BREAKING NEWS

Ngjarje e rëndë/ Një tjetër pacient hidhet nga lartësia e spitalit 'Shefqet Ndroqi' në Tiranë, policia jep detajet e para

Ngjarje e rëndë/ Një tjetër pacient hidhet nga lartësia
x

Opinion / Editorial

Femra duhet ta meritojë vlerësimin, jo t’i jepet për mëshirë

Femra duhet ta meritojë vlerësimin, jo t’i jepet për

Në një debat televiziv Monika Kryemadhi, në mungesë të argumenteve për të kundërshtuar akuzat e bëra në adresë të saj nga analisti që kishte përballë, iu hakërrua: “Mos harro, se ke një femër përballë dhe duhet të jesh më i matur, kur flet me të. Edhe për etikë”. Kur flasim për etikë, ajo duhet të karakterizojë së pari një femër, pavarësisht se i takon mashkullit të bëjë gjithmonë tolerancë. Mirëpo janë të shpeshta rastet, kur shikojmë debate në TV, dëgjojmë në mjediset shoqërore e takojmë në jetën e përditshme një tip femrash që sillen e tregohen shumë më të egra se mashkulli. Dhe është pikërisht kjo kategori femrash që ankohet pastaj për dhunim e për mungesë etike nga meshkujt. Këta lloj vajzash e grash, që karakterizohen nga mungesa e delikatesës dhe feminitetit të natyrshëm, po shtohen shumë jo vetëm në jetën familjare, por edhe në art e politikë. Nëse do të kishim më shumë femra me dinjitetin e kulturën e duhur, klima politike dhe marrëdhëniet e përditshme në mjedisin shoqëror, nuk do të ishin kaq të acaruara. Në sistemin monist, vërtet kishte më shumë respekt nga shteti dhe shoqëria për femrën, por ama edhe femra vetë në përgjithësi rrezatonte më shumë delikatesë femërore dhe e plotmeritonte mirësjelljen e të tjerëve. Nuk mbante kurrë femra ato raporte, as kapriçioze e as të llastuara me mashkullin, siç ndodh në sot. Në përgjithësi sot marrëdhëniet femër-mashkull janë parë nga femra si superioritet e sundim i mashkullit. Vetë femra, përgjithësisht, më shumë ka kërkuar ta vlerësojnë të tjerët për mëshirë si seks i dobët, se sa ajo të luftojë e përpiqet për t’i fituar ato me meritë. Si në konsolidimin e familjes, ashtu edhe në zbutjen e konflikteve në shoqëri e politikë, kontributi i femrës nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Mjaft familje janë shkatërruar në radhë të parë për mos respektim sa duhet të mashkullit dhe për mosqëndrim korrekt të femrës në përgjithësi. Edhe politika edhe pse kemi vite që i japim prioritet femrës në përqindjen e vendeve në Parlament e drejtimin e dikastereve, ka mbetur e sunduar nga supremacia mashkullore, sepse ajo nuk ka ditur ta luajë me delikatesë e feminilitet njerëzor rolin e saj. Kemi patur e kemi mjaft femra në Parlament, por ai nuk është bërë më i kulturuar, më efektiv në sjellje dhe realizimin e misionit që i është ngarkuar nga populli si tempulli i fjalës së lirë që të bindë për alternativën e duhur. Kjo ka ndodhur se me dashjen e tyre disa femra kanë shfaqur prepotencën e tyre duke shfrytëzuar postin që ua kanë dhënë të tjerët, ose disa të tjera janë munduar ta mbulojnë dobësinë dhe boshllëkun e tyre intelektual me fodullëkun e pushtetit apo në emër të saj se janë femra. E pse u dashka për shembull, siç pretendojnë partitë tona politike, se kryetarëve u dashka lënë në dorë një përqindje e kandidaturave në listat për deputetë, “për të ruajtur barazinë gjinore”!? Tani nuk shtrohet më thjesht lufta për emancipimin e gruas siç pretendohej në monizëm, por për emancipimin e mentalitetit, kulturës dhe moralit të të gjithë shoqërisë. Duke i siguruar femrës një vend në politikë, në emër të barazisë gjinore, është prodhuar një model politik femëror që në disa raste është edhe më i egër se politikanët meshkuj të Parlamentit. A kishte etikë psh qëndrimi i ish-kryetares së Parlamentit,Topalli, kur ajo u drejtohej punonjësve të gardës, “kapeni për zhelesh e nxirreni jashtë atë vagabondin”. Apo kur i drejtohej një tjetri deputet, se “fajin e ka Berisha që nuk u dha plumbin ballit”. E çfarë etike e respekt për femrën, mund të kërkojë një grua tjetër deputete, kur i drejtohej një kolegut të saj deputet se “ju duheni varur tek palma para Kryeministrisë” apo i ulërinte në mënyrën më urryeshme një analisti se “ta fus me shishen kokës”. Nuk mund të ankohet një deputete femër se e përqeshën në rrjetet sociale, kur ajo, jo vetëm që nuk di të japë një mendim të saj në Parlament, por edhe atë fjalim që ia kanë shkruar të tjerët, nuk di ta lexojë saktë. Disa dalin në ekrane për të na dhënë në formë të sforcuar imazhin e gruas së fortë