BREAKING NEWS

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi: Sot është një ditë shumë e vështirë për mua

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi:
x

Opinion / Editorial

 Çfarë do të kemi në 25 prill, dasmë apo zgjedhje?

 Çfarë do të kemi në 25 prill, dasmë apo

Nuk kam vrarë mendjen kurrë se si do të votoj, po dhe a do të votoj. Nuk ka qenë shqetësim familjar, se të tjera gjëra na shqetësojnë. Por duhet ta dini, asnjëherë nuk e kam shpërdoruar votën. Vota ime ka zënë vend edhe pse nuk e dinë vendin që ka zënë në vite. Dhe nuk jam pishman, se edhe po ta kem hedhur keq, një votë nuk bën hatanë, sidomos në Skrapar. Unë kam shumë miq e shokë, po për votën nuk kam bërë pazar me ta, prandaj kemi mbetur miq pa cene. Mirëpo mbrëmë vonë, më telefonon një mik i vjetër nga Elbasani e më radhit një listë të gjatë miqsh të përbashkët dhe në fund më drejton pyetjen: “Kandidatin filan, e kemi mik të përbashkët, prandaj dua që t’i bashkojmë votat në mbështetje të tij, se ti ke shumë miq këtu”. Në gjithë jetën time nuk pata marrë telefonata kaq të vona për vota, kur duhen edhe dy muaj të votohet. Kam marrë për hallet e njëri-tjetrit, po jo për pazare votash. Nëse ai kandidat nuk ka mbështetjen e shumicës, duhet të tërhiqet. Por një pyetje ia bëra mikut: Mos ka ndonjë dasmë ky miku ynë, se zgjedhjet i bën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve? Dëgjova zërin e së shoqes që po qeshte, pastaj i tha: “Mirë ta bëri, mbaje, çne shoqëria e miqësia të bëjë pazare të tilla”. Dëgjova dhe zërin e mikut, që e ktheu bisedën në të qeshur. Po kjo mënyrë votimi, nuk është e popullit, po mblidhen ca miq e interesaxhinj për të patur dhe ata një hu të ngulur në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe ky huri nuk njeh më as ata që e kanë shpënë me vota miqsh, as do të dijë se çfarë ka lënë pas. Ngulet në një karrige dhe nuk e hapën gojën derisa të mbushen katër vjet. Pastaj na ngrihet e kërkon miqtë që të hyjë sërish në atë sallë. Është e çuditshme, se këta hunjtë kanë aftësi të hyjnë vend e pa vend si krimbi në dru. Nëse një kandidat për deputet nuk ka fituar respektin e popullit me punën që ka bërë gjatë viteve në atë zonë, nuk ka pse kërkon respekt artificial. Unë vazhdoj të pyes ende: Çfarë do të kemi në 25 prill, dasmë apo zgjedhje? Ca farë kryetarë partie kanë dalë e kërkojnë dy-tre miq dhe na tregojnë se këta janë elektorati i tyre. Me ata tre miq zënë e “zbërthejnë” programin e ngarkuar me gënjeshtra. Edhe Lulushi një ditë nuk kishte mundur të gjente më shumë se një çift, të cilit i “zbërthente” disa gënjeshtra të trasha. Mirëpo ai djali e la me gojë hapur, sepse nuk ishte shkëputur nga puna që në vitin e parë të gjimnazit dhe nuk kishte ndonjë problem! Kjo e la të mekur të parin e opozitës. Dhe vazhdoi formulën e tij të përhershme: “Rama s’ka bërë asgjë qëkur ka marrë pushtetin”. Ky na qenkësh pjesë e programit të Lulushërisë. Flamurin e fushatës së zgjedhjeve e ka marrë në dorë presidenti. Po ç’punë ka me zgjedhjet ky farë presidenti? Edhe të vdekurit po i përdor për fushatë. Në të vërtetë atij ia kanë lënë opozitarët e heshtur. Nja dy a tre opozitarë e zunë një vend në listën e PD dhe s’duan të dinë për të tjerët. LSI po shtrydhet çdo ditë prandaj i duhet Presidentit të vejë sa në Berat në Skrapar e Shkodër, dekoro andej e ngushëllo këndej mbase afron ndonjë votë. Po mirë, derisa edhe presidenti e ka nisur fushatën me miq e shokë, nuk do të kemi zgjedhje, po dasmë. Madje ai po ulërin, se në zgjedhjet e 25 prillit duhet të fitojë e ardhmja europiane! A nuk u duket pak e çuditshme kjo thirrje? Pse, kush na i ndau në copëza Shqipërinë ne? I pari që është garant bashkimi është presidenti. Çfarë tregon kjo, zotësi apo paaftësi? Kush mund të jenë anti-europianët veç presidentit, që e ndan popullin e tij në parcela? Për Ramën nuk mund të flasë, se ai po udhëheq me votat e plota të popullit. Na kanë dalë tani ca biçimër, që duanë të bëhen kryeministra. Është e drejtë e tyre, po para se të kërkojnë të na thonë çfarë dinë të bëjnë më mirë e çfarë kanë bërë. Mbase edhe kanë mësuar gjatë këtij opozitarizmi, po të na i tregojnë që t’i votojmë. Ne jemi të ndjeshëm dhe nuk votojmë miqtë, por figurat që i shërbejnë kombit. Zotnia Lulush le të na bindi çfarë bëri katër vjet në Tiranë dhe votën e ka gati. Mirëpo edhe një farë tramvaji që u zotua ta bënte nuk e bëri dot. Atëherë si mund të drejtojë Shqipërinë ky njeri, kur ajo nuk do vetëm një tramvaj, po qindra vepra. Kjo që kërkohet nuk ka lidhje me politikën. Në krye të një pune nuk mund të ngjitesh, kur të mungojnë këllqet. Për vendet drejtuese të shtetit bëhen konkurse dhe secili do të përgjigjet nëse ka aftësi për ta bërë, apo do ta bëjë me ndihmën e babait! Një vend pune një njeri kërkon. Si mund të ngjitet Lulushi me lulushërinë në krye të shtetit, kur i kanë braktisur zgjedhësit e tyre? Ku i kanë vendet që u dha populli në Kuvend? Ku e kanë pushtetin lokal, që e përbuzën? Në punë vihet për punë jo për të shëtitur. Mos harroni, këtij populli duhet t’i kërkoni ndjesë para se t’i kërkoni vota. Ju e keni lëkundur besimin ndaj popullit deri në atë pikë, sa nuk mban më. Ia dorëzuat të gjitha pushtetet qeverisë dhe ankoheni përse i ka marrë të gjitha pushtetet! Pushtetet merren me votë, po këtë radhë ia dhuruat ju! Unë ju kujtoj, se në 25 prill nuk kemi dasmë, por zgjedhje politike. Miqtë t’i keni me jetë, po kandidatëve ua jepni votën kur të bindeni, se ata dinë të bëjnë një punë të vlefshme për popullin e kombin. Nuk e kam fjalën për Lulin, ai është jashtë standardit.