BREAKING NEWS

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte përdhunimin nga disa persona, kush është shefi i lartë i Policisë: I kërkoi favore seksuale dhe mbesës së shkrimtarit të madh Martin Camaj

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte
x

Opinion / Editorial

Çfarë fitojnë shqiptarët nga hapja e negociatave?

Çfarë fitojnë shqiptarët nga hapja e negociatave?

Hapja e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë është një fitore historike për shqiptarët, për popullin, për njerëzit, të cilët e kanë pritur me krahë hapur këtë vendim shumëdimensional. Ishin negociatat ato që mundësuan me sforco të madhe ndërmarrjen e disa reformave të rëndësishme, që kanë të bëjnë me instalimin e shtetit modern, që ndihmojnë në reformimin e strukturave qeverisëse të brishta, të cilat ishin të kapura nga korrupsioni i tre dekadave në vendin tonë. Njerëzit janë dëshmitar të drejtpërdrejtë të zënies së shtetit, të kapjes së institucioneve të shtetit nga njerëz, nga politikanë të lidhur me krimin. Ishin negociatat, ndërhyrja energjike e ndërkombëtarëve, e vendeve anëtare të Unionit, ndërhyrja e SHBA dhe BE, të cilët çmontuan disa sisteme të mefshtë, të quajtura demokratike në Shqipëri, ndërkohë që pikërisht ato e kishin gjunjëzuar shtetin e së drejtës dhe funksionimin e ligjeve të miratuar në disa dekada jetë parlamentare e demokratike në shoqërinë shqiptare.

Shqiptarët janë ndjerë të pamotivuar në këto vite jetë demokratike, sepse perandorët e politikës, qeverisjet kanë ndikuar fuqishëm në mbylljen e dyerve të vendit, të cilët gatuan përshesh që e hëngrën vetë. Mbyllën për interesa të ngushta vetjake funksionimin normal të demokracisë, ndërtuan ligje për t`i shërbyer interesit të oligarkëve, nuk lejuan zhvillimin social demokratik të shoqërisë shqiptare. Në këto kushte bota, ndërkombëtarët, vendet me zhvillim ekonomik të lartë, popujt me demokraci funksionale i vunë detyra Shqipërisë, si kushte për të hapur bisedime për anëtarësim. Bënë shumë mirë, që u veprua kësisoj.

Vendet europiane kanë standarde të larta zhvillimi dhe, si të tilla, ato e kishin të pamundur të pranonin mes tyre vende si Shqipëria me mungesa të theksuara në instalimin e shtetit ligjor. Në vende ku barazia mungon, në shoqëri ku ligji zbatohet për ata që nuk kanë mbështetje, ndërsa të fortët bëjnë sipas linjës së tyre, vota pro mungoi për një kohë të gjatë. Shqipëria e ka pasur shumë të vështirë të hap negociatat për t`iu bashkuar vendeve me qytetari europiane. Shqiptarëve iu janë thënë disa herë arsyet pse Europa nuk çelte negociatat. Vendi ynë ka ngelur në klasë për vitet e vite sepse politika dhe qeveritë e mandatuara nuk kanë qenë të vëmendshme për të bërë detyrat e shtëpisë, sipas porosive të dhëna.

Këtë e ka treguar mësëmiri sistemi i drejtësisë në Shqipëri, i cili ka qenë i kalbur me rrënjë dhe nuk e ka përligjur aspak funksionin e detyrës, për të cilin është paguar nga taksat e shqiptarëve. Sistemi i drejtësisë në vendin tonë ka qenë i kapur kokë e këmbë nga monarkët e politikës, të cilët e kthyen ata në shërbim të mosndëshkueshmërisë, në funksion të zhvatjes, të vjedhjes së pasurisë së popullit në këtë tranzicion të përbaltur. Drejtësia nuk ka qenë asnjëherë në funksionin e duhur në Shqipëri. Gjyqtarë e prokurorë, avokat, specialist të afërt me qeverisjet vendore e qendrore e kthyen këtë vend në katrahurë, ua nxinë jetën shqiptarëve, jo pak, por tridhjetë vjet.

Falë integrimit dhe dëshirës së madhe të shqiptarëve për të gjetur standarde të larta, u arrit që të korruptuarit i la si peshkun pa ujë Vettingu i famshëm, pa të cilin grabitqarët e shekullit nuk do t`i shkulte askush nga rrënjët e thella që kishin futur në jetën e njerëzve. Sot ata u gëzohen pasurive që kanë grumbulluar me punë të pista dhe mbajnë veshët hapur se presin ndërhyrjen e ligjit për këtë kategori që kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur me të dy duart. Janë pikërisht negociatat ato që e kanë detyruar politikën shqiptare, autoritetet e larta të qeverisjeve, të ulin kokën e të mendohen mirë se ka ikur koha e qelepirxhinjve, ka ikur koha kur spekulantë profesionistë e shpjegonin zhvillimin e vendit, sipas mënyrës së tyre të menduarit dhe vepruarit. Për të shkuar tek suksesi, për t`iu bashkuar popujve me qytetërim të lartë, kërkohet `t`i bindësh ata se demokracia e vërtetë kalon përmes vështirësive që kanë në themel përmirësimin e jetës shoqërore dhe jo llogarive politike. Shqiptarët kanë fajësuar përherë politikën e brendshme, e cila është bërë pengesë serioze për lënien pas dore të shumë prej detyrave të shtëpisë.

Sa shumë ka thënë e stërthënë Europa që politika konfliktuale është pengesë e madhe, që nuk e lejon Shqipërinë ti hapen negociatat. Këtë e dinë mirë politikanët. Përplasjet e vazhdueshme dhe histerike të politikanëve të caktuar i mbajtën shumë larg negociatat me Shqipërinë. Askush nuk ka lëshuar pe gjatë një periudhe kohe shumë të gjatë. Politikës shqiptare i është bërë e qartë se pa plotësuar kushtet e përcaktuara nga vendet e Bashkimit Europian, nga vendet partnere, këtij vendi do i kujtohen përherë detyrat e shtëpisë. U deshën dekada që shqiptarët të vuajnë aq shumë dhe më në fund të marrin pjesën që u takon në këtë maratonë të lodhshme dhe sfilitëse.

Nga çelja e negociatave shqiptarët fituan atë që kanë merituar prej kohësh, por që sheikët e politikës e mbajtën me forcë, me dhunë për të spekuluar, për të vjedhur dhe hipotekuar këtë pasuri si punë e kryer nga vetë ata. Konfliktet politike të shpalosura në publik kanë ndarë në parcela partish qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë pasur të pamundur të ndajnë farën nga egjra. Politika piramidë vazhdon të ushtrojë forcën e saj, aq sa i ka mbetur, duke ushtruar trysni sipas mentalitetit kohës së kaluar. Sot që Shqipërisë i janë hapur portat e negociatave, ka politikanë dhe segmente të caktuara të politikës shqiptare që druajnë se mos kthehet koha e tyre, koha kur njerëzit terrorizoheshin me idenë e maskuar me “instalim të demokracisë perëndimore”. Nga çelja e negociatave shqiptarët fituan lirinë në reforma, liri e cila mbahej peng nga qeveritarë e shtetarë, sikur t`a kishin pronën e tyre. Shqiptarët fituan bindshëm të drejtën e tyre për të pasur institucione shtetërore të hapura, ku i parë të jetë qytetari, jo oligarkët, jo peshqit e mëdhenj. Negociatat u dhanë mundësi shërbimi të barabartë për të gjithë njëlloj. Shqiptarët u janë mirënjohës negociatorëve të shumtë, që lobuan në emër të një populli të tërë që e do demokracinë e vërtetë dhe lufton me zemër për këtë kauzë. SHBA, BE dhe vende të tjera, bënë të mundur realizimin e këtij aplikimi të Shqipërisë për çeljen e negociatave, të cilat thyen shumë barrikada, që mbanin izoluar për interesa të ngushta përfitimi të jashtëligjshëm të korrupsionit në Shqipëri. Më në fund shqiptarët kanë të drejtë sot e këtej të jenë me status të njëjtë me popujt që demokracinë e kanë çelësin që i bënë krenarë në historinë e bashkëjetesë komunitare, sociale, njerëzore. Çelja e negociatave është mundësi e madhe ku shqiptarët të kuptojnë se kërkohet guxim për të arritur atë demokraci që na bënë vërtetë të lumtur.