Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Familja Zherdi me katër dëshmorë

Postuar: 16/06/2019 - 07:41

Sa herë nis të shkruaj për dëshmorët, mendja më shkon edhe te familja Zherdi me Katër Yje të Pashuar, Yje Gjaku, lindur e rritur në Tërbuq të Rrëzës së Tepelenës. Do t’i quaja këta të rënë në emër të Atdheut si katër trëndafila të kuq, aty pranë Odries bukuroshe “gjithë lisa gjithë hije”, gjithë lule e gjelbërim, gjithë shëndet, freski e frymëzim! Edhe vetë emri i fshatit “Tërbuq” është tepër domethënës, se banorët e tij kanë qenë “të tërë bujq” dhe këto fjalë të parët e tyre, i kanë bashkuar në një të vetme me dy rrokje: “Tërbuq”! Emër simbolik, i gjetur aq mirë me zgjuarsi e me respekt për bujqit dhe bujqësinë…

Lame Zherdi luftëtar dhe armëndreqës

Familje me prejardhje të varfër. Me shpirt punëtori. E njohur për fisnikëri, ndershmëri dhe patriotizëm të prushtë, për zemër të bardhë; për mirësi, urtësi, vendosmëri, energji, thjeshtësi. E veçanta e saj është se ka qenë shtëpi pushke dhe njëheraz armëndreqëse, me kryefamiljar yllin kryesor, kryefamiljarin Lame Zherdi, atdhetar mendjezjarrtë e duarartë, me zgjuarsi e fantazi, njeri i punës, që çfarë i shihte syri ia bënte dora!

 E kam njohur këtë familje në krye të herës, në ata vite të zjarrtë të LANÇ. Shtëpi e kthyer në një “ofiçinë” armësh. E çoje dyfekun me difekt në duar të xha Lames dhe bëhej si i ri, “fringo”! E provonte vetë ai, e shkrepte, merrte shenjë dhe, sa të shkonte i zoti për ta marrë të riparuar, e mbante të fshehur si një “relikë”, në këtë ose atë vend sekret! Shtëpi- si depo armësh, që po ta shihje të dukej vetja sikur je në një “muze armësh”. Dhe nostalgjikut s’i mbaheshin buzët dhe zemra i “ia niste valles”! Hidhte armën në sup, falënderonte dhe ngrihej për të ikur. Por Usta Lamja e ndalonte. Ky ishte jo vetëm mjeshtër për dyfekë, por dhe mikpritës me byrek! Me atë trup mesatar, me buzëqeshje të mëndafshtë, sypatrembur e bujar, ndaheshe prej tij i kënaqur për t’u takuar përsëri, ndoshta me ndonjë armë të markës tjetër për ta riparuar, që të “këndonte” në duar të luftëtarit atdhetar.

Lame Zherdi e donte shumë dyfekun, por edhe ai e donte ustain e tij. Ai kujdesej për dyfekun si prindi për fëmijën. E merrte në duar. E përkëdhelte. E vente në sy. E kthente nga drita dhe i shihte vjaskat e tytës. I kontrollonte thepin e shqegzën. Dhe thoshte: “Hekur është, por di ç’të bëjë”. Dhe pasi ngacmohej se “Kushedi në dorë të kujt ka qenë më parë kjo armë zjarri” , xha Lamja përgjigjej: “Rëndësi ka që kjo “ta puthi” armikun në dy vende: në zemër ose në lule të ballit”! Dhe i përvishej punës që arma të dilte sa më parë nga duart e tij dhe trimi ta shkrepte duke qenë “këmbë mbi këmbë” e “festen mbi sy”!

Edhe pse puna e tij bëhej pa bujë e pa zhurmë, spiunët e fashizmit dhe ballisto-zogistët ranë në gjurmë antifashiste të familjes “Zherdi”. Dhe ajo survejohej, ndiqej. Por “për të çmendur ka të mençur”. Xha Lamja vepronte pa frikë, guximshëm e me vigjilencë që luftëtarët t’i kishin armët në gjendje gatishmërie. E çonin “maliherin” apo “Mushketën” për riparim dhe i merrnin gati për zjarr, prandaj ishte i mirënjohur nga shumë luftëtarë, që rimerrnin në duar armën e tyre. Dhe kur qëllonin me të, kujtonin xha Lamen. Shok kishin dyfekun, shok dhe atdhetarin mjeshtër të armëve. Kur ndonjë partizan e mbërthente, e pastronte, e vajiste dhe e mbërthente pushkën përmendësh e deri symbyllur, këtë e kishte mësuar gjithashtu nga aftësia e xha Lames.

 E mbante armën në sy dhe s’ndahej prej saj!

