BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Fashizmi me armë na sulmoi, me armë e luftuam e u çliruam!

Fashizmi me armë na sulmoi, me armë e luftuam e u çliruam!

Kur na pushtoi fashizmi, nuk e pamë të ishte “popullor, pa armë e pa uniformë”, siç pohojnë disa “akademikë”, ndaj shqiptarët patriotë e pritën me armë. U ngrit i madh e i vogël, dhe luftuan e fituan kundër fashizmit e nazizmit dhe kolaboracionistëve ballisto-zogistë. Le të marrim vetëm një fis, të armatosur me 30 gryka zjarri: Fisin Dervishaj.

“O Çipin përmbi Smokthinë

palla labe bën kërdinë”.

Është fis me 15 familje. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kanë “kënduar” 2 pushkë për çdo shtëpi: 16 partizane, 14 territorialë. Midis tyre 18 gra si lule dhe 8 pionierë-gonxhe. Fis me 40 veteranë. Historia e këtij fisi u shkrua me gjakun e dy dëshmorëve. Për dëshmoren Rakibe Dervishaj, flasin vargjet: “ Në borë e në acar Luftove me hitlerianë/ Vrave shtatë, pa të vranë/Ti nuk vdiqe, je e gjallë”. Një togë e tërë. Vështirë të flasësh për të gjithë, po ndalem në dy prej tyre. Mevlan Dervishaj, lulëkuqja me jetën më të gjatë, gati njëshekullore. I moshuar, por trupdrejtë, pa syza, me logjikë, me kujtesë për zili, kolonel me pesë plagë, sa cepa kishte ylli që mbante në ballë. Partizan në fillim të vitit 1942. Komunist nga tetori i atij viti. Komandant i çetës vullnetare të fshatit. Komandant i çetës partizane “Zigur Lelo”. Komandant i batalionit “Halim Xhelo”, Komandant i Grupit të Tretë të Mallakastrës, Komandant i Brigadës 11 Sulmuese. Kur takoheshe me të, të kënaqte me episodet që tregonte. “Dje kisha pushkën, sot pushkë kam penën”, -shprehej. Dhe të tregonte një radhë me dosje. Në njërën prej tyre ishin shkruar aksionet luftarake. I pari ishte ai i Jonufrës, ku luftoi çeta me 22 partizanë. Këtu ishte shënuar dhe kënga: “Zigur Lelo” quhej çeta/ e ngritur me 20 veta/ çeta porsa u krijua/ dhe në luftë u provua/ në Jonufër afër Vlorës/ kërcet pushk’e bombë e dorës”. Pas dy javësh çeta u rrit me 35 partizanë. Po shtoheshin grykët e pushkës. Dhe partizanët ai i ka të shënuar emër për emër. Në një dosje tjetër kishte plot shifra interesante: lista emërore të partizanëve të çetës e të dëshmorëve. Të dhëna nga historiku i Smokthinës: 173 partizanë, 156 vullnetarë të çetave territoriale, 75 dëshmorë, 15 të masakruar, 40 të burgosur e të internuar, 120 shtëpi të djegura, 10 mijë bagëti të imta e të dëmtuara, 60 kafshë të trasha etj. Këtu kishte dhe dokumente të tjera, shkrime, vjersha, statistika, debate, data, ngjarje. Janë të sistemuara në mënyrë kronologjike. Punë me merak, i kujdesshëm për të shënuar çdo gjë, se “po nuk u shkruan, i merr era, harrohen, çdo t’u lëmë brezave”,-thoshte xha Mevlani. Dhe vazhdonte me shënime dite, në formë ditari. Një ditë i bëra pyetjen: A kanë luftuar ballistët në Gjormë,- siç thonë disa pseudohistorianë? Dhe mora përgjigjen: “Në luftën e Gjormit mori pjesë e gjithë krahina e Mesaplikut. Nuk është e vërtetë që atje luftuan edhe ballistët. Balli në atë kohë s’kishte çeta. Çetat në çdo fshat ishin të Frontit Nacionalçlirimtar. Kishte individë, por këta u bënë ballistë më vonë. Erdhën Skënder Muçua e Hysni Lepenica, por ata ishin në komandë dhe nuk luftuan. Në luftën e Gjormit unë isha aty, roje. E pashë me sy që Muçua dhe Lepenica u zunë me Mehmet Shehun dhe ikën fare. Shoku Hysni Kapo bëri çmos dhe i ktheu. Në atë betejë u vranë 5 partizanë, të gjithë janë dëshmorë. Po të kishin luftuar ballistët, do të kishin edhe ata dëshmorë. Po balli s’ka as dëshmorë, as këngë. Këngët i ngre populli. Edhe në Gërhot ata u vranë për laçka e plaçka dhe na i bënë dëshmorë! Ky burrë i rrallë i Labërisë, me bisedat e tij të tërhiqte si magnet. Sa herë t’i shkoje në takim, do ta gjeje me penë në dorë. Dëgjoje ngjarje reale. Nuk fliste për vete, por për shokët bashkëluftëtarë. Kot nuk i janë dhënë 19 urdhra e medalje. Me gjakun e tij ka skuqur tokën mëmë. Është “Nderi i Qarkut të Vlorës” dhe “Nderi i Komunës Brataj”. Trim mbi trimat, që gjithnjë ka qenë komandant, i njohur që nga Enver Hoxha, për besnikërinë dhe shembullin e tij si ushtarak. Edhe pse është ndarë nga jeta, xha Mevlani mbetet një model i vërtetë, patriot i shquar, në gjurmët e të cilit ecin breza të rinj të fisit të tij, që janë “lule brez pas brezi”. Djali i tij, Kujtimi është krenar për babanë që ka pasur dhe ruan traditat, zakonet dhe figurën e tij, ecën me besnikëri në gjurmët e tij.

