BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Fatkeqësisht po, por mundemi që...

Fatkeqësisht po, por mundemi që...

Po shkruhet, flitet, tregohet, gënjehet, amplifikohet, propozohet, ligjërohet, vendoset dhe plot folje të tjera mund të radhisnim për ato çka po bëhet për parandalimin, zbërthimin dhe njohjen e gjëmës mbarëbotërore të pandodhur më parë, të koronavirusit apo siç na tingëllon në vesh "Covid-19". Ka vajtur puna deri atje sa çdo gurmaz (i një njeriu të gjallë ) ka një avaz të vetin! Zor se gjen një mijë mendime të njëjtë ndër 7.7 miliardë që gjallojnë në planet, ku vendin e parë e mban Kina me 1, 4 miliardë e pasuar nga India me 1.3 miliardë njerëz. Më trushthurëse janë fjalët e veprimet e mjaft prej presidentëve, nga ai amerikan deri tek ai Madagaskarit, pastaj ato të multimiliarderëve e deri tek kryetarët e vendeve të vogla, të cilat na bëjnë sa për të qeshur aq edhe për të qarë. Bëmat nga më të çuditshmet, ligjet dhe aktet normative, kufizimet dhe privimet e ç'nuk po ndodhin si pasojë e kësaj lloj kolere. E pasoja më e rëndë (por për askënd, më e kënaqshme) është vdekja deri tani afër një milioni banorë të rruzullit dhe mbi 20 milionë të infektuarish potencialisht rrezik për të shtuar përhapjen e virusit, dhe shtuar numrin e vdekjeve, etj. etj. E pse të mos e them edhe unë, me atë injorancën time, mendimin tim, që kjo sëmundje virusale realisht është një grip pak më i rëndë se të tjerët e asgjë më. Është media e çatrafiluar si biznes, nga ideja për të fituar sa më shumë, si dhe gojët e njerëzve nga të zakonshëm të rrugës e të punës, të shkencës, teknologjisë, dinastisë sunduese politike, specialistë të mirëfilltë e deri tek fashistë, perversë, të çmendur e antinjerëzorë, që e kanë fetishizuar koronën, në pikë kulmore. OBSH dhe OKB, këto dy organizma sa prestigjioze në dukje, aq edhe të molepsura e të korruptuara nga kapitali, vegël e të cilit janë qysh prej ditës së krijimit të tyre e deri më sot, po flasin shumë e më shumë duke krijuar përditë lumenj vërshues pesimizmi, ankthi, pasigurie për popujt dhe fitimprurje për bosët e kapitalit. Kjo, ngase kur veshi dëgjon fjalitë me përmbajtjen e afërt: "Akoma nuk është realizuar plani i vdekjeve" apo "jemi larg parashikimeve" si dhe "le të rrojë kush të rrojë" etj. të këtij lloji, doemos që krijohet atmosfera e rënduar e ankthit të vdekjes së shpejtë të sigurt, e krijimit të një mjedisi me tjetërsim të domosdoshëm të jetës individuale e kolektive, si në qytet edhe në fshat. Virusologë e imunologë e "logë" të tjerë arrijnë deri sa të thonë se duhet braktisur takimi me dorë midis njerëzve!? Me një bukuri tautologjike e thoshte këtë gjendje një drejtues institucioni mësimor në Tiranë: "po krijojmë një rrugë të sigurt për të ardhmen e pasigurt". Nisur nga përjetimet që shohim, ndjejmë dhe gjykojmë, dilet lehtazi në përfundimin e trishtë, por jo për të frikësuar kënd, se fatkeqësisht ky segment kohor historik pandemik është një gjendje moralo-psikologjike, ekonomiko-ushtarake dhe kulturoro-teknologjike aspak i ndryshëm se sa prag i një lufte të re botërore. Deri këtu asgjë nuk ka për të shqetësuar. Lufta, si vijim i të jetuarit me përdorim armësh, (“vazhdim i politikës me mjete violente”-thoshte V. I. Lenini), është dukuri shoqërore që del në skenë kur shterohet forca e fjalës. E tani armë e kësaj lufte na qenka bërë një mikrob i vockël që nuk shihet, nuk dihet kush e mban apo ta dha! A mund të parandalohet? Pa tjetër që po, sepse janë të gjitha mundësitë, edhe pse dominojnë hëpërhë, vështirësitë! E para gjë që prish punë është dyfjalëshi i ndyrë: "Parti politike". Janë partitë, kudo nëpër botë, ato që e kanë politizuar në pikën më lartë edhe këtë fatkeqësi që mundet dhe duhet të shmanget. Prandaj kërkohet të dalë shkenca e mjekësisë mbi politikën, deri në shpërfillje të saj. Kjo do të thotë se duhen burra e gra me zemër të fuqishme e jo servilë të politikës, që të mund ta bëjnë këtë hap. Së dyti, njerëzit e urtë e të mençur drejtues shtetesh dhe gjithkush i tillë pavarësisht postit që mban, lipset ta tregojë veten duke nxjerrë ligje jo për maska në hundë e larje duarsh me sapun (këto le t'i bëjmë mirë), por për të ndaluar mediat mendjeçoroditëse që po e fetishizojnë këtë sëmundje. Njeriu, siç rrëfehet, është më i lumtur kur di më pak dhe punon më shumë për jetën dhe jo e kundërta. Së treti, stani kërkon çoban të zot që di ta mbajë, rrisë, mjelë, shtojë dhe mbrojë tufën e dhenve. Është një fjalë e urtë shqiptare: "Dhëntë e tua ruaji vetë". Për të anashkaluar kaosin katastrofik- siç e cilëson gjendjen në shtetet amerikane, me të drejtë B. Obama, takime të kokave drejtuese të kombeve të rruzullit, pra edhe të 208 shteteve të tjera, duhet të bëhen sa më shpejt dhe të pranohet një drejtues kryesor, që të menaxhojë situatën e agravuar në të gjithë damarët e saj. Bota, gjithnjë ka pasur e ka akoma, njerëz të mirë që ia duan të mirën dhe e vlerësojnë jetën e shoqërisë njerëzore dhe raportet e saj me natyrën e ligjet e saj. Sëmundje si kjo janë shpikje të njeriut të lig dhe po njeriu, por ama ai më i miri, do të duhet dhe mundet plotësisht që t'i asgjësojë në një kohë të shkurtër, duke shmangur luftën e vërtetë botërore, thelbi i së cilës është kontradikta e ashpër dhe e papajtueshme midis klasave super të pasura dhe klasave të varfra që përbëjnë shumicën e popullsisë së globit dhe nuk është aspak gripi, çfarëdo emri që t'i vihet e në çdo kohë që të shpiket.