As pushka s’ndahej prej tij. Lame trimi kërkonte armën dhe kjo kërkonte mjeshtrin e saj. Kjo ishte e përditshme në vitet e luftës, që pushka ishte “kryefjalë”, por vazhdoi edhe pas çlirimit. Nuk mund të ndodhte ndryshe. Baruti duhej mbajtur i thatë. Nga qielli hidheshin diversantë. Mbeturina të reaksionit lëviznin si gjarpri nëpër gurë me gjuhën jashtë dhëmbëve gjithë helm! Arma duhej mbajtur në gatishmëri të plotë, t’i shërbehej si duhet. Arma të nderon, arma të turpëron. Dhe xha Lamja e vazhdoi këtë punë të nderuar në mënyrë legale, në qytetin e gurtë. U shtuan myshteritë e tij. Takohej me ta. ”Bisedonte” dhe me pushkën, dëgjonte “kërkesat” e saj dhe vepronte me pasion, me dashuri, me aftësi, me mjeshtëri, me shkathtësi, me cilësi, me siguri!

 Rindërtimi i vendit kërkoi dhe kazmën, por pushka u ruajt. Atdhetarëve “iu mpi syri te dyfeku, siç thoshte kënga labe. Veprohej me parullën “Në një dorë kazmën, në tjetrën pushkën”. Xha Lamja shprehej: “Të dyja duhen, por pushka e ka vendin në qoshè”. Dhe zuri me qera dyqanin e Sitki Tushes në qytetin e gurtë, fqinj me kioskën e thjeshte të Bido Toros, afër Qafës së Pazarit. E frekuentoja edhe unë atë dyqan plot me armë. Sa herë shkoja, s’më ikej prej andej. E shikoja me kënaqësi në punë e sipër si vepronte ky mjeshtër: me vullnetin e një djaloshi. I qetë dhe me merak. Me sy e duar mbi armë. Kënaqej kur e rregullonte. Mërzitej kur puna s’i ecte teknikisht. Gëzonte kur ia dorëzonte të zotit.

Një ditë qëndrova shumë në dyqanin e tij. E shikoja si vepronte. Gjeta aty dhe një burrë fatkeq, të verbër, që e respektonte gjithë qyteti, e njihte dhe Enver Hoxha. E quanin “Veip Qori”, i cili edhe pse symbyllur “shihte” me sytë e mendjes, gëzonte që dëgjonte si riparoheshin armët dhe aty për aty thuri disa vargje për usta Lamen dhe rininë, ashtu siç kishte formuluar vargje kur takoi për herë të parë poetin e ardhshëm, Dritëro Agolli: “Një ditë me Basho Thomanë/ Takuam nën Kala/ Asim Zenelasin konviktor/ të dashurin Dritëro/ Devollitin e poezisë/ Në ballin e letërsisë/ Penë e madhe i këndon/ Hedh rininë në aksion”!

 Në mure të atij dyqani qëndronin varur në gozhdë lloj-lloj armësh, që prisnin radhën e riparimit. Hynin aty dhe fëmijë e shikonin me kureshtje. I shtynte kërshëria. Në bisedë me ta, doli se këta “luftonin” me “armë prej dërrase”! ” Disa imitonin “partizanët”, por kishin gjetur belanë se nuk gjenin kundërshtarë “ballistë”, nuk pranonte askush të ishte në këtë rol kolaboracionisti! Të parët vunë në kokë kapelen prej letre me yllin e kuq dhe ishin gati për ndeshje. “Beteja” do zhvillohej në Kërcullë. U arrit të bindeshin disa se loje ishte dhe vunë në kokë qylafin e bardhë me shkabën dykrenore! Organizatore Shtëpia e Pionierit të Gjirokastrës me drejtor Theofan Zoton. “Ndeshja” u zhvillua midis fëmijëve Varrosh e Palorto. Në përfundim fituan këta të dytët! Qeshën xha Lamja dhe xha Veipi.

 Në ato çaste erdhën në dyqan dy veta që kishin lënë për riparim armët. Njëri nga Derviciani dhe mori çiften e tij bërë si të re” dhe e puthi. E vuri në sy dhe në mënyrë imagjinare “shtiu”, e shkrepi bosh! Tjetri erdhi nga Palokastra dhe mori të rregulluar revolverin “Bereta”. Por tha se s’kishte fishekë. Armëndreqësi e mësoi si t’i siguronte nga fishekët e automatikut gjerman, duke bërë një përshtatje fare të vogël, se janë gati një kalibër. “Myshteritë” vinin dhe iknin duke parë me kuriozitet si punonte usta Lamja. Me përshtypjet e tyre çmonin punën e tij fisnike, atdhetare, të nderuar.

 Eh, xha Lamja, sa i mirë ishte: i luftës e i punës, i aftë e dashamirës, i sjellshëm e shoqëror, i ndershëm e punëtor, i palodhur, i mençur e patriot, luftëtar i vendosur, punëtor si bleta, fjalëpak e punëshumë.

Jo vetëm armëndreqës,

por edhe armëshkrepës!

Profesionalisht dashuronte armën, politikisht luftonte armikun, humanisht respektonte njerëzit, teknikisht riparonte armë! Shtëpia “Zherdi” çerdhe lufte. Familje atdhetare. Këtu strehoheshin partizanë e udhëheqës të Qarkorit Gjirokastër, një nga të cilët Lato Braho, që tërhiqte armë për partizanët. Mik i madh. E kishte derën të hapur. Hynte si në shtëpinë e vet. Ky kryetrim me maliher do të luftonte me 200 fashistë, do plagosej tri herë në kokë, në tri beteja. Nënë Viktoria shërbente me bujari e zemërbardhësi. Lamja në Luftën e Vlorës. Në disa aksione të LANÇ me çetën “Çerçiz Topulli”. Me bashkëfshatarë në luftime me fashistë e nazistë në Grehot, në Shkallën e Zezë e në Mallakastër.

