, përmbledhje kumtesash nga të 6 konferencat vjetore ndërkombëtare shkencore të institucionit, libra të historikut të KLSH, etj. Në këto tetë vite, KLSH i kërkoi Kuvendit të vendoste me ligj një tavan me 60% të Produktit të Brendshëm Publik për borxhin publik. Ishte institucioni i parë në vitin 2012 që foli për riskun e detyrimeve të prapambetura dhe kërkoi shlyerjen e menjëhershme të tyre. Kërkoi për shtatë vite rresht përgatitjen dhe miratimin nga Parlamenti të Ligjit mbi Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik, që do shërbente si një digë e madhe kundër abuzimeve dhe korrupsionit. Kërkoi hartimin e një buxheti realist dhe të besueshëm dhe, sidomos në dy vitet e fundit, mos deformimin e treguesve kryesorë të tij, si deficiti vjetor dhe borxhi publik. Një institucion auditimi suprem publik, për shkak të natyrës së punës së tij, është gjithnjë mes tallazeve të politikës dhe përpjekjeve të saj për ndërhyrje. Në këtë periudhë 2012-2020, asnjë auditues i institucionit nuk është ndjerë i shantazhuar apo i pambrojtur nga institucioni dhe nga kryetari, gjatë ushtrimit të detyrës së vet. Kryetari ka përballuar çdo presion politik mbi punën e institucionit më të lartë kushtetues të kontrollit. Sidomos sfidues ka qenë viti 2014, kur segmente të caktuara të politikës u përpoqën të denatyronin karakterin thellësisht reformues dhe progresiv të projektligjit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, i cili ishte në përputhje të plotë me standardet ISSAI, të vërtetuar dhe nga SIGMA dhe DG-Budget (Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit e Komisionit Europian) në Bruksel. Qasja e institucionit më të lartë të Auditimit të Shtetit në vitet 2012-2019, e bazuar në Kushtetutën e vendit, në ligjin bazë të institucionit të vitit 2014, në Standardet Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI-t, në Rezolutat e OKB-së për institucionet supreme të auditimit dhe në Rezolutat e Kuvendit, ishte dhe mbeti modernizimi i institucionit në punën audituese, si dhe thellimi i transparencës dhe llogaridhënies. Nga të 1242 auditimet e kryera për periudhën janar 2012-mars 2020, KLSH ka identifikuar mungesë përgjegjshmërie nga titullarët e institucioneve publike të çdo niveli, mosnjohje të kërkesave të ligjit të menaxhimit financiar, nivele të ulta dhe ineficiencë të sistemeve të kontrollit të brendshëm, duke krijuar risqe për shpenzime jo në përputhje me kërkesat ligjore dhe efektivitet të ulët në shpenzimin e fondeve buxhetore. Çdo raport auditimi është lexuar, konspektuar me shënime përbri dhe ripunuar nga kryetari i institucionit. Të shumtë mund ta kenë të vështirë për ta besuar, por në tetë vite, Kryetari i KLSH ka lexuar mesatarisht 150-200 faqe raporte auditimi në ditë, përveç korrespondencës së përditshme dhe raporteve të njësive ndihmuese në institucion. KLSH ka zbuluar një dëm ekonomik mbi 1.2 miliardë euro në këto vite, si dhe praktika dhe vendim-marrje institucionale me efekte negative në fondet publike mbi 2.1 miliardë euro. Në tetë vite 2012-2019, KLSH ka kryer 340 kallëzime penale ose mesatarisht një kallzim penal në javë, duke vënë përpara përgjegjësisë për shkeljet e kryera dhe dëmin ndaj fondeve dhe pronës së të gjithëve rreth një mijë nëpunës të lartë, të mesëm dhe të ulët të administratës shtetërore. Nga ministra e sekretarë të përgjithshëm ministrish, tek drejtues drejtorish, përgjegjës sektorësh, ekspertë e punonjës të thjeshtë. Nuk mund të jesh shërbestar i denjë për qytetarin, pa u vetuar (kontrolluar) në nivel të mungesës së konfliktit të interesit dhe integritetit. KLSH renditet ndër të parat institucione supreme të auditimit (SAI) që në mënyrë vullnetare, që nga viti 2014 ka adoptuar metodologjinë e vetëvlerësimit të integritetit (INTOSAIT), e konsideruar si një nga metodat inovative