Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Erdhën, shkatërruan dhe ikën

Postuar: 21/02/2019 - 07:11

Jeta e njeriut shpalos të dy anët e medaljes, të mirën dhe të keqen, vesin dhe virtytin, paqësorin dhe të dhunshmin, ndërtimtarët dhe shkatërrimtarët. Në këtë arenë cirku vijnë rrotull dhe politikanë të niveleve të ndryshme mentale, morale shpirtërore karakteriale dhe intelektuale, që në opinionin shoqëror lenë shije të ndryshme.

Të shtunën e 16 Shkurtit, ditën e lumturimit të opozitës, përjetuam monstruozitete të vajtueshme të liderëve të saj, që e udhëhiqnin turmën e militantëve në mësymje të shkatërrimit të kryeministrisë. Instinktet e tërbimit shkatërrues si atavizma të kohërave primitive u shfaqën dukshëm te disa militant të frymëzuar nga lideri tradicional i të “djathtës” Berisha dhe papagalli i tij Basha dhe konia e LSI-së Kryemadhi, që me ligjërimet e tyre agresive i frymëzonin dhe motivonin militantët e tyre “duarartë”për të shkatërruar pronën publike. Polica si rrallë herë me qetësi dhe maturi e menaxhoi shumë mirë situatën e provokuar gjatë protestës nga liderët e opozitës, duke pranuar dhe pasoja që rënduan mbi shëndetin e tyre. Godina e Kryeministrisë nuk është pronë e kryeministrave dhe aq më pak e Kryeministrit Rama, kur ka pasur para tij kryeministra më jetëgjatë. Instinktet e trashëguara të Berishës, qysh me vendosjen e demokracisë, kanë qenë tradicionalisht vetëm të shkatërrojnë, por kurrë të ndërtojnë, cilësi dhe veti këto të karakterit të tij primitiv, të pandryshueshëm. Policia ka filmuar, regjistruar dhe evidentuar disa nga aktorët e shkatërrimit, që i ka ndaluar dhe penalizuar për aktin barbar ndaj pronës publike. Turmat janë fatkeqe dhe viktima të liderëve përbindësh që sugjestionojnë njerëz të paarsyeshëm, me mangësi intelektuale, që tregojnë muskujt dhe krenohen me aftësitë e forcës shkatërruese para idhujve të tyre politikë. Në këtë sfond ku dhuna, arroganca, veprimet banditeske, krimet, vlerësohen si cilësi të larta morale nga ana e liderëve të partive opozitare, ndaj personave që i demonstrojnë, bën që të përhapet një infeksion brenda turmës, që individë me të kaluar agresive ju zgjohen instinktet për t’i vënë në veprim. Policia, prokuroria dhe gjykatat, po ta marrin në konsideratë këtë psikologji të turmës në marrëdhënie me liderët e tyre, në vështrimin tim, duhet të quajnë fajtorë ideatorët, frymëzuesit dhe nxitësit e kësaj dhune e jo realizuesit fatkeqë, viktima të ujkonjave të etura për pushtet. Liderët që kanë bërë thirrje për djegie, shkatërrime e marrjen e pushtetit me dhunë nuk janë anonimë, ata kanë dalë disa herë me deklarata publike para turmave dhe s’kanë pasur asnjë konsekuencë ligjore.

