Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Fatkeqësia” që firmosi destabilizimin dhe anarkinë!

Postuar: 12/06/2019 - 07:20

E kishte menduar me kohë aktin e sotëm të paprecedent me “qetësinë dhe dashurinë” e tij që “vret”! As më shumë e as më pak, si pa të keq, dje Presidenti hodhi firmën për ç’dekretimin e asaj që kishte dekretuar me të drejtën që i jep Kushtetuta. Po mirë, me ç’të drejtë ky President shkelmon Kushtetutën dhe ndërmerr një akt të tillë për anullimin e zgjedhjeve që do të zhvillohen brenda afatit që i jep Kushtetuta? Vallë ky nuk e kupton, që del jashtë kompetencave të tij? E kupton mirë ai, por më e rëndësishmja është që përpara interesave madhore të Kombit, ai kërkon të shpëtojë kokën e tij!

Anarkia, si asnjëherë tjetër në këtë vend ka ardhur qysh nga zgjedhja e këtij Presidenti, apo më mirë të themi qysh nga dalja në skenë e këtij çifti, njëri President dhe tjetra Kryetare e Partisë. Më parë se ky çift, herë në “opozitë” e herë në “unison” të shpartallonin partinë e tyre të quajtur LSI, tani ju drejtuan vendit për ta çuar në kaos dhe anarshi. Anarkia filloi me djegien e mandateve të opozitarëve, të atyre figurave të paafta për të kryer detyrat e tyre si përfaqësues të popullit, të cilët, mbasi fjetën gjumë për dy vite të tëra, tani në prag zgjedhjesh u kujtuan që votat e tyre janë vjedhur dhe Rama ka ardhur në pushtet me kriminelët dhe me votat e vjedhura. E bënë këtë, duke gjetur si pretekst largimin e Ramës të zgjedhur si Kryeministër me mandatin që i kishte dhënë populli. E krijuan këtë “perde tymi” për të fshehur pisllëqet e tyre dhe duke përfituar nga mungesa e organeve të drejtësisë për të cilën ja vlen të themi që qysh kur këta farë opozitarësh të sotëm erdhën në pushtet në fillimet e viteve ’90-të, drejtësia ka munguar. Tani, me vettingun kur diçka po lëviz, tani ata tremben dhe kanë vendosur “o hop o top”! Sepse rrugë tjetër nuk kanë. E thënë më shqip. Kjo situatë e krijuar nga këta ish përfaqësues të popullit përkthehet: “Më mirë le ta pësojnë qytetarët përpara asaj që ta pësojmë ne”! Nuk mund të pretendohet që mund të ketë edhe të tilla, por jo vetëm në krahun e Ramës, por nga të gjithë krahët e politikës votat janë vjedhur e aq më shumë nga iniciatorët e vjedhjeve të votave që janë alias opozitarët e sotëm. Në ndihmë, opozitarëve humbës i vjen edhe Kryeopozitari President, i cili qysh nga ardhja e tij në fron ka menduar vetëm djallëzi dhe hipokrizi. E ndërsa opozitarët e bënë punën e tyre apo sabotimin e rradhës, këtij skandali të paprecedent, Presidenti i vendos firmën dhe i jep fuqi ligjore duke mos e patur një kompetencë të tillë, siç ishte anulimi i dekretit për zgjedhjet. Kur them që ai kishte kohë që përgatiste një veprim të tillë kam parasysh ato ç’ka tha nga mesi i muajit Mars në Pogradec. Në deklaratën e tij më 20 Mars të këtij viti nga qyteti i Pogradecit, paralajmëroi rrezikun e kthimit të trazirave si në vitet më të vështira të Shqipërisë. Një lloj kërcënimi, që as opozita deri tani nuk ka artikuluar asnjëherë përveç Sali Berishës.