 Po s’ishte vetëm kryefamiljari Lame Zherdi pushkëshkrehës. “Bëm baba, të të ngjaj”. Në këtë familje rriteshin dhe edukoheshin filizë të rinj. Familje grusht! Në radhët e saj frynte era e kuqe. Thanasi i ri në moshë shkoi në Tiranë për të siguruar ndonjë punë. U njoh me shokë e miq dhe u aktivizua në veprimtari politike e patriotike me rininë gjer në fillimin e luftës italo-greke, kur u kthye sërish në Tërbuq. Me formimin e çetës së parë partizane të krahinës së Rrëzës “Prokop Meksi”, u bë pjesëtar i saj, duke marrë pjesë në aksionet e zonës së Jugut, ku u tregua luftëtar trim dhe ra dëshmor në fushën e nderit. Dy djemtë e tjerë të xha Lames, Pilo dhe Mitro Zherdi, kryenin në fshat detyra të aktivistit, në ndihmë të luftës, djem energjikë, transportonin armatime nëpër fshatra, apo nga fshati në qytete duke u ruajtur nga sytë e spiunëve e të pushtuesve. Punë edhe kjo me “kokë në torbë.

 Spiunë e ballistë ranë në gjurmë të “punës komuniste” të kësaj familjeje. Filluan hakmarrjen. Të parën dogjën shtëpinë e Zherdajve, flaka që përpiu gjithë orenditë, shërbeu si ndezës për të shpërthyer gjithë atë arsenal armësh, që ndodhej fshehur në banesë. Xha Lamja tha: “Po s’u dogj shtëpia, nuk çlirohet Shqipëria”! Pastaj do digjej gjithë fshati. Në Operacionin armik të Dimrit, Pilon dhe Mitron, së bashku me xhaxhain e tyre Vangjel Zherdin, i arrestuan dhe i morën të lidhur e i pushkatuan në fshatin Kodër. Zi e kengë në Tërbuq, në Kodër e në Rrëzë: “Djemo, u vrau dushmani/ Por ju nuk vdisni kurrë/ Se krahina e Atdheu/ Do t’u mbajë si flamur”.

Situata në Tërbuq u elektrizua. Terrori armik dhe vrasja e rënia e dëshmorëve shtoi më shumë urrejtjen ndaj armiqve. Gjëmoi Tërbuqi. Në sulm pjestarët e kësaj familjeje, Niko e Telo, nga aksioni në aksion, në transportim armësh e municionesh, shpërndarje letrash e komunikatash, ushqime e sende të tjera për partizanë, çka edhe këta u nderuar me titullin e veteranit të LANÇ të popullit shqiptar.

***

 Familje e nderuar. E mirënjohur. Gëzon respekt gjithandej. Xha Lamja baba i dashur, i talentuar, burrë i mençur, me zemër të madhe, patriot i flaktë, shok e usta armësh. Ai nuk i duronte padrejtësitë, varfërinë, shtypjen dhe robërinë nga bejlerë, agallarë e të huaj. Kujtonte shpesh fjalën e urtë: “Punoni këmbë e duar, që të hani bukë e lakruar”! Kristaqi u nda shpejt nga jeta. U shua djalë ri. Inxhinier me kominoshe e çizme minatori në Memaliaj. Me Nikon, sot veteran gati nëntëdhjetëvjeçar kemi qenë tok profesionistë me rininë. I urojmë shëndet. Kemi besim të plotë se ashtu si gjithnjë do ta mbajë lart emrin e ndritur të familjes Zherdi, gjakun e katër dëshmorëve të saj, kujtimet me barut e mjaltë të babait të tij zemërmirë, Lame Zherdi! 

 Nga Sevo TARIFA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/11/2019 - 07:17

(17 nëntor 1944-17 nëntor 2019: 75-vjetori i çlirimit të Tiranës)

Postuar: 19/11/2019 - 07:15

Shoqëria jonë ka një mangësi të jashtëzakonshme në trashëgiminë e saj të sotme, të ardhur deri më

Postuar: 19/11/2019 - 07:13

Tani që u shua, ndoshta për një periudhë të caktuar kohe, mundësia e hapjes së negociatave me BE,

Postuar: 17/11/2019 - 19:17

Dita e sotme si një ditë përkujtimore për çlirimin e kryeqytetit nga

Postuar: 17/11/2019 - 07:47

“Nga të gjitha fatkeqësitë që mund ta gjejnë një Komb, asgjë nuk është më tragjike dhe me k

Postuar: 17/11/2019 - 07:45

Për mendimin tonë, për politikën shqiptare në përgjithësi, sindroma e mosrespektimit të të rinjve

Postuar: 17/11/2019 - 07:44

Jam një nga tre milionë shqiptarët që jetoj në Shqipëri.