BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Opinion / Editorial

Fatos Nano trazoi folenë e grerëzave

Fatos Nano trazoi folenë e grerëzave

Fatos Nano, ka historinë e vet në jetën politike të Shqipërisë, e cila nis që me fillimet e pluralizmit politik në vendin tonë tri dekada më parë. Ai ishte kryeministri i parë i qeverisë post komuniste dhe për një dekadë ka qenë figurë me rrezatim kombëtar në krye të PS dhe si kryeministër i Shqipërisë në një periudhë shumë të rëndësishme atëherë kur hidheshin themelet e ekonomisë së tregut. Në këtë aspekt nuk mund të mos vlerësohet roli që ka luajtur në zhvillimin e vendit, reformat e thella që u ndërmorën në vendin tonë të sapodalë nga izolimi i gjatë më shumë se gjysmë shekullor. Ai ka shënuar emrin e tij, me idetë e lëvizjet të cilat kanë ngulur piketa të pamohueshme në rrugëtimin tonë drejt Europës dhe ka meritën se futi në shoqërinë dhe politikën shqiptare frymën e debatit dhe diskutimit të mendimit ndryshe dhe të pranimit të kundërshtarit ashtu siç ishin me të mirat e të këqijat që kishte në formimin e tij si individ, po që tek e fundit ishte një vlerë që i duhej vendit dhe çdo kontribut nuk mund të spostohej dhe të flakej tej. Nano ka qenë mes atyre që i priu ndryshimit të ish-Partisë së Punës dhe modernizmit të kësaj force poltike me këmbënguljen dhe vizionin e tij si europian i moderuar. Dhe ishte politikani që bashkëpunoi në ekip me intelektualët më të shquar, jo vetëm ata që kishin një tesër partie, atë socialiste, po cilindo që pranoi të bëhej pjesë e lëvizjeve progresiste të shoqërisë shqiptare. Po Nano vërtet ishte individ politik që solli risi, aktiv, kolegjial, bashkëpunues, ishte aktiv në tërë ndryshimet që erdhën pas vitit 1990, po edhe më vonë paçka se karriera e tij politike kur ishte vetëm 44 vjeç u ndërpre në mënyrën më brutale, duke e dënuar padrejtësisht dhe duke e degdisur në Bënçë, ku kaloi katër vitet e jetës në moshën më vitale dhe pjekurinë më të plotë. E gjitha kjo, vetëm për atë që përfaqësonte si kryetar i opozitës dhe për rrezikun që llogaritej nga mazhoranca e kohës. Se mund të ishte i dëmshëm për mazhorancën që kryesohej nga Sali Berisha i sapoardhur në pushtet me tam tame të mëdha, i gatshëm që të rrafshonte cilindo që e vlerësonte si të dëmshëm dhe pengesë për instalimin e pushtetit të tij. Dhe të shikonte si politikanë që i rrezikonte pushtetin. Ishte kjo arsyeja që u burgos dhe u largua me përdhunë nga skena politike dhe jeta aktive e Partisë Socialiste, e cila shumë shpejt do tregonte se ishte forca politike më me mbështetje popullore dhe e aftë për të marrë pushtetin falë edhe problematikave të jashtëzakonshme që u krijuan me politikat ekonomikse që ndoqi Partia Demokratike në pushtet dhe liderët e saj politikë, duke filluar nga Berisha president i vendit. Vitet e burgut të Fatos Nanos i vuajtën jo vetëm ai individualisht po edhe familjarët e tij, nëna së pari dhe të gjithë socialistët. Dhe secili prej tyre e dinte se ai ishte duke bërë burg të padrejtë dhe vetëm se shihej si rrezik potencial që pengonte destruktivitetin dhe revanshin e pushtetarëve të rinj. Historia politike e Nanos, vitet e burgut, jeta e tij si lider i opozitës, si i vetmi kryeopozitar i syrgjynosur për shqiptarët, është e njohur dhe provuar kudo që flitet shqip. Fatos Nano është nga të paktët liderë të politikës shqiptare që ka dhënë dorëheqjen edhe atëherë kur kishte pushtet dhe mbështetje të respektueshme. A ishte i anatemuari i madh sikundër është tërhequr nga skena politike kur e ka gjykuar të arsyeshme, pa bërë asnjë qëndresë edhe pa vijuar të mbetet aktiv përmes presioneve dhe ndërhyrjeve apo komenteve dhe stërkëmbshave, duke penguar pushtetarët e radhës për të zhvilluar Shqipërinë. Kështu gati për pesëmbëdhjetë vite, Nano ka mbajtur qëndrim të baraslarguar pa u përzier aktivisht në