Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Filati i Çamërisë, me personalitete të mëdhenj si Qazim Demi

Postuar: 23/09/2018 - 07:43

Gjurmët e jetës, punës dhe sakrificës së Qazim Demit janë të gdhendura fort në qytetin e Sarandës, ndonëse ai ka lindur në Filat të Çamerisë, një ndër qendrat kryesore patriotike e kulturore të trevave të Jugut. Në memorien e këtij qyteti relativisht të ri, emri i Qazim Demit zë një vend të veçantë e të nderuar, sepse ai është një ndër pionierët e parë të arsimit, një ndër aksionerët që hodhi kapitale serioze për kohën në drejtim të zhvillimit ekonomik të qytetit te Sarandës dhe zonave rreth tij, një ndër luftëtarët dhe nacionalistët e flaktë gjer në flijim për lirinë e Atdheut dhe çështjen kombëtare.

Qazimi lindi në derën e madhe të Dematëve në vitin 1882, në një familje me kontribute të shquara prej disa brezash, e njohur për veprimtari shoqërore dhe atdhetare. I ati, Mahmut Demi, ka qenë anëtar i Kryesisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për trevat e Jugut të Shqipërisë dhe është dekoruar me medaljen “Për veprimtari politike” me këtë motivacion: “Ka marrë pjesë me armë në dorë ne luftën kundër pushtuesve osmanë dhe shovinistëve grekë në mbështetje të qeverisë së përkohshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ka qenë pjesëmarrës në kuvendet e organizuara nga Dega e Lidhjes së Çamërisë në vitet 1878-1881. Ka qenë nënshkrues i të gjitha promemorieve të Lidhjes për Jugun, dërguar fuqive të mëdha të Europës.

Fakte mbi aktivitetin patriotik të Mahmut Demit jepen në disa vepra të botuara si: “Akte te Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912” Tiranë 2002. Në hulumtime historike të historianit Ibrahim D. Hoxha, etj. I edukuar me frymën e lirisë dhe pavarësisë,që në vogëli Qazim Demi mërgon në SHBA në vitin 1904, ku u arsimua dhe mori pjesë në organizatat kombëtare shqiptare që u ngritën atje. Bashkë me shumë shqiptarë të tjerë, të grumbulluar rreth federatës panshqiptare “Vatra” , nën drejtimin e Nolit dhe Konicës punon e kontribuon për idealet atdhetare. Është koha kur “Vatra” bëhet promotor i luftës për lirim pavarësi dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë, rrezikuar gjatë Luftës I Botërore nga fuqitë imperialiste dhe shoviniste.

Në kuadrin e fushatës “Për shpëtimin e Shqipërisë” që organizoi ne vitin 1917 Federata “Vatra” i riu Qazim Demi është përherë i pranishëm. Në poezinë luftarake “jepni për Nënën” shkruan me 1917, Fan Noli u bënte thirrje të gjithë shqiptarëve që ndodheshin në Amerikë dhe kudo në diasporë të mos kursenin asgjë për ta ndihmuar Shqipërinë. Vargjet refren aq kumbuese të kësaj poezie “Mbahu Nënë mos ki frikë,/ se ke djemtë në Amerikë”, u bë himn për ata që e donin me të vërtetë Atdheun e tyre. Në këto rrethana, i frymëzuar nga qëndresa dhe lufta e shqiptarëve në Veri dhe Jug për mbrojtjen e tërësisë territoriale, Qazim Demi i shkolluar dhe i pjekur politikisht kthehet ne Atdhe për t’u inkuadruar ne Luftën e Vlorës me 1920. Duke dëshmuar për këtë periudhë të jetës së tij që shënon një kthesë vendimtare, historiani Ibrahim D. Hoxha shkruan: “...Mori pjesë në organizatat shqiptare që u ngritën kohë pas kohe në SHBA dhe më 1920, fl. 5 shkruhet: “Në Qershor 1920 Qazim Demi me shumë shokë të tjerë nxorën armë nga Korfuzi në Ksamil për të organizuar mbrojtjen territoriale nga Italia e Greqia”. Pas luftës së Vlorës u vendos përfundimisht në Sarandë ku iu përkushtua me plot zell punës për mëkëmbjen ekonomike të këtij qyteti që po hidhte hapat e para drejt ekonomisë kapitaliste. Ishte ndër aksionerët kryesorë në grupin Q.Demi, M. Muzina, K.Selfo, S.Puto, etj., që zotërojnë konçesione për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike. Ish-centralin elektrik të Sarandës tek shëtitorja buzë detit e mbajnë mend të gjithë sarandiotët e vjetër, të cilët kanë njohur nga afër edhe Qazim Demin.

