BREAKING NEWS

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen reagimi i papritur i kryeministrit Rama: Mos hapni llafe kot. Ja cilin qytet kam zgjedhur

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen
x

Opinion / Editorial

Epopeja e “Luftës së Vlorës”, faqe e lavdishme e historisë së popullit tonë

Epopeja e “Luftës së Vlorës”, faqe e lavdishme e

“Lufta Vlorës” e zhvilluar një shekull më parë, nëse merret thjesht si një ngjarje e zakonshme shkëputur tërësisht nga prapaskenat që thurnin fuqitë e mëdha të Europës në kurriz të popullit shqiptar dhe që rastësisht këtë epope historia e zhvendosi në Vlorë, do të ishte e gabuar. Do të ishte e gabuar për faktin, sepse kudo e në çdo trevë të Shqipërisë që të ishin trupat italiane të pushtimit, prej vitit 1917-1920, do të pësonin të njëjtin fat, sikurse e pësuan në Vlorë. E vetmja “rastësi” nëse do ta konsideronim të tillë, ishte se Fuqitë e Mëdha të Europës, nëpërmjet Konferencës së tyre të Dytë e tepër të fshehtë të ambasadorëve e vitit 1915, e kishin copëtuar atdheun tonë dhe nga pikëpamja territoriale e kishin çuar gati në kufijtë e mosekzistencës dhe që prej Himarës e në veri të saj, sëbashku me ishullin e Sazanit dhe Vlorën ata ja kishin lënë nën pretektoriat Italisë së përtej detit. Ka një fakt të rëndësishëm në teatrin e ngjarjeve të saj kohe, sepse Fuqitë e Mëdha si Anglia dhe Franca i kishin kërkuar Italisë që në kohën e Luftës së Parë Botërore (1914-1918) e cila ruante “asnjanësinë”, të futej dhe t’i shpallte luftë Perandorisë Austro-Hungareze, nga ku në shpërblim të saj, pra Italisë, do t’i jepej Vlora, Sazani dhe krejt pretektorati mbi Shqipërinë. Dhe ashtu ndodhi. Italia i shpalli luftë Austro-Hungarisë (por jo Gjermanisë që ishte aleate e austro-hungarezëve) me 28 gusht 1916 dhe me këtë rast, automatikisht Italia e fitonte të drejtën për të sunduar në vendin tonë, duke i lënë jugun pretendimeve greke për “Vorio-Epirin” përgjatë vijës së Vjosës Korçë- Gjirokastër Himarë e deri në kufijtë e Kurveleshit. Edhe pse Lufta e Parë përfundoi, trojet shqiptare kishin kohë që ishin arenë e përleshjeve dhe kacafytjeve të ushtrive ndërluftuese me njëra-tjetrën, sikurse dhe dëshirës, për të kapur dhe zgjeruar territore në kurriz të shqiptarëve. E çfarë bajonetash nuk gjeje te ne, që nga ato austro-hungareze, serbe, malazeze, franceze, greke italiane madje deri dhe te ato angleze. Përfundimi i luftës, u dha shpresë shqiptarëve dhe mendohej se Konferenca e Paqes së Parisit që u mbajt në janar të vitit 1919 do të zgjidhte drejt çështjen shqiptare edhe pse presidenti amerikan i asaj kohe, Ëillson ngulmonte në ruajtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, por ja që kjo konferencë që dominohej nga Anglia dhe Franca, përsëri e la të paprekur “Konferencën e Londrës” sepse gjoja Shqipëria na paskësh qenë “aleate” me Austro-Hungarinë dhe Gjermaninë, të cilat e kishin humbur luftën dhe ishin ndëshkuar nga “Traktati i Versajës” më 1919. Presidenti amerikan, jo se zgjidhi çështjen shqiptare, por merita e tij në këtë rast, qëndron te fakti, se i nuk lejoi copëtimin e mëtejshëm të saj. Pavarësisht aktit të tij, shqiptarët nuk mund të pajtoheshin me statuskuonë e krijuar dhe me qënë se italianët de fakto e mbanin të pushtuar Vlorën dhe Sazanin, nuk po largoheshin që Shqipëria të paktën të ishte në kufijtë e saj të Pavarësisë së 1912-tës. Në këto kushte, zemërimi i shqiptarëve dhe veçanërisht i trevave të Labërisë ishte i asaj shkalle që domosdoshmërisht kërkonte zgjidhje, sepse pala italiane jo që nuk kishte ndërmend të largohej, por ajo duke përfituar nga statusi i “ protektoriatit” e shtriu gjerësinë gjeografike të pushtimit të vet, prej Sarande e deri në derdhje të Bunës. Prandaj “incidenti” me poshtërimin e flamurit tonë kombëtar prej tyre, duke e lidhur atë mbas bishtit të një qeni, pikërisht ditën e flamurit më 28 Nëntor 1919 dhe shëtitur nëpër Vlorë, ishte shprehja e egërsisë së pushtuesve italianë jo vetëm për të mbajtur Vlorën, por dhe gjithë Shqipërinë, ishte një kundërvënie direkte dhe një mesazh për shqiptarët dhe qarqet demokratike, të cilat kishin filluar të lëviznin dhe që nuk pajtoheshin më as me pushtimin italian, por dhe as me rreziqet e një copëtimi tjetër, sikurse kishte vepruar përherë Europa me shqiptarët. Vrasja e atdhetarit Sali Nivica në Shkodër, përpjekjet për të sabotuar Qeverinë e Sulejman Delvinës, përgatitja e opinionit për të trazira (nëpërmjet etjes për pushtet të Esat Pashës) dhe ajo që është më e rëndësishmja, qëndron te fakti se Kongresi i Lushnjës jo vetëm se ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme që nga shpallja e Pavarësisë, por ai diskreditoi planet e Traktatit të fshehtë të Londrës 1915, i cili e copëtonte Shqipërinë. Ky Kongres (i Lushnjës) nuk lejonte aneksimin e Shqipërisë nga fqinjët, ishte dhe një shuplakë e fortë e marrëveshjes greko-italiane (që njihet ndryshe dhe marrëveshja Venizellos-Tittoni). Embrionet e para të lëvizjes konkrete, ishin formimi i Komiteteve të Mbrojtjes Kombëtare si në Vlorë, Tepelenë, Përmet e gjetkë dhe organizmave të tjerë të fshehtë, të cilat vepronin për rritjen e shkallës së ndjeshmërisë së atdhedashurisë etj. Kështu që në këtë situatë inkandeshente me karakter atdhetar u zhvilluan dhe mbledhjet e Baçallasë dhe të Beunit në rrethinat e Vlorës, duke e deklaruar hapur dhe prerë largimin e trupave italiane nga Shqipëria, bashkimin e Vlorës dhe jugut të Shqipërisë me trungun amë dhe Qeverinë e Tiranës, në të kundërt çdo gjë do të zgjidhej me forcën e armëve.