Trekëndëshi revolucionar Berisha, Basha Kryemadhi, i drejtojnë protestat sipas modelit të mostrave. Ata i njohin në gjenezë individët e partive të tyre që janë të prirur për të bërë marrëzira dhe i prekin në ndjenjat, emocionet dhe sedrën patriarkale,për ti ndërzyer të hidhen në veprime barbare. Të shfrytëzosh dobësitë e individëve me formim të mangët, nuk është dhunti por poshtërsi. Ata, instinktivisht i nënshtrohen pushtetit të udhëheqjes, pa bërë analiza logjike apo humane. Duke parë veprimet e liderëve të partive kryesore që udhëhoqën turmën, me fjalimet e tyre histerike, vërehej qartë se kishim të bënim me udhëheqës psiqikisht të paekuilibruar, gjysmë normalë, që në inercinë e fjalës së tyre të përsëritur, ngjanin të shkalluar. Shpërthimet e herëpashershme të tyre, plot histerizëm, me fjalor anormal e banal, e sugjestiononin turmën dhe ajo në disa raste e humbiste arsyen dhe përfshihej nga instinktet ku fitonte një fuqi kolosale për të përmbysur çdo gjë që ju dilte përpara, pasi arsyeja ja linte vendin forcës. Berisha ka një aftësi të fituar si një orator dinak, që me sloganet e tij popullore, di ta bëjë për vete turmën. Ai, ka informacion për dobësitë e kundërshtarit, dhe këto dobësi ka aftësi t’i shumëfishojë dhe fetishizojë, e të hipnotizojë turmën për t’i bërë të besueshme. Duke sunduar për shumë vjet në pushtet, ka joshur, privilegjuar e ndihmuar një kastë të madhe oligarkësh të sotëm, kryesisht ata me vese, që ja dinë për nder, i kthejnë shpërblimin dhe janë të gatshëm të bëhen fli për interesat e tij personale. Berisha e njeh mirë psikologjinë e turmave, që ato nuk udhëhiqen kurrë nga veprime të arsyetuara, por nga impulsiviteti, egërsia, papërgjegjshmëria, paaftësia e gjykimit të veprimeve, ndjenja e instinktit, që i çon në veprime anarkiste. E këtë cilësi të turmave di t’i administrojë për qëllimet e tij djallëzore. Shkatërrimet që ndodhën në godinën e Kryeministrisë tregojnë se çdo ndjenjë, çdo veprim dhe sjellje e individëve ishte një infeksion ngjitës, që kalonte sa te njëri te tjetri, duke harruar pasojat personale para ligjit, të mbytur në klithmat e turmës dhe liderëve të saj. Kur dëgjon gjuhën e pistë të liderëve të opozitës dhe korin e turmave, sheh qartë si rrokullisen drejt humnerës vlerat morale të popullit tonë, që i duhet shumë kohë e punë të formojë një strukturë të lartë psikike dhe shpirtërore drejt qytetërimit europian. Protestat paqësore të opozitës, janë një skaner që i bëjnë punës dhe veprimtarisë së qeverisjes dhe kur ato shënojnë ide, vizione dhe zgjidhje ngjiten në apogjeun e madhështisë së tyre dhe i sjellin dobi vendit. Mazhoranca dhe qeveria e saj ka shumë gjëra për t’i korrigjuar, që duhet zgjuar dhe kritikuar, por kur këndvështrimi i opozitës është nihilist duke mohuar gjithçka që realizohet, bëhet i pabesueshëm në opinionin shoqëror dhe mbulon të metat dhe gabimet e qeverisjes, sado të vogla qofshin ato. Kjo është një taktikë regresive që i kthehet në bumerang opozitës. 