Rreth këtij aktiviteti shkruhet në veprën “Ndërhyrja e kapitalit të huaj në industrinë elektrike në Shqipëri në periudhën 1925 – 1944” me autor I. Fishta, M. Doçi. Po në këtë periudhë Q. Demi është pronar i një punishteje akulli. Në broshurën “Saranda në 30-vjetorin e Çlirimit” botuar më 1974, mes të tjerash shkruhet: “...Ndërsa sipërmarrësi Qazim Demi kishte ngritur një punishte akulli në një central elektrik me kapacitet prej 15Hp. Ishte gjithashtu aksioner në fabrikën e miellit. Siç del dhe siç dëshmojnë të dhënat e kohës, Qazim Demi po integrohej me shpejtësi dhe me guxim ne sipërmarrje biznesi, duke u bërë një ndër pionerët e parë të kapitalizmit në gjithë jugun e vendit. Investimet e tij vijnë duke u rritur dhe ishin mjaft të vlerësuara për kohën. Duke qenë se transporti ishte pika kritike, shqiptaro-amerikani Q.Demi, i inkuadruar fort në problematikën e kohës, vendosi të investojë në këtë sektor, duke blerë dy automobil dhe dy mjete lundrimi (benzinata). Automobilet përdoreshin për transport njerëzish dhe mallrash ne linjën Sarandë-Konispol dhe Sarandë-Delvinë-Gjirokastër.

Ndërsa motobarkat bënin itinerarin Sarandë-Korfuz dhe Sarandë-Brindizi, në dispozicion të transportit të udhëtarëve dhe mallrave. Bashkëkohësit kujtojnë se njëra prej benzinatave të Qazimit u mbyt gjatë bombardimeve italiane në fillim të Luftës së II Botërore, ndërsa tjetrën e bleu Ghaqe Lepuri, i njohur në Sarandë si njeriu i detit me zemër të madhe sa deti.

Për ndihmën e madhe që Qazim Demi i jepte popullit të Sarandës, Delvinës e Konispolit, historiani I.Hoxha shkruajti: “Emri i Qazim Demit u bë shumë i njohur në rrethet e jugut. Ai njeri zemërbardhë e mirëbërës fitoi emër të mirë në të gjithë popullatën e Jugut”. Gjatë luftës italo-greke më 1940, Qazimi vuri makinat e veta falas në shërbim të atyre që nuk e duronin zgjedhën greke e sidomos të atyre që rrezikoheshin nga grekët. Me makinat e tij u bartën qindra vetë nga Saranda ne Vlorë”. Por kontributi i intelektualit që për 15 vjet u shkollua e punoi në SHBA nuk mund të kufizohej vetëm me kaq. Në vitin 1931 ka qenë kryekujdestar i konviktit “Çamëria” në Sarandë, ku ka dhënë një kontribut të madh në tërheqjen e fëmijëve çamër në konvikt dhe në ruajtjen e kontigjentëve. Ai në letrën e datës 11.03.1936 dërguar Ministrisë së Arsimit në Tiranë, kërkon largimin e drejtorit të konviktit “Çamëria” për njollosje të figurës së tij morale” (marrë nga AQSH, Fondi MA, Dosja 130, viti 1936, fl. 83). Dokumenti i mësipërm flet për virtytet e tij të pastra morale dhe për guximin me të cilin ai demaskon dhe denoncon zyrtarët e njollosur.

Ky intelektual i zoti, idealist e patriot, ka patur sferën e njohjes dhe të veprimtarisë mjaft të gjerë. Dëshmitë e kohës tregojnë për miqësitë me vëllezërit Gjylbegu, Ismail e Hamit Gjylbegu, njerëz me kapacitete intelektuale, antikomunist të vendosur, të cilët kanë jetuar e punuar në zonat e Jugut. Veprimtaria intelektuale, patriotike e antikomuniste e Qazim Demit vjen gjithmonë duke u rritur. Kronikat e kohës flasin për rolin e tij si anëtar i klubit patriotik “Bashkimi”. Në ASHQ, Fondi MPB, Dosja 32, viti 1935, fl. 2, shkruhet: “Qazim Demi në vitin 1935 ka qenë anëtar i klubit patriotik “Bashkimi”. Për veprimtarinë e tij u akuzua në Ministrinë e Punëve të Brendshme nga xhandarmëria e Gjirokastrës”.