Po çfarë i shkruajtën në ultimatum shqiptarët, Italisë së Titonit dhe gjeneralit të tij?

Për studiuesit kureshtarë, por dhe pasionantët e historisë po botojmë origjinalin e përkthyer:

Il testo dell’ultimatum, tra l’altro, dichiarava con enfasi patriottica: “(…) da cinque anni Valona, culla dell’indipendenza albanese è governata come una delle più basse colonie; oltre la lingua, l’amministrazione e la nostra bandiera ci furono negate con le condizioni più severe, peggio ancora che durante il regime turco (…............)”

Ultimatumi i Luftës së Vlorës

“Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare

Nr. 6 i protokollit.; Shkëlqesisë së tij, Gjeneralit Settimio Piaçentini,

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i zgjedhur nga populli i Vlorës në mbledhjen e Barçallasë më 29 maj 1920, në ndodhjen e të nënshkruarve, ka nderin t’i deklarojë shkëlqesisë Tuaj sa vazhdon: “Kur ushtria italiane zbarkoi në Vlorë më 1914, komanda italiane me anën e proklamatës zyrtare të saj na siguroi në emër e në nder të kombit italian, se Italia e lirë nuk kishte asnjë qëllim zaptimi të Vlorës, e qëllimi i zbarkimit ishte nevoja e sigurimit strategjik të gjendjes ushtarake në rast armiqësie ndërmjet Italisë e Austrisë. Populli shqiptar i lodhur prej grindjeve të brendshme dhe duke u dhënë besim nderit dhe premtimeve të qeverisë italiane që bëri me anën e proklamave të botuara njëra pas tjetrës, iu desh më në fund të përulte kokën e të toleronte zbarkimin italian. Dhe gjatë pesë vjetëve toleroi dha vazhdon të tolerojë padrejtësitë e kryera prej italianëve në dëm të Shqipërisë. Prej pesë vjetëve Vlora, djepi i Pavarësisë së Shqipërisë është qeverisur si një nga kolonitë më të ulëta: përveç gjuhës, administrata dhe flamuri tonë na u mohuan nën kondita shumë të ashpra, me të këqija se ato nën sundimin turk, kur Turqia sundonte në Shqipëri. Por e ashtuquajtura Italia e lirë, pa u turpëruar ka provokuar copëtimin e Shqipërisë me traktate të fshehtë duke mos respektuar nderin e saj me anulimin e traktatit që ajo ka firmosur në Londër më 1915. Na e dimë se një popull i vogël si populli shqiptar nuk mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane sado e fortë që të jetë, nuk mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë që të vdesë për idealin e lirisë së tij. Populli shqiptar e quan copëtimin e Shqipërisë një vepër të Italisë, e cila duke ndjekur programin e saj imperialist përpiqet ta mbajë Vlorën si një koloni nën zgjedhën e saj. Por ky popull sot më i bashkuar se kurrë ndonjëherë nuk mundet të tolerojë më dhe ta shohë veten të nxjerrë në akant si kafshët në Pazar të Europës për të kënaqur lakmitë italo-greko-serbe. Prandaj dhe ka vendosur të rrëmbejë armët e të kërkojë nga Italia lëshimin e administracionit të Vlorës, Tepelenës, Himarës, të cilat vende duhet t’i dorëzohen sa më parë qeverisë kombëtare në Tiranë. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” me mandat të popullit të Vlorës e të gjithë Shqipërisë, i mbledhur këtu dëshiron që Shkëlqesia Juaj t’i përgjigjet kërkesës së tij deri nesër, 4 qershor përpara orës 19:00. Në rast të kundërt për çdo gjë që mund të ngjajë, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare nuk merr asnjë përgjegjësi...

Vijon në numrin e radhës...