Më tej, Presidenti vazhdoi si për të na bërë ne qytetarëve që të lotojmë, “se është i gatshëm të sakrifikojë jetën e tij duke u vetëvrarë në mënyrë që vendi të dalë nga kriza politike, që sipas tij mund të thellohet edhe më tej. Do ta bënte këtë veprim, të njëjtë me atë që bëri Presidenti i Kilit në vitet 1970-1973, Salvador Allende që u vetëvra si sakrificë ekstreme kundër instalimit në pushtet të një junte ushtarake. Me mesazh të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Rama dhe liderit opozitar Basha, Presidenti thotë se ata po sakrifikojnë vendin në një krizë gjithnjë e më të thellë për karrigen e tyre. Zgjidhja është vetëm përmes dialogut - tha ai dhe nëse kjo arrihet paraprakisht, atëherë ai është i gatshëm të lërë të lirë edhe vendin e Presidentit për t'i hapur rrugë zgjidhjes. Çudi, si nuk zgjodhi këtë rrugë, të kishte lënë mandatin e tij por e fut vendin në kaos. A do shumë mend të kuptohet që është hipokrit dhe i djallëzuar? Hipokrizia dhe djallëzia e tij nuk kanë të sosur. Si argument në aktin e fundit të tij nxjerr edhe atë që “mazhoranca nuk ka bërë asgjë për dialogun mes palëve”! Po ju more President, që e keni të përcaktuar qartë në Kushtetutë, çfarë përpjekjesh bëtë për të ulur palët në bisedime? Asgjë nuk keni bërë dhe jo vetëm kaq, por i keni fryrë përçarjes, anarshisë dhe kaosit. Mbasi lejuat protesta pas protestash “kombëtare” nga ana e opozitës, aq sa edhe bota do të çuditet, pritët protestën e tetë dhe në mes të saj e hodhët “molotovin” që kishit në dorë nga ballkoni i Presidencës. “Molotovi juaj nuk ishte si ata që fansat e opozitarëve mbajnë në xhepa, por është një “molotov” që kur bie nga lart poshtë, shkakton dëme të pariparueshme!

Edhe kur e morët për shembull Presidentin e vrarë të Kilit, me siguri do të keni patur parasysh atë që, ai kishte helmetë në kohë dhe ju menduat të fshiheshit prapa “helmetës”! Nuk erdhët më afër në kohë tek Presidenti i Perusë, Alan Garcia, i cili nuk pati helmetë në kohë dhe ja hoqi vetes pa “cak, pa bam” për korrupsionin që kishte bërë. Ky po, që u tregua trim, kurse ju nuk jeni nga ata burra dhe mos qofshi i tillë për t’u flijuar, sepse edhe korrupsionin e keni bërë por edhe keni nxitur anarshinë në vend vetëm për interesat e tua që jo pak dëm i keni sjellë çështjes kombëtare me anën e disa fletushkave që ju vijnë për shtat, ju “krehin bishtin”, juve por edhe i “çardallosin” qytetarët! Me aktin e fundit President, ju “u vratë” me një armë shumë më e fuqishme nga ajo që u vra Garcia, sepse juve u vratë politikisht me “armën” e Kushtetutës, të cilën e përsëris që ky është një akt i paprecedent! Me ç’dekretimin e asaj që ju dekretuat, ju “argumentoni” që “ky proces zgjedhor është farsë”! Dakord, por kush e krijoi këtë farsë? Këtë e krijuat vetë ju! Me tej thoni që “vendi ka rrezik të shkojë në konflikt social”. Kush i hedh “benzinë” këtij konflikti social? Këtij konflikti, edhe “benzinën” edhe “shkrepësen” ja vendosni ju z. President, sepse jo pa qëllim nuk bëtë asnjë përpjekje që gjendja të mos arrinte deri këtu, por me qëllim e nxitët këtë situatë deri atje, sa të hiqni “maskën” e Presidentit dhe të kaloni në anën e atyre që kërkojnë rrëmujë, destabilizim. Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bënte një vepër penale, nëqoftëse ata i japin frymë anulimit të dekretit nga ana juaj sepse ju nuk e keni, e përsëris nuk e keni të drejtën të ç’dekretoni dekretin që vetë e kishit firmosur dhe nuk thatë që ishit i “dehur” kur e firmosët atë, por përkundrazi keni qenë me qetësi e dashuri”! Megjithatë, KQZ nuk ra në kurthin tuaj. As më shumë e as më pak, firma juaj për shfuqizimin e Dekretit për datën e zgjedhjeve ka fuqi ligjore, aq sa mund të ketë firma e një fermeri për të nxjerrë një Dekret, jo se ai nuk është i nderuar, por sepse nuk e ka në kompetencë dhe kështu që firma e tij do të jetë nul siç është edhe e juaja për anullimin e dekretit për zgjedhjet.

