BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Faza e dytë e COVID-19 dhe realiteti shqiptar

Faza e dytë e COVID-19 dhe realiteti shqiptar

Me sa duket faza e dytë e infeksionit me COVID-19 ka ardhur në Shqipëri. Shkaku nuk është faji i shqiptarëve apo i europianëve, që në vendet përkatëse janë rritur rastet me infeksion nga ky virus, por është në fakt aftësia e këtij retrovirusi, i cili ka aftësinë të modifikohet pas 4-5 muajsh. Esenca e modifikimit të këtij virusi është shtimi i numrit të (spikeve) majave të këtij virusi, i cili ka formë sfere me maja. Shtimi i spikeve për shkak të modifikimit të strukturës ARN të tij rrit aftësinë për të infektuar lehtësisht njerëzit. Besojmë se kjo rritje infeksioni në këtë fazë të dytë nuk ka të bëjë me rritjen e virulencës së virusit, por me një rënie të virulencës së tij, por shtim të aftësisë infektuese të tij. Ashtu siç ishte parashikuar, me hapjen nga izolimi 8 javor në Shqipëri parashikohej një rritje e infeksioneve nga COVID-19 në Shqipëri. Kjo rritje dhe ky problem nuk e gjeti të papërgatitur Shqipërinë sepse rritja e infeksioneve u vu re në të gjithë Ballkanin Perëndimor si në Maqedoni, Kosovë, Greqi, Serbi, por edhe në Europë, pavarësisht hapjes së kujdesshme të qeverive përkatëse. Shqipëria gjendet ashtu si dhe vendet e tjera të BE dhe të vendeve jashtë BE përpara sfidës së çfarë duhet bërë në këto raste. Një nga shkaqet e rritjes së infeksioneve në Shqipëri, por edhe gjetkë mbetet rritja e kontakteve të njerëzve, rritja e aktivitetit ekonomik, hapja e institucioneve dhe aziendave private dhe publike, si dhe hapja e lokaleve dhe pjesërisht e sportit. Veçoria e Shqipërisë është se rritja e infeksioneve ndodhi pikërisht aty ku nuk duhej: Spitalet, qendrat shëndetësore dhe kryesisht spitalet terciale si QSU- e Tiranës.

Pa diskutim kjo ka ndodhur për shkak sepse vetë personeli shëndetësor nuk po respekton rekomandimet e dhëna nga qeveria, rekomandime të cilat janë konform rekomandimeve të OBSH. Është shumë e rëndësishme respektimi i higjenës personale veçanërisht:

-Larja e shpeshtë e duarve pas çdo kontakti me persona apo me sipërfaqe jo të shtëpisë;

-Distancimi social- pra mos grumbullimi apo ndalimi i grumbullimeve të panevojshme sportive, artistike, mbledhje;

-Distancimi fizik- pra mbajtja distance ndaj partnerit, mikut, shokut, kamarierit prej rreth 2m,

-Mbajtja e maskave e cila është e detyrueshme në mjedise të mbyllura, por dhe në mjedise të hapura ku ka lëvizje njerëzish;

-Mbajtja e distancave të tavolinave dhe karrigeve në lokale shkolla, institucione në masën 2m,

-Larja dhe pastrimi i shpeshte i sipërfaqeve në shtëpi, lokale, institucione private dhe publike;

-Mbajtja e maskave nga punonjësit në fasoneritë apo ndërmarrje me hapësira të mbyllura;

-Izolimi në shtëpi i personave që gjenden pozitivë në testimet random apo të kontrolluara;

 -Izolimi parcial i institucioneve aty ku gjenden punonjës të infektuar pra me testim pozitiv.

Problem kryesor dhe pyetja kryesore mbetet nëse me rritjen e infeksioneve pas hapjes nga izolimi total, duhet apo jo një ri-izolim i dytë. Mendoj se nuk është i nevojshëm një izolim i dytë nëse zbatohen rregullat dhe rekomandimet.