“Smokthina e bukur në grykë, trima,

luftëtarë të stolitën krenarinë.

Në një 5 Maj shkuam në shtëpinë e dëshmores Rakibe Dervishaj. Na pret e na tregon për motrën e tij gjenerali në pension, Bako Dervishaj. Për herë të parë isha njohur në Elbasan në vitin 1954, ku ai ishte në detyra të larta ushtarake. Duke qenë se punoja me rininë, e bëmë “anëtar nderi” në një çetë pionieri. Mik i rinisë edhe në kryeqytet. Bisedat e tij me të rinj e pionierë ishin një mozaik i bukur temash. Dëgjonim, shikonim dhe mendonim: “Ku jemi këtu, në familje apo në ndonjë muze?” Fjalët e gjeneralit të shoqërohen me ilustrime. Ai ishte një “ciceron” i talentuar. Në dhomë kishte 15 albume. Njëri më i bukur se tjetri. I ka bërë vetë. Histori e gjallë. Dokumente të shumta. Familja- bazë e LANÇ. Shkuam për pak dhe mjedisi e mikpritja s’na lëshonin! Të parin pamë albumin familjar. Fletët e tij me estetikë. Materialet biografike e fotografike me kronologji. 16 luftëtarë nga fisit i pamë të fotografuar. Njëri më i ri se tjetri. Me fotografi edhe 14 luftëtarët e batalionit territorial. Edhe 18 gra e 8 pionierë luftëtarë. Shqiponja me zogj bashkë. Edhe një polifoto me grafikun e trungut e të degëve të familjes që nga shekulli i 14! Të freskuara me fotografi të djemve, të nuseve e të fëmijëve të sotëm. Familje atdhetare. I shohim në fotografi të bukur e të qeshur, sikur po flasim me ta. Vështirë të gjesh një tjetër njeri që të jetë kaq i kujdesshëm si Bako Dervishaj, për të evidentuar e demonstruar me foto e grafikë, me dicitura e shënime të kaluarën jo vetëm të familjes, të fisit, por edhe të fshatlindjes, gjithë Smokthinës. Ja, dy albume: njëri i Heroinës së Popullit Qeriba Derri dhe tjetri i dëshmores Rakibe Dervishaj. Edhe një album për Smokthinën. Me titull metaforik: “Është derdhur gjak me okë, që të lulëzojë kjo tokë”. Këtu përfshihen fotografi të dëshmorëve të LANÇ, këngë popullore kushtuar atyre dhe luftëtarëve të tjerë. Skema e harta lufte, itinerari i udhëtimit të partizanëve nga Vlora, nëpër Shqipëri e deri në Vishegrad; dekorime të bashkëfshatarëve etj. Shtëpitë e fshatit në foto duken si dekorata të mëdha të bardha në gjoksin e Mesaplikut. Çdo gjë shkruar bukur, sikur të ishte dora e një piktori. Muze familjar, gjuha e të cilit është fotografike, dokumentare. Flasin fakte, shifra, skica, grafikë. Pasqyrohen ngjarje historike të Smokthinës. Në fotografi grupi edukativ, celula e partisë, çeta e parë partizane, këshilli nacionalçlirimtar, aktivi i Rinisë Komuniste, të dezertuar nga ushtria italiane, njësiti gueril i fshatit, spitali partizan, gratë e para aktiviste të luftës, grupi folklorik i këngës labe. Sa bukur ishin radhitur! Ishin