BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Opinion / Editorial

Familje me gjashtë dëshmorë, një degë e saj u shua fare

Familje me gjashtë dëshmorë, një degë e saj u shua fare

Janë gjashtë “Yje të Pashuar”! Të gjithë nga një derë, për Atdheun ranë me nder. I pari Demo Fejzo, djali i madh i shtëpisë. Në fillim të vitit 1943, vepronte nën hundën e fashistëve e të tradhtarëve. Në një mbledhje të popullit në Golëm të Gjirokastrës foli guximshëm se kush është Balli Kombëtar dhe demaskoi kryeballistin Ismail Golëmi. Ndër të tjera i tha sypatrembur: “Shtëpia juaj e ka pasur në gjak tradhtinë, por, dhe ti gjak tradhtari ke”! Luftoi si partizan dhe e mbylli jetën në moshën 29 vjeçare.

“Nëpër predha, zjarr e flakë,

Libohova u skuq me gjak…”

Batalioni i parë “Asim Zeneli”, ndodhej në Suhë. Natë e 30 gushtit 1943. Çeta “Avni Rustemi” nisi sulmin drejt kalasë ku ishin strukur forcat e armikut. Sulm i rrufeshëm në befasi nga të gjitha drejtimet. Të katër çetat e batalionit dhe forca të tjera territoriale rrethuan kalanë. Fashistë italianë e ballistë kolaboracionistë kishin bërë krime duke grabitur e vjedhur popullin, kishin djegur Labovën e Kryqit, kishin kryer masakrën e Glinës duke vrarë 45 burra. Armiku filloi të godasë me artileri. Forcat partizane iu afruan me luftë sahatit të fortifikuar të qytetit. Luftohej nën breshërinë e plumbave. Në një shtëpi aty afër ishin mbyllur dhe mbroheshin armiq. Demoja me Hyqmet Dushën, sulmuan me granata. Sheshi tek sahati u mbush me kufoma të armiqve. Dyluftim midis komisar Hiqmetit dhe armiqve. Demoja i shkon me shpejtësi në ndihmë të tij. Trupi i Hiqmetit u godit me një breshëri mitralozi. Komisari ra. Ngriti lart dorën grusht dhe u përpoq të luftonte akoma, por fuqitë e lanë. Me dorën drejtuar nga armiqtë, mundi të thotë një fjalë: “Vazhdoni”! Ishte frymëmarrja e fundit e tij. Një fjalë, por qe thirrje për sulm, për hakmarrje. Duke luftuar ra dhe partizan Murat Bardhi. Kapo Kabaj po përleshej me armiq. Me shpejtësi po nxirrte nga rripi i mesit granatën e fundit, në çast plasi dhe një predhë mortaje, copërat e së cilës iu ngulën në gjoks. Trupi i tij u nda më dysh. Kabua mbylli sytë. Armiqtë u detyruan të futeshin të tmerruar thellë në bodrumet e kalasë. Nuk kishte forcë që t’i përmbante luftëtarët e lirisë, kaluan muret e kalasë dhe mbanin nën zjarr të gjitha skutat ku fshiheshin italianët dhe bashkëpunëtorët e tyre, tradhtarë shqiptarë. Ndërkaq, Demoja goditet nga një plumb tradhtari, por veten nuk e dha, aty për aty iu përgjigj armikut me zjarr. Tradhtari që goditi Demon, përpiqej të futej në një ndërtesë që të shpëtonte, por një plumb partizani e goditi në kokë dhe ai u rrokullis e mbeti te porta. Do fshihej frikacaku, i trembej kapjes për së gjalli. Haka e shokëve u mor në çast. Partizan Haliti shkon te Demoja dhe e merr në krahë. Ndërkaq ra mëngjesi. Shtabi urdhëroi tërheqjen e forcave partizane, duke luftuar. Demoja, edhe pse ishte në frymëmarrjen e fundit bashkë me shokë mbështet tërheqjen. Me vështirësi filloi të tërhiqet dhe vetë. Por një tradhtar e goditi për vdekje pas shpine. Beteja përfundoi. Nga ana e armikut u vranë 24 veta, përveç të plagosurve. Nga forcat tona ranë 4 luftëtarë: Kabo Kabaj, Demo Fejzo, Hyqmet Dusha e Murat Bardhi, e 7 të plagosur.