Ruajtja e popullatës së moshuar mbi 60 vjeç dhe i vendeve ku ata strehohen si azilet, qendrat e të moshuarve, qendrat shëndetësore, do të ishte një fitore e madhe për të parandaluar infeksionet, komplikacionet dhe vdekjet nga ky virus. Krijimi i vatrave në QSU-të e Tiranës, dhe në ndonjë spital apo qendër shëndetësore në Shqipëri mbetet problem i madh dhe një nga rrugët e zgjidhjes është krijimi i të ashtuquajturave tunele të dezinfektimit para se personeli shëndetësor të hyjë në punë si dhe për individët që duhet të takojnë pacientët. Investimi dhe pajisja shumë e mirë më doreza, maska, kapuçë, veshje, këmbale të personelit shëndetësor është detyrim ligjor. Mendoj se përgjegjësi mban edhe administrata e spitaleve, e cila ka bërë lëshime në kërkesat për të mbajtur dezinfektimet dhe zbatimin e rekomandimeve sëbashku me personelin shëndetësor që nuk ka respektuar rregullat. Rëndësi ka që këto të meta të korrigjohen sa më parë dhe të mos i lihen rastit. Ka dy paradokse të mëdha në këtë fazë të dytë. Së pari dhe më i rëndësishmi është se për disa mjekë epidemiologë dhe infeksionistë ngulin këmbë tek arritja e “imunitetit të tufës”, pra krijimi i një popullate, e cila të ketë fituar rezistencë ndaj virusit, kjo masë popullate duhet të jetë rreth 60%-70% e popullatës totale. Në përgjithësi imuniteti i tufës në rastet e infeksioneve virusale është i përkohshëm sidomos nga këta tipe virusesh që kanë ARN dhe jo ADN. Pra ideja e “imunitetit të tufës” shkon në mënyrë të paradoksale, por jo shëndetësore në rastin e infeksioneve të reja në këtë fazë të dytë që po përjeton Shqipëria dhe aktualisht përbën një paradoks me kërkesën dhe rekomandimet për t’u mbrojtur në mënyrë që të mos infektohet popullata. Është e rëndësishme që njerëzit të mos infektohen dhe të zbatojnë rekomandimet, pavarësisht kakofonisë të amatorëve, por edhe të disa mjekëve të cilët kërkojnë më tepër ekspozim individual se sa japin zgjidhje. Paradoksi i dytë në këtë pandemi nga COVID-19 se është vënë re sipas konstatimin të Universitetit të Oxfordit se disa grupe pacientësh me imunitet të ulët si pacientët HIV-AIDS, kancerozët, pacientët e Hepatit etj, në pacientët që jetojnë në zonat me radioaktivitet, kanë patur më pak vdekje sesa pacientët që kanë një imunitet relativisht të mirë, gjë që ka ngritur një pikëpyetje të madhe përsa i përket imunitetit ndaj COVID-19. Kjo ka ndodhur se në pacientët që marrin oksigjen, përdorimi i Deksametazonit, i cili është një mineralokortikoid që mjekët e përdorin në mjekimin e disa sëmundjeve si ulja e edemës cerebrale, ulja e imunitetit në rastin e pacientëve më transplant si imunosupresor, i shoqëruar me medikamente si Tocilizumab (Actemra), medicament IL-6 frenues i përdorur në Artritin rheumatoid, kanë mjekuar dhe shëruar këta pacientë në gjendje të rëndë. Kjo tregon se infeksioni me COVID-19 nuk është vetëm një infeksion viral i thjeshtë, por një virus i cili shkakton të ashtuquajturën “citokine storm” (furtuna e citokinës) që është një reaksion i ekzagjeruar inflamator në të gjithë organizmin, i cili shkakton rëndimin e gjendjes duke dhënë insuficiencë multiple të organeve të shoqëruar me mikrotromboza jo vetëm në pulmonë, por edhe në të gjitha organet e tjera që në mjekësi quhet DIC (Koagulimi intravascular i diseminuar), komplikacion i cili e çon pacientin në vdekje të pashmangshme. Një nga mënyrat për të shmangur këtë infeksion të rëndë pandemik do të ishte krahas respektimit të rekomandimeve, edhe gjetja e një vaksinimi efikas. Përpjekjet për të gjetur një vaksinë efikase janë në garë në gati 100 vende të botës, por gjetja e një vaksine të sigurtë do të vonojë, prandaj mënyra më e mirë është shmangia dhe respektimi i rekomandimeve nga qeveria. Akuzat për mungesë të testimeve të mjaftueshme në popullatë nuk janë shumë të bazuara sepse po të shohim vendet që kanë më shumë testime si SHBA, Itali, Francë, Kanada, Angli, Brazil, kanë mortalitetin më të lartë. Testimet janë vetëm konstatim dhe jo mjekim. Së fundmi një nga mjekimet më të efektshme krahas antiviralëve të kombinuar me medikamente të tjera si Deksametazoni, Tocilizumabi, vit C, mbetet edhe injektimi tek të sëmurët rënde i antikorpeve specifike anti-COVID 19. Janë gjetur disa antikorpe specifike si antikorpet: anti-SARS-CoV-2 Spike Protein (AA 318-510), dhe (Subunit S1) antikorpi (ABIN6952546), kanë dhënë mundësi për të shpëtuar njerëzit e infektuar dhe të sëmurë rëndë. Klonimi i këtyre antikorpeve dhe përdorimi masiv i tyre mund të mundësojë pakësimin e vdekjeve të të sëmurëve rëndë(https://www.antibodies-online.com/areas/infectious-disease/covid-19/sars-cov-2-antibodies/). Shpresojmë që popullata shqiptare të marrë me seriozitet respektimin e rregullave dhe rekomandimeve të qeverisë dhe jo të dëgjojë apo të influencohet nga politikanë apo njerëz që duan të ekspozojnë njohuritë e tyre, njohuri të cilat i kanë të cunguara.