Në një qeverisje, e keqja sado e vogël apo e madhe qoftë ajo, është sëmundje që duhet kuruar e shëruar. Dhe e keqja e tejskajshme është kur propaganda e opozitës nxin dhe sterros imazhin e vendit tënd në sytë e të huajve, kjo është një strategji antikombëtare. Kjo filozofi është në modën e opozitës si një mjet për të arritur qëllimin final, për të marrë pushtetin me çdo mjet. Ky donkishotizëm magjik, nuk ka triumf në një demokraci pjesëmarrëse. Protesta tregoi qartësisht se meritat e krijuesit, frymëzuesit dhe realizuesit me traditë dhe përvojë i takojnë plakut të papërtuar për të ideuar, iniciuar dhe shkatërruar, legjendarit të së keqes Sali Berisha. Turma e militantëve të PD-së dhe LSI-së, me këta liderë që kanë sot, janë kthyer në fatkeqësinë e Shqipërisë. Parlamentarët që zgjodhi Berisha-Basha, kokërr për kokërr, me nokër e palokër i përdorin për lodër. Sjellja e tyre në parlament me fjalët e pista me gojë, duke përdorur shashka e bojë, kanë bërë t’u dalë boja në opinionin publik. Ata, pushtetin e quajnë çiflig, me divizën: “Ha, merr dhe ik”. Thirrjet që bënë ndërkombëtarët duke filluar nga SHBA, OSBE-ja, BE-ja dhe kancelaritë europiane, shkuan në vesh të shurdhër, se opozita kulmoi me vendimin ekstrem për të djegur mandatet parlamentare. Kjo është një përpjekje në vazhdën e qëndrimeve të saja refraktare duke bredhur për 6 muaj si ciganët në rrethe të ndryshme të vendit me mandate nëpër duar, pasi i poqi, i shkoqi, më së fundi i dogji. Opozita, me liderin e saj legjendar Berishën, për të mos i ngrënë hakun, e ka në gen, dhunën, kërcënimin dhe gjakun. S'është e re as e papritur dhe askënd s’ka çuditur rituali i Berishës, si heqja zvarrë, thyerje kafkash, plumba ballit për Edi Ramën, se mesa duket atë quan kundërshtarin më të rrezikshëm që e pengon për të marrë pushtetin. Kjo egërsi që fle brenda karakterit të tij u shfaq pasi PD-ja dhe si motra e saj LSI-ja,me protestën e 16 Shkurtit “fitoi”, por me provokimet për gjakderdhje, dështoi. Ajo, udhëhiqet nga dy parime finale, makiaveliste. Së pari, të marri pushtetin me çdo mjet jo demokratik, duke mos menduar se është duke e penguar vendin për aderimin në BE dhe së dyti, t’i shpëtoi reformës në drejtësi, që e parashikon si fundin e saj të zi dhe ndihet e frikësuar,e alarmuar, se i ka ardhur koha për tu gjykuar. Mendimtari, shpëtimtari dhe flamurtari i opozitës, për t’i prerë rrugën frikës, është bajraktari Berisha, ku shpresojnë Basha e Monika, që u ka hyrë në palcë frika, nga drejtësia e munguar, që pranë u është afruar. Marrëzitë e opozitës i shtojnë jetën mazhorancës, që edhe ajo ka kusuret e veta që duhet t’i njohë e t’i korrigjojë, para se të dështojë. Iniciativa e opozitës së bashkuar për të djegur mandatet parlamentare, nga grykësia për pushtetin, shkel mbi çdo interes kombëtar duke i djegur Shqipërisë rrugën drejt BE. Kjo situatë politike e largon hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Unanimiteti i opozitës bëhet butaforik kur dëgjon që edhe PDIU dhe PAA, si dhe liderët sejmen të disa forcave politike, që janë nën ombrellën e partisë Demokratike, edhe pse s’kanë deputet në parlament, i bashkohen nismës duke u solidarizuar për djegien e mandateve, kur s’kanë ç’të djegin veç imazhit të tyre. Brenda dy forcave aleate PD-LSI, ka edhe deputet të përgjegjshëm dhe vizionar, siç është rasti i Lefter Kokës, që politikën e konsiderojnë si artin e të mundshmes për ta çuar vendin përpara dhe jo për ta hedhur në humnerën e interesave egoiste klanore. Shpresoj të mos jetë i vetëm në këtë divorc të një familje të degjeneruar, inkriminuar dhe bastarduar me klishe antidemokratike. Partia Demokratike qysh nga krijimi i saj, edhe pse ishte shpresa jonë e vetme që e votuam për ta ndryshuar Shqipërinë, me ardhjen në drejtimin e saj të liderit komunist, ekstremist, bajraktarit Berisha, u bë promotor i skenarëve të ortodoksisë serbo-ruso - greke, për ta shkatërruar vendin. Le ta kujtojmë me dhimbje se demokracia në Shqipëri nuk nisi me ndryshime, por me shkatërrime e krime. Sipas teorisë fatkeqe zero, e kthyen Shqipërinë në tokë të djegur, duke shkatërruar uzina, fabrika, shkolla, plantacione me agrume, vreshta e ullinj, e deri edhe muzeume e lapidarë për të shuar kujtesën historike të kombit. Janë ata që në postkomunizëm pasi e vodhën, e plaçkitën, e grabitën e shitën pasurinë e popullit, që e kishte bërë me një sakrificë skllavëruese për 50 vjet komunizëm. Militantët e kësaj partie, të verbuar nga lider të shkalluar, të shitur dhe inkriminuar, edhe sot rrinë zgjuar, se ende misionin ndaj tutorëve sllavë s’e kanë mbaruar. Janë ajo racë njerëzore, mizore, që shkatërruan Shqipërinë në 1997,përgatitën grushtin e shtetit në 1998. Janë ata që ngritën firmat piramidale dhe vodhën djersën dhe kursimet e popullit. Janë ata që qajnë e përgjërohen për Kosovën nëpër studiot servile e kopile të disa televizioneve, që i ndërzejnë se nuk dihet se kujt fqinji i shërbejnë. Janë ata që ngritën shoqërinë “SHQIPONJA” të PD dhe prishën embargon e naftës që SHBA, i bëri kasapit të Ballkanit, Milosheviçit, ndaj popullit martirë të Kosovës, ata që UÇK-në e quajtën organizatë tradhtare dhe që ju bënë thirrje delegacionit kosovar pjesëmarrës në Rambuje që të mos firmosnin marrëveshjen e Rambujes. Janë ata që me Berishën në krye dhe me Bashën përdore, si mjet të demokracisë kanë dhunën, plaçkitjen, terrorin dhe vrasjet në bulevard të protestuesve të 21 Janarit. Janë ata që hodhën në erë një fshat të tërë në tragjedinë e Gërdecit, që sollën sa viktima me shtazërinë e tyre epshore për tu pasuruar mbi kufomat e viktimave. Janë ata që kanë gen të përbashkët PD-LSI, e kompani, që kanë pjellë e pjellin vetëm fatkeqësi. Janë ata që duan pushtetin me çdo çmim, qoftë me dhunë apo me krim. Janë ata që u janë betuar fqinjëve për këtë mision dhe qëndrojnë besnik në timon, kjo i frymëzon nga ata që mëkojnë, i kojnë (i ushqejnë), dhe i besojnë betimit të tyre, se Shqipërinë do ta shkatërrojnë. Janë ata që turma militantësh me demagogjinë e premtimeve të tyre butaforike, i kanë droguar, trullosur, marrosur dhe harrojnë se koha e barbarisë ka sosur. Janë ata që premtojnë, gënjejnë e mashtrojnë, se do ju lumturojnë, pasurojnë, e rregullojnë kur pushtetin të fitojnë, edhe pse janë të njohur se nuk dinë të drejtojnë, veçse të shkatërrojnë. Populli është në udhëkryq. Kujt t’i besojë Berishëve, këlyshëve, lulashëve, lyrashëve, monikëve, byzylykëve e gjithë komikëve?!... Le të kujtojmë bëmat e bandës Berisha-Basha, në këto 30 vjet dhe të gjykojmë e vlerësojmë se kë do besojmë. Jo se mazhoranca janë engjëj, por kur ke para djallin, e harron hallin. Prognoza politike e paraqit qartë se gjendja e mjerueshme ekonomike e Shqipërisë në këto tre dekada është fryt i keqqeverisjes të së majtës dhe të djathtës, ku e shohin njëra tjetrën jo si kundërshtar politik, por si armiq, ku pozita për opozitën është ujk.