“Çerçizi partizan i rrallë,

yll në zemër, yll në ballë”.

Çerçiz Fejzo, djalë me shtat mesatar, gjithë shëndet, i fortë fizikisht, rritur në klimën dhe ajrin malor të Golëmit,, që me mitralozin gjerman “Sharrës”, luftonte në betejën e Qesaratit të Lunxhërisë, duke kaluar me shkathtësinë e pehlivanit nga një shkëmb në tjetrin. E merrte dhe e përdorte mitralozin si të ishte pushkë. I griu nazistët! Plasën nazistët ta zbulonin këtë partizan me mitraloz “Sharrës” të markës së tyre e të vrisnin mitralierin. Beteja e Qesaratit ishte e ashpër. Luftonin trimat e batalionit të parë “Asim Zeneli” dhe të dytë “Abaz Shehu” të Brigadës VI Sulmuese. Luftë e pabarabartë forcash, me 1000 gjermanë e ballistë. Çdo partizan kishte përballë 4 deri 6 armiq. Çerçizit i qe ndezur gjaku, se në luftën e Libohovës iu vra duke luftuar vëlla Demoja. Dhe në emër të atdheut e të vëllait të tij që ra trimërisht, nuk pyeste për kokën e vet, mjafton që të mbushte vendin me kufoma të armikut. Luftë në terren e kohë të vështirë. Dëgjohej thirrja luftarake “Para partizanë”. Përleshje e përgjakshme deri në kacafytje trup me trup, ndaj i këndohet: “Në Qestorat m’u në breg/ bajonet me bajonet/ O lufta në Lunxhëri/ do shkruhesh në histori”. Luftimet vazhduan 7 orë. U vranë 19 ushtarë e oficerë gjermanë, nga ana jonë 8 të vrarë, midis të cilëve Çerçiz Fejzo e të tjerë e 13 të plagosur.

“Nazisto-ballistët hakmerren,

Shpresën në djep e therën”!

Ballisto-gjermanët e kishin në rreth të kuq këtë familje! Demoja, Gastotja dhe Shpresa u shuan fare si familje e re brenda familjes trung. Tërë familja është shpallur “Nderi i Qarkut”. Armiqtë i vunë zjarrin shtëpisë. Të gjithë e morën vesh se u krye dhe një akt makabër, çnjerëzor: therën në djep Shpresën dy vjeçare, kësaj foshnje, që ishte si një flutur, e cila ende s’kishte hapur krahët të fluturonte, gonxhe, që s’arriti të bëhej lule. Do ta merrte vesh tërë Shqipëria që ra dëshmore një vogëlushe, e therur me bajonetë nga nazistë e ballistë. Erdhën ditë që gazetari i mirënjohur Engjëll Fino, të shkruante në “Kushtrim brezash”, se: “Emri i dëshmores dyvjeçare Shpresa Demaj, iu dha kopshtit të fëmijës Nr. 5 të Qyetit Muze”. Dëshmorja e vogël do të kujtohet brez pas brezi nga fëmijët e atij kopshti, nga moshatarët e saj gjirokastritë.

***

Familje e nderuar, me emër. Me njerëz të luftës dhe të punës. E njohur për atdhetarizëm, për sakrifica, për trimëri, për ndershmëri. E respektuar në krahinën e Kardhiqit, në Kurvelesh, Gjirokastër dhe më gjerë. Pjesëtarët e saj dëshmorë janë të paharruar.