Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Fallxhorët e zhurmshëm që i gjejnë në sekondë atentatorët

Postuar: 06/11/2019 - 07:12

Asnjëri nuk do të dëgjojë për atentate, duar kriminelësh që drejtojnë armët për një fjalë goje apo prishje pazaresh, hakmarrje e çdo motiv tjetër që mbyllet me viktima. Dorësa të paguar, profesionistë të vdekjes, u marrin jetën njerëzve të cilët edhe kur janë fajtorë, duhet të jenë objekt i ligjit dhe drejtësia të vendosë. Në një farë mënyre atentatet ruajnë ende të konservuar dënimin me vdekje që ka qënë në fuqi në sistemin që përmbysëm. Atentatorët, mbajnë gjallë dënimin ekstrem, ekzekutimin si në rrethanat e një kohe tjetër, pa gjyq dhe pa asnjë të drejtë ligjore, morale apo kanunore. Pas çdo ngjarje të tillë opinioni shoqëror tronditet pasi marrja e jetës, shoqërohet me dhimbje, tronditje psikologjike, frikësim për të nesërmen, pasiguri dhe cënim i rendit e sigurisë publike. Në këtë mënyrë këto akte makabre kapërcejnë kufirin e një jete apo një familjeje, fshati a qyteti pasi mbjellin pesimizëm, frikë dhe shqetësime të thella te gjithë shoqëria. Ngjarje që kanë tronditur rëndë shoqërinë tonë, kanë ndodhur jo pak në tri dekadat e demokracisë, pa shkuar më tej në thellësinë e viteve. Vërtet nuk kanë ekskluzivitetin shqiptar dhe nuk janë thjesht made in Albania. Të tilla ka gjithandej. Në jo pak raste shoqërohen me dhjetra viktima. Mendjet e sëmura, ata që ADN kanë terrorizmin nuk e kanë aspak problem të marrin, jo vetëm një jetë, po sa të munden deri edhe në mijëra, siç ka ndodhur në dekadën e fundit, jo vetëm në shtetet në luftë, po edhe në zemër të Europës, në rrugët më të populluara e ndriçuara të kryeqyteteve që shquhen për qetësi dhe rend. Qytetarët zemërohen dhe shprehin mllef e urrejtje për ata që marrin jetë të pafajshme dhe i dënojnë rëndë akte të tilla. Shprehin solidaritet me familjet dhe vet individët që bien pre e dorës gjakatare. Jetën nuk ka të drejtë të ta marri askush. Aq më pak një dorë kriminale. Shqipëria në këto tri dekada demokraci është tronditur me dhjetëra herë nga atentatet të cilat u kanë marrë jetën, jo vetëm qytetarëve të zakonshëm, të panjohur, individë anonimë. Po edhe personave publikë. Shkaqet nga më të ndryshmet. Një jetë për një gardh apo një fjalë. Disa jetë për një vijë uji apo një copë shkëmbi. Hasmëri të përjetshme, shoqëruar me marrje jete për një metër katror tokë. Plumba për një prishje fejese apo një dashuri të ndërprerë. Po pre e atentateve kanë rënë edhe figura të njohura. Ata që në procedurë të Kodit Penal emërtohen për “cilësi të veçanta”. Duke u kërkuar ndjesë familjeve që i kanë plagët të hapura për të afërmit, ku duar atentatorësh ua kanë marrë jetën fëmijëve apo prindërve të dashur, le të sjellim në këto radhë pak nga seriali i historive tragjike. Kujtojmë këtu, vrasjen e avokatit të shquar në vitet e para të pluralizmit politik, Kleanthi Koçi. Ende enigmë. Vrasjen e deputetit të ndjerë, Azem Hajdari. Më pas marrjen e jetës së deputetit të Roskovecit, Xhindi në rrethana të pasqaruara ende. Dhjetëra djemve në Tropojë. Në Vlorë. Në Durrës, ku humbën jetën katër efektivë të Policisë së Shtetit. Dhjetra policë të vrarë në prita ose nga duar të panjohura. Katër protestues të vrarë në mes të ditës, para godinës së Kryeministrisë. Atentat shtetëror ky. Një vrasje me atentator të provuar që ka qenë shteti i kohës. Lista e atentateve është shumë e gjatë. Qëllimi ynë nuk është për të ngacmuar plagët e njerëzve të dashur që iu mungojnë baballarët e fëmijët se dikush u mori jetën. Synimi ynë, është të evidentojmë një fenomen që nuk ka asnjë lidhje me dhimbjen, zbulimin e të vërtetës, solidaritetin njerëzor për jetët e humbura. Është qëndrimi i habitshëm, monstruoz i politikanëve tanë që janë të parët brenda pak sekondave pas çdo atentati, veçanërisht ku viktima apo shënjestra është një person publik, ka lidhje me politikën apo është i afërmi i ndonjërit prej politikanëve të majtë, të djathtë a qendrës. Kurrë nuk dëgjon, që politikani apo shtetari i lartë, të deklarojë solidaritet njerëzor. Të flasi për viktimën dhe meritat e tij. Të mbështesë familjen me kurajo apo të dënojë aktin e kryer. Sa më emër të ketë viktima, sa më publik të jetë aq më shumë zhurmohet. Fallxhorët e politikës, drejtues të lartë, ata që kanë komanduar këtë vend, nxitojnë t`i vënë emër e mbiemër atij që ka vrarë dhe është larguar në drejtim të