Berisha, Basha me Monikën, erdhën, shkatërruan dhe ikën, duke lënë prapa si trashëgimi, frikën.           

Nga Prof. Dr. Ago NEZHA

 

  

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/03/2019 - 23:44

Ajo që po ndodh sot me lëvizjen opozitare është një traumë e rëndë dhe një fatkeqësi që ka zënë për fyti një komb të tërë.

Postuar: 24/03/2019 - 07:30

Shqiptarët vazhdojnë duke u varfëruar, ndërsa klasa politike vazhdon me ritme të përshpejtuara të

Postuar: 24/03/2019 - 07:29

Akoma në Shqipëri "Kongresi i Partisë" është ngjarje e madhe popullore!

Postuar: 24/03/2019 - 07:28

Prej vitesh, shpallja e individëve të veçantë, me poste apo të zakonshëm si armiq të partisë, pop

Postuar: 24/03/2019 - 07:26

Në vendin tonë gjithçka këmbehet në euro.

Postuar: 23/03/2019 - 07:19

Ka shumë arsye që Ilir Meta të arrinte deri në “pikën e vlimit”!

Postuar: 23/03/2019 - 07:17

Dihet tashmë botërisht që gjuha shqipe apo ajo e pellazgëve të vjetër, është gjuha e parë në Euro