Periudha e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare do ta gjejë në ballë të frontit. Si patriot me trashëgimi stërgjyshore do të inkuadrohej në fillimet e rezistencës në luftën kundër armikut të përbashkët. Populli ynë i përfshirë në luftën e madhe çlirimtare përkrah popujve të Europës që vuanin nën thundrën e fashizmit, kërkonte në krye figura të nderuara si Qazim Demi, që kishin besimin dhe simpatinë e masave. Në janar të vitit 1943 zgjidhet i pari kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar për Konispolin dhe në maj 1943 kryetar i këshillit Krahinot Nacionalçlirimtar. Këshilli në drejtimin e tij organizoi kundër-goditjen 55 ditore kundër nazistëve gjermane në kufirin shqiptaro-grek (5 gusht - 27 shtator 1943). Më 27 shtator u tërhoq nga Konispoli në luftime në përbërjen e batalionit “Çamëria” dhe njësive luftarake të krahinës. Pas disa ditësh është gjendur i vrarë në njërën nga shtëpitë e fshatit Markat, ku ishin grupuar përkohësisht njësitë luftarake partizane. Ishin metodat sllavo-komuniste të eliminimit të figurave të shquara të nacionalizmit shqiptar, të ekzekutimit pa gjyq dhe të larjes së hesapeve me intelektualët e përmasave perëndimore dhe luftëtarët e paepur për një Shqipëri demokratike e antikomuniste. Janë pikërisht bindjet e tij antikomuniste dhe vizionet e qarta nacionaliste motivet e vërteta të ekzekutimit të tij nga forcat e errëta antikombëtare.

Kështu pushoi së rrahuri më 15 tetor 1943 zemra e patriotit të madh e intelektualit dhe biznesmenit të periudhës pas pavarësisë e luftëtarit dhe kryekëshilltarit gjer afër perëndimit të Luftës së Dytë Botërore, të njeriut që i dha aq shume Sarandës duke vënë gurë të fortë në ndërtimin dhe zhvillimin e saj. Pas çlirimit të vendit do të fillonte kalvari i vuajtjeve dhe mundimeve të gjata të familjes, të gruas së tij Elma Remzi Demit, të fëmijëve: Tekiut, Muhazezit, Kujtimit dhe Lumturisë. Ata u shpallen kulakë, u degdisën nga një vend në tjetrin, u rrëmbyen pronat, përjetuan privimet e gjata të luftës së klasave. Sot, bijtë e Qazim Demit jetojnë në Shkodër prej afro 50 vjetësh. Vitet kanë qenë të rënda për ta, por bujaria shkodrane na ka ngrohur zemrat. Megjithatë, rrënjët i kanë në Sarandë, atje ku i hodhi me punën dhe emrin e nderuar babai i tyre, emri i të cilit meriton përjetësinë. Tek shikoj Tekiun, të birin e tij, me kaq shumë flokë bore mbi krye, në dyert e gjykatës së Sarandës, në një pafundësi gjyqesh për të marrë atë që i takon dhe që e di e gjithë Saranda, më dhimbset kur flet me drithërima. Prandaj vendosa të shkruaj për Qazim Demin. Ta marrin vesh edhe të pacipët se historia shkruhet e rishkruhet. Prandaj kam gërmuar kaq shumë në libra e arkiva, që të them diçka nga jeta dhe puna e tij e madhe. Për të kanë shkruar edhe të tjerë, janë bërë emisione televizive./ Nga Feruz SHABANI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 10

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/12/2018 - 07:14

Ka plot varreza (vend varrime) ushtarësh të huaj në territorin shqiptar! Janë turq, serbë, malazezë, grekë, italianë dhe biles ka pasur dhe gjermanë e anglezë!

Postuar: 19/12/2018 - 07:13

Arsimi është mbrojtësi më i mirë i lirisë nga ushtritë e armatosura të injorantëve.

Postuar: 19/12/2018 - 07:12

Kanë ardhur e kanë ikur qysh nga rënia e komunizmit shumë “pronarë”.

Postuar: 19/12/2018 - 07:11

Drejtuesi i fondacionit Konrad “Adenauer”, Walter Glos, duke komentuar protestën e st

Postuar: 18/12/2018 - 07:16

Opozitarizmi është shtrirë deri në familje.

Postuar: 18/12/2018 - 07:14

Protesta e studentëve të universiteteve publike është në ditën e 14 të saj, duke tërhequr vëmendj

Postuar: 18/12/2018 - 07:13

Edhe pse Napolon Bonaparti pati thënë dikur se “Historia është versioni i ngjarjeve të kalu