politikë. Ai me mbështetjen që ka gëzuar nga Konispoli në Vermosh mund të mbetej imponues dhe të prishte punë si për mazhorancat edhe për opozitën. Po asnjëherë nuk e bëri këtë dhe kjo është vërtet meritë dhe emancipim i një lideri me vizione dhe pa interesa të vockla e meskine. Deri sa Nano ishte në qoshe, i pandjeshëm, i pazhurmë, askush nga politikanët, liderët fuqiplotë, ata që bëjnë analistin dhe japin opinione pa ndërprerje nuk e përmendën asnjëherë. Deri sa nuk foli, ai mbetej figurë në hije. Të gjithë bënin sikur e respektonin. Ishte burrë që nuk trazohej dhe nuk u qëndronte nëpër këmbë as pushtetarëve as opozitarëve. Dhe si i tillë mbetej i nderuar, i respektuar. Njeri tolerant që nuk i hyn në pjesë askujt përkundrazi sheh punëve e vet. Pra deri sa ishte pa gojë nuk fliste nuk shfaqte një ide apo mendim që nuk ishte aktiv, po qëndronte pasiv, ai ishte i padëmshëm. Bile meritonte përgëzime dhe nuk mungonin lavdet dhe lajkat edhe nga ndonjë furçë politike nga ato që e kanë fyer deri në palcë që e kanë etiketuar dhe shantazhuar site site, jo një politikan dhe shqiptar me kontribute, po vetë djalli më i zi. Sidoqoftë një dekadë e gjysëm Nano shfaqej vetëm për të na thënë, ja ku jam. Një shëtitje. Një fjalë, një buzëqeshje apo një batutë nga ato që vetëm ai i ka në majë të gjuhës. Deri këtu për të gjithë ishte i dobishëm, babaxhan dhe kishin pushuar edhe sharjet e fyerjet, etiketimet dhe anatemimet që janë aq të shpeshta në politikën tonë, që djallit i ndriçohet figura dhe engjëllit i errësohet, që i mirë është ai që është në vathën time dhe i keqi ai që është në vathën e atij përballë kundërshtari tim politik. Po Fatos Nano ditët e fundit, një mbrëmje të muajit shkurt papritur, pa e parashikuar, gati si një surprizë për të gjithë, duke i lënë të gjithë miqtë dhe armiqtë gojëhapur dhe të çuditur. Nano me intervistën në TV Klan, shpalosi dhe shfletoi brenda një kohe shumë të shkurtër tërë politikën aktuale të vendit tonë. I bëri fije fije. I nderi në dritë të diellit për t’u terur e parë nga të gjithë ashtu siç bëhej me çarçafët në familjet patriarkale shqiptare pas ditës së parë të dasmës për të parë cila ishte gruaja hyri në shtëpi dhe sa e ndershme kishte qenë. Jo vetëm kaq ai zbërtheu me pak fjali rolin e secilit politikan dhe si një nga konstruktorët dhe progresistët e zhvillimit të demokracisë, hoqi petët e lakorit, bëri komente të cilat ranë si kambanë nga një kahje që as mendohej dhe nuk ishte e pritshme. Po Fatos Nano bëri detyrën e tij si individ me kontribute. Si intelektual. Si burrë shteti dhe ish-kryetar i qeverisë në vite shumë të vështira. Ai foli dhe e dëgjuan miliona shqiptarë. Ata që e vlerësojnë për atë që ka qenë dhe ka bërë dhe së pari për mendimin dhe logjikën e analizave të mprehta, u gëzuan që dëgjuan një zë që nuk e kishin harruar. Dhe Fatos Nano nuk është i arkivuar në kujtesën e qytetarëve shqiptarë. Ai mbetet i pranueshëm dhe i dashur për ata që kanë pasur mundësinë ta takojnë, ta dëgjojnë apo të kenë ndjerë e provuar mbështetjen dhe dorën e tij. Në vitet e gjatë të pushtetit dhe opozitës aq më shumë të sakrificës me burgun e gjatë larg Tiranës, familjes dhe partisë që i dha gjithçka që kishte. Kaq u desh sapo Nano trazoi folenë e grerëzave, vuri gishtin në plagë sapo ai bëri skanerin e trupit politik të Shqipërisë dhe preku në telat e tendosur të atyre që duan të dëgjojnë vetëm zërin e lajkatarëve dhe servilëve, këngën e mjelmave dhe zërin bariton të servilëve që këndojnë me të njëjtën melodi dhe i bashkohen të njëjtit kor anti Rama, atyre që thërrasin hosana dhe nëse shtrihen në shesh me sloganet e ditës dhe bien pre e premtimeve pa sens të opozitës si të shihnin kopje e filmit “Doktori i mrekullive” atyre që do zbresin lumturinë nga qiejt dhe do lartësojë dinjitetin e shqiptarëve që do na rikthejnë drejt Perëndimit