edhe kur nuk janë të tilla. Por imponimi nuk bëhet as me fjalë banale dhe as me kërcënime, por me kulturën e fjalës dhe forcën e argumentit. Ne kërkojmë e duam të shohim në ekrane e të takojmë në jetën e përditshme femrën shqiptare, që të na sjellë imazhin e atyre grave të lavdishme të së kaluarës, si Nënë Tereza, motrat Qiriazi, Margarita Tutulani, Musine Kokalari, Sabiha Kasimati e shumë të tjera, të cilat mbeten për sot dhe të ardhmen model i femrës së dinjitetshme, gjithë etikë e plot bagazh kulturor. Ne kemi sot gra të denja, artiste e politikane, që i dalin zot vetes e i japin sa duhet shoqërisë, por këto janë ende të pakta. Çdo grua që ka marrë përsipër të jetë person publik, pavarësisht nga forca e pushtetit që ka, të mos harrojë për asnjë çast se misioni i saj është delikatesa, shpirtdhembshuria, zëri i butë, dhuratë këto nga perëndia që të kujdeset sa më mirë për veten, familjen dhe pastaj për të afërmit e shoqërinë. Ka një kategori femrash të tjera, sidomos vajza, që pasi “gërricen” në facebook me djem të panjohur, pasi u qepen atyre pas ende pa i njohur mirë për të treguar “tangërllik” dashuror, bien menjëherë viktimë dhe pastaj nisin e ankohen për përdhunim, apo shkelje të dinjitetit femëror. Shohim plot femra të tjera, sidomos artiste e gazetare,që hallakaten tej normave të moralit njerëzor në skena e në plazhe, ekspozojnë pjesët e tyre të trupit, në vend që të shfaqin kulturë në shprehje e veshje, dhe pastaj kërkojnë mbrojtjen e shoqërisë, të mos përgojohen ngaqë “janë femra e duhet më shumë takt me to”. Ka vajza që bredhin gjithë ditën rrugëve, pa pyetur fare se kanë familje, ashtu si disa gra të tjera që i harxhojnë paratë me dashnorët dhe e lënë shtëpinë rrëmujë, e në fund mundohen të justifikohen “po femra jemi ne në fund të fundit,duhet më shumë tolerancë ndaj nesh”. E si mund të pretendoj për etikë e respekt një femër, që jo vetëm shfaqet në ekran e hallakatur, por edhe shprehet si një mashkull haram “s’më plas fare”, “me rob shpie”, apo fillon të japë leksione për seksin, sikur po jep leksione mjekësie për seksologjinë. Ka muaj që jepet një emision në Top Channel me aventura të të rinjve, ku gjuha e të rinjve, sidomos e femrave, jo vetëm që është e dhunshme, jashtë çdo etike, por kalon kufijtë edhe të gjuhës së një mashkulli të paedukuar. Kur flasim kështu, nuk duam të themi se mashkullit i lejohet gjithçka, në sjellje e fjalor meqë është burrë, kurse gruaja duhet të jetë detyrimisht më e kufizuar. Secili ka bagazhin e vet të kulturës dhe sjelljes, por kur flasim për delikatesë femërore e të respektimit të etikës ndaj gruas edhe ajo të mos harrojë për një çast se në fund të fundit është grua dhe nuk i lejohen ca ekzagjerime. As mashkullit dhe jo më femrës nuk i lejohet që në ambiente shoqërore apo familjare të mbajë qëndrime jashtë moralit njerëzor. Ka mjaft femra, madje edhe gra të martuara që shoqërohen me dashnorë VIP-a, ose bosë me emër. Këta lloj femrash harrojnë se kanë familje, braktisin çdo detyrim bashkëshortor, nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli e vetëkontrolli dhe pasi pësojnë disfatën, kujtohen e kërkojnë ndihmë, duke luajtur rolin e viktimës. Ka mjaft femra të tjera që verbohen nga shkëlqimi i pamjes së jashtme dhe lidhen me njerëz të botës se krimit, të cilët kanë përfunduar burgjeve ose i kanë ngrënë kokat njëri-tjetrit dhe këta kanë mbetur rrugëve, si vajza të braktisura e nëna me fëmijë jetimë. Vajzat që e marrin jetën qyl, që kërkojnë përfitime të pamerituara, patjetër që do të kenë një fat të hidhur. Feminiliteti dhe delikatesa, fjala e ëmbël dhe sjellja e ngrohtë duhet ta karakterizojë gruan, se ky është dhe qëllimi që e ka krijuar natyra. Një grua shpirtmirë, gojëmbël që ka në shpirt përkujdesjen dhe dashurinë e natyrshme, nuk denigrohet kurrë, jo më nga burri i saj, po nga asnjë mashkull. A e dini se mjaft gra mundohen ta nënshtrojnë sedrën mashkullore të burrit jo me respekt e përkujdesje, jo me fjalën e matur e dashurinë e sinqertë, por me lajkat e ledhat e rreme, gjejnë metoda banale e rrugë të gabuara, siç është forca dhe pasuria. Asnjë femër nuk duhet të harrojë, se ajo që nënshtron plotësisht në mënyrë të sinqertë burrin, është dashuria. Por kjo përgjithësisht ka munguar dhe i mungon femrës. Ndaj Lasgushi i lirikës së përmallshme, kur po i trokiste në derë pleqëria ka shkruar: “Dashurinë që shemb një burrë/ nuk e njohu gruaja kurrë”.