paditur. Atentatorët, janë individë që vrasin gjakftohtë, pa u dridhur qerpiku. Nuk e kanë për gjë të marrin një apo dhjetë a njëqind jetë. Në thelb, janë të pashpirt, terroristë që për një euro të drejtojnë armën dhe të zbrazin plumbin në lule të ballit. Kështu që i mbetet opinionit shoqëror dhe në mënyrë të veçantë organeve ligjzbatuese të ngrejnë zërin në mbrojtje të jetës dhe dënimit të krimit. Se krimi nuk bën diferenca. Nuk përzgjedh bindjet. Për të, preja është e njëjtë, mjafton t’i lajë llogaritë me shënjestrën që ka marrë përsipër të ekzekutojë, në emër të hakmarrjes, pagesës, politikës. Sa më i bujshëm të jetë atentati aq më nxitimthi politikanët marrin përsipër të zbulojnë brenda pak sekondave emrin e atentatorit. Kujtojmë këtu si pas vrasjes së deputetit Hajdari, ishte kryetari i opozitës, Sali Berisha, që i vuri emrin vrasësit. Vrasës u akuzua kryeministri i kohës, Fatos Nano. Dihen pasojat e një akuze të tillë. Njihet qëllimi përse u veprua kështu. Fill pas aktit të rëndë, u organizua grushti i shtetit. U morën me përdhunë, institucionet më të rëndësishme deri edhe TVSH nga ku u shpall fitorja mbi mazhorancën dhe u deklarua se shteti ishte në duar të demokracisë. Fallxhorët pa pritur të shihnin as filxhanin, gjetën vrasësin. Koha tregoi sa larg të vërtetës ishte kjo akuzë. Dhe deponimet e ish-truprojës së Berishës, Izet Haxhisë e vënë tjetër kund gishtin. Gjyqi provoi se cilët ishin ata që vranë. Po për kreun e PD-së nuk kishte asnjë vlerë se cili ishte vrasësi i vërtetë. I interesonte beteja politike. Akuza ndaj atij që ishte në krye të pushtetit. Dhe ia mbërriti ta largonte me plumba nga selia e qeverisë. Po edhe pse rasti më i rëndë, nuk mbetet këtu seriali i akuzave ndaj atentatorit të radhës. U desh një sekondë që LSI përmes nënkryetarit, Petrit Vasili dhe PD përmes Sali Berishës të vihej gishti mbi atentatorin më të ri që organizoi atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja. Këtë herë atentator u zgjodh, Edi Rama. E gjithë kjo maskaradë, se ditë më parë, kryeministri i vendit foli për afera të prokurorit Ndoja. I quajti grupi KÇK. Sigurisht nga fusha e politikës duhet vrasësi. Gishti duhet të shkojë në majë të piramidës së ekzekutivit. Ai u duhet. Kjo lojë e ndyrë është bërë virale në Shqipëri. Askund në botë, askush nuk nxiton të vërë emra e mbiemra, të akuzojë kaq trash dhe në fund të bëjë sikur i dinë të gjitha dhe të fillojë të aludojë për një vrasje shtetërore. Ai që është më i interesuari për të ruajtur rendin e qetësinë, jetën e sigurinë, të shmangë ngjarje të tilla të rënda, është shteti. Nuk mund të bëhet shteti palë me krimin dhe kurrë nuk mund të kryejë akte të tilla terroriste për të marrë jetë njerëzish. Nëse akuzon verbalisht se dikush nga organet e drejtësisë infiltron me krimin apo deklaron se prokurori, shënjestër në atentatin e Durrësit, është i implikuar në afera dhe veprime të paligjshme, i takon organeve t`i sqarojnë. Dhe në rrugët gjyqësore të dënohet cilido që shpif dhe shkel të drejtën e çdo shtetasi, qoftë ai prokuror, gjyqtar, deputet, ministër apo kryeministër. Po së paku akuzatorët të thonë që në makinën e Ndojës ishte edhe “Rrumi” i Sukthit. Etja për të implikuar kundërshtarët politikë në atentate është sjellja më makabre që dëmton edhe vet procesin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vërtetë. Ata fërkojnë duart, lehtësohen, relaksohen dhe bëjnë llogaritë e presë së radhës. Loja e fallxhorëve që dinë gjithçka dhe lexojnë letrat për çdo ngjarje të rëndë, vazhdon.

Nga Bardhyl Bejko

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:21

Sikur kryeministër i vendit të ishte Tufa i Institutit të Krimeve të Komunizmit, jam i sigurt se nuk do të kishte guxuar t’ia hiqte stadiumit kombëtar emrin e Heroit të Popullit, Qemal Stafa.

Postuar: 14/11/2019 - 07:19

Përgjatë gjysmës së dytë shekullit 20-të, në vendin tonë, në të folurën e përditshme sunduan rënd

Postuar: 14/11/2019 - 07:18

Nga i gjithë diskursi i zonjës Arta Marku përpara KLP, besoj se u qartësua dhe për publikun dhe g

Postuar: 13/11/2019 - 13:23

Le ti marim disa gjëra me radhë e të përpiqemi të hulumtojmë mbi to.

Postuar: 13/11/2019 - 07:20

Kontrolli i Lartë i Shtetit kryen auditime sipas planit vjetor të miratuar nga Kryetari Bujar Les

Postuar: 13/11/2019 - 07:17

Edhe pse për herë të parë, ndjesa e Lulzim Bashës për taksën e pronës tetë për qind është një ris