dhe jo si Rama që na çon në Lindje, që do na japin mirëqenie pa kufi, të lumtur e shumë të gëzuar se vetëm Basha mund t’i japi këtij vendi rolin që meriton edhe në arenën ndërkombëtare, shkurt të përkëdhelurit dhe të eturit për pushtet, nisën intifadën kundër Fatos Nanos. Sikur ai u hodhi rrufetë që nga maja e Olimpit. Jo duke bërë Zeusin, kryeperëndinë, po thjesht politikanin që analizon objektivisht zhvillimet politike dhe nuk kërkon kompromis me ndërgjegjen e tij. Nano vuri gishtin në plagë. I bëri mikroportretin secilit nga politikanëve që mbahen me të madhe dhe bëjnë sikur janë në vitin zero dhe sapo nisën të hyjnë në politikë, politikanëve sikur nuk kanë të kaluar dhe kanë vetëm të ardhme. Atyre që bëjnë sikur kanë mbërritur në tokën e shqiponjave nga planeti Mars dhe nuk kanë të kaluar. Bile emrat i kanë të rinj. Në moshë janë njëzetvjeçarë. Ende pa vënë brisk në faqe. Në politikë të sapoardhur. Pa bëma e gjëma. Të varfër që jetojnë për bukën e gojës. Të shkundur nga fati i kohës. Pa as një ditë në pushtet. Të virgjër. Të pastër qelibar. Janë të padëgjuar. Të mirët e dynjasë. Të urtët deri në dhimbje, të varfrit dhe të ndershmit deri në madhështi. Kur u kujtoi liderëve të sotëm atyre që janë reshtuar në koalicionin e opozitës, shtatë mëkatet e Biblës, kur foli për ish-presidentin Berisha që e futi në qeli dhe e mbajti atje sa e çliroi populli, kur foli për gabimet e bëra prej tyre si atëherë kur ishin në pozitë edhe në opozitë dhe aq më shumë kur iu referua kryeministrit dhe guxoi të thotë mendimin e tij ndryshe nga ai i liderëve të politikës, duke filluar nga Meta, Berisha, Basha, Kryemadhi, të cilët e kanë etiketuar si gangsterë e autoritarë, si banditë e kriminelë, si të korruptuar e sundues si diktator e lindor dhe Nano argumentoi të kundërtat dhe e vizatoi me disa penelata që shndrisin dhe tregojnë një Edi Rama punëtor dhe racional që drejton me kompetencë të gjitha këto jashtë kornizës së analizës së opozitës dhe ka staturë të kryeqeveritarit serioz, atëherë u lëshuan të gjithë për ta goditur Nanon. Realisht këta gurë hidhen mbi rrezikun aktual të opozitarëve Edi Ramën! Mijëra akuza. Shumë fjalë dhe etiketime që ishin harruar. Të vjen ndot të citosh të gjitha dhe të përmendësh tërë ata që u sulën kundër Nanos dhe nxinë faqet e shtypit me mllefin dhe mallkimet më të mëdha për të na thënë se: Cilin dëgjoni? Këtë palo burrin. Këtë Fatos Nanon që nuk ka lënë gjë pa bërë? Si është e mundur të mos dëgjohet opinion ynë e të ndiqet një individ që na vë ne në pikëpyetje? Ai është njeriu që ka bërë vetëm zi. Ai ka bërë këtë e atë. Ka vjedhur dhe grabitur. Nuk u la asgjë pa u thënë. Dhe të gjitha vetëm se trazoi folenë e gerëzave agresive, të cilat i bënë edhe më agresive më të pamqshirshme. Nisën një betejë të paprecedentq. Një lëvizje që ka vetëm, një qëllim, vetëm të anatemojë atë që u prish rehatinë dhe hodhi ujë të akullt mbi entuziazmin e koalicionistëve që e kanë shpallur veten triumfatorë. Nano vetq e pati fajin?! Ai mirë ishte, atje në qoshen e vet. Ç’i duhej të trazonte folenë e grerëxave. E bëri tani sipas analisto opinionisto politikanëve, le të dëgjojë dhe të llogarisë milionat e eurove që i ka marrë Ramës sepse ndryshe nuk mund ta mbronte? Logjikë vërtetë perverse. Sulm i pazakontë poshtërues për ish-kolegun dhe bashkëpunëtorin, mikun dhe bashkëkohësin e tyre, shqiptarin dhe qytetarin që i ka dhënë këtij vendi padyshim sa gjithë ata që sot e sulmojnë dhe etiketojnë sipas logjikës mjerane që i matin njerëzit me kutin e tyre, i shikojnë shqiptarët vetëm si numra dhe vota dhe jo si qenie me ndërgjegje e mendim, si qytetarë të lirë të një bote ku duam të ankorohemi! E megjithatë Fatos Nano e tha atë që mendonte. Punë e madhe për tërbimin e grerëzave! Ato atë mision kanë, të pickojnë dhe të helmojnë këdo që i trazon në skutën e tyre.