edhe tre albume të tjerë, në fletët e të cilëve pasqyrohen fiset e fshatit, sipas lagjeve ku janë vendosur fillimisht, fotografi të bashkëfshatarëve. Edhe tetë albume të tjerë me historikun e fshatit, me shkrime të ndryshme botuar në shtypin periodik, të prera me gërshërë e të sistemuar në mënyrë kronologjike, të cilat flasin për zhvillimet e Smokthinës. Ndërmjet tyre edhe albume xhepi, në format më të vogël, me foto të zvogëluara, fakte e shifra për përdorim praktik. Bakoja nuk ishte lokalist. Ai përpiqej të mos ilustronte vetëm fshatin ose krahinën e vet. Fijet e punës së tij kërkuese shkonin deri në Veri të Shqipërisë. Është një punë kërkimore-gjurmuese-studimore e tij, që e bënte me iniciativën e vet. T’i kërkoje Bakos, për shembull, diçka nga pushtimi serb dhe dëmet e tij në Veri, ai të jepte shifra, që i kishte në fondin e “muzeut” të tij dhe të thoshte: në vitin 1913, në Veri të Shqipërisë, trupat serbe-malazeze shkatërruan 100 fshatra, dogjën 12 shtëpi, vranë dhe dogjën të gjallë 8 mijë fshatarë, lanë pa strehë 125 mijë veta. Të gjitha bagëtitë ua rrëmbyen. Më 1914, “Në 60 fshatra të Gjakovës, Prizrenit, Dibrës dhe Ohrit janë djegur 35 shtëpi, janë vrarë 1827 njerëz” e të tjera. Bakoja ishte njeri i gjithanshëm, skrupuloz, mbante rregullisht shënime. “Le të jenë aty, s'më hanë bukën, mund të më duhen mua ose mund t’u duhen të tjerëve që do t’i kërkojnë”,- shprehej ai. Dhe mblidhte e mblidhte të dhëna, nga të cilat botonte në librat e tij ose ndihmonte krijues të tjerë, në përgjigje të kërkesave të tyre. Të shkoje në “Shtëpinë muze” të Bakos, zemra të bëhej mal dhe të kujtohen vargjet: “Smokthina e bukur në grykë/ ç’trima, burra luftëtarë/ të stolitën krenarinë/ dhe të mbajnë faqebardhë”. Ai 5 Maj na mbeti në mendje, se pamë një familje-muze, gjithë frymëzim. Na dha përvojë. Prej tij mësoje si ushtarak, por edhe si intelektual e familjar shembullor. Me Agimen ishin një çift bashkëshortor model, mikpritës. Bakos i zinte dora çdo gjë. Mbi tavolinë kishte makinën e shkrimit, lapsa me ngjyrë, gërshërë, ngjitëse. Tani shtëpia e tij nuk ishte vetëm muze, por edhe si shtypshkronjë e vogël! Ai daktilografonte materiale dhe lidhte vetë libra, bënte kopertina të tyre, vizatime, tituj me bukurshkrim apo shkrim shtypi. Lodhej, por kjo punë e çlodhte. Çfarë vullnetmadh ishte ky njeri! Mendjen e kishte tek librat. Shkruante dhe shkruante përherë. Arriti të botojë 30 libra. Kishte jo pak lexues që i dërgonin letra falënderimi. Poeti Andon Kote i shkruante që nga Florida. Mbante lidhje edhe me miq italianë, të cilët i shkruanin në gjuhën e tyre dhe po italisht u përgjigjej edhe Bakoja. Të gjitha librat i ndante falas.

