BREAKING NEWS

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë shqiptare po kërcënohen rrezikshëm’, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të bujshme në vend

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë
x

Opinion / Editorial

Çfarë synon Basha me hapjen e partisë para zgjedhjeve?

Çfarë synon Basha me hapjen e partisë para zgjedhjeve?

Tashmë është bërë publike ftesa për shumë ish-figura të PD-së, të larguar prej kohësh. Por je në mëdyshje për konotacionin që mbart. Kjo diktuar edhe nga fakti se disa kohë më parë Basha i sulmoi me të gjithë artileritë dhe taborët e militantëve “xhaketat e vjetra”. Largimi i tyre ditë pas dite gati u shpall si triumf, si purifikim i së shkuarës problematike dhe mundësi e qarkullimit të elitave. Madje në mbështetje të kësaj qasjeje, u akuzuan shumë e shumë syresh se në zgjedhjet e 2013-ës e në vazhdimësi me veprimet apo mosveprimet e tyre e kishin dëmtuar kauzën e fitores ndaj të majtës. Më e papajtueshmja me vijën e Bashës dhe më e diskutuara si “delja e zezë e tufës”, ka qenë zonja Jozefina Topalli. Por sot si për çudi ftesa i bëhet ekskluzive. Mos vallë ky qëndrim duhet marrë si një lloj autokritike dhe mundësi rehabilitimi për zërat ndryshe?! Një shenjë pjekurie në lidership e Bashës, i cili më së fundi ka kuptuar se fitorja nuk është praktikë konformiste, dakordësie, rreshtimi dhe hierarkie ushtarake, por mozaik qëndrimesh, metodash, që krijojnë hapësirat e nevojshme për rrahjen e mendimeve, ideve, alternativave? Apo është një sjellje në kohë, imitim i KOP-it të dikurshëm? Personalisht duke ndjekur gjithë rrjedhën e ngjarjeve e kam të vështirë ta besoj sinqeritetin e kësaj ftese. Kjo është një lloj kozmetike e vonuar, një masë për të shuar zërat kundër dhe për ta shpërndarë përgjegjësinë në rast se gjërat nuk ecin sipas planit. Për të mos dhënë dorëheqjen dhe mosfragmentarizmin e partisë. Të rinjtë e PD-së që u trumbetuan me zhurmë sefte, duket se janë konsumuar në një kohë fare të shkurtër prej frymës së militantizmit permanent dhe mungesës së ideve, kurse koalicioni tradicional me partitë e vogla për të njëjtat arsye dhe të tjera si këto, më tepër i merr se sa i jep PD-së. Në fakt Basha më tepër se prej programit, karizmës apo vizionit që përpiqet të shpërfaqë në ecejaket e tij nëpër Shqipëri, shpresën më të madhe për triumf e ka tek lodhja apo konsumimi i mazhorancës aktuale, jo vetëm prej kohës qeverisëse, por edhe ngjarjeve apokaliptike që kanë ndodhur me impakt të madh social, si tërmeti apo pandemia e koronavirusit. Basha është një KOP-ist që e paraqet kopjen e huazuar nga Berisha si dokument autentik. Kjo i përngjan asaj historisë me kokrrat e ndotura të rrushit, ku pasi i ke pështyrë i shërben sërish në tryezë me pamje xhentëlmeni. Si reaksion disa “qëndrestarë” të gardës së re revolucionare po ndihen të tradhtuar, jashtë listave për deputetë dhe po derdhin mllefe në rrjetet sociale. Por e qartë është se nuk mund të shkojnë dot më larg, sepse janë aty pa meritë, pa histori dhe mund të bëhen harakiri pa më të voglin hezitim. Më shumë se çdo gjë tjetër këtë kontingjent e tremb fakti se kanë derdhur vrer mbi ish-ët dhe zor se mund të fitojnë simpatinë e tyre. Në këtë situatë i vetmi që i di përgjigjet e testit dhe do t’i zbulojë në çastin e duhur është Basha. Por që nuk mund ta certifikojë pa miratimin e Berishës.