Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Familja është shkolla e parë për edukimin e fëmijëve

Postuar: 22/08/2018 - 07:05

 Edukimi i fëmijëve është detyrë mbi çdo projekt tjetër për familjen shoqërinë dhe kombin. Nga mënyra sesi merremi me edukimin e brezit që rritet, varet dhe e ardhmja e shoqërisë. Edukimi i fëmijëve është parësorë, detyrë kyç në këtë proces shoqëror, social, njerëzor dhe arsyeja është fare e thjeshtë. Pra kjo qelizë bazë është çelësi kryesor për mirërritjen e trashëgimtarëve të ardhshëm. Ky proces kërkon shumë vëmendje, sidomos nga prindërit, sepse që të jemi në kujtimet e tyre nesër, duhet të jemi në jetën e tyre sot. Që do të thotë se në zinxhirin e gjatë e të pandërprerë të edukimit, me njohuritë e nevojshme për të përballuar vështirësitë e jetës në të ardhmen, çdo fëmijë duhet të marrë kulturën e mjaftueshme për të mësuar e nxënë që në ninullë, derisa të kuptojë se jeta nuk është e lehtë për të kaluar në rrugët e vështira të saj. Është tepër e rëndësishme të kuptohet se në procesin e edukimit nuk duhet të jemi të ngurtë, të kufizuar, duhet të bëhemi pjesë e jetës së tyre, sipas fazave të jetës në procesin e rritjes. Kjo është e provuar dhe komentet e ndryshme nuk vlejnë. Edukimi, kultura, mësimi, mënyra e sjelljes, mënyra e nxënies, mënyra se si hidhen rrënjët nga njëri brez tek tjetri, janë detyra të familjes dhe këtë nuk e zëvendëson askush. Nuk ka modele specifike edukimi të fëmijës në familje, por ajo që është kryesore e vlen të nënvizohet është edukimi i fëmijës me cilësi të shëndosha, për ta përgatitur atë të shëndetshëm në mënyrë që kur të dalë në jetë të përballojë vështirësitë dhe të motivojnë vlerat e trashëgimisë së prindërve me moral të shëndoshë shoqëror, profesional, njerëzor e human.

Në shoqërinë demokratike që duam të ndërtojmë dallohen dukshëm rastet e edukimit model të fëmijëve ku gjejnë të konkretizuar mundësi reale të ditëve të sotme, apo edhe të trashëgimisë tradicionale, të ardhur në breza. Janë prindërit, familjarët ata që bënë shkollën e parë në edukimin e fëmijëve dhe nuk lejojnë që aftësimin ta marrin duku tjetër, në forma jete të papërshtatshme që janë dhunuese dhe të padobishme. Ka prindër që kanë zgjedhur modelin më pedagogjik të edukimit të fëmijëve duke u mësuar atyre që në moshë të njomë praktikat që kanë në vetvete standarde të larta të mënyrës së komunikimit të bukur, u mësojnë atyre si të sillen, si të edukohen, si të pyesin e përgjigjen në marrëdhënie me njerëzit e shtëpisë, me miqtë, me të afërmit, me edukatorët e tyre në kopsht, më mësuesit në shkollë. Tradita e kësaj pedagogjie jep rezultate pozitive dhe fëmijët kultivohen me këtë ushqim të shëndetshëm. Familja mbetet prioritare në këtë proces të vështirë edukimi, por çdo vështirësi ka të mirat, anët pozitive, që janë të pazëvendësueshme në tërë zinxhirin e edukimit të fëmijëve, në rrugëtimin e tyre të sapo-nisur. Kur edukimi i familjes bëhet i pandërprerë, bëhet me synimin e vetëm që fëmija të bëhet dikush në jetë, që fëmija të marrë kulturën bashkëkohore si ushqim, me siguri ky standard do e shoqërojë atë hap pas hapi. Një fëmijë që rritet i rrethuar nga edukata dhe sjellja moderne e gjerave, s`ka si të jetë i përjashtuar nga kjo fuqi intelektuale prindërore.