dhe të efektshme, me impakt në zhvillimin e politikave të integritetit. Me nismën e kryetarit, institucioni ka ndërtuar partneritet real me shoqërinë civile aktive në luftën për transparencë dhe kundër korrupsionit në vend, me botën akademike, me universitet publike, si dhe me institucionet simotra europiane. KLSH dha kontributin e tij modest në hartimin e draftit të ri të standardit ISSAI 30 “Kodi i Etikës”, i cili u miratua në Kongresin e XXII-të të INTOSAI-t, organizatës botërore të institucioneve supreme të auditimit në dhjetor 2016. Katër vite më parë, institucioni u bë anëtar i Grupit të Punës së EUROSAI-t “Mbi rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit në përhapjen e kulturës etike në sektorin publik”. Nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në këtë grup, KLSH ka synuar zbatimin e auditimit të etikës dhe integritetit në subjektet e auditimit të sektorit publik, duke kryer trajnime intensive, që kanë synuar edukimin e audituesve me frymën e standardeve etike dhe vlerave morale. Në pesë vitet e fundit, me nismën e kryetarit, KLSH realizoi ngritjen e infrastrukturës moderne të teknologjisë së informacionit në ambientin e godinës së re, si dhe investimin në krijimin e një sistemi informacioni bashkëkohor, për menaxhimin dhe mbështetjen e proceseve të auditimit, nëpërmjet një platforme softëare të integruar dhe me proces pune (ëorkfloë) të automatizuar, në përputhje me manualet dhe rregulloren në fuqi, në lidhje me disponueshmërinë, integritetin dhe konfidencialitetin e sistemit. Forca shtytëse përpara e institucionit dhe motori i mirëfilltë i modernizimit të tij janë kapacitetet profesionale të audituesve të vet. Sistemi i trajnimit dhe i zhvillimit profesional në KLSH reflekton efektivitetin e politikave të rritjes së kapaciteteve audituese ndër vite. Ditët mesatare të trajnimit për auditues janë në nivele rreth 14 herë më të larta, krahasuar me vitin 2011, kur ky nivel ishte vetëm 2,1 ditë mesatare trajnimi për auditues. Gjatë viteve 2018-2019, çdo auditues ka ndjekur mesatarisht 29 ditë trajnimi, një tregues ky i pranishëm në institucionet e zhvilluara të auditimit të vendeve të Bashkimit Europian. Kjo qasje ka mundësuar që audituesit e KLSH të kenë akses në praktikat më të mira të fushës së auditimit në sektorin publik dhe të kontribuojnë në zhvillimin institucional të qëndrueshëm, duke patur në qendër të vëmendjes rritjen e shërbimit ndaj qytetarit në miradministrimin e parasë publike. Dija bashkëkohore në auditim është arma e vetme e Kontrollit të Lartë të Shtetit për të qenë i pavarur dhe shembull i profesionalizmit, integritetit, etikës dhe shërbimit të përkushtuar dhe efektiv ndaj qytetarit. Njeriu që mundësoi këtë transformim epokal të KLSH, që i dha institucionit ligjin e ri integral të vitit 2014, tërësisht në përputhje me standardet e INTOSAI-t, mbi 100 auditime të performancës, që krijoi Departamentin e Teknologjisë së Informacionit, që realizoi nga një kallzim penal në javë ose një kallzim në çdo tre auditime, që përgatiti vetë në një pjesë të madhe, si dhe mundësoi, nxiti dhe promovoi të 116 librat e kolanës “Botime KLSH” deri në mars 2020 dhe mbi 630 shkrime, artikuj, ese dhe publicistikë të audituesve në shtypin tonë me qarkullim kombëtar në vitet 2013-2020, që botoi Revistën shkencore “Auditimi Publik” dhe 24 numrat e saj shqip/anglisht në tetë vjet, që realizoi fillimisht Javën e Hapur dhe pastaj Muajin e Hapur për qytetarët për vite me radhë, që organizoi gjashtë konferenca shkencore ndërkombëtare për auditimin dhe financat publike, që realizoi bashkëpunim të hapur dhe konkret me OJF-të aktive në luftën për transparencë dhe kundër korrupsionit, që u siguroi audituesve ndërtesën e re të KLSH, me kushte moderne pune dhe trefish më shumë hapësira, quhet Bujar Leskaj.