Mos e quani këtë sikur të mos ketë ndodhur asgjë. A i keni dëgjuar ata që rrinë rreth e rrotull jush se si botimin e përgjimeve nga “Bild” i quajnë “tërmet”, “bombë me hidrogjen” etj., etj., dhe firmën tuaj fatkeqe e quajnë si një akt të drejtë që “zgjidhi një ngërç”?! Kështu është kur të paaftët fërkojnë duart. Më mirë se kushdo tjetër, pasojat që mund të ketë kjo situatë i dini vetëm ju që jo vetëm nuk keni bërë asnjë përçapje t’i shuani, por i keni nxitur dhe askush nuk e kishte menduar që do të arrinit deri këtu. Me siguri që edhe “qetësia” që i imponuat Monikës kohët e fundit, këtu e kishte bazën e vet, pavarësisht që ajo nuk ju kishte takuar për më shumë se dy javë”! Talluni more talluni me këtë popull të mjerë, shumica e të cilit duke përjashtuar ata të rrethit tuaj e ata pranë qeverisë, bëjnë llogari nëse do të nxjerrin javën me bukë apo jo sepse sa për muajin as që bëhet fjalë!

Por, ja që situata në të cilën ndodhemi nuk ka vetëm të këqija, por ka edhe anë të mira. Ana e mirë e kësaj situate është ajo që, palët u pozicionuan secila në anën e saj, apo u nda “shapi” nga “sheqeri”! Nga njëra anë dolën “gozhutat” dhe nga ana tjetër “gruri” i pastër. Le ta mësojë këtë edhe bota e të bindet se kush është në anën e duhur të historisë, se kujt i dhëmbin një grimë interesat e vendit dhe kush janë ata që kërkojnë ta çojnë vendin në greminë! Kush më shumë e kush më pak, të gjithë ju që keni zaptuar padrejtësisht “qoshet” e vendit, jeni përgjegjës dhe një ditë do të përgjigjeni sipas fajeve të mëdha që keni bërë, duke mos bërë përjashtim për asnjërin prej jush politikanë jashtë ç’do standardi, të majtë të djathtë, apo të qendrës. Por, ca më shumë se të tjerët, jeni ju z. President, që u bindeni atyre kryetarëve të partive që nuk kanë asnjë antar dhe nuk merrni mendimin e atyre që kanë me vete shumicën dërrmuese të qytetarëve. Megjithatë, më mirë se kushdo për këtë “katrahurë”që ju firmosët, le të flasi koha... 

Nga Pandeli BARDHI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/09/2019 - 07:17

Sa herë Presidenti del me deklarata ose jep opinione, konferenca shtypi apo shkruan në rrjetet sociale, jemi tërë sy e vesh për të rejat që kumton, idetë që shpalos, paralajmërimet që bën, objektivat që përcakton për

Postuar: 17/09/2019 - 07:15

....Këtë mund ta besojë vetëm ndonjë mendje si ajo e z.

Postuar: 17/09/2019 - 07:14

Më kujtohet se kur erdhi në pushtet qeveria e Edi Ramës mbas zgjedhjeve të 2013-ës, ju desh njëfa

Postuar: 17/09/2019 - 07:12

Ka kohë që flitet për krisje të marrëdhënieve midis presidentit Meta dhe liderit të selisë blu, B

Postuar: 15/09/2019 - 07:43

Gjatë periudhës së pushimeve në qytetin e Vlorës, më ndodhi, ashtu sikurse i ndodh gjithkujt, që

Postuar: 15/09/2019 - 07:42

Bashkimi Evropian e zgjidhi qesen për reformën në drejtësi.

Postuar: 15/09/2019 - 07:40

Nuk është hera e parë që zonja Monika Kryemadhi, Kryetarja e LSI-së, sot bashkëkryetarja e opozit