BREAKING NEWS

Shpresë e madhe! Studiuesit gjermanë shpikin testin që e jep menjëherë rezultatin për Covid19, mund të verifikojnë deri në 400 mijë raste në ditë (DETAJET)

Shpresë e madhe! Studiuesit gjermanë shpikin testin që e jep
x

Opinion / Editorial

Çfarë presin shqiptarët nga ambasadorja amerikane Yuri Kim

Çfarë presin shqiptarët nga ambasadorja amerikane Yuri Kim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar shumë për instalimin e një demokracie të fortë në Shqipëri. Shqiptarët nuk kanë qenë në gjendje, këto tre dekada të ndërtojnë një demokraci funksionale, të kënaqshme për shoqërinë shqiptare. Nuk kanë munguar këshillat e Departamentit dhe Administratës së Shtetit me demokraci perfekte për klasën politike dhe aktorët e saj, të cilët, për fat të keq kanë shpërdoruar shumë nga amerikanët që kanë ardhur në Tiranë. Janë organizuar plot takime me personalitete të larta nga Shtëpia e Bardhë, të cilët kanë dhënë përvojën e tyre shumëvjeçare, por udhëheqësit politikë dhe shtetërorë në Shqipëri nuk kanë qëndruar korrektë me shkollën amerikane të demokracisë. Ambasadorja e re e SHBA-ve, Yuri Kim ka ardhur me energji të reja në misionin e saj. Çfarë presin nga kjo misionare shqiptarët? Kërkojnë të zbatohen pikë për pikë këshillat dhe porositë e SHBA-ve për të konsoliduar demokracinë në këtë vend që, edhe pse kanë kaluar tre dekada kohë, demokracia shqiptare, është në lëngim, është e pafuqishme të bëjë detyrën e saj. Më saktë e kanë lënë të gjymtuar politika dhe strukturat shtetërore, me qëllim të caktuar për t`u pasuruar aktorët-sekserë. Korrupsioni në Shqipëri është bërë fenomen paralizues për shoqërinë, është epidemi e rëndë, është flama që ka përfshirë klasën politike, strukturat qeveritare. Ka gjasa që kjo epidemi të jetë shembull i veçantë i ndodhur në një vend të dalë nga shoqëria komuniste. Zonja ambasadore, Kim do njihet me hienat e politikës, me pasurimin e tyre galopant, të ministrave në vite, shtetarëve, qeveritarëve, të cilët kanë bërë një katrahurë duke e mbajtur shtetin dhe demokracinë në agoni. Shembujt janë konkretë. Pas vetingut të famshëm, nga sistemi i drejtësisë u përjashtuan shumë gjyqtarë e prokurorë, të cilët u kapën me presh në dorë me pasuri të jashtëligjshme. Vetingu bëri detyrën dhe rekomandoi ndryshim rrënjësor, duke sjellë një prokurori dhe gjyqësor bashkëkohor. Kur vjedh gjyqtari, prokurori, çfarë ndodh në një vend? A funksion kështu shteti i së drejtës? Ku i gjetën këta sojsëzë paratë, pronat, kapitalet bankare që zotërojnë? I kanë grabitur. Kujt? Fukarenjve, njerëzve të pambrojtur, njerëzve që kërkojnë të bëhet drejtësi, të jepet barazi, ku të gjithë të jenë të njëjtë para ligjit. Ambasadorja e shtetit më të fuqishëm në botë, ku njerëzit kanë besim shumë do mësojë se politikanët, qeveritarët, në këto tridhjetë vjet kanë vrarë, kanë plagosur, kanë shkaktuar viktima pa numër, kanë hedhur në kosh të plehrave kërkesat legjitime të njerëzve dhe nuk kanë lejuar qëllimisht që Shqipëria të integrohet në Bashkimin Europian. Para largimit nga vendi ynë, në një funksion tjetër diplomatik, ish-ambasadori Donald Lu theksoi në mënyrë të përsëritur se do dëshironte shumë të shihte një peshk të madh prapa hekurave në qelitë e ftohta të burgut. Nuk e arriti dot, sepse peshqit e mëdhenj që janë në politikë, penguan reformat, donin t’i prishnin sepse zbuloheshin pasuritë, sekserët, të cilët vazhdojnë të punojnë për padronët e tyre edhe sot. Peshqit e mëdhenj nuk janë ata që thirren nga policia me emër e mbiemër, ata janë cironka, peshqit e mëdhenj janë politikanët e sotëm dhe të djeshëm, të cilët studiojnë situatat në kohë reale, përgatisin terrenin që të mos hetohen për asnjë aferë, mbajnë në kontroll autoritetet e vetingut dhe bëjnë prognoza për të ardhmen e vendit. Shqiptarët presin nga zonja Yuri Kim, ambasadore në Shqipëri, të rimerren energjitë për të bërë demokraci të vërtetë, ku njerëzit të prekin dhe shijojnë produktin e një shoqërie ku shtetit i thonë shtet dhe ligjit ligj. Politika tallava e shqiptarëve ka qenë e mefshtë, pa këllqe për ta integruar shoqërinë shqiptare në botën perëndimore, në qytetërimin modern. Është thënë përherë se jemi në drejtimin e duhur, nga ana tjetër nuk kanë munguar përplasjet midis faktorëve politikë të mazhorancës me opozitën për të zaptuar secila sa më shumë territore zgjedhore. Në rast se duam një demokraci funksionale, të bukur, integruese, ajo nuk mund të jetë e tillë në rast se nuk është e vërtetë. Që do të thotë demokracia të jetë prioritare që nga presidenti i vendit, kryeministri, deri tek fermeri, kovaçi, shoferi, çobani i deleve. Kur nuk respektohen standarde prioritare, demokracia, zonja Kim, është kthyer në vegël, instrument në duart e një numri të kufizuar të fortësh, të vetëquajtur strategë. Janë 29 mijë dosje që presin në sirtarët e pritjes tërkuzë të gjykatave. Dosjet flenë prej vitesh. Denoncimet e kanë humbur aktualitetin, personazhet për të cilët janë ngritur akuza janë kthyer në peshq edhe më të mëdhenj se kanë qenë. Ata që kërkojnë të fitojnë të drejtën e tyre Kushtetuese, nuk kanë besim se do vijë koha që të marrin atë që ua kanë grabitur të fortët. Ajo që vlen të nënvizohet është se për këtë heshtje të gjatë askush nuk e vë ujin në zjarr, askush nuk ngre zërin dhe përgjegjësit të vihen para ligjit. Ligjin në dorë e kanë patur për vite të tërë antiligjorët, ata që kanë braktisur drejtësinë për të bërë padrejtësi, ata që e kanë dashur sistemin e drejtësisë, shtetin si fasadë dhe asgjë tjetër. Reforma në veting e ndau egjrën nga fara. Më në fund u ngrit dhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Në vijim do ngrihet edhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Politika, kryesisht opozita po denoncon plot raste ku gjyqësori paraqitet njëlloj si dikur problematik. Ka mjaft vendime të diskutuara nga gjykatat, ku kanë fituar lirinë autorë të veprave të rënda penale, të cilët kanë përfituar nga qëndrimi abuziv, nga mungesa e profesionalizmit të gjyqtarëve në çështje të nxehta. Këto janë problematika ku kërkohet një dorë e fortë në arsyetim e gjykim, problematika, të cilat do kërkojnë vëmendjen dhe kujdesin e ambasadores së re me shumë përvojë, Yuri Kim. Këto pritshmëri kanë shqiptarët, sepse duan dhe dëshirojnë që shteti informal duhet të dalë nga përgjumja dhe të përsosë reformat që i bëjnë institucionet shtetërore dhe ligjet në këtë vend konkurrues me vendet partnere në Bashkimin Europian e më gjerë. Nuk duhet të ndodhë më si në këto tridhjetë vjet, nuk kemi kohë për të humbur. Shqiptarët mbajnë sytë tek ambasadorja e ardhur rishtas, të bindur se peshqit e mëdhenj, peshqit e politikës kriminale, të kalbur e të kapur, nuk do i shpëtojnë më ndëshkimit të ligjit, nuk do i shpëtojnë më syrit të ndërkombëtarëve, të cilët nuk heqin dorë nga ndërtimi i një administrate publike dinjitoze, që t’i shërbejë zgjedhësve, votuesve, brenda standardeve të një demokracie funksionale.