BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Europa në rolin e njerkës birësuese

Europa në rolin e njerkës birësuese

Në ëndrrën tonë integruese prej afro tre dekadash ndihemi si ai fëmija i birësuar që gjithmonë është i paragjykuar dhe privuar nga dashuria e njerkës. Sepse fshati që duket s’do kallauz: Europa nuk na do në gjirin e saj! U bë e modës që del ndonjë komisioner dhe thotë se jeni gati të hyni dhe pastaj na i ngrinë gëzimin në buzë “nuk jeni gati”. Tradicionalisht Holanda dhe Franca na refuzojnë, por së fundmi përflitet edhe Gjermania. Nuk mund të dashurohesh me zor. Na shohin me cene në biografi. Nëse komisioneri i BE-së në konferencë shtypi në Tiranë deklaroi së është bërë progres dhe problemi kryesor për hapjen e negociatave mbetet ngritja e Gjykatës Kushtetuese, nuk është i këtij mendimi eurodeputeti francez Jerome Reviere kur tha se, “Me Shqipërinë, një vend i drejtuar nga mafia, por gjithashtu me shumicë myslimane (pra mafiozësh), Europa që ju pretendoni të mbroni do të marrë fund”. Po pse vazhdon Europa akoma të na servirë karotën e integrimit, teksa përgjigjen refuzuese e ka në majë të gjuhës, së bashku me argumentat? Sepse ne gjeografikisht qenkemi pjesë e saj dhe nuk duhet të na administrojë një fuqi tjetër! Ja, pra, ku u zbulua letra. Menjëherë sapo u arrit një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë e shoqëruar me një faturë investimesh ekonomike miliardëshe; menjëherë sapo u pranua njohja e Kosovës nga Izraeli dhe vendosja e ambasadave të të dyja vendeve në Jeruzalem, u bë e gjallë edhe Europa. Sepse nuk mund të pranojë rolin prej protagonisti të SHBA-ve në këtë rajon dhe hapjen e “Kutisë së Pandorës” për Jeruzalemin me vendet arabe. Dhe premton gjithashtu të investojë miliarda, pa cituar qartazi se sa janë për ne, sa për serbët dhe të tjerët përqark. Pra, do bëjmë ca punë dorë për dore dhe sa për integrimin jeni të mbetur edhe për këtë vjeshtë! Problemi nuk janë standardet që nuk i paskemi, por aplikimi në mënyrë preferenciale i standardeve. Serbia bëri gjenocid në Kosovë dhe në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, por amnistohet apriori dhe nuk cilësohet mafioze. Edhe kur kërcënon fqinjët me gjuhën e të fortit edhe kur vazhdon të blejë armatim të rëndë nga vendet brenda dhe jashtë NATO-s. Madje po bëjnë çmos që të baltosin UÇK-në, të vënë shenjë barazimi midis çlirimtarëve dhe pushtuesve çetnikë, midis viktimave dhe vrasësve, duke prezumuar të drejtën e një populli për vetëmbrojtje. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, në mënyrë të përsëritur refuzojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Jerome Reviere na cilëson si mafiozë, duke injoruar historinë, copëtimin e trojeve shqiptare nga traktate dhe konferenca të fund shekullit të 19 - fillim shekullit të 20-të nga etërit e tij shpirtërorë. Shqiptarët përgjatë gjithë historisë nuk kanë qenë asnjëherë invadorë, përkundrazi janë sulmuar dhe përpjekur t’i asimilojnë. Por edhe në modernitet mafia u importua nga po ato vende, në mungesë të perspektivës së qartë dhe mosmbajtjes së premtimeve të “baballarëve të progresit”. Sa për atë që qenkemi edhe “myslimanë”, kjo është gjëja që ju mundon më tepër. Se Europa pavarësisht dukjes, trumbetimit të vlerave nuk mund ta fshehë qasjen e saj mbi baza të besimit, të funksionimit mbi konjukturat e aleancave të vjetra. Por edhe këtu duhet saktësuar se ky komb nga më të vjetrit në Ballkan dhe Europë ka pasur një lidhje të qenësishme me krishterimin dhe u bë barrierë gjatë shekullit të 15-të kundër hegjemonizmit osman. Por ky komb u la i vetëm, u tradhtua nga elitat europiane, territori iu nda si plaçkë lufte, pikërisht për shkak të lashtësisë dhe etnogjenezës që zhbënte mitin e të përndriturve, të “gjakut blu” me rrënjë të thella fisnikërie. Për Serbinë gjithmonë e mbyllni njërin sy, i bëni lëshime, ashtu si edhe për Greqinë në krizën e fundit financiare kur derdhët miliarda për ta rimëkëmbur në emër të së shkuarës së përbashkët. Shumica prej jush nuk e ka njohur Kosovën e pavarur dhe me gjasë nuk keni për të njohur për shumë e shumë kohë dhe ndihmat në raport me vendet që përmenda do jenë në rangun e lëmoshave. Paratë që financoni në projekte, donacione etj, më së shumti u shërbejnë burokratëve tuaj që jo rrallë herë kanë gëlltitur me oreks edhe nga çorba vendore. Juve ju tremb faktorizimi i shqiptarëve, kauza e përbashkimit, të cilën e quani “Shqipëri të Madhe” në vend të asaj “Natyrale”, sepse kjo mund ta rikthejë çështjen në gjenezë dhe të prishë balancat. Ndryshe nuk do bënit sehir teksa të rinjtë tanë dynden ditë pas dite në kufijtë tuaj, duke krijuar sindromën e tokës së zbrazur. Ju thoni përmirësohuni, bëhuni “çuna për së mbari” t’u ndihmojmë, kur duhet të na ndihmonit për të mbërritur tek standardet. Sepse mirësia dhe civilizimi nuk lind në boshllëk, në mbijetesë dhe shpresa të dyzuara. Europa që përfytyronim në 1990-ën ka mbetur vetëm një hije e vetvetes.