Për fatin e keq të shoqërisë shqiptare, vihen re shumë raste kur me edukimin e fëmijëve, familja, shoqëria qëndron shumë larg tyre. Bota demokratike shqiptare ka lënë në heshtje një nga problemet me kosto të madhe për shoqërinë. Edukimin rrënjësor të fëmijëve. Të merresh me nxënien e fëmijës, është detyrë e madhe. Në kushtet e tranzicionit demokratik, edukimi i fëmijëve është lënë pas dore. Ky fakt pranohet nga të gjithë. Këtë heshtje mundohen t`a shfajësojnë duke nxjerrë argumente që nuk vlejnë, që nuk duhet të merren në konsideratë. “Na kanë zënë halle të mëdha, nuk kemi kohë të merremi me fëmijët”, thonë prindër, familjarë. Dhe harrojnë se qëndrimi pasiv i prindërve duke mos u angazhuar sa dhe si duhet me krijimin e një shtrati të shëndetshëm, që fëmija të ketë mundësi të zgjedhë më të mirën e mundshme, ky është hall i madh që e ngarkon familjen t`a zgjidhë, pastaj edhe shoqërinë. Ka familjarë që nuk shpenzojnë kohë fare për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve. Nuk kanë as kujdesin më të vogël për të parë nëse fëmija i tyre shkon në shkollë rregullisht, apo e kalon kohën rrugëve, duke mos u marrë me detyra të dobishme. Ka prindër që mjaftohen me faktin se fëmijën e çojnë në shkollë dhe me kaq e quajnë detyrën të mbaruar. Ata harrojnë të shkojnë një ditë në shkollë, të interesohen më mësuesit, me drejtuesin e shkollës, se në ç`nivel është fëmija e tyre, në marrëdhënie me shkollën, me mësimin, me mënyrën sesi përgatitet në mësim.

Duket se problemi i është lënë rastësisë. Është mungesë përgjegjësie që fëmija të ngelet pa kontroll prindëror, kur dihet se shtëpia, familja, familjarët janë instrument të pazëvendësueshëm për një përkujdesje cilësore. Vërtetë nuk ka modele për mënyrën sesi duhet siguruar ky fond i artë edukimi, por mungesa e kontrollit familjar është i domosdoshëm dhe nuk zëvendësohet me asnjë program tjetër mësimor.

Ka edhe raste ekstreme, që nuk janë të paktë, kur familja jo vetëm që nuk edukon fëmijët, por i çedukon, i bën ata problematikë dhe kjo është çështja më e madhe, me të cilën duhet të merret seriozisht shoqëria, institucionet e shtetit, organet ligjzbatuese, sociologë, psikologë. Ushtrimi i dhunës në familje i ka bërë fëmijët të jenë agresivë, të harrojnë dashurinë prindërore, përkëdhelinë e tyre, të harrojnë kënaqësinë që marrin nga mjedisi familjar. Komunikimi i ashpër i prindërve me njëri-tjetrin në sy të fëmijëve, i bën ata të harrojnë kërkesat e moshës. Kur shohin zënka midis partnerëve, kur dëgjojnë sharje, fyerje, terrorizohen dhe bëhen shumë nervozë. Mjedise të tilla i bëjnë fëmijët të ndjeshëm, i largojnë ata nga dëshira e mirë për të mësuar një gjest human, i largojnë nga dëshira për të treguar një episod që e ka mësuar në shkollë nga një shok apo nga një shoqe. Rastet më ekstreme janë kur partnerët kërkojnë zgjidhje martesore, ndërsa edukimi i fëmijëve mbetet në udhëkryq.

Nuk ka në jetë përgjegjësi më të madhe se të rritësh gjeneratën e ardhshme. Ky është investim i madh që bën çdo shoqëri, çdo familje për përtëritjen, për të lënë trashëgimtarët e vet njerëzorë, shoqërorë e nacionalë. Familja vlerësohet si akademi, si univers më vete, si shkollë e parë për një brez dinjitoz. Atje ku shkolla është e suksesshme, mbyllet një institucion riedukimi.

Nga Sokrat NDREÇKA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 29

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/11/2018 - 07:13

Shqipëria sot, si një shtet demokratik, sigurues i kushteve dhe shanseve të barabarta dhe për më tepër me politika progresive në fushën e mirëqenies sociale, ofron si mbështetje për banorët e saj të rënë në varfëri pr

Postuar: 13/11/2018 - 07:12

Kjo kohë e fundit është një model i thjeshtëzuar rrumpallëku "nacional" që na bën sa ba

Postuar: 13/11/2018 - 07:11

Shtrati i Prokustit apo "turra e druve"?

Postuar: 11/11/2018 - 07:44

Nuk janë as të parat dhe as të fundit ato pamje me deklamacione që grekët bëjnë në tokën shqiptar

Postuar: 11/11/2018 - 07:42

Një zonjë emigrante prej shumë vitesh në një vend anëtar të Bashkimit Europian, kishte ardhur në

Postuar: 10/11/2018 - 07:27

Miqtë e mi të shumtë përmetarë (të gjallë e të vdekur) nuk janë nga ajo racë që të ndjekin si hij