BREAKING NEWS

A do ketë një pakt të dytë Rama-Basha? Meta jep përgjigjen që nuk e priste askush

A do ketë një pakt të dytë Rama-Basha? Meta jep
x

Opinion / Editorial

Fenomeneve negative t’u paraprijmë dhe jo të vrapojmë pas tyre në panik e në konfuzion

Fenomeneve negative t’u paraprijmë dhe jo të vrapojmë pas

Fenomenet dhe ngjarjet e padëshiruara si tërmetet, zjarret, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut, aksidentet automobilistike, krimi në familje e plot dukuri të tjera negative vazhdojnë të pasojnë pandalshmërisht njëri-tjetrin kudo e gjithandej në vendin tonë e që fatkeqësisht në shumicën determinuese të rasteve na befasojnë e na zënë pothuajse gafil e krejt të papërgatitur e në mëshirë të fatit. Dhe së fundmi në kontinentin e largët, në supershtetin Kinez na u shfaq ashtu papritmas koronavirusi, që nuk mund të parashikohet se kur ose ku mund të shfaqet, gjithsesi duhet të menaxhohet me të gjitha masat që parashikon shkenca mjekësore dhe organizata Botërore e Shëndetësisë. Është fakt dhe duhet pranuar pa ekuivokë se ka edhe fatkeqësi madje jo të pakta, të cilat shpesh na gjejnë të papërgatitur e të shkujdesur që vijnë nga vetë shteti, nga institucionet nga njerëzit, nga specialistët, nga interesat për të fituar sa më shume e sa më shpejt të jetë e mundur edhe në dëm të qytetarëve e të interesit të përgjithshëm. Nuk na hyjnë aspak në punë justifikimet e për të ngushëlluar veten e të themi me papërgjegjësi dhe papërgjegjshmëri e të shprehemi “hë se kaloi” dhe se kaq ishte. Po e filloj me tërmet dhe pikërisht me tërmetin e 21 shtatorit që në fakt ishte një paralajmërim serioz. Por si për shtetin, institucionet, qeverinë edhe specialistët gjeologë dhe ata sizmologë dhe inxhinierët e ndërtimit paralajmërimi i 21 shtatorit ishte një zë në shkretëtirë, nuk u vlerësua fare e për pasojë ai tërmet u pasua nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit e për pasojë humbën jetën qytetarë, u plagosën me qindra të tjerë dhe u shkaktua një dëm ekonomiko-financiar prej afro 1 miliard euro, një dëm i konsiderueshëm ky, pasojat e të cilit ekonomia dhe financat tona do t’i vuajnë për vite dhe dekada.

Por si u gjend shteti,qeveria dhe institucionet përballë kësaj fatkeqësie natyrore dhe si vepruan?

Nuk e ekzagjeroj të them se u gjendën gafil, të befasuar, të papërgatitur e krejtësisht të zbuluar, nga forcat e emergjencës kosovare me ato tonat ku nuk mungoi solidariteti, specialistët profesionistë, mjetet teknike, qentë e përgatitur ku në sajë të punës së tyre heroike shpëtuan disa jetë njerëzish e që meritojnë një mirënjohje të thellë nga ana e vëllezërve shqiptarë. Të gjithë jemi dëshmitarë okularë pasi pamë me zë dhe figurë ndërhyrjet dhe veprimet që pasonin njëri-tjetrin. Veprimet ishin alarmuese, çoroditëse të rrëmujshme, të paqarta, konfuze kaotike ku dukej qartazi frika, paniku dhe pasiguria sesi duhej vepruar në raste të tilla. Problematika e mangësi serioze u vërejtën në mungesën ose pamjaftueshmërinë e çadrave dimërore, në batanije, në medikamente mjekësore, në ushqime, në ngrohëse si reflektorë, kondicionerë aq të nevojshëm për stinën e dimrit. Të gjitha këto mangësi e problematika serioze për shkak të mos marrjes në kohë të masave në situata të tilla emergjente dhe të jashtëszakonshme. Po vazhdoj me fatkeqësitë e përmbytjeve, ku gjithë ultësira bregdetare që nga Velipoja e deri në grykëderdhjen e lumit Vjosa është tepër e ekspozuar dhe e prekur dhe e atakuar nga kjo fatkeqësi me kosto të lartë ekonomike e financiare, pasi janë përmbytur të mbjellat është rrezikuar seriozisht jeta e njerëzve, bagëtive, shpendëve,bletarisë dhe çdo gjëje tjetër. Edhe gjatë përmbytjeve dhe rrëshqitjeve masive të dheut jemi ndeshur me mangësi si zvarritje të ndërtimit të argjinaturave prej të cilave kemi hequr dorë, ndërtimin e barrierave mbrojtëse madje është qesharake dhe banalitet ta thuash, por mungojnë edhe çizmet e llastikut, pelerinat për mbrojtjen nga shiu etj. Po vazhdoj edhe me fenomenin e zjarreve. Punohet pak ose aspak për propagandimin e masave konkrete kundra zjarreve, është minimal numri i makinave zjarrfikëse të viteve ‘60-të dhe krejtësisht të amortizuara, që të lënë në mes të rrugës pa vajtur në destinacion e për pasojë detyrohemi të shuajmë zjarrin me degë shkurresh e mjete të ndryshme rrethanore. Si konkluzion përsa nënvizuam më sipër veç të tjerave na duhet që me veprime parandaluese të fitojmë përvojë që të mos përballemi me të papritura. Lordi Salisbury politikan i viteve 1830-1903 ka thënë: “Një gram përvojë vlen më shpesh dhe më shumë se sa një ton teori”. Prandaj lypset ta kërkojmë e ta pasurojmë përvojën tonë të vyer në parandalimin e dukurive negative e me punë e angazhime konkrete t’i parandalojmë ato. Disa fjalë për politikën dhe politikanët tanë që në të shumtën e rasteve kur ndodhin fenomene të tilla natyrore më shumë zhurmojnë, llafollogjojnë e propagandojnë sesa punojnë. Mazhoranca mburret e trumbeton bujshëm se ka bërë gjithçka dhe më të mirën e mundshme, ndërsa opozita nihiliste nxin e baltos gjithçka. Të dy krahët hidhen në sulm me tërbim ndaj njëri-tjetrit për të mbajtur dhe mirëmbajtur me thonj e me dhëmbë një kockë të pushtetit kaq shumë të ëndërruar e të dëshiruar.