Armët “këndonin”te“Guri i prerë”,

si gjinkalla në pranverë”!

Librat me autor gjeneral ishin me barut të thatë. Në faqet e tyre lëvizin njerëz. Janë personazhe lufte. Atdhetarë. Luftëtarë brez pas brezi. U ka kënduar në duar maliheri dhe dograja, mauzeri dhe palla. Në librat e tij gjen kënaqësi të veçantë. Dhe grumbullonte jo vetëm materiale për LANÇ, por hynte në thellësinë e shekujve. Njëra prej tyre shtrihet nga viti 1912 deri më 1944. Në faqet e këtij libri të duket sikur“Smokthina hedh valle”: “Vallja” e parë niste nga vitet 1800-1912. E hiqnin qindra valltarë smokthinjotë, nga të cilët 12 ishin kryevalltarë, që ranë dëshmorë me armë në dorë. Palla dhe jatagani prisnin mish osmani. Betimi ishte “Ose nën zgjedhë, ose në male”! Dhe zgjidhej mali e këndohej: “Mesaplik te rrapi i thatë/ turqit tabore shtatë/ gjashtë muaj ditë e natë/. Vallja e dytë e luftës vazhdoi nga vitet 1912-1920. Jugu lakmohej nga shovinistët grekë e pushtuesit italianë, Veriu nga serbi. Kryevalltari ishte trimi Zigur Leloja dhe në “valle” qenë zënë 200 smokthinjotë. U vranë 14 luftëtarë dhe u plagosën 7 të tjerë. Te rrapi i Gurës u mblodhën 4000 veta. Luftohej duke kënduar “O Vlorën, o vdekjen”. Patriotët “i bashkonte jatagani/ as ungjilli, as kurani/ as turku, as grekomani”. Vallja e tretë më e gjatë ishte ajo e viteve 1920-1944. Trimëria e smokthinjotëve u ngrit në pikën më të lartë gjatë LANÇ. Vallëzohej me pushkë në krah. Çdo shtëpi ishte një djep. Çdo familje një bazë. E udhëhiqte vallen Qeriba Derri, “çikë stralli, xixa syri, flakë balli”. Valle në gojë të ujkut. Mbi 600 valltarë, të zënë fort për dore, prej tyre 103 dëshmorë. Smokthina me 205 partizanë, nga të cilët 73 dëshmorë.”.Pena e gjeneralit pushoi vetëm kur pushoi zemra e tij. I kënduan Popullit, Atdheut, Partisë Komuniste dhe Enver Hoxhës.

***

Një fis luftarak. Dy partizanë të vjetër. Dy ushtarakë madhorë. Me pushkë e penë në dorë. Dy luftëtarë veteranë. Kuadro të lartë,! Njerëz të palodhur. Krijues dhe edukues të filizave të rinj. Trashëgimtarët e pasardhësit e tyre mbajnë lartë emrat dhe veprat atdhetare të këtyre prindërve të denjë shqiptarë. Me siguri kjo do të ndodhë edhe pasuesit e tyre, për të çuar përpara stafetën e paraardhësve, atdhetarëve të shquar, Mevlan e Bako Dervishaj. Ata nuk arritën dot të festonin as 75-vjetorin e Çlirimit të Atdheut, por rrojnë emrat dhe vepra e tyre mëmëdhetare.

Nga Sevo Tarifa

